(MOS)BETIMI I ILIR METËS

0
982

Av. XHABIR ZEJNUNI

Përmbajtja. 1. Dilemë (para)post elektorale! 2. Meta pengohet për t’u betuar me 24 korrik. 2.1. Kuorumi pjesëmarrës i nevojshëm për betimin e Presidentit. 2.2. Seancë e jashtëzakonshme apo e zakonshme? 2.3. Llojet e seancave të jashtëzakonshme. 2.4. Problemet që krijohen me Metën e pabetuar si President, por si zevendësues të Presidentit. 2.5. Gjendje e jashtëzakonshme lufte. 2. 6. Problemet që krijohen pa President. 2.7. Zgjedhja e Kryeministrit. 2.8. Mbledhja e Kuvendit të Ri pa President në detyrë. 2.9. Nishani BIS?! 2. 10. Investimi i Gjykatës Kushtetuese. 2.11. Respekt kushtetues dhe ligjor. 2.12. Jehona e (mos)betimit.

1. Dilemë (para)post elektorale!
Ilir Meta i zgjedhur President nga Kuvendi me 28 prill, do bëjë betimin me 24 korrik. Duke qenë se ai është musliman bektashi praktikant, kur të betohet, do shtojë edhe frazën e parashikuar nga Kushtetuta tek neni 88, par. 3: “Allahu më ndihmoftë”. Me dorë mbi Kur’An. Mbase edhe mbi Bibël për hatër të Zonjës së Parë, e cila është kristiane praktikante.
Por.

Për të mos e lënë popullin “sovran” pa “përtypur” politikë edhe në këtë stinë kaq të nxehtë, në tregun mediatik dhe politik është hedhur për “konsum” problemi i (MOS)BETIMIT si President i zgjedhur të Ilir Metës.

Gjithkush po kontribuon në këtë rast.
Pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, Rama i kujtoi Metës se “Mori votat për të qenë President konsensual dhe për të qenë mbi palët” dhe vazhdoi “Meta reflekto, riparo dëmin, të votuam si President konsensual dhe jo konfliktual”. Cili ishte DËMI i MADH që shkaktoi Meta, duke mos qenë akoma President? Pasi nëse pranohet se Meta ka vepruar në cilësinë e Presidentit, atëherë do thotë se ne paskemi DY presidentë: Nishanin dhe Metën. Antikushtetuese dhe qesharake kjo situatë.

Sipas Ramës, Meta nuk duhej të bënte fushatën elektorale, ose të mbrohej kur aleanca PS+PD gjatë fushatës elektorale bënte shkaktare kryesore të keqqeverisjes 4 vjeçare, vetëm LSI-në me në krye Metën. Dhe reagimi duhej pritur në këtë rast. Mbase Metën edhe e provokuan më shumë, në mënyrë që ai të reagonte, për të pasur si rrjedhojë më vonë justifikimin për t’i penguar atij betimin si President me 24 korrik. Dhe po nuk u realizua kjo, atëherë të kërkohej më vonë shkarkimi i tij nga posti i Presidentit.

Me këtë rast, janë hedhur teza dhe hipoteza të ndryshme në lidhje me (mos)betimin e Metës.
Madje ndonjë këshilltar “brilant” i matanë kufirit i Kryeministrit(BIS) Rama, (i “këshilluar” edhe ai vetë mbase nga i këshilluari i tij!) e bën fakt të kryer MOS betimin e Metës.

Edhe para fushatës elektorale, ndonjë politikan opozitar i orëve të fundit dhe deputet i emëruar natën vonë, e “folklorizoi” paksa fushatën elektotale, kur hodhi tezën e mos betimit të Metës, duke u munduar të gjejë justifikime kushtetuese, të cilat habitën shumë persona kur i lexuan ato, duke qenë se ai është edhe jurist!
Në lidhje me këtë problem, ka disa variante dhe nënvariante, me pasojat përkatëse.

