Mons dr. Zef Oroshi në Logun e Kuvendit dhe të tjerët për jetën dhe veprimtarinë e tij

0
1213
Mons. Dr. Zef Oroshi - Log kuvendit

“Mirëse u ka prue Zoti në shtepinë tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji ditë në Atdhe.

Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë padallim, jo prej njajë, dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir – Prej Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet kû flitet gjuha e ambël shqipe, që aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë, dhe kam shpresë e deri diku jam i sigurtë se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me randësi kombtare.

Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi krijue me flijime tona të shkelqyeshme. Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jeten tonë, Atë osè Atdheun që na lindi do ta harrojmë.”

Mons. Dr. Zef Oroshi
24 Dhetuer 1969, Krishtlindje, New York

Klajd Kapinova

Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë viteve para komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër origjinal të mirëfilltë atdhedashës, me titull kuptimplotë: “Long Kuvendit – në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019).

Ky libër me shkrime të karakterit historik, shkencorë, enciklopedik, tradita, zakone, gjuhësorë e kulturorë etj., botohet në Jubileun e 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA (1969-2019).

Vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua me shpenzimet financiare të studiuesit dhe publiçistit veteran të komunitetit tonë Tomë Mrijaj.

Përmbajtja e librit hapet me shkrimin hyrës: “Dy fjalë për lexuesin”, nga Tomë Mrijaj, kurse “Parathënia”, është shkruar me shumë respekt dhe mirënjohje nga meshtari i kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York dom Pjetër Popaj. Autori meshtar e ka titulluar shkrimin: Monsinjor Zef Oroshi”.

Punimi shkrimor i tretë hyrës, që përmban copëza origjinale kujtimesh jetësore dhe vlerësime, gjithashtu është shkruar me nderim dhe respekt nga meshtari i kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit në Detroit, Michigan, linderi, patrioti dhe kleriku i palodhur dom Anton Kçira. Shkrimi mban titullin:Monsinjor dr. Zef Oroshi – një vizionar largpamës dhe kështjellë e pamposhtur antikomuniste.”

Vepra në fjalë, me autor shkrimtarin dhe studiuesin e albanologjisë mons dr. Zef Oroshi, hapet me një studim hulumtues të ndërthurur mjeshtërisht me kujtime të përjetuara, për bashkëkohsin dhe mikun e tij të ngushtë, një ndër figurat më të shquara të vemdlindjes dhe diasporës sonë këtu në SHBA, dhe veçanërisht në Boston, Fortlumturinë e Tij imzot Fan Stilian Nolin, i cili, ka titullin investigues: “Si e njofta Fan Nolin?

Kujtojmë, se intelektuali i shquar i komunitetit tonë, ka një veprimtari të pasur dhe të ngjeshur intelektuale, në fushën e studimeve dhe publicistikës shqiptare.

Miditori inteligjent, për shumë dekada, ka botuar me qindra artikuj cilësorë, hulumtime me profile të ndryshme në shtypin e kohës së diasporës, duke u mirëpritur me shumë interes nga redaksitë e organëve të ndryshme të shtypit si dhe nga albanalogët e shumtë të huaj, professorë të huaj dhe shqiptarë, që kishin studiuar në universitete më të famshme të Europës Perëndimore.

Në një letër, që prof. Ernest Koliqi i dërgon nga Roma monsinjor Oroshit, që jetonte në New York, në hyrje të saj i shkruan: “I dashtun Monsinjor Zef! Shkrimet tueja i presim si zogla e verës…”.

Duke pasur si mik të ngushtë prozatorin e shquar prof. Ernest Koliqin, dr. Oroshi për një kohë të gjatë bashkëpunoi me revistën e tij zëmadhe të kohës “Shêjzat”, gjatë përiudhës së frytshme intelektuale të viteve 1957-1974-1978, kur themelues dhe drejtues i saj ishte Ministri i Kulturës së Shqipërisë shkodrani dhe prozatori modern brilant prof. E. Koliqi.

Nëse futemi në brëndsi të librit, shohim se vepra e re me vlera të mëdha historike dhe albanologjike është e ndarë në 4 kapituj.

Kreu i parë, përmban 8 punime të përzgjedhura për botim, ku, ndër të tjera përfshihet studimi, që i kushtohen poetit kombëtar atë Gjergj Fishtës O.F.M., e cila në esencë dallohet për një analizë të hollsishme dhe faktografike, ku, shkrimtari dr. Oroshi, na e ka dhënë poetin lezhjan, përmes një përmbledhje mjeshtërore, me titullin: “Tue perkujtue Fishtën” (Shêjzat, nr. 1-2, 1962).

