Mos thoni që e kemi prej natyrës!

0
565

Nga Mero BazeTemA

Një nga rrugët qëndrore të Gjirokastrës, e asfaltuar vitet e fundit, është shembur plotësisht, pasi uji ka vënë përpara asfaltin dhe po rrezikon dhe disa ndërtesa banimi në krah të saj.

Pak orë më parë një urë historike në Hoshtevë të Zagories u shemb nga lumi malor, edhe pse ishte vënë alarmi prej muajsh se ajo rrezikonte shembjen. Në të dyja rastet nuk bëhet fjalë për katastrofa natyrore edhe pse kanë ardhur prej forcës së natyrës.

Ura prej guri e Hoshtevës, një nga pesë urat e famshme të luginës së Zagories, është e parafundit që kish mbetur në atë luginë. Të tjerat janë shembur, por kryesisht nga luftrat.

Po ashtu lagjia ku ka ndodhur përmbytja në Gjirokastër është e vjetër sa Gjirokastra dhe nuk ka pasur ndonjë katastrofë të tillë nga natyra.

Katastrofa ndodhi, pasi zhvillimi kaotik urban i qytetit ka devijuar rregullat e mbijetesës së qytetit historik, ka ndryshuar rrjedhën e ujrave në shpate, dhe ka humbur sensin e kontrollit të natyrës përmes zhvillimit urban. Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Zhvillimi urban nuk ka respektuar ligjet e natyrës dhe tani gjithçka po kthehet në ndëshkim.

Ndërsa ura e Hoshtevës, e cila ishte një monument historik, është rrëzuar për shkak të mungesës së vemendjes dhe heqjes dorë nga pritat në përrenjtë malorë dhe ruajtjen e natyrës, në Gjirokastër është bërë nga e kundërta, nga ndërtimet pa kriter dhe nga devijimi normal i kontrollit mbi natyrën.

Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri njerëzore që dëshmon se ne po zhvillojmë vendin në sensin e gabuar dhe jashtë standardeve profesionale urbane.

Të ashtuquajturit urbanistët tanë, të pas viteve ’90-të, janë identikiti i një grupimi mediokrish, që hartojnë projekte bazuar mbi ‘googel’ dhe quajnë talent përdorimin e autocadit dhe jo idetë e qëndrueshme për zhvillimin urban të një qyteti, apo mbrojtjen e mjedisit.

Të dyja fatkeqësitë e ndodhura në Qarkun e Gjirokastrës, janë dëshmi e këtij problem që kemi me cektësinë, mediokritetin dhe pangopësinë e atyre që kanë për detyrë zhvllimin e këtyre zonave dhe ruajtjen e tyre.


Loading…


Qyteti muze që mbrohet nga UNESKO, në fakt po zhvillohet aq keq, sa e vënë para përrenjtë e parë që dalin pas një shiu, dhe kjo ndodh në një qytet që shiun mezi e ka pritur për të mbushur hauzet dhe për t’i mbijtuar thatësirës gjithë verën. Grryerja e rrugës tregon ndërkohë dhe cilësinë me të cilën ajo është shtruar dhe shmangien e ligjësive urbanistike për devijimin e ujrave dhe drenimin e shpateve të qytetit.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Urën e Hoshtevës. Zagoria është një nga perlat e turizmit tonë malor ende e pazhvilluar për shkak të braktisjes së madhe nga banorët, por gjurmët e urave me harqe guri në zonë flasin për një zhvillim të hershëm urban të saj. Mungesa e banorëve, mungesa e sistemimit të përrenjve malorë, prerja pa kriter e pyjeve, që nxisin vërshimet e befta dhe mungesa e një strategjie kombëtare për të konservuar urat e vjetra prej guri, që aktualisht në gjithë Shqipërinë nuk janë as 20 copë, çon tek kjo katastrofë, e cila është e pariparueshme. Nuk është puna se nuk bëjmë dot një urë betoni mbi atë përrua në Hoshtevë, por ne kemi prerë ndërkohë një gjymtyrë të rëndësishme nga e ardhmja turistike e zonës.

Dhe në të dyja rastet mos thoni që nuk kemi çfarë tu bëjmë shirave. Shira kanë rënë tërë jetën dhe ky nuk është ndonjë rekord historik. Rekord historik është papërgjegjshmëria e zhvillimit të vendit sa i përket cilësisë së zhvilimit urban, ku ndërtohet duke pasur parasysh interesa të vogla financiare dhe jo bashkëjetesën me natyrën dhe projekte profesionale që i mbijetojnë kohës dhe lënë gjurmë në të. Përkundrazi zhvillimi jonë është më shumë një fshirës gjurmash se sa një zhvillim gjurmëlënës.