1. Meta betohet me 24 korrik.
1.1. Meta fillon detyrën e tij si President.
1.2. Tentohet shkarkimi i Metës nga posti i Presidentit në legjislaturën e ardhshme. (Varianti i parë nuk është objekt diskutimi i këtij shkrimi).
2. Meta pengohet për t’u betuar me 24 korrik. Pasojat.

2. Meta pengohet për t’u betuar me 24 korrik.
2.1. Kuorumi pjesëmarrës i nevojshëm për betimin e Presidentit.
Kushtetuta në nenin 88, par. 3, disponon se “Presidenti fillon në detyrë PASI bën betimin para Kuvendit, por jo më pare se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet….”. Që do të thotë se sapo të dorëzojë mandatin Nishani, menjëherë duhet të betohet Meta, për të marrë detyrën e Presidentit. Kjo dispozitë parashikon se betimi i Presidentit bëhet para Kuvendit, por nuk parashikon kuorumin e nevojshëm të prezencës së deputetëve. Kështu, në Kuvend, mjafton të paraqiten edhe më pak se 71 deputetë, që t’i mundësohet Metës të bëjë betimin. Në këtë rast, Metës mund t’i mjaftojnë edhe 16 deputetë. Të LSI-së!

Ndokush i referohet Rregullores së Kuvendit, e cila në nenin 56, par 1, disponon se: “Përpara çdo VOTIMI, drejtuesi i seancës plenare verifikon numrin e deputetëve të pranishëm në sallë”. Par. 2, vazhdon më tej se: “Drejtuesi i seancës, në çdo kohë, si dhe kur kjo kërkohet nga të paktën 7 deputetë, verifikon nëse në sallë është i pranishëm numri i kërkuar i deputetëve. Kërkesa për verifikimin e numrit të deputetëve të pranishëm shprehet me ngritjen në këmbë të kërkuesve. Për verifikimin e numrit të deputetëve, drejtuesi i seancës bën thirrjen në mënyrë elektronike ose nominale”. Siç shihet, neni 56 i referohet kuorumit të pjesëmarrësve në VOTIM dhe jo në BETIM. Nuk mund të barazohet një term substancial (votimi) me një term formal (betimi). Askund nuk është shkruar se për betimin duhen më shumë se gjysma e deputetëve.

Me 24 korrik, nuk do kemi votim, por vetëm betim, i cili nuk kërkon një kuorum të caktuar. Dhe duke mos pasur votim, atëherë nuk duhet (mund) të ketë verifikim prezence në sallë. Ndërsa par. 3, disponon se “Kur mungon numri i kërkuar i deputetëve për marrjen e vendimit, drejtuesi i seancës shtyn seancën për 60 minuta dhe në rast se edhe pas kësaj kohe nuk arrihet numri i kërkuar, e anulon atë ….”. Në rastin e betimit, nuk merret asnjë lloj vendimi, por vetëm asistohet. Si rrjedhoje, nuk ka pse të verifikohet numri i deputetëve.

Ndërsa neni 55, par. 1, (“Kuorumi dhe vendimmarrja në seancë plenare”) disponon se “Ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat konsiderohen të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë parashikohet shumicë e cilësuar për miratimin e tyre”. Siç shihet, edhe në këtë nen, nuk përmendet betimi dhe kuorumi i nevojshëm. Dhe kjo është më se e logjikshme, duke qenë se betimi formal (dhe ceremonial) në rastin Meta, pason zgjedhjen substanciale të tij me datën 28 prill.

Po ashtu, par. 3, disponon se “Drejtuesi i seancës plenare, në leximin e rendit të ditës, i njofton Kuvendit edhe shumicën që kërkon miratimi i projektligjit ose i projektvendimit”. Edhe në këtë rast, nuk bëhet fjalë për shumicë të nevojshme për betim, por për projektligje apo projektvendime.

2.2. Seancë e jashtëzakonshme apo e zakonshme?
Kushtetuta tek neni 66, par. 4, disponon se “Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”. Kjo normë, tregon shumë qartë se vetëm “përpara masave të jashtëzakonshme”, Kuvendi mund të bëjë ndonjë përjashtim për “të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit”. Me 24 korrik (ose 45 para mbarimit të mandatit) Kuvendi do mblidhet jo për të votuar ndonjë ligj emergjent, por vetëm për të asistuar në betimin e Metës.