 Edhe shkrimet e tjera, të hartuara të gjitha në gjuhën gegë (e cila flitet nga ¾ e popullisë së trojeve etnike shqiptare), që vijnë njëra mbas tjetrër, kanë tematikë shqiptare dhe enciklopedike, si: “Nji oazë rilindjeje kombtare në diasporë”, (Shêjzat nr. 7-8-9-10, 1964, “Fiket Ernest Koliqi, nji pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, (Shêjzat, numëri special, 1978.), “Çohaja”, novelë, fragment”, (Shêjzat, nr. 5-6, 1959), “Koncili Ekumenik, Shêjzat nr. 5-6, 1961) “Kryq-terthuer nëpër ujdhesat karibjane”, (Shêjzat nr. 9-10-11-12, 1966), “Nji arkitekt e skulptor shqiptar i Rilindjes në Dalmati:  Andrea di Nicolo Alessi o Alexsijer da Durazzo”, (Shêjzat nr. 1-2, 1958) “Mirënjohja shqiptare ndaj Arbreshëve t’Italis”, (Shêjzat nr. 7-8, 1959).

Oroshi, spikat apo dallohet edhe për natyrën enciklopedike dhe njohuritë e thella dhe të gjera që ka për disa fusha të dijës shqiptare dhe botërore, të cilën tradicionalisht ndër shekuj e kanë levruar edhe ajka apo plejada më e ndritur e klerit katolik shqiptar.

Kreu i dytë dhe revista popullore
Jeta Katolike në New York (1966)

Klerku i shquar mirditor, mons dr. Zef Oroshi, me të mbërritur në botën e lirë në New York të SHBA, fillon të bashkoj komunitetin e pakët katolik shqiptarë, të ardhur në këtë shtet të madh metropolitan në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Sikurse e ka shprehur në disa shkrime dhe homelitë fetare të botuara në revistën Jeta Katolike, del se qëllimi tij ishte për t’i ruajtur nga asimilimi, sa të jetë e mundur shqiptarët, bashkimi rreth vatrës së ngrohtë në Shtëpinë e Zotit, për të ruajtur vazhdimisht traditat, zakonet, gjuhën e bukur shqipe, kulturën, festat kombëtare, përkujtuar figurat e ndritura patriotike… dhe veshjet e bukura tradicionale popullore.

Këto vlera të pastra shqiptare, sipas Monsinjorit, mund të arrihen vetëm duke hapur sa më parë Shtëpinë e Zotit.

Kjo kishë e re shqiptaro amerikane, sipas shembullit pozitiv të traditës historike në vendlindje, u kthye shpejt në një vatër të ngrohtë të atdhedashurisë.

Në saj të punës së palodhur dhe këmbngulëse të mons. dr. Oroshit, fatmirësisht u bë e mundur themelimi i Qendrën së Parë Katolike Shqiptaro Amerikane, në Bronx, New York…

Paralelisht me këtë mision të vështirë, por jo të pamundur për te, Oroshi, i jep jetë edhe buletinit ose sikurse njihet në historinë e kishës sonë Revista Fetare Kulturore Jeta Katholike Shqiptare e cila sot vazhdon sërisht të botohet me emrin Jeta Katolike).

Kjo e përkoshme tre mujore, u bë shpejt tribunë e mendimit të lirë intelektual dhe progresist, për shumë figurave të shquara të diasporës shqiptare në SHBA dhe më gjerë.

Në këtë revistë, figurojnë emrat e shumë shkrimtarëve, intelektualëve të shquar, albanologëve, klerikëve katolikë dhe të besimeve të tjera fetare, sikurse edhe artikujt e shumtë të shkruar me dashuri zemre nga njerëz të thjeshtë të komunitetit tonë.

Ky kapitull, është shumë interesant, për faktin se dr. Oroshi trajton tema atdhetare të gurrës popullore shqiptare, të cilat i boton në rubrikën kulturore joshëse Log Kuvendit.

Pikërisht, në këtë libër, janë botuar disa nga artikuj në revistën Jeta Katolike të mons. dr. Zef Oroshit dhe të tjerët rreth aktivitetit të tij dhe kishës katolike, gjatë periudhës së viteve 1966-1978.

Oroshi, ka përdor disa pseudonime, meqenëse në revistë ka botuar shpesh 2 ose 3 artikuj brenda një numëri. Më të lakuar janë emrat apo pseudonimet: Zodiaku, Theologu, Redaksija, D.Z. etj.

Kreu i dytë përmban 70 shkrime, ku, shumica e tyre janë studime të mirëfillta, të cilat i ka vazhduar për disa numëra me radhë deri sa i ka botuar të plota. I veçantë është shkrimi: “Madre Tereza Bojaxhiu”, (1966, Nr.1 (D.Z.).)

