Mos e humbisni shansin të njihni Albin Kurtin e vërtetë!

0
109
Albin Kurti - fushatë

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Në Kosovë ka shpërthyer një debat rreth emrit të një kandidati për ambasador nga Kosova në Shqipëri. Debatet kanë të bëjnë me figurën dhe historinë e qëndrimeve politike të tij.

Nuk është se ato vlejnë shumë. Ambasadorë të tjerë të Kosovës në Shqipëri nuk është se kanë shkëlqyer në formimin intelektual, apo atë profesional. E vërteta është se ky është një njeri banal, por as për këtë nuk është zgjedhur.

Personi në fjalë, nuk është mbështetës i Albin Kurtit, por i Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit, i cili karakteristikën më të njohur të tij, nuk ka atë që është budalla, apo njeri primitiv, por që është (pro-Saliut) një propagandist banal dhe urrejtës i qeverisë së Tiranës.

Kjo është arsyeja përse është përzgjedhur. Ndaj dhe kjo është e vetmja gjë për të cilën i vlen Albin Kurtit.

Meqë vetë Albin Kurti është shumë i ekspozuar në përpjekjet për të ngjallur ndasi mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe agjendën e tij ditore politike e ka në funksion të sherreve me Tiranën, në këtë rast ka gjetur mundësinë ta hedhë dhe një gur me dorën e Vjosa Osmanit.

Ajo që shpresojnë Kurti dhe Osmani, është pikërisht të ngrihet një zhurmë e madhe rreth një idioti, duke shpresuar që ai të refuzohet si ambasador nga Shqipëria dhe të regjistrohet një shkallë zyrtare e acarimit mes dy vendeve. Kaq është i gjithë objektivi.

Asgjë e tillë nuk duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri është njeriu më i parëndësishëm i Kosovës në Shqipëri dhe kosovari më i parëndësishëm i Shqipërisë për Kosovën. Kështu ka qenë gjithmonë.

Ai mund të përfitojë nga rasti të shijojë Tiranën, bregdetin, qebapë apo peshk, dhe të vazhdojë të marrë rrogën.

Albin Kurtit nuk i duhet hequr mundësia të promovojë idetë e tij kundër Shqipërisë zyrtarisht, edhe pse natë e ditë mendon vetëm për këtë punë.

Mendoj se është rast i mirë që ai të përfaqësohet nga një tip i tillë në Tiranë. Është shumë më e lehtë t’u shpjegosh shqiptarëve të Shqipërisë se kush është Albin Kurti dhe çfarë kërkon të bëjë, duke u përfaqësuar prej tij.

Përveç mjerimit intelektual dhe primitivizmit verbal, opinioni këtu e ka më të lehtë të zbulojë një urrejtës që ndryshe nga Albini, nuk ka turp t’i thotë ato që mendon Albini me zë të lartë.

Ndaj ndaleni zhurmën rreth tij. Nuk është nevoja t’i kujtoni kush është e çfarë ka bërë. Lëreni të vijë në Tiranë dhe nxirreni përditë në ekran që të flasë.

Është e vetmja mënyrë të njihni Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin në raport me Shqipërinë. Natyrisht në versionin më primitiv të mundshëm.


Përse kamikazi i Albin Kurtit, që fyen Shqipërinë,
po vjen ambasador i Kosovës në Tiranë?

Nga Valdete Haziraj

Idriz Zeqiraj është përzgjedhur nga qeveria e Albin Kurtit për të qënë Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, ama ajo që e lidh këtë personazh me shtetin shqiptar, me sa duket nuk është dashuria vëllazërore, por një urrejtje politike e pazakontë ndaj shqiptarëve dhe kryeministrit Edi Rama në veçanti. Në shkrimet e shumta të tij, Shqipëria, vendi ku ai pritet të shërbejë si diplomat, konsiderohet shtet bashkëpunëtor i kriminelëve serbë në kurriz të Kosovës. “E gjithë kjo kronologji e zezë, tejet domethënëse, të goditjeve në vijimësi, të dhënë Kosovës, nga shteti amë, së fundi, na japin produktin – monstrumin Rama, për t’u mos u ndërprerë tradita e bashkëpunimit me shtetin armik, Serbinë, gjithnjë, në dëm të Kosovës”, deklaron Zeqiraj në media.

Idriz Zeqiraj

Madje Zeqiraj, teksa komenton nismën Ballkani i Hapur, del në përfundimin se kjo nismë e integrimit ekonomik rajonal i shërben fuqizimit të Presidentit Serb Aleksandër Vuçiq, me ndihmën e Edi Ramës. Idrizaj, i cili sulmon Shqipërinë me një mllef të papërmbajtshëm, pasi akuzon Shqipërinë për plane të errëta ndaj Kosovës, bën edhe ekspertin e punëve të brendshme të shtetit shqiptar, duke përdorur epitete fyese mbi kryeministrin Rama.

Kryeministri Rama, është i paparashikueshëm në shumë veprime të tij. I guximshëm ka qenë në shkatërrimin e tërësishëm të procesit zgjedhor të sivjem, për ta grabitur, paligjshëm dhe turpshëm, mandatin e tretë skandaloz dhe hiç meritor. Projekti Rama-Vuçiq, për “Ballkanin e hapur”, i refuzuar dhe i anatemuar, nga shumica absolute e shqiptarëve, ka pykuar marrëdhëniet normale Kosovë-Shqipëri”, shkruan ai.

Pra, është e qartë se me sulmet e tij mbi Shqipërinë, Zeqiraj në fakt i ka shërbyer një sulmi politik kundër shqiptarëve, i ushqyer në mënyrë të pandershme e dinake nga Albin Kurti. Por ajo që sot mbetet hipokrite dhe e pamoralshme nga ana e qeverisë Kurti në raport me shqiptarët është se si një ushtar politik i tij, zgjidhet të jetë shërbëtor publik i administratës së Kosovës. E për më tepër, se si një komentatori politik të reshtuar anshëm në debate përçarëse, sikurse Zeqiraj, i lihen në dorë marrëdhëniet me shtetin më pranë Kosovës, Shqipërinë.