Kushtetuta në nenin 84, par. 4, disponon se “Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”. Një seancë e jashtëzakonshme, nuk është e tillë se e emërton Presidenti, por konsiderohet kështu jo vetëm në lidhje me kohën kur ajo thirret, por edhe me objektin që ajo trajton.

Ka raste kur kjo seancë e jashtëzakonshme i ka të dyja elementet: kohën e thirrjes dhe objektin e trajtuar. Rasti i tillë, ishte mbledhja e Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme me datën 22 maj, për të miratuar disa ndryshime ne Kodin Penal!
Por, ka raste kur kjo seancë e jashtëzakonshme nuk i ka të dyja elementët: ka kohën e thirrjes, por jo objektin e trajtuar. Me 17 qershor, u thirr seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për të zëvendësuar anëtaren e Komisionit AD HOC të Vettingut Jorida Tabakun (e cila lindi dy binjakë), me Gerti Bogdanin. Nuk dihej më parë se Jorida Tabaku ishte shtatzënë, në mënyrë që ajo të mos caktohej në Komisionin ad hoc të Vettingut me 22 maj, për t’u zëvendësuar më vonë?!

Po ashtu, kur seanca thirret gjatë punimeve normale të Kuvendit, për votimin e një ligji emergjent, atëherë ajo është e jashtëzakonshme për objektin që trajton, por jo për kohën kur ajo thirret.

Në të kundërt, seanca mund të jetë e jashtëzakonshme për kohën kur thirret, por jo për objektin që ajo trajton. Siç është rasti i betimit të Metës. Ose më saktë, në këtë rast kjo seancë do jetë e posaçme.

Me 24 korrik 2012, kur u betua Nishani (me 16 qershor ai u zgjodh President), seanca ishte e zakonshme (e posaçme), pasi ishte thirrur gjatë punimeve normale të Kuvendit.

Kushtetuta në nenin 74, par. 1, parashikon se “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit”.

Ndërsa Rregullorja e Kuvendit, tek neni 42, par. 1, (“Sesionet e punimeve të Kuvendit”) parashikon se “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit. Fillimi i çdo sesioni të ri parlamentar bëhet me seancë plenare të Kuvendit”. Nishani u zgjodh President me 11 qershor 2012 (Vendimi Nr. 23/2012). Ndërsa njoftimi për betimin e Nishanit, u bë i ditur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli me 19 korrik 2012, e cila deklaroi: “…Ju bëj me dijeni se të martën me 24 korrik në orën 18:30, sipas Kushtetutës, do të zhvillohet seanca e betimit të Presidentit të Republikës”. Kështu, mjaftoi një njoftim formal, që deputetët të ishin prezent me datën 24 korrik në ceremoninë e betimit të Nishanit. Dhe nuk u thirr asnjë seancë e jashtëzakonshme!

Në rastin e betimit të Nishanit me 24 korrik 2012, u bë një seancë e posaçme, për arsyen e thjeshtë se Kuvendi po zhvillonte normalisht punimet. Pas 24 korrikut, Kuvendi mbylli punimet e sesionit të parë. Në ceremoninë e betimit të Nishanit, morën pjesë edhe socialistët me në krye Ramën
Par. 2, vijon se “Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij”. Në rastin e betimit të Metës, i jashtëzakonshëm nuk është betimi i tij, por thirrja e Kuvendit duke qenë se legjislatura ka mbyllur punimet me 4 maj. Por, nëse nuk do ishte mbyllur legjislatura, atëherë kjo seancë do kishte qenë e zakonshme, ashtu siç ka qenë edhe më parë ajo në rastin e betimit të presidentëve të tjerë, duke qenë se të gjithë ata janë zgjedhur dhe kanë bërë betimin gjatë vazhdimit normal të legjislaturës dhe jo në fund të saj, siç është rasti i Metës.