Ky është ndër shkrimet e para të botuar në SHBA për shën Terezën e Kalkutës ose sikurse njihet Nënë Tereza. Kujtojmë, se në kohën e diktaturës së hekurt komuniste në Shqipëri, emri i shenjtneshës së gjallë nuk permendej asnjëherë, kurse e kunderta ndodhi në SHBA, ku, presidentët e saj, Kongresi dhe Senati amerikan e nderonte dhe respektonte shumë.

Disa vite më vonë, presidenti republikan Roland Reagan e nderon me çmimin më të lart të  shtetit amerikan: “Medalja e Lirisë”, duke e pritur disa herë zyrtarishtnë Shtëpinë e Bardhë.

Një vit më vonë, më 1967, në Shqipëri diktatori Enver Hoxha do të filloi zyrtarisht luftën kundër fesë dhe zakoneve prapanike, sikurse i quante ai klerikët fetarë dhe fenë.

Kisha dhe kleri katolikë shqiptar do ta pësonte më shumë nga gjenocidi komunist dhe kalvarin e mundimeve me persekutime, duke i dhuruar sot kombit tonë mbi 38 martirë elteri të kishës.

Shkoqitje gramatikore gjuhësore (Mbi fjalët: Dhunti, Dhuratë, Dhanti), është një rubrikë e re, që ka trajtuar gjerësisht dr. Zef Oroshi në revistën Jeta Katolike (1966-1967, nr. 2, 3, 4, ku, ai ka përdor pseudonimin Zodjaku.

Mesha e parë në Qendrën Katholike Shqiptare në New York City, në Natën e Madhe të Keshndellavet të vitit 1969, është një përrmbledhje brilante oratorie, ku si gjithnjë shquhet fjalimi brilant, me fjalë të zgjedhura dhe frymë patriotike nga prelati mons. dr. Zef Oroshit.

Si dëshmi e histories së kishës sonë Monsinjori, njoftonte vazhdimisht komunitetin e vogël katolik shqiptar në New York, mbi ngjarjet e rëndsishme, sikurse ishte asokohe blerja e Qendrës Katholike Shqiptare e New York-ut gjatë vitit 1969.

Ai si dëshmi historike dhe për brezat e ardhshëm këtë njoftim të mirëseardhur e botoi në faqet e numërit katër të së perkohshmes në gegnisht dhe dygjuhësh shqip-anglisht, që ai botonte dhe drejtonte me pasion.

Një rast tjetër i rëndësishëm historik i komunitetit shqiptar në New York, ishte edhe kremtimi i inagurimit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në mergim (1970, Nr.1-2), shkrim që ka për autor të riun emigrant Mark K. Shkreli, i cili, më vonë do të bëhet edhe kryeredaktor i revistës Jeta Katolike, detyrë vullnetare, që ai vazhdon ta kryej me sukses edhe sot…

Këtu janë botuar edhe fjalimet përshëndetse të Perndershmit imam Isa Hoxha, prof. Rexhep Krasniqi, prof. Arshi Pipa, Ago Agajt, dr. Halim Begeja, mbresat nga një darkë festive pranë kishës katolike shqiptare, me autor Ymer Doda, fjalimi i Zef Pashko Deda, sikurse jehona e shtypit amerikan nga gazeta e famshme The New York Times, By Murray Schumach (Prill, 13, 1970, E para kishë katolike shqiptare në ketë hemisfer u hap në Bronx) etj.

Media bashkohore sot për jetën dhe veprën e mons. dr. Zef Oroshit

Në kreu e tretë, janë botuar shtatë shkrime studimore bashkëkohore nga autor shqiptaro amerikanë dhe vendlindja e trojeve etnike shqiptare, pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Kështu studiuesi dhe publicisti Mërgim Korça, është paraqitur në këtë libër të Monsinjor Oroshit me studimin: “Konsiderata rreth vëllimit shkruar nga miku personal i Monsinjor Zef Oroshit, analisti Tomë Mrijaj”.

Studiuesja e re shkodrane Leonora Laçi vjen në këtë libër me shkrimin investigativ:Si i shpëtoi Sigurimit msgr. dr. Zef oroshi!?”, ndërsa ish drejtori dhe gazetari i Zërit të Amerikës Frank Shkreli vjen para lexuesit me shkrimin me kujtime: “Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit

Një tjetër shkrimtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikane Eleonora Gjoka, është paraqitur denjësisht me studimin me titull: “Studiuesi Tomë Mrijaj gdhend në mermer viganët e cultures shqiptare (Cikli: “Kultura Shqiptare në Shoqerinë Amerikane”)

Publicisti veteran dhe një ndër aktivistët e palodhur të komunitetit shqiptaro amerikanë për shumë dekada dhe njëherazi disa herë kryetar i këshillit të kishës katolike shqiptare Tonin Mirakaj, ka botuar shkrimin: “Mbrekulli në Qendrën Katolike Shqiptare Zoja e Kshillit t’Mirë

Edhe autori i këtij shkrimi modest (Klajd Kapinova), në librin në fjalë ka botuar studimin me titull: “Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) (Në kujtim të 30-vjetorit të kalimit në amshim).

