Mons. dr. Zef Oroshi gjithë jetën i përgjuar nga diktatura komuniste

0
486
Dr. Zef Oroshi - Një jetë i përgjuar

Përkujtojmë 32-vjetorin e kalimit në amshim të bariut shpirtëror dhe liderit të komunitetit tonë Mons. dr. Zef Oroshit

Klajd Kapinova

Këtë vit mbushën 32 vjet nga kalimi në amshim i bariut shpirtëror dhe liderit të shquar dhe të paharruar të komunitetit shqiptaro amerikanë Mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989).

Sapo mbërriti me avion nga Italia në SHBA dhe u vendos në shtetin e madh metropolitan të New York-ut, mons dr. Zef Oroshi iu vu detyrës fisnike me qëllimin e mirë për të mbajtur të bashkuar shqiptarët emigrantë rreth kishës katolike, që u kthyer për disa dekada në një vatër të ngrohë e shtëpisë së Zotit. Bariu ynë shpirtëror i përvuajtur Oroshi punoi dhe jetoi pranë grigjës së tij, të përbërë kryesisht nga emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

Ashtu sikurse dje edhe sot komuniteti i madh shqiptaro amerikanë ruan kujtime të pashlyera për njeriun me zemër të mirë, meshtarin e përkushtuar për trinomin shumë shekullor Fe – Atdhe – Perparim, sikurse e thirrshin të gjithë dom Zef Oroshin, sepse ai ishte shumë i thjeshtë e i dashur me të gjithë bashkëatdhetarët e tij, pa dallim feje dhe krahine dhe me amerikanët me të cilët ai kishte kontakte të vazhdueshëm këtu.

Mbas kalimit në amshim të mons. Oroshit, shumë personalitete shqiptaro amerikanë, intelektualë, njerëz të thjeshtë, sikurse edhe figura të shquara të diasporës shqiptare nëpër botë, asnjëherë nuk e lanë në harresë emrin dhe veprën e madhe patriotike dhe kulturore të mons. dr. Zef Oroshit, duke e përkujtuar atë shpesh me artikuj, kumtesa, libra, dokumentarë, etj., në përvjetore dhe takime të ndryshme mes bashkatdhetarëve tanë.

Në këtë 32-vjetor të kalimit në amshim të mons. dr. Zef Oroshit, sidomos këto 5 vitet e fundit, shumë rapsodë popullorë nga trevat e Miridtës edhe më gjërë e kanë përkujtuar me krenari dhe nostalgji të gjithë veprimtarinë patriotike të tij, përmes telave të çiftelisë, duke krijuar këngë që përmbajnë në esencë frymën e thellë atdhetare dhe fetare të bashkëatdhtarit tonë, që një jetë të tërë e kaloi në emigracion me mallin e zhuritur për Shqipërinë dhe vendlindjen e tij të dashur Mirditën.

Monsinjori ynë, për herë të parë për lexuesit mbarëshqiptarë u zbulua me fakte dhe prova të botuara në 4 libra monografik nga biografi i tij studiuesi Tomë Mrijaj.
Duke shfletuar me kujdes faqet e librave, del në pah fakti se ai kaloi një jetë të tërë i përgjuar vazhdimisht nga një Dosje e madhe, që kishin hartuar ndër vite, hetuesit, Ministria e Punëve të Brendshme, policia sekrete apo forcat e Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, me porosi direkte të diktatori Enver Hoxha dhe Kryeministrit asokohe Mehmet Shehu në Shqipëri nga vitit 1951 dhe në vazhdim.

Libri me titull kuptimplotë: “Një jetë i përgjuar” (New York, 2020), marrë nga Dosja Origjinale e Sigurimit të Shtetit Komunist në Shqipëri, zgjon interest të madh tek populli shqiptar si brenda vendlindjes dhe jashtë kufijve të Atdheut. Libri në fajalë, është mirëpritur shumë mirë në komunitetin shqiptaro amerikanë, për faktin, sepse më parë ata kishin ndjekur me interes për herë të parë, përmes kanalit Youtube tre video me titull: “Report TV: Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi i përgjuar nga Sigurimi deri në vdekje”, për tre javë rresht të realizuar me profesionalizëm nga gazetarët investigativë të Radio Televizionit Shqiptare në Tiranë.