Duke qenë se në rastin e Metës, Kuvendi i ka mbyllur punimet me 4 maj, atëherë ky Kuvend mund të aktivizohet për betimin e Metës vetëm me anën e mbledhjes së jashtëzakonshme (formale) me 24 korrik të thirrur nga Presidenti Nishani. E jashtëzakonshmja e kësaj seance, ka lidhje vetëm me faktin e thirrjes që ju bëhet deputetëvë për të qenë prezent me datën 24 korrik, duke qenë se ka mbaruar legjislatura me 4 maj. Nga ana tjetër, kjo seancë është vetëm një formalitet, duke qenë se nuk bëhet ndonjë votim i veçantë sipas Kushtetutës, por asistohet vetëm në ceremoninë e betimit të Presidentit të Ri. Nëse një seancë e tillë thirret gati një muaj para betimit (ashtu si edhe në rastet e tjera), kjo ka të bëjë edhe me faktin e organizimit të ceremonisë së betimit si dhe me ftesat që ju bëhen personaliteteve të ndryshme dhe trupit diplomatik për të asistuar në këtë ceremoni. Pasi nëse fton dikënd sot për nesër, humbet serioziteti i betimit dhe vështrë se mund të vijë ndokush i ftuar në këtë mënyrë.

2.3. Llojet e seancave të jashtëzakonshme.
Seanca e jashtëzakonshme, është dy llojesh: thelbësore dhe formale.
Kur seanca e jashtëzakonshme thirret për të aprovuar një ligj urgjent, i cili “bypason” afatet normale kushtetuese, atëherë ajo quhet thelbësore. Kushtetuta në nenin 83, par. 2, parashikon se “Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një së pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit”.
Ndërsa kur seanca e jashtëzakonshme thirret për një ceremoni betimi, atëherë ajo është formale. Në rastin në fjalë, emërtimin “e jashtëzakonshme” seancës ja jep fakti se mblidhet Kuvendi duke qenë se është mbyllur legjislatura normale, por jo se objekti për të cilin është mbledhur kjo seancë, ka rëndësi të jashtëzakonshme, pasi kemi të bëjmë vetëm me ceremoninë e betimit.

Presidenti Nishani me dekretin N. 10559 të datës 30 qershor 2017, ka thirrur Kuvendin “Në sesion të jashtëzakonshëm, për bërjen e betimit të Presidentit të Republikës, me datën 24 korrik 2017” (neni 1). Ndërsa Meta, akoma me cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, ka firmosur me 3 korrik urdhërin N. 44 “Për mbledhjen e Kuvendit në sesion jashtëzakoshëm me datën 24 korrik”. Meta mund të bënte edhe një njoftim formal me anë të mediave, por preferoi më mirë të firmoste një URDHËR. Dhe jo pa qëllim veproi kështu, duke konfirmuar (edhe) faktin se ai është akoma Kryetar i Kuvendit. Që do të thotë se ai nuk është akoma President. Kjo seancë është e posaçme, duke qenë se njëri President dorëzon detyrën dhe tjetri President e merr këtë detyrë, pasi të ketë bërë betimin. Ky betim shërben vetëm për të “çertifikuar” votimin e mëparshëm të Presidentit, duke i hapur kështu rrugën marrjes së detyrës së re.

2.4. Problemet që krijohen me Metën e pabetuar si President, por si zevendësues të Presidentit.
Kush do zëvendësojë Nishanin, në rast se nuk betohet Meta? Do e zëvendësojë Kryetari i Kuvendit Meta. Kështu, Meta edhe pa u betuar si President, por duke qenë akoma Kryetar i Kuvendit, do jetë Presidenti zëvendësues deri me datën 9 shtator, kur mbaron mandati i legjislaturës aktuale. Ose edhe më tej (….)! Këtë mundësi zëvendësimi, e parashikon edhe Kushtetuta në neni 91, par. 1, i cili disponon se “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet VAKANT, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”. Duke qenë se Nishani dorëzon mandatin me 24 korrik, atëherë në mungesë të Presidentit të betuar, vendin e tij do e zërë Kryetari i Kuvendit Meta, i cili do “ushtrojë kompetencat e tij”.