Ish bashkëpunëtori i hershëm i revistës kulturore fetare Jeta Katolike dhe sot kryeredaktori i saj Mark Shkreli, ka botuar kujtimet e tij me titull: “Kujtoj me mall mikun tim Monsinjor Zef Oroshin.”

Monsinjor Oroshi dhe biografi i tij Mrijaj

Libri i ri me autor mons dr. Zef Oroshin: “Log Kuvendit në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019), u përzgjodh, përgatit nën përkujdesin e veçantë dhe u botua bujarisht me shpenzimet personale financiare të studiuesit dhe publiçistit të komunitetit tonë Tomë Mrijaj.

Kujtojmë me shumë respekt dhe mirënjohje, se atdhedashësi dhe kulturdashësi i letrave shqipe studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj, deri tani ka sponsorizuar mbi 100 libra të fushave dhe gjinive te ndryshme, duke ndihmuar me bujari shumë bashkatdhetarë vendlindje pa dallim feje dhe krahine, në botimin e veprave të tyre.

Dr. Oroshi dhe studiuesi Mrijaj, kanë lidhje me njeri tjetrin. Monsinjori ishte kumbarë i katër fëmijë (Adriana, Nikollë, Elizabeta dhe Donika Mrijaj) të Tomë dhe Liza Mrijaj.

Kjo bëri që miqësia mes tyre të rritet. Meshtari ynë, gjatë udhëtimeve me makinë, i tregonte Tomës shumë histori të familjës së kapidanëve të Miridtës, Oroshit dhe historisë së familjes së tij.

Qysh kur Toma mbërriti për herë të parë në SHBA (viti 1978), u interesua që të kontaktoj me emigrantë të hershëm, që kishin mbërritur më parë në New York e gjetkë.

Ky libër i ri, vjen në dorë të botës mbarëshqiptare, me rastin e 50-vjetorit të meshës së parë, në natën e Kshnellave të vitit 1969, si një përkujtim i veprës së paharruar të themeluesit dhe drejtuesit, klerikut të shquar mons. dr. Zef Oroshit dhe komunitetit shqiptar në SHBA, që perqafuan dhe mbështeten ngritjen e kishës së parë katolike shqiptare në Amerikë.

Studiuesi Mrijaj, shkruan: “Nga hulumtimet e mia shumëvjeçare, që i kam bërë jetës dhe veprës shkencore dhe historike të mons. dr. Zef Oroshit, kam konstatuar se artikujt e tij janë shkruar përgjatë viteve 1958-1978.

Përmbajtjet e shkrimeve të shumta studimore i përkasin fushave të tilla, si: histori kombëtare dhe të huaj, jeta dhe vepra e shumë figurave të shquara kombëtare shqiptare qysh nga Mesjeta, si: heroin kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin, Nënë Terezën, imzot Fan Stilian Nolin, poetin e ëmbëlsisë dom Ndre Mjedën, poetin kombëtar patër Gjergj Fishtën O.F.M., prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin e shumë të tjerë.

Sikurse kujton Tomë Mrijaj, meshtari i shquar i komunitetit tonë mons. dr.  Oroshi, është përkujdesur, që shkrimet e tij t’i paraqes për botim në buletine dhe të përkohshme të ndryshme me një gjuhë gegnishte të përpunuar dhe studiuar me shumë kujdes.

Në këtë libër, del dukshëm veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në diasporë.

Ai nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë.

Lexuesi mëson se Monsinjori, ishte një aktivist kurajoz për të ndërmarrë inisiativa të mëdha mbi supe, në dobi të komunitetit shqiptar në SHBA.

Meshtarët tanë Mons. Oroshi dhe dom Pjetër Popaj

Kur mons. dr. Zef Oroshi ishte meshtar i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë” dom Pjetër Popaj ishte gjakon dhe stundent në Universitetin teologjik dhe filozofik në New York.

Ai më vonë do të bëhet bari shpirtëror ose famullitar i përkushtuar me një devocion të thellë i kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në New York.

Është e rëndsishme të thuhet me bindje të plotë, se dom Pjetër A. Popaj, është sot vijues i denjë në rrugën e trinomit Fe – Athe – Përparim, nëpër të cilën ka ecur për shumë vite në vendlindje dhe New York, me perkushtim dhe sukses të veçantë edhe paraardhësi i tij intelektuali i shquar imzot Zef Oroshi (1912-1989).