Në këtë dokumentar historik u intervistuan djemtë e vëllezërve të mons. Oroshit, si: Gjon Prendi, i cili, kishte kaluar 10 vjet ne burgun famkeq të Spaçit dhe disa vite në kampet e tmerrshme të përqëndrimit të asaj periudhe dhe djali i vëllait tjetër Ndoit, i cili, pas 9 muaj në hetuesinë e tmerrshme të Shkodrës vdes në torurat më mizore, që u përdorën ndaj të burgosurve të pafajshëm, për të cilat deshmoi djali i tij Nikolla, që asokohe ishte në moshën 4-vjeçare.

Me interes u mirëprit në studio edhe mbesa e Kolonel Xhemal Laçit një nacionalist dhe aktivist i shquar në komunitetin shqiptaro ameirkanë, historiania e re investigative nga Shkodra, publicistja Leonora Laçi, e cila foli më gjerësisht për dokumentet që ajo kishte parë nga afër në AQSH. Më vonë këto dokumente, që përmbajnë Dosjen origjinale voluminoze të dr. Oroshit, sikurse na njoftoi studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj, me insistimin e vazhdueshëm të tij, u tërhoqën nga studiuesja Leonora Laçi nga Tirana dhe iu dorëzuan atij. Mbi bazën e tyre studiuesi Mrijaj përzgjodhi, përgatit nën përkujdesin e veçantë dhe botoi me shpenzimet financiare të tij komplet Dosjen e diktaturës komuniste kundër mons. dr. Zef Oroshit.

Kjo Dosje, qëndroi e fshehur në Arkivin e Shtetit (AQSH) nga viti 1951-2019. Ajo ishte hartuar me kujdes dhe zgjerohej dita-ditës me informacione dhe trillime absurde nga spiunët dashakeq, që ndodheshin si emigrantë të shitur në Europë dhe SHBA dhe vepronin për llogari të idhurit të tyre Enver Hoxhës, kundër nacionalistit dhe eruditit të kulturuar mons. dr. Zef Oroshit.

Monsinjor Oroshi nuk është
arratisur nga shtetrrethimi i veshur si grua

Në “dokumentarin” e shkurtër me titull: “Arratisja spektakulare e Imzot Zef Oroshit”, publikuar në kanalin Youtube më 24 shkurt 2021, për 10 minuta e 12 sekonda, hartuesit e libretit (skenarit), në disa pika kryesore të përshkrimit të momentit të arratisjes së mons dr. Zef Oroshit ka pasaktësi, të cilat bien në kontradiktë me realitetin historik të kohës kur ka ndodhur ngjarja.

Kështu në videon e publikuar në Youtube, në lidhje me arratisjen e mons. Oroshit, ndër të tjera autorët thonë shprehimisht: “Ja se si u zhvillua ngjarja në prapaskenë në ato pak minuta me shpejtësi dhe fshehtësi e motra e priftit Lukja, kishte marrë në trastë një palë rroba gruaje nga qela dhe i qon në dhomën e veshjes së priftit. Ishte një aneks i kishës me dalje nga ana e pyllit. Ishin 10 minutat e fundit të meshës dhe dom Zefi del nga altari i shenjt dhe nuk lë porosi për të kumtuar xhakoni apo murgesha në lidhje me katekizmin apo diçka tjetër jashtë meshës. Ai futet shpejt në kthinën e tij (vend i ngushtë) dhe vishet shpejt e shpejt si grua dhe përnjëherësh del nga dera e pasme dhe futet në pyllin e gështenjave, duke kapërcyer një përrua të vogël. Askush nuk i kushtoi rëndsi një gruaje, që doli nga ajo derë, pasi prifti kishte aty nënën dhe motrën dhe mund të vizitohej nga familjarët e tij në çdo kohë. Askujt nuk mund t’i shkonte ndër mend, se ai njeri i Zotit me atë veshje të bukur pozante me xhup nuk ishte një grua, por vetë dom Zef Oroshi, që nuk do të kthehej më në atë vend… Kurrë nuk kishte ndodhur, që prifti ta linte meshën pa e mbyllur, por kjo do të ishte një histori e rrallë mbushur me një vello mitike. Siç merret me mend, pati një shokim nga forcat e ndjekjes dhe hierarkia e shtetit se si ishte e mundur: A e kishte përpier dheu priftin!?…