Meta në këtë rast, do “sakrifikojë” vakancat (pushimet) e tija për të zënë përkohësisht vendin vakant (bosh) të ish Presidentit Nishani. Të zësh vendin e dikujt, do të thotë që ta zëvendësosh atë. Në këtë rast, do kemi Presidentin zëvendësues Metën. Por, do lindë edhe ndonjë problem. Nëse Meta nuk mund të marrë detyrën e Presidentit pa u betuar, atëherë si mund të marrë përsipër ai detyrën e zëvendësit të përkohshëm të Presidentit pa u betuar më parë? Është i vlefshëm ushtrimi i mandati të Presidentit në kushte të tilla? Kushtetuta nuk disponon askund se është i përjashtuar nga betimi zevendësi (i përkohshëm) i Presidentit, që në këtë rast është Kryetari i Kuvendit.

Dikush mund të thotë se të mos përjashtosh dikënd, do të thotë që ta përfshish atë!
Dikush tjetër, mund të thotë se Meta duke qenë President zëvendësues, sjell që mandati presidencial i Nishanit ka vazhdimësi deri në legjislaturën e ardhshme dhe si rrjedhojë nuk shtrohet problemi i betimit. Por, nuk është kështu, pasi mandati 5 vjeçar i Nishanit, mbaron me datën 24 korrik 2017. Mbase mund të diskutohej çështja e betimit, vetëm në rastin e zëvendësimit të përkohshëm të Presidentit në detyrë brenda afatit 5 vjeçar!

2.5. Gjendje e jashtëzakonshme lufte.
E nëse larg qoftë gjatë këtyrë dy muajve “vakantë” të Presidentit, Shqipëria sulmohet nga një shtet i huaj, si për shembull Rusia, Arabia Saudite apo Izraeli? Kushtetuta tek neni 168, par. 2, disponon se “Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”. Si rrjedhojë, i takon atij të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në këtë rast.
Po ashtu, Kushtetuta parashikon në nenin 74, par. 2, se “Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve”.

Ndërsa më tej, par. 3 vazhdon se “Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar”. Në këtë rast, mbledhja e jashtëzakonshme, do kërkohet të mblidhet nga Presidenti dhe më pas do thirret nga Kryetari i Kuvendit. Kështu, Meta do jetë President, por edhe Kryetar Kuvendi. Ose Kryetari i Kuvendit Meta, do zëvendësohet nga zevendësi i tij. Por, edhe në këtë rast, Meta si President i pabetuar, nuk do ketë tagër që të kërkojë mbledhjen e jashtëzakonshme. Por, nëse mbledhjen e jashtëzakonshme, do e kërkojë Kryeministri apo 1/5 e shumicës së deputetëve, përsëri kjo mbledhje do thirret nga Kryetari i Kuvendit Meta, duke qenë se ai nuk e ka dhënë akoma dorëheqjen nga ky post. Por, nga ana tjetër, duke mos pasur President, nuk do kemi as Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura!
Në të njëjtën linjë me Kushtetutën, janë edhe Projektligji i Presidentit (neni 11).

2. 6. Problemet që krijohen pa President.
Par. 2 i nenit 91, vazhdon më tej se “Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”. Në rastin e Nishanit, është më se e sigurtë se ai nuk mund të ushtrojë në këto kushte detyrën e tij për më shumë se 60 ditë (madje edhe për shumë se 60 ditë!). Në këtë rast, Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, të cilën e thërret Presidenti zevendësues Meta.

Mund të ndodhë që falë përpjekjeve të mëdha, të mblidhet Kuvendi në gusht dhe të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Ri. Duke mos hyrë në hollësi, mund të thuhet se afatet kohore mund të jenë të tilla që mbase ato mund të mjaftojnë për zgjedhjen e Presidentit të Ri nga fundi i gushtit ose fillimi i shtatorit. Por, betimi i tij do bëhet pas datës 9 shtator kur mbaron mandati i Kuvendit aktual. Është i kushtetutshëm një President, i cili zgjidhet nga Kuvendi aktual dhe betohet para Kuvendit pasardhës?