Meshtari ynë dom Pjetër Popaj, në parathënien e librit në fjalë vlerëson: “Në fillim, dua të theksoi se nuk mundet që një parathënje apo një libër të përfshiijë të gjithë jetën e një figure të lartë, të shëndritur, të shquar, të një kalibër apo përsoni të tillë, sikurse ishte mons. dr. Zef Oroshi

Monsinjori, ka qenë shumë i përgaditur me një njohuri filozofike, shkencore dhe me një aftësi intelektuale për të sunduar një shtet. Gjithashtu nga ana shpirtrore ka qenë shumë i thellë në teologji dhe në Shkrimin Shenjt.

Ai i ka dedikuar shumë kohë e kujdes përkthimit shqip të katër Ungjijve dhe Aktëve të Apostujve prej gjuhëve të huaja, duke filluar prej greqishtes së vjetër.

Ka qenë shumë i thellë në dogmën e kishës, shumëherë e citonte Summa Theologica të Shën Thomas Aquinas, që përmbledh kuptimin e shpjegimin e theologisë katolike, në një mënyrë të jashtzakonshme.  Ky ka qenë Thomist, pothuajse sikur të gjithë priftrinjët dioçezan.”

Dhe dom Pjetri, më poshtë vijon kujtimet e veta, kur vë në dukje disa detaje interesante kur ai ishte stundent: “Gjatë përgatitjes në seminarin teologjik, të gjithë seminaristat kanë mësuar dhe përvetsuar Summa Theologica të Shën Thomas. Summa ka qenë udhëzuese për mësimet teologjike të kishës katolike…

Ky me një shkathtësi trimërije të natyrëshme nuk u dorzohet dhe qëndron në protest për më se dy vite në mal kundër tyre. Shumë herë kur bisedonte për veshtërsitë në mal u bënte emocjonal; shumicën e kohës pa gjumë, pa bukë, pa strehim është një gjë e pa-imagjinuar si kanë mundur ky me shokët e tij të qëndrojnë gjallë.  E përse!? Të gjithë këta vuejtje, vetëm për fe e për atdhe.

Ai ka qenë një mbështetje e pashoqe e thirrjes sime për meshtar. Nuk ka mundur kush të më frymozojë më tepër se sa Monsinjor Zef Oroshi. Edhe tani që po shkruaj disa kujtime të tija, më përforcojnë në meshtarinë time. Gjithëherë më porosite: “Mendo se kur predikosh, si respekt për popullin të jeshë gjithëherë i përgaditur.”

Kjo më ka ndihmuar gjithmonë.  Edhe sot, kurr nuk dal të predikoj pa u përgaditur

Njëri prej atyre shqiptarëve kam qenë edhe unë.  Qysh në vitin 1973 që kemi ardhur në Amerikë dhe jam njohur me të nëpërmjet (atëherë) Dom Rrok Mirditës, më ka dashur dhe ndihmuar gjithëherë deri në vdekjen e tij.

Kur unë i kam treguar se kam dëshirë të bëhem meshtar është gëzuar aq shumë sikur të ju kishte çelë qielli. Me ka këshilluar me fjalët më inkurajuese dhe më ka siguruar përkrahjen e tij.

Ai më ka çuar për tu regjistruar në seminar dhe qysh se kam filluar shkollën dhe kam mbaruar shkollën, kur jam shuguruar meshtar dhe kam filluar shërbimin si meshtar dhe deri në fund të jetës së tij ka vazhduar gjithëherë kujdesimin e tij ndaj meje

Lutemi që Zoti të ja ketë shpërblyrë në jetën e amshuar duke gëzuar lumturinë e Parajsës.”

Mons. Oroshi dhe dom Anton Kçira
barrikada të hekurta antikomuniste

E përbashkëta e dy meshtarëve Oroshi dhe Kçira, është se ata kanë një jetëshkrim me profile të njëjta atdhedashurie dhe antikomunistë të vendosur.

Mons. Oroshi arratiset nga feri burg komunist dhe merr rrugën e malit, duke u bashkuar me nacionalistët e pamposhtur, që me armë më dorë në Mirditë dhe kudo luftonin komunizmin e zi.

Ai ndiqej këmba këmbës nga forcat e Sigurimit, të kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili, me urdhër të diktatorit Enver Hoxha kishte vënë shperblime për atë person që jepte informacione se ku ndodhej ai. Ata e  kishin rrethuar të gjithë Miditën, për ta zënë të gjallë, por deshtuan… sepse atë e mbroj grigja e tij dhe Zoti…

Detaje interesante, zbulohen nga vetë mons. Oroshi në letrat, që i dergonte në Itali Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit nga ish Jugosllavia, ku, me detaje e përshkruan jetën e vështirë në sketerrën komuniste ateiste…

Familja e dom Antonit persekutohet keqas nga rregjimi komunist sllav serb. Në këto kushte të vështira, ai detyrohet që të lërë me dhimbje Dardaninë martire dhe shkon për të jetuar në Shkup të Maqedonisë Veriore… dhe më pas në SHBA…

Të dy vëllezërit në Krishtin, meshtarët Oroshi dhe Kçira ndiqen nga komunistët trushpërlarë edhe në New York dhe Detroit, por qëndrojnë stoik dhe të vendosur në rrugën e tyre.