1. Në Dosjen origjinale me 450 faqe të dom Zef Çokut (Oroshi), që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në asnjë fletë të saj nuk thuhet se mons. dr. Zef Oroshi është arratisur i veshur si grua dhe ka dalë në mal pranë çetave nacionaliste antikomuniste, që vepronin në Mirditë. Po aty nuk ka asnjë fjalë edhe nga “deshmitarët” dhe akuzuesit e tjerë mirditorë se dom Zefi është arratisur i veshur me rroba gruaje. Komunistët do të ishin të lumtur të pohonin një gjë të tillë, për të ulur figurën e meshtarit patriot, duke sajuar një histori të rremë, sikurse u sajua nga producentët e videos në fjalë.

2. Në “dokumentarin” e zhurmshëm thuhet se Lukja ishte në kishë kur Monsinjor Oroshi u arratis. Në fakt ajo ishte në qelë së bashku me nënën dhe antarët e tjerë të familjes. Vetë nipi i Monsinjor Oroshit, Gjoni, që askohe ishte 10 vjeç, ka deklaruar se “ne ishim të gjithë në qelën e priftit…”

3. Ish i burgosuri politik Shkodran Bep Kuqani, që ka ndenjur si bashkëvuajtës në disa burgje me bashkëpunëtorë të mons. dr. Zef Oroshit, sikurse është edhe mirditori Ndue Jaku, nuk ka thënë asnjëherë se prifti trim Oroshi është veshur me rroba gruaje, për t’i ikur rrethimit të hekurt të forcave të ndjekjes së Sigurimit komunist.

4. Shumë pjesëtarë të familjes së imzot Zef Oroshit me banime në Mirditë dhe Lezhës dhe mbarë fisi Çoku, janë shumë të indinjuar sot për mënyrën se si disa pseudostudiues dhe producentë videosh, po mundohen të ulin poshtë personalitetin e shquar të botës shqiptare dhe komunitetin shqiptaro amerikanë këtu. Në video u përdor teoria e konsipiracionit, i vënë në gojë me hamendje të njërëzve, sipas së cilës dom Zef Oroshi ishte nisur në Gjader të Lezhës, për të hyrë në aeroportin e vogël ushtarak dhe për tu larguar drejt Italisë…

4 libra monografikë dhe një dokumentarë historik me 3 pjesë realizuar nga RTSH

Për të mbajtur të pashuar kujtimin dhe respektin e thellë për udhëheqsin shpirtëror të komunitetit shqiptar në SHBA, biografi i shquar i prelatit Oroshi, studiuesi i palodhur Tomë Mrijaj, shkroi 4 monografi shumë të vlefshme, duke zbardhur për herë të parë jetën dhe veprën e madhe të Monsinjorit dhe Patriotit tonë, duke ia paraqitur ato komunitetit shqiptaro amerikanë dhe vendlindjes së tij të dashur nënës Shqipëri dhe Mirditës heroike, e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj këtë figurë të madhe të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë.

Pas librave me vlerë historike: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike”, 2018, “Long Kuvendit – në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019) dhe së fundi doli në qarkullim libri i ri: “Një jetë i përgjuar” (New York, 2020), e cila përbën Dosjen e plotë të Sigurimit të shtetit komunist për meshtarin mirditor mons. dr. Zef Oroshin.
Vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën përkujdesin e veçantë dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit veteran i komunitetit tonë Tomë Mrijaj.
Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo nëpër botë dhe komunitetin shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar” i mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Studiuesi Tomë Mrijaj, në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.