Por, mund të ndodhë edhe që procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Ri ta fillojë Kuvendi aktual, por zgjedhjen e tij bashkë me betimin, ta bëjë Kuvendi pasardhës. Është i kushtetutshëm një President, ku procedura e zgjedhjes së
tij, fillon nga Kuvendi aktual dhe zgjedhja e tij bashkë me betimin, bëhet nga Parlamenti pasardhës?

2.7. Zgjedhja e Kryeministrit.
Kushtetuta në nenin 96, par. 1, disponon se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.
Rama edhe pse është Kryeministri aktual, do jetë Kryeministër edhe në Qeverinë tjetër. Por, përsëri duhet të emërohet nga Presidenti.
Këtu lindin dy probleme.

1. Presidenti i pabetuar (dhe “emeritus”) Meta, duhet të emërojë Ramën si Kryeministër. E nëse Meta nuk e emëron Ramën?!
2. Merret i qenë fakti se Meta nuk është President, duke qenë se ai nuk është betuar. Atëherë do të thotë që legjislatura e re fillon pa President. Por, neni 96 ka dy parakushte: a) qenien e Presidentit në fillim të legjislaturës, që në rastin tonë nuk e kemi; b) qenien e Presidentit për emërimin e Kryeministrit, që prapë nuk e kemi. Si zgjidhet atëherë problemi nëse legjislatura e re fillon pa President? Fare e thjeshtë. Zgjidhet Kryetari i Ri i Kuvendit dhe më pas zgjidhet Presidenti i Ri, i cili më pas emëron Kryeministrin e Ri.

2.8. Mbledhja e Kuvendit të Ri pa President në detyrë.
Kuvendi ka shumë mundësi që të mblidhet me datën 19 shtator. Pse me 19 shtator dhe jo me 9 shtator? Sepse Kushtetuta tek neni 67, par. 1, disponon se ”Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”. Në këtë rast, do i takojë Metës si zëvendës i Presidentit që të mbledhë Kuvendin e Ri. Që do të thotë se Metës i refuzohet betimi si President, por nga ana tjetër ai si zëvendës President (“emeritum” edhe këtu) mund të mbledhë Kuvendin e Ri.

Kështu, Meta ka 10 ditë kohë për të mbledhur Kuvendin. Ai mund edhe të mos e mbledhë Kuvendin në këto 10 ditë. Par. 2, vijon se “Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”. Por, nga ana tjetër, do kemi shkelje të Kushtetutës, e cila në nenin 65, par 1, disponon se “Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”. Kuvendi mund të vetëmblidhet kështu me datën 19 shtator. Dhe këtë ditë do mbarojë mandati i Kuvendit paraardhës, ose 10 ditë pas afatit kushtetues. Pjesa e dytë e par. 2, e cila disponon se “Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”, nuk i referohet tejkalimit të afatit kushtetues, por rasteve kur Kuvendi mund të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, kur është mbyllur legjislatura brenda afatit 4 vjeçar. Ashtu siç ndodhi me datat 22 maj dhe 17 qershor.

Sapo të zgjidhet Kryetari i Ri i Kuvendit me 19 shtator, lindin dy probleme: 1. Meta duke mos qenë më Kryetar Kuvendi, automatikisht nuk është më as zëvendës President; 2. Meta vazhdon të zëvendësojë Presidentin deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Në rastin e parë, Kryetari i Ri i Kuvendit që do jetë edhe zëvendës President (i përkohshëm), duhet që në respektim të Kushtetutës, të kryejë edhe kompetencat e tij. Por, do krijohej përsëri përsëri problemi i ushtrimit të kompetencave të Presidentit nga ana e Kryetarit të Kuvendit, pa bërë akoma ai betimin. Kështu, Kryetari i Ri Kuvendit nuk ka si të dekretojë Qeverinë e Re. Atëherë mbetet që Kuvendit të zgjedhë menjëherë Presidentin e Ri.
Edhe rasti i dytë, mund të trajtohet si rasti i parë.