Për kontributin e madh, që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, në kohë dhe rrethana të ndryshme, për të dy meshtarët në fjalë janë shkruar disa libra monografikë pas vitit 1991, artikuj dhe studime historike, në organet e ndryshme të shtypit në diasporë dhe vendlindje.

Për meshtarin e palodhur antikomunist, intelektualin dhe liderin e komunitetit katolik shqiptar në New York, mons. Oroshi, meshtari dom Anton Kçira, shkruan: “Gjatë jetës time të gjatë meshtarake, në mendjen dhe zemrën time ruaj kujtime të bukura dhe të paharruara për shumë figura të shquara të krenarisë sonë kombëtare të botës shqiptare në trojet etnike dhe diasporë…

Mbas një periudhe të gjatë kohore, njeriu me vetëdije shikon me kujdes dhe qetësi bilancin pozitiv të punës dhe jetës së madhe meshtarake, intelektuale, kulturore, shkencore, atdhetare të meshtarit karizmatik të komunitetit shqiptar mons. dr. Zef Oroshit.

Unë, kur isha meshtar i ri, kam pas fatin, nderin dhe privilegjin e madh, që të njoh nga afër për disa vite në kohë dhe rrethana të ndryshme historike meshtarin e përvuajtur mirditor mons. dr. Oroshin, këtë bari të dedikuar tërësisht trinomit Fe – Atdhe – Përparim. 

Në bazë të njohjes personale dhe historike të jetës dhe veprimtarisë së gjatë baritore dhe atdhetare të mons. Oroshit, jetën dhe veprimtarinë e pasur të tij mund ta ndaj në disa faza: Vitet e para në seminar dhe pasioni i madh për librat; Studimet meshtarake teologjike – filozofike; Meshtar i ri në vreshtën e Zotit; Braktisja e famullisë, rezistenca antikomuniste dhe dalja në male; Vitet e vështira të kurbetit dhe historia e suksesshme e meshtarit patriot në vendet e ndryshme të botës dhe SHBA.”

Sërisht, bariu shpirtëror i ditëve tona dom Antoni, kujton mikpritjen tradicionale shqiptare të mons. Oroshit në New York.

Ai ndër të tjera ai shkruan: “Në vitin 1976 së bashku me intelektualin e shquar dhe autorin e librit studimor të famshëm “Ipeshkvia Shkup – Prizren gjatë shekujve” dr. mons. Gaspër Gjinin, shkuam në New York për t’i bërë një vizitë miqësore famullitarit msgr. dr. Zef Oroshit.

Ai na priti ngrohtësisht dhe përzemërsisht, sipas traditës shqiptare në famullinë Zoja e Këshillit t’Mirë (sot kisha katolike Zoja e Shkodrës), të komunitetit katolik shqiptaro-amerikan në Bronx.

Në ato ditë të qëndrimit tonë si mysafir, Monsinjori, na shoqëroi kudo, duke na treguar për historinë e famullisë dhe komunitetit katolik shqiptar në New York.

Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake dhe intelektuale, Monsinjori, ruajti në shpirt dhe zemër dashurinë e pashuar për librat. Ai na shoqëroi në disa biblioteka të famshme në Manhattan, New York.

Më kujtohet si sot biseda që kishim së bashku me dr. mons. Gaspër Gjinin, në zyrën e tij të mbushur plot libra në shumë gjuhë të ndryshme të botës, dorëshkrime të tij të pabotuara, koleksionin e revistes Jeta Katholike Shqiptare, etj.

Ai na tha: “Të dashtun miq të nderuem dr. mons. Gaspër Gjini dhe dom Anton Kçira! Kur isha në Jugosllavi, ipeshkvi Qekada, më pat afrue mundsi të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit, në Lug të Drinit, por për shkak të rethanave që ishin, nuk e pranova sepse mendjen e kisha për me dalë në botën e lirë në Perëndim!”

Për të gjithë ne dhe në veçanti për grigjen tonë të shpërndarë rrugëve të botës, jeta e tij plot tallaze në emigracion nuk ka qenë e lehtë.”

