Shkruan: Florim Zeqa, 05.01.2021
Arsyeja pse njerëzit e ndershëm dhe atdhetar, me ndërgjegje dhe moral të pastër njerëzorë nuk mund ta gjejnë vetën në asnjë parti politike në Kosovë, është se, të gjitha partitë politike dhe politikanët në veçanti, po luftojnë vetëm për pushtet dhe privilegje personale, për të përfituar benefite për veti dhe familjet e tyre e jo për t’u shërbyer qytetarëve.
Politikanët e tërbuar pas pushtetit, e rrezikojnë të ardhmen e shtetit
Partitë e konsumuara politike nën drejtimin e liderëve të papërgjegjshëm, shtetin e Kosovës e kanë shndërruar në objekt pasurimi, ndërsa qytetarët i kanë kthyer në objekt të manipulimit në fushatat zgjedhore deri në rrëmbimin e votave, për t’i harruar më pas deri në zgjedhjet e radhës.
Të gjitha partitë politike pa dallim, pushtet dhe opozitë, thirren në demokraci, por asgjë të përbashkët nuk kanë me vlerat demokratike, etikën dhe moralin njerëzorë.
Si pasojë e devalvimit të vlerave, partitë shtetndërtuese u shndërruan në rrënuese të shtetit, ndërsa partitë e dala nga lufta u shndërruan në shkelëset më të mëdha të vlerave të luftës dhe gjakut të dëshmorëve.
Politikanët e tërbuar pas pushtetit kanë hyrë në vallen e keqpërdoruesve të pushtetit, duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e shtetit.
Të kërcënuar nga varfëria dhe mungesa e përspektivës zhvillimore, edhe njerëzit e mirë i kanë futur në botën e krimit, shkaku i varësisë së skajshme ndaj partive të inkriminuara.
Dorëzim para të keqës ose largim nga vendi
Kur pre e lakmisë bien familjet e mëdha dhe më emblematike, me fuqi të madhe ekonomike, fundosen shpresat dhe thyhet morali i familjeve me gjendje të rënduar socio-ekonomike!
Kjo situatë paradoksale, ka bërë, që njerëzit e thjeshtë, për të siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre, të lakohen më lehtë para pushtetarëve të inkriminuar.
Atyre që nuk iu nënstruan të keqës edhe në rrethanat më të vështira (gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës), 22 vjet pas çlirimit u kanë mbetur vetëm dy mundësi; të dorëzohen para të keqës ose të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre!
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme mbetët në dorën e qytetarët të vendit që të përcaktohen, se a do të vazhdojnë me këtë klasë politike apo ta ndëshkojnë me (mos) votim.
Kur nuk ke për kë voton, më mirë është të mos votosh fare, sesa ta sjellësh në pushtet një klasë të re kusarësh politikë.
Largimet dhe aderimet, riciklime të pastra politike
Sikurse aderimet, edhe largimet nga partitë politike po bëhen për interesa personale, e jo për parime apo pikëpamje ideologjike, e aspak për interesa të qytetarëve.
Aderimet nga njëra parti në tjetrën, nuk janë gjë tjetër veqse riciklime të pastra politike, nga të cilat më shumë përftojnë partitë, ndërsa më pak politikanët e ricikluar.
Një politikan(e) që për vite të tëra i ka shërbyer një partie apo lideri partiak, në momentin e aderimit në një parti tjetër, gjegjësisht, të kalimit në shërbim të një lideri tjetër partiak, nuk mund të quhet ndryshe, veqse një prostitutë e pastër politike, i cili “dashninë politike” e bën veq për para e privilegje pushteti e jo për ideale.
Idealistët nuk thyhen dhe as nuk shitën për asnjë lloj çmimi tek një ideal i kundërt politik. Ideali i atdhetarëve nuk është pushteti por shteti, nuk është mirëqenja personale por interesi i përbashkët i të gjithë qytetarëve të vendit.
Thirrje vëllazërore për reflektim
Ju bëj thirrje vëllazërore të gjithë qytetarëve të vendit tim, mos ju besoni këtyre partive politike dhe politikanëve të tërbuar pas pushtetit, mos u besoni dallkaukve të pushtetit në ato që i thonë gjatë fushatës zgjedhore, por shiqoni veprimet e tyre në praktikë, çfarë bën ata për lirinë e vendit dhe kush janë në të vërtetë “patriotët” e ditëve të sotme, që u ngritën në karrierë politike me mashtrime dhe kauza të rrëmë.
Mos u ndani dhe as mos u perçani mes vete vëllazni dhe shoqni për interesa të kësaj klase karrieristësh politik, për shkak se, ata pas zgjedhjeve do t’i shihni përseri së bashku në qeverisjen e vendit, por ju asnjëherë më nuk do mund të bëheni bashkë si më parë.
Në vend që të ndaheni, bashkohuni me njëri-tjetrin kundër kusarëve politik, kundër mashtruesve dhe demagogëve, kundër uzurpatorëve dhe në veçanti kundër të ricikluarëve politikë, të cilët, nata i zënë në një parti, ndërsa mëngjesi i gdhinë në partinë tjetër.