Duke qene se për momentin, PS-ja ka vetëm 74 vende në Kuvend dhe se në 3 seancat e para për zgjedhjen e Presidentit të Ri, duhen 84 vota, atëherë mund të nevojitet edhe seanca e katërt, ku mjaftojnë vetëm 71 vota. Pra, duhen minimumi edhe 21 ditë të tjera. Që do të thotë se me gjithë ngarkesën e madhe të Kuvendit, mund të kemi Presidentin e Ri me datën 11 tetor. Më pas, Presidenti i Ri do betohet pas të paktën dy javësh, duke qenë se kërkohet koha e nevojshmë dhe e arsyeshme për përgatitijen e ceremonisë së betimit. Pastaj, ai do dekretojë Qeverinë e Re, të cilën mund ta kemi nga fillimi i nëntorit. Duke qenë se këto zgjedhje i ka fituar PS-ja, do kemi vazhdimësi qeverisëse. Shtrohet një problemi tjetër. E nëse këto zgjedhje nuk do i kishte fituar PS-ja, por PD-ja? Do kishte kuptim atëherë që një Parti, e cila ka humbur zgjedhjet, të qeveriste edhe në legjislaturën e re?

Sidoqoftë, problemi kryesor mbetet fakti se legjislatura e re fillon pa President dhe se Kryeministri si rrjedhojë nuk emërohet në fillim të legjislaturës siç e parashikon Kushtetuta në nenin 96. Pasi fillimi i legjislaturës është në fillim dhe jo në vijim pas një muaji apo më shumë.

2.9. Nishani BIS?!
Ndokush mund të supozojë se Presidentit Nishani mund t’i zgjatet mandati. Por, askund në Kushtetutë nuk parashikohet ky fakt. Presidenti ka të drejtë të kërkojë rizgjedhjen e tij vetëm njëherë sipas Kushtetutës (neni 88, par. 1) dhe nuk mund t’i zgjatet mandati 5 vjeçar as edhe për raste të jashtëzakonshme. Madje as edhe të rizgjidhet në këtë situatë.

Sipas Kushtetutës, Nishani dorëzon detyrën me 24 korrik.
Dikush mund të supozojë se Rama edhe pse nuk ka pasur feeling institucional dhe njerëzor brenda normave me Nishanin, mund t’i lutet (ose kërkojë) atij që të vazhdojë detyrën për arsye të larta shtetërore. Ose edhe të rikandidohet. Kushtetuta në nenin 88, par. 1, disponon se “Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë”. Edhe nëse Nishani pranon, problemi nuk zgjidhet aq kollaj. Pasi do lindin probleme të tjera në lidhje me betimin e tij. Do ketë vlerë betimi i mëparshëm edhe për vazhdimësinë apo rinovimin e mandatit, apo duhet betim i ri.

Kushtetuta në nenin 87, par. 1, disponon se “Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh”. Dhe ky propozim bëhet në Kuvend. Kush do e thërrasë seancën e jashtëzakonshme në këtë rast për t’u mbledhur Kuvendi? Nishani jo, pasi atij i ka mbaruar mandati. Nga ana tjetër, Meta sipas Kushtetutës zëvendëson Presidentin në rast se vendi i tij mbetet vakant (bosh). Por, nëse në shkelje të Kushtetutës, lejohet që Meta edhe pa u betuar të thërrasë seancën e jashtëzakonshme, atëherë ai mund ta thërrasë seancën me datën 31 korrik (flitet gjithmonë për afatë të supërshpejtuara!).

Kushtetuta në nenin 87, par. 2, disponon se “…Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”. Kështu, kandidatura e Nishanit diskutohet me 31 korrik dhe votimi i parë mund të bëhet me datën 7 gusht. Nishani mund të rizgjidhet President në raundin e parë me 7 gusht. Po mori edhe votat e opozitës për të arritur 84 votat e nevojshme. Por, në rastin më të keq, në mungesë të 84 votave, Nishani mund të rizgjidhet President në raundin e katërt me 71 vota me datën 28 gusht. Nishani duhet edhe të ribetohet. Dhe përsëri Ilir Meta si President zevendësues, do thërrasë seancën e jashtëzakonshme në mënyrë të përshpejtuar, por jo më herët se fillimi i shtatorit për ribetimin e Nishanit. Dhe Nishani do ribetohet për pesë vitet në vijim.