Njeriu në ditët tona, shokohet kur sheh nga afër sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të ngjarjeve dhe figurës historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin strukturat informative policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit komunist dhe më saktë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë harkut kohor të vitëve 1944-1990.

Ata arritën deri aty sa të sajojnë histori të rreme mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga ferri burg komunist i Shqipërisë…

Nga burimet e Dosjes, mësojmë se në Itali dhe SHBA ai përgjohej vazhdimisht këmba – këmbës nga hafijet e Sigurimit komunist shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet e tij në diasporë përgjohej dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën zyrtare komuniste, ku operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e shpifjeve, duke krijuar kështu dora dorës Dosjen e Zezë për te.”

Veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në diasporë mons. dr. Zef Oroshit, njihet shumë mirë, përmes librave monografikë, kujtimeve, artikujve kushtuar atij në përvjetore të ndryshme, të cilat janë shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për shumë dekada me radhë deri në ditët tona.
Meshtari katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato personalitete historike, që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve. Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren mashtruese komuniste.

Bariu ynë shpirtëror, nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë e botës shqiptare.
Përmes larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes cilësorë; një gjuhëtar shqiptar të apasionuar; shkrimtar i shkollës së traditës gegë dhe stoik i papajtueshëm me regjimin ateisto komunist në Shqipëri etj.

Libri në fjalë, është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqsisht në makinë automatike propagandistike. Në librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 450 dokumente, të hartuar dita – ditës nga punonjësit special të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat studiuesi shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj, i ofron sot para lexuesve mbareshqiptarë.

Ky libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin, se i jep për herë të parë dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku, lexuesit dhe studiuesit e rinj kanë mundsi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë me kujdes fantazinë e proçesverbaleve, raporteve, akuzimeve pervese, dëshmi të rreme nga trathtarët dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifës sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit ateist.

Në një qarkore, që ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku u dërgon dioqezave (shkruar nën torturë nga Sigurimi), tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e dom Zefit dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por ishte ngritur dhe një komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.

Asokohe vetë dom Ndoc Sahatçija, në nëntor të vitit 1952 merr rrugën për në Veri të Shqipërisë, për ta kërkuar vetë dom Zef Oroshin. (Referuar nga libri i dr. Markus Ë. Peters, “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”).

Momenti i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit, është kthyer në një legjend. Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos mitizohet më tej me këto fakte, i tregon nipi i mons. dr. Oroshit, Prend Gjoka, i cili, rrëfen pas shumë dekadave të vërtetën sesi dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa u largua fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA-së.

Kështu asokohe dikush nga banorët e informoj meshtarin e ri dom Zef Oroshin “se kisha ishte e rrethueme nga forcat speciale të Sigurimit”.

Nga Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër Arrestimi, të ardhur direkt nga Mehmet Shehu. Forcat e Sigurimit, po prisnin që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin me kujdes nga dera kryesore daljen e popullit.
Plani ishte që të arrestohej në momentin e daljes së popullit nga kisha dhe dom Zefin ta arrestonin, që të mos mund të kundërpërgjigjej…

Amerika, u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë të pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (1962, sot “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale New York).

Kjo tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar, por shtypi e burgosi pronën private, fenë edhe mendimet dhe fjalën e lirë.

Prend Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit), Lukja përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit. Ajo pas rënies së komunizmit në vitin 1990 ka jetuar në shtëpinë e nipit deri në ditën kur ajo mbylli sytë.

Motra e Monsinjori kishte qenë personi i fundit që dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal… Ai në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty pas garancive që i dhanë Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.

