Opinion.al – 22/02/19
Nga Erjon Uka
/Sot ish-kryeministri Sali Berisha foli sërish për “mosbindje civile”. Prej kohësh ai dhe opozita kanë hedhur idenë e zbatimit të mosbindjes civile në kontekstin shqiptar. Përgjatë këtyre viteve të fundit, mund të kemi një rast të mosbindjes civile në Shqipëri, por ajo nuk ka ardhur nga opozita.
Libri “Mosbindja Civile”, manuali i protestave paqësore
Zyrtarisht në disa fjalorë, “mosbindja civile” përkufizohet si refuzimi nga një pjesë e qytetarëve të organizuar për t’iu bindur një ligji të gjykuar si i padrejtë, përmes manifestimeve publike. Termi u formulua për herë të parë nga Henry David Thoreau, i cili u burgos për shkak se refuzoi të paguante taksën e luftës së Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
“Mosbindja civile”, përkthyer edhe në shqip, mbetet vepra më e njohur e Henry David Thoreau, poet, filozof dhe historian amerikan që jetoi në vitet 1817-1862. Në fakt, për sa kohë ai ishte gjallë vepra u botua nën titullin “Rezistenca ndaj qeverisë civile” dhe nuk pati ndonjë ndikim të veçantë. Ai ishte thjesht transkiptimi i një leksioni të mbajtur nga Thoreau në vitin 1848 në Concord Lyceum.
Fama e këtij libri u rrit shumë përgjatë shekullit të XX-të. Parimet e tij gjetën zbatim në politikat e Gandit dhe Martin Luter Kingut. I pari aplikoi parimet e mosbindjes civile në Indi, ndërsa i dyti në lëvizjen për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet ’60. Gjithashtu, një rast i mosbindjes civile konsiderohet edhe rezistenca ndaj ligjit të shërbimit ushtarak në Itali në vitin 1972, e cila u udhëhoq nga Partia Radikale dhe lëvizja civile paqësore.
Thelbi i këtij libri lidhet ngushtësisht me parimet etike, duke thënë se e drejta ka më shumë rëndësi se ligji. Thoreau mendonte se ishte më i rëndësishëm respektimi i të drejtës, se sa respektimi i ligjit.
Një besim i tillë natyrisht lë shumë dritëhije në gjykimin se çfarë mund të jetë e drejtë dhe e gabuar, morale apo amorale. Gjithçka varet nga këndvështrimi personal. Por ajo që i bëri të suksesshme idetë e Thoreau në shekullin e XX-të ishte mohimi i dhunës. Thoreau thotë se duhet të refuzojmë të ndjekim veprime apo urdhra që besojmë se nuk janë të drejta, të refuzojmë qeverinë që kërkon t’i imponojë ato edhe me rrezikun e dënimit apo burgosjes, por në esenë e tij, Thoreau nuk flet kurrë për protesta të dhunshme. Falë aplikimit të këtyre ideve nga Gandi dhe Martin Luter Kingu, sot “Mosbindja Civile” konsiderohet si një lloj manuali për protesta paqësore. Për shumë studiues, ky libërth konsiderohet si një lexim i domosdoshëm, sidomos në ato vende ku në nivel politik ka një tension mes klasës qeverisëse dhe pjesës tjetër të popullsisë.
Duhet thënë se ky libër dhe këto mendime u formësuan në kontekstin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thoreau ishte kundër skllavërisë, temë për të cilën foli gjithë jetën. Ai ishte shumë aktiv pas miratimit të Ligjit për Arratisjen e Skllevërve, në vitin 1850, sipas së cilit detyroheshin zyrtarët e Veriut të kapnin dhe të rikthenin skllevërit e arratisur nga Jugu. Vetë Thoreau u angazhua në mbrojtjen e disa skllevërve dhe mendonte se ishte absurde që një gjykatë të vendoste për lirinë e një njeriu. Ai besonte në mënyrë të patundur në të drejtat e individëve, kishte bindjen se çdo person duhet të respektonte së pari ndërgjegjen e tij dhe jo ligjet e një qeverie të caktuar. Ky mendim ishte tharmi që e bëri të shkruante esenë “Mosbindja civile”.
Është e qartë se një koncept i tillë buron nga besimi i patundur në aftësitë e individit për të kuptuar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e gabuar. Gjithsesi, nga shumë studiues të mëvonshëm, megjithëse Thoreau nuk quhet anarkist, këto ide konsiderohen shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike, duke qenë se nuk njeh asnjë vlerë të mazhorancës por respekton vetëm idetë “e drejta” të individëve, të cilat varen nga morali i gjithsecilit.
Si nis libri “Mosbindja Civile”?
“E pranoj me gjithë zemër pohimin: “Qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak” dhe do të doja ta shihja të vendosur në praktikë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më sistematike. Nëse zbatohet, ajo mund të çojë në afirmimin tjetër, në të cilin gjithashtu besoj: “Qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare” dhe kur njerëzit do të jenë gati, do të kenë pikërisht këtë tip qeverisjeje. Në rastin më të mirë, qeveria është vetëm diçka e nevojshme. Por pjesa më e madhe e qeverive janë të nevojshme, por të padobishme. Të gjitha qeveritë janë të tilla herë pas here.”
Disa raste të mosbindjeve civile
“Marshimi i kripës” është lëvizja më e njohur e drejtuar nga Gandi kundër kolonizuesve britanikë, për kundërshtimin e monopolit të kripës. Ajo u zhvillua në mars të vitit 1930, duke nxitur një valë të mosbindjes civile, nëpërmjet marshimeve. Indianët kërkonin prodhimin dhe transportin e kripës, pa paguar taksat. Kjo lëvizje nuk pati një fund të mirë, pasi u shtyp nga britanikët dhe qindra manifestues u arrestuan.
Një tjetër rast i mosbindjes civile konsiderohet ai i punëtorëve amerikanë gjatë krizës financiare, e njohur si “Depresioni i Madh”. Punëtorët e fushave të pambukut dhe të minierave nuk donin të humbisnin vendet e punës, gjë që u përhap edhe në fabrika. Punonjësit e këtyre të fundit nisën në shenjë proteste nisën të uleshin në mjediset e fabrikës, duke mos punuar.
Në dekadat e fundit, rasti më i famshëm mbetet kundërshtimi i “Taksës së votës” në Britani në 31 mars 1990. Pjesëmarrësit në manifestim ishin më shumë se 200,000 britanikë dhe në organizim ndihmoi edhe Partia Laburiste. Gjithsesi, për shkak të masivitetit, në këtë protestë u lënduan 113 persona, ndër të cilët manifestues, kalimtarë të thjeshtë por edhe policë. Kjo çoi më pas në arrestimin e 339 personave.
Mosbindja civile në Shqipëri
Qëkur është artikuluar ky term në Shqipëri, mosbindje civile mund të quhet vetëm manifestimi i studentëve në dhjetor të vitit 2018. Megjithëse në media ajo u quajt si protestë, organizimi i studentëve përmbush kriteret për t’u quajtur mosbindje civile. Megjithëse ishin në sezon mësimi, ata braktisën auditorët dhe manifestuan paqësisht përballë institucioneve. Gjithashtu bllokuan rrugët, pavarësisht se nuk kishin marrë leje për këtë. Pra, për një kohë të caktuar kohe ata nuk iu bindën autoriteteve, duke menduar se kauzat e tyre “të drejta” kishin më shumë rëndësi se sa “ligji”. /Opinion.al