Mons. Oroshi dhe drejtori e
gazetari Frank Shkreli

Ndër kujtimet më interesantë plot mbresa, që zënë vend të rëndsishëm në librin e mons. dr. Zef Oroshit janë edhe shënimet historike të Frank Shkrelit, ish Sekretar i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane dhe anëtar i grupit redaktues të revistës, “Jeta Katholike Shqiptare”, për periudhën 1971-1974.

Frank Shkreli, ka qenë gazetar dhe redaktor në radion “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974-1984. Më pas po aty, gazetari profesional Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985).

Nga viti 1985-1990, ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës” dhe nga viti 1990-1994, ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, division, ku, përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik, që ndërkohë u shpërbë.

Nga viti 1994-2003, Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje.

Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në mars-prill të vitit 1991, kur u rihap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti.

Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, një organizatë jo-qeveritare, që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në ShBA si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Ëashington D.C.,

Franku, kujton: “Ishte viti 1970, kur për herë të parë e takova mons Zef Oroshin në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, (1969-1970) për dom Zefin dhe për aktivitetin e tij fetar dhe atdhetar në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, më kishte folur miku dhe përkrahsi im në Romë, dom Prenkë Ndrevashaj.

Edhe në dy-tre takime, që kisha pasur me prof. Ernest Koliqin në Romë, më kishte këshilluar që kur të arrija në Amerikë, të takoja dom Zef Oroshin dhe t’i rrija afër, pasi mund të më ndihmonte në vazhdimin e studimeve në Amerikë, duke marrë parasysh moshën time të re.

Ashtu edhe u bë. Më të ardhur në Nju Jork në fund të vitit 1970, kushëriri i nënës time Ndoc Vulaj, mik i ngushtë i dom Zefit, më prezantoi me Monsinjorin, të dielën e parë pas arritjes time në Amerikë, tek kisha e parë katolike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar prej tij në Bronks të Nju Jorkut.

Ishte një takim, pas meshes, me dom Zefin dhe me Ndoc Vulajn në qelën e kishës, sipër ndërtesës ku thuhej mesha.  Pyetja e parë që më bëri Monsinjor Oroshi ishte: “Si je me anglishten?” 

Unë iu përgjigja se kisha filluar ta mësoj gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, por jam i vetëdijshëm, i thashë, se do të më duhet kohë që ta përvehtësojë si duhet.

Pa asnjë vonesë, madje edhe pa më pyetur fare, merr telefonin dhe i telefonon dikujt. Flet me të në anglisht për nja 5-6 minuta.  Merrshe vesh ndonjë fjalë aty këtu, por thelbin e bisedës nuk e kuptova fare.

Sidoqoftë, dom Zefi i kishte telefonuar një prifti jezuit, që e njihte në Universitetin Fordham, i cili administrohet nga Kuvendi Jezuit, duke i shpjeguar se në zyrën e tij kishte në djalosh të ri shqiptar refugjat i porsa ardhur nga Evropa dhe i kishte kërkuar atij që të bënte çmos të më mundësonte me çdo kusht regjistrimin në Fordham për kurse anglisht, për të mësuar anglishten sa më mirë dhe sa më parë, me objektivin për të vazhduar studimet që i kisha ndërpre, si përfundim i arratisjes.

“Nëqoftse dëshiron të përparosh në këtë vend”, më këshilloi dom Zefi, duhet të mësosh gjuhën e vendit, sepse pa gjuhën anglishte ke me mbetë mbrapa, mu drejtua ai me një fytyrë serioze.

Monsinjor Oroshi ishte në dijeni se unë kisha kryer 5-vjet në një seminar katolik në Kroaci dhe natyrisht ai ia dinte vlerën asaj shkolle dhe donte që të mos habitesha duke gjetur çfardo pune në Amerikë, si të gjithë të rinjë shqiptarë të moshës time në atë kohë, sepse ashtu ishin rrethanat, shumë të vështira për imigrantët e ri, dhe si rrjedhim, dom Zefi më porositi të mos ndërprisja shkollën, por të vazhdoja studimet me çdo mënyrë.

Në të vërtetë, ashtu edhe ndodhi.

Me rekomandimin e mons. Zef Oroshit u regjistrova në Universitetin Fordham për kurse fillestare për gjuhën anglisht dhe mbrenda 6 muajsh e përvehtësova anglishten në nivelin e duhur, sa që u regjistrova si student i rregullt në Kolegjin shtetëror Lehman në Bronks, pasi Univresiteti Fordham ishte shumë i shtrenjtë dhe nuk i kisha mundësitë financiare për tu regjistruar aty.”

Ndërkohë, lexuesi mëson nga kujtimet e Frankut, gjestin fisnik të mirënjohjes dhe respektit, që ai ruajti gjithnjë për meshtarin mons. Oroshin.