Në faqet e librit, janë emrat dhe mbiemrat e të gjithë hartuesve të Dosjës, punonjësit apo oficerët e Sigurimit të Shtetit, hetuesit, dhe punonjësit e tjerë spiunë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilët në bashkëpunim me njeri – tjetrin, ishin totalisht kundër meshtarit katolik shqiptaro amerikanë, kur ai ishte si meshtari i ri, në kishën e shën Maria Magdalenë, në Ungrej të Mirditës, kur arratiset në malet e Mirditës dhe gjatë gjithë aktivitetit të tij antikomunist në Itali, SHBA për dekada me radhë.

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të diasporës sonë shqiptaro amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit otoman Enver Hoxha.

Aktivisti nacionalist, studiuesi Tomë Mrijaj, është biograf i mirënjohur i Monsinjor Oroshit

Libri i ri në fjalë, shoqerohet me një shkrim shumë interesant në hyrje të tij me titull: “Dy fjalë për lexuesit” (fq. 13-20), shkruar nga biografi i Monsinjorit studiuesi Tomë Mrijaj. Po ashtu vepra mbyllet me një shkrim përgatitur me kujdes nga historinia Leonora Laçi, me titull: “Kalvari i vuajtjeve të familjes së Mons. dr. Zef Oroshit në diktaturën komuniste” (fq. 249-254).

Libri u përgatit me kujdes në New York, gjatë viteve 2019-2020 dhe u botua me sukses, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjen “VOLAJ”, në qytetin e lashtë të Shkodrës.

Një falënderim i veçantë nga zemra i shkon Shtypshkronjës dhe stafit të saj, të drejtuar profesionalisht, për punën e shkelqyer serioze dhe përkushtuese të bërë nga miku im i vjetër Martin Ndoja.

Në kopertinën kualitative, është busti kushtuar mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989), dhuruar kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodtrës” Hartsdale, New York nga skulptorja profesioniste amerikane Carolyne D. Palmer.

Disa nga temat e përmbajtjes së dokumenteve

Libri përmban tema interesante, ku disa nga nga ato janë: Inventari i materialeve, që ndodhen në dosje (9 faqe); Lista e personave që janë njohur me dosjen; Lista e personave që implikohen në dosje; Fleta e kontrollit në kartotekë; Të dhëna biografike të dom Zef Çokut (Oroshit) 13.3.1981; Vendim që t’i hapet dosja e kërkimit për përpunim, 26.6.1958; Lista e lidhjeve miqësore e farefisnore të të arratisurit dom Zef Çokut (2 faqe); Disa letra që mendohet se janë shkëmbyer mes dom Zefit dhe disa të tjerëve, gjatë kohës që ndodhej në mal i arratisur. Vërtetësia e tyre është e dyshimtë.

Në dokumentet e Sigurimit apo policisë sekrete komuniste, shikohet dukshëm edhe “ekspertiza”, që i është bërë letrave, (30.12.1951), relacionet dhe implikimet e ndryshme ose deponimi të personave pa karakter dhe të lëkundur kundër dom Zef Çokut, 18.1.1952. (2 faqe), sikurse edhe shumë informacione mbi levizjet e dom Zefit. (3 faqe); Raport propozim për regjistrimin e të dhënave mbi dom Zef Çokun në kategorinë II; Arrestimi i Ndue Jak Ndoj, për të dhënë informacione mbi strehimin e të arratisurve ndër to dhe dom Zef Çokun, kurse me datën 6.X.1952, njoftohet mbi kalimin në Jugosllavi të kriminelit dom Zef Çokut apo informata, ku përmendet dhe plagosja në krah e dom Zef Çokut, në muajin qershor 1952.

Sigurimi kishte informacione të hollësishme mbi lëvizjet antikomuniste të dom Zef Oroshit, sikurse është raporti i datës 5.V.1956: “Raport informativ agjentural mbi emigracionin reaksionar, shkruhet dhe për takimet që dom Zef Oroshi realizon me komunitetin shqiptar, në kampin e San Antonit (Itali), ku flet me skepticizëm për amnistinë, që po jepte shteti shqiptar ndaj të arratisurve.”