Supozohet edhe që në seancën e ribetimit të Nishanit të ndodhen 71 deputetët e nevojshëm. E nëse Nishanit i duhet të ribetohet pas datës 9 (ose 19) shtator? Para cilit Kuvend do betohet ai? Para Kuvendit paraardhës apo Kuvendit të Ri? Po u ribetua para Kuvendit paraardhës dhe fillon të ushtrojë detyrën me Kuvendin e Ri, është kushtetushmërisht i ligjshëm ky mandat? E nëse ai ribetohet para Kuvendit të Ri, është kushtetutshmërisht i ligjshëm ky mandat duke qenë se ai është zgjedhur nga Kuvendi paraardhës? E nëse për arsye të ndryshme Nishani edhe pse i propozuar për t’u zgjedhur nga Kuvendi aktual, i takon të zgjidhet dhe ribetohet me Kuvendin e Ri? Në këtë rast, çdo gjë do fillojë nga e para. Me kandidat Nishanin, ose me një tjetër.

Problem tjetër është nëse vlen nga ana kushtetuese Meta si President zevendësues për këtë periudhë kohë (….).

2. 10. Investimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në pamundësi për t’i dhënë një përcaktim të saktë togfjalëshit “sesion i jashtëzakonshëm” ose “fillim legjislature”, ose shumë problemeve të shtruara më lart, atëherë zgjidhjen e tyre mund (ose duhet) ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila aktivizohet në bazë të rekursit që i drejtojnë asaj të interesuarit direktë dhe indirektë. Neni 134 i Kushtetutës, përcakton qartë edhe personat apo subjektet që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Këtë mundësi, e ka edhe Ilir Meta si President i përkohshëm pas datës 24 korrik nëse nuk i mundësohet betimi. Ose edhe si individ. Në këtë rast, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çdo gjë rrin pezull (….).

2.11. Respekt kushtetues dhe ligjor.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme, është edhe një detyrim kushtetues i deputetëve për të qenë prezentë ditën e (para)caktuar.
Në lidhje me këtë fakt, është shumë interesante edhe Rregullorja e Kuvendit, e cila në nenin 4, par. 2 (“Betimi i deputetëve”) disponon se “Teksti i betimit është: “Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve”. Kështu, i duhet bindur asaj Kushtetute, e cila parashikon PREZENCËN edhe gjatë seancave të “jashtëzakonshme”.

Nëse një deputet nuk paraqitet në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Presidenti, atëherë ai dëshmon se “nuk është një përfaqësues i denjë i popullit” dhe se “nuk i bindet Kushtetutës dhe ligjeve”.

2.12. Jehona e (mos)betimit.
Presidenti betohet në një seancë të posaçme (dhe jo të jashtëzakonshme) ku përveç deputetëve, marrin pjesë edhe ambasadorët dhe diplomatët e huaj të akredituar në Shqipëri. Cili do jetë serioziteti i Shtetit shqiptar nëse mungojnë deputetët dhe marrin pjesë të ftuarit e nderit? Apo mos vallë duke qenë depuetët të (para)përgatitur që të mos lejojnë betimin e Metës, nuk do ftohet askush? Ja vlen të tregohet kjo mungesë serioziteti duke munguar në seancën e betimit të Presidentit ajo shumicë e cila këtë President e zgjodhi me 28 prill?

Neni 105, par.1 (“Veprimtaria e hapur e Kuvendit”), disponon se “Veprimtaria e Kuvendit është e HAPUR, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 43 të kësaj Rregulloreje”.

Kështu, ditën e betimit të Presidentit mund të jenë prezentë në sallë edhe ZGJEDHËSIT (ose populli “sovran”!) por jo të ZGJEDHURIT e këtij populli.
SOVRAN?!