Franku, kujton: “Mbështetjen e mons Oroshit për mua gjatë atyre viteve fillestare kritike për çdo immigrant në një vend të huaj, e ruaj si një kujtim të pashlyeshëm dhe e kam vlerësuar gjithmonë si një besim të tij në mua personalisht, por edhe breznitë e ardhshme të shqiptarëve dhe në cilësitë pozitive të tyre.

Autori me Mons. Zef Oroshin në demonstratë kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist në vitin 1973, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB.”

Themeluesi i revistës Jeta Katolike mons. dr. Zef Oroshi dhe kryeredaktori sot Mark Shkreli

Gjatë vitit 2008, kur studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj po promovonte pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” librin monografik: “Mons dr. Zef Oroshi – Shërbestar i Zotit e i Atdheut”, Mark K. Shkreli për shumë vite kryeredaktor i revistës kulturore fetare Jeta Katolike, që botohet qysh nga viti 1966 në New York bëri paraqitjen e librit të ri dhe foli me shumë nderim dhe respekt për meshtarin tonë mons. dr. Zef Oroshin.

Aktivisti dhe ish kryetar i këshillit të kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, Mark Shkreli, me gjestin e trashëguar fisnik të mirënjohjes dhe kujtimit të jetës dhe veprës së mons. Oroshit, ndër të tjera kujton: “Me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së meshtarit të nderuar, themeluesit të kishës së parë katolike shqiptare në kontinentin e Amerikës dhe famullitarit shumëvjeçarë të saj, mons. dr. Zef Oroshit, përkujtoj miqësinë dhe bashkëpunimin tonë shumëvjeçar.

Më 13 gusht 1969, unë me bashkëshortën Lizën, vajzën Valentinën dhe djalin Robertin nga Roma, përmes Madridit, erdhëm në aeroportin ndërkombëtar “John F. Kennedy” në New York.

Edhe pse kisha lexuar për të, as që kisha mundur ta parafytyroj se sa i madhërishëm mund të ishte. Ashtu, i hutuar, mund të thuash, u shtanga kur në “Baggage Claim” pashë një figurë të njohur. Ai ishte miku im dom Zef Oroshi, që kishte dalë të na priste.

Ishte kohë tjetër atëherë, prifti e kishte derën e hapur në çdo vend. Mjaftonte kolari i bardhë. Njohja ime me dom Zefin kishte filluar në kishën e shën Gjergjit, në famullinë time, ku ai, si emigrant, kishte ardhur për vizitë tek famullitari, tani i ndjeri, dom Ivo Bushiq, në vitin 1953.

Gjatë tre muajve në shën Gjergj, kam pasur rastin t’i shërbej në shumë meshë dhe mbasi që isha famull i dom Ivos, kaloja shumë kohë në qelën e famullisë.

Shpesh dëgjoja tregimet e tij për jetën meshtarake në Shqipëri dhe për ikjen nga kthetrat e pamëshirshme të Sigurimit të Enver Hoxhës dhe për vuajtjet e tij, gjatë arratisjes 8-mujore në malet e Shqipërisë.

“Ishte ditë e diele dhe posa përfundova kremtimin e meshës së mesditës – tregonte ai – para se të shkoja në sakristi, m’u afrua një grua, gjoja për t’u rrëfye, dhe më tha: ‘Dom Zef, ik se janë jashtë duke të të pritur’. Burri i kësaj gruaje fisnike ishte i partisë dhe unë e dija se ai kishte informata të sigurta. Andaj, pa ngurrim, e hoqa veladonin duke i këputë të gjitha pullat dhe nëpër derën e vogël të sakristisë, mora malin”, tregonte në një rast dom Zefi…

Me ikjen e dom Zefit në Itali u ndërprenë takimet tona, por jo për gjatë. Kur isha në shkollë në Zarë (Zadar) të Kroacisë, më ra në dorë adresa e tij dhe menjëherë iu lajmërova me një letër. Nuk vonoi dhe erdhi përgjigja: “Emri yt më kujtohet, por fytyra jo”. Në zarf ishte edhe një monedhë, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Nga Roma, më dërgoi edhe një pako me dhjetë copë të librit të tij “Visarthi Shpirtnuer”, që sapo e kishte botuar.

Me shpërnguljen e tij nga Italia dhe emigrimi në Amerikë, u ndërpre rishtas lidhja jonë. Por as kjo nuk zgjati shumë. Kur unë emigrova në Itali, përmes të përndershmit dom Prekë Ndrevashaj, përsëri ramë në kontakt. Edhe kësaj radhe, zarfi nga dom Zefi kishte një monedhë, të cilën tanimë e njihja. Nuk shkoi gjatë që të takohemi personalisht, në banesën e Kapidan Ndue Gjomarkaj, në Romë, ku kishte ardhur për vizitë….”