Sërisht, me datën 15.I.1957, dom Zefi takon shqiptarët në Romë (Italy), ku, i bënë thirrje emigrantëve nëpër kampe, që të mos gënjeheshin nga Qeveria komuniste shqiptare dhe një vit më vonë raportohet, se me datën 28.I.1958 zhvillohen takimet e dom Zef Oroshit me komunitetin shqiptar në Napoli etj.

Nga ana e tjetër, po atë vit, me datë 18.4.1958 brenda komunitetit shqiptarë, zhvillohen takimet e ngrohta me dom dr. Zef Oroshit dhe prof. Martin Camajt (arratisur nga Shqipëria) me emigrantët dhe përpjekjet e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që të ndihmojë emigrantët politikë antikomunistë shqiptarë, për të udhëtuar drejt Amerikës. Aktiviteti nacionalist i Oroshit, nuk ka ndalur.

Ai i shkruan një letër drejtuar komunitetit të arratisur shqiptar në Belgjikë pas takimit që pati me ta. (dy faqe) dhe më vonë ai shkon vetë në në një takim me komunitetin shqiptar në Belgjikë, ku flet hapur kundër regjimit komunist në Shqipëri etj.

Edhe në SHBA dhe më saktë në New York aktiviteti i meshtarit të përkushtuar mons. Oroshit është i madh dhe shumë planesh. Kështu me datë 8.9.1962, dom Zef Oroshi krijon Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, ku ai bën propagandë kundër komunizmit dhe në favor të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe pak kohë më vonë meshtari patriot antikomunist dom Zef Oroshi takohet në Clevelend (Ohio) të SHBA-së me komunitetin shqiptar. Mons. dr. Zef Oroshi për merita përkushtuese atdhetare zgjidhet në kryesinë e Vatrës me qendër në Boston etj.

Prelati ynë dr. Oroshi

Meshtari ynë mons. dr. Zef Oroshi, ishte Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” sot “Zoja e Shkodrës” New York.

Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit. Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga Qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohësisht sekretar të tij të përkushtuar plot energji, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane).

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), si pasoj e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.

Ish i burgosuri politik Bep Kuqani nga Shkodra, që qëndroi për shumë vite në burgjet famkeqe të Shqipërisë dhe mbylli jetën në New York, më ka pohuar me gojën e tij se Monsinjor Oroshi ka qenë komandant i forcave të rezistencës antikomuniste në malet e Miriditës, sikurse dëshmon me saktësi edhe Dosja e diktaturës hartuar nga Sigurimi i Shtetit komunist asokohe.

Për 8-9 muaj, ai qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë.

Të dielën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Mitrovicë, Gjakovë, Pejë… dhe shkon në Beograd.
Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.
Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje.

Ai ishte bashkvendasi e atdhetari i flaktë i abatit të Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi. Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste.

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954).

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik. Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh. Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit.

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane dhe asnji shqiptar.
Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarjet plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Prelati ynë kishte letërkëmbime, me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M, Pader Paulin Margjokaj O.F.M…

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe – Atdhe – Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët.

Dom Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”. Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937). Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991).

Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin. Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Meshtari ynë dinamik mons. dr. Zef Oroshi, themeloi Kishën e Parë Katolike Shqiptare, bashkoi komuniteitn nga të gjithë përkatesitë fetare. Fjalët e tij, në meshën e parë në kishën e porsa themeluar, u bënë realitet, ku tha: “Kjo sot asht nji dritë e vogel, por shumë shpejt do të bahet nji dritë e madhe këtu dhe në Atdhe.” Mons Oroshi e kreu amanetin e Abatit të Mirditës mons. Frano Gjinit. Famullia “Zoja e Shkodrës” në New York, gjatë këtyre 30 viteve ka ndihmuar me miliona dollarë, për ndërtimin nga themeli dhe riparimin e kishave të rrënuara në vendlindje, sikurse edhe ndihma humanitare, shkolla, spitale, rrugë etj., si në: Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.