Mos na bëftë mirë buka që marrim nga klikime të gjakosurish…

0
433

Nga Alma Nikolli, 27.al23 Shtator 2017

Para pak javësh im vëlla u përfshi në një aksident me makinë, së bashku me 3 djem të tjerë. Të gjithë familjarë dhe të njohur tanët. Ishte mesnatë. Aty në korridorin e spitalit, mes lotëve të dikujt dhe forcës së një tjetri po prisnim ndonjë lajm të mirë nga salla. Më bie celulari. Nipat dhe mbesat i lamë në shtëpi të shqetësuar, padyshim, nuk mund t’i mësosh që të mos vuajnë dhe t’i detyrosh të flenë në një çast të atillë që duket sikur minutat janë shekuj.

Kishin parë te “Jeta osh qef”, foto të gjakosura të djemve të shtrirë në rrugë, ndërsa ambulanca po vononte… kushedi ku po ndërronte ndonjë gomë! Të tmerruar se cilido mund të ishte daja i tyre më thonë: “Çfarë po ndodh, ne po shohim foto të frikshme?”

Me një vesh nga salla, me shpirtin përtokë dhe me veshin tjetër në celular qetësuam njëri-tjetrin, derisa gjërat falë Zotit filluan të bëhen mirë.

Besoj, janë të shumta rastet kur familjarët informohen tmerrshëm nga fotografi të bijve të tyre në media. Po median nuk e përbëjnë elefantë, pas tyre janë njerëz që shkojnë në xhami e kisha, i luten Zotit, që u plagosen e fatkeqësisht u vdesin familjarë.

Nuk do uroja dhe nuk do doja kurrë që një gazetar të përjetojë vetë situata tmerri për të ndjerë dhe respektuar dhimbjen e tjetrit, që është më e madhe se disa klikime dhe buka e tij e përditshme. Buka e klikimeve të gjakosura, mos na bëftë mirë!

Shpesh për hir të politikave editoriale, a interesave të tjera, e vërteta modifikohet, fshihet a tjetërsohet, por kur tre të mitur vdesin, pse ato kryeredaktore apo kryeredaktorë, prindër fëmijësh duhet të përdorin terma “detaje”, “foto”, “ja”, “ulërima”? A i duan të vegjëlit e tyre më shumë se ajo nënë e mjerë që për s’e di cilat arsye humbi diejt e vet?

Jeta pas një monitori ndonjëherë është shumë më e lehtë, mizore dhe e pandjeshme se secila jetë tjetër. Me një postim ti vdes shpresa dhe e bën botën më të shëmtuar. Ju lutem shokë gazetarë, mos vrisni njerëz për së dyti!