MONOLOG I PRIAMIT

0
453
Atdhe Geci, red

MONOLOG I PRIAMIT

Poemë nga libri në dorëshkrim, “Diell i zënë Çamërie”

Unë mbret i vetëm i Trojës, zotëria
vet, të gjitha dijet ia fala vendit tim
dhe njerzëve të mirë të këtij qyteti
Liri, hijet që lëshojnë pallatet këtej
janë prej yjeve, prej hënës, e diellit.
Troja shumë e çmon lirinë. Pyetini
filizat e ëndërrave që rriten këtej
ata në ( qeshje ) i kanë shkronjat
dhe në vaj, vuajtjet e dëshpërimin!
Grua e Trojës, grua shumë e bukur
grua e nderuar dhe nënë e trimave
dashuria e jote lindi tërë këtë qytet.
Në Trojë, populli është zemëruar;
yje ka qielli dhe ende është natë
dardanët e Trojës po grumbullohen
T ́i mbrojnë o t ́i djegin kullat e tyre
Troja nuk jepet! As Troja nuk falet.
Helena vet e dashuroi djalin tim,
Menelau ishte pa syrin e Polifemit.
Popull, Troja s ́ka përse të frikohet
njëgjakësh jemi të gjithë pellazgët,
zemërimi mund të jetë i fshehur
po djali e vajza janë të dashuruar.

2.
——————————————–

Në Trojë, një Trojë kundërshton, që
Troja nga zemërimi të mos digjet,
yje ka në qielli dhe ende është natë
përpara do të kemi luftë të gjatë,
këto plazhe që duken të shkretë
shpejt do jenë një varr pa varre;
luftrat të ngjashme si e jona, edhe
hekurin e fortë e djegin e bëjnë hi!
Kujtesa e pellazgëve e ruajti Trojën
shqipen e lashtë të stërgjyshërve
për Paridin, Helenën, dhe Athënen,
do të jetë një ditë me pakëz Trojë.
Troja është rrethuar me legjenda
me kafshë gojëdhënash e lugetëri.
Në histori rrugët janë të ngushta
mendja hyut mund të bëjë më tepër
Në diell trojanët njihen mes vete
Troja do mbetet një kujtesë luftash
derisa të zbardhen hiletë e Akejve
do duhen ndoshta edhe mijëra vjet
që e vërteta Trojës të thuhet, drejt.
Priami Zeusit; luftën s´e shpika unë
por rrufetë që fshihen mes stuhive
akejtë lejen ia morën falas vullkanit
pa njësyshin e Polifemit të Adamit.

3.
——————————————–

Përderisa dashurinë e dashurojmë,
natyra e këtij demoni nuk ndalohet.
Pyes, a jemi të mjaftfuqishëm ne,
dhe të mjaft – kujdesshëm sa duhet
t ́ia falim të fundmen dashuri Trojës?
Gjykojeni vetë atë kalë mashtrues
që oborrin tonë ta bëjnë kasaphanë
këtë humbje s ́do ta quaja ndryshe
pos mjegullën ma të ultë në kët botë
Qaj, flamuri ynë, qaj dhimbja ime
se unë Priami, vrava shtëpinë time
pa u spërkatë me asnjë rreze yjesh.
Në tërë këtë gjëmë ku tashti jemi,
s ́ ka strehë që mund të na shpëtojë,
në këtë mjegull tonën, Troja u shua
nga më e helmëta shpatë e të ligut.
Në Trojë gjatë s ́do të ketë flamur,
as njerëz që qeshin dhe që punojnë.
Shtëpitë tona që na i dogji “Kali…”
me asnjë lloj gjaku nuk pastrohen.
Troja vdiq pa u bekuar me fitore
këtij vendi do t ́i vihet emër tjetër
Në eposet me nam planetare, Troja
është përbashkuesi i të humburve,
forca e graviteti i përgjakjeve midis
fisesh, nga e padukshmëja dashuri.

4.
——————————————–

Kjo botë e dashurive të mëdha
është përtej mundësive të Trojës
Lufta e Trojës s ́do të jetë e fundit,
po mund të quhet një luftë e parë;
një djall fshihet çdo herë tek vetja
se flakët që po e djegin Trojën,
do ia hanë trupin tërë pellazgjisë.
Jo të gjitha luftrat janë me fitore
Këtë ma thoshte gjyshi në Lezhë!
Të krijosh kohë, do të thotë fillim
pagjëmësi jete, dhe ide të bardhë.
Kjo që tani po ndodhë këtu tek ne
është mjegulla më e ligë në tokë,
ku as mes miqëve s ́ ka miqësim.
Ne vritemi me ata që po na vrasin
kjo është Troja e Priamit, Troja
jonë, Troja që dardanët e ngritën.
Tani që jam në mes të dy kohëve
asnjë shpresë Trojën s ́e shpëton,
Qytetet mbijetojnë aq sa jetojnë
Lufta e Trojës s ́është në dobinë
tonë, por në dobi të zjarrvënësve.
Muza sot më thoshte të vërtetën
Ende ka shkretira të pabanuara
Troja do ngrihet dhe rindërtohet
por asnjë Trojë s ́do të mbijetojë!

5.
——————————————–

Trojë, ti sot armike e ke dashurinë,
dhëndërrin Paridin, dhe nusen e tij
Helenën. Dashuria s ́ ka pendë, as
krahë, që t ́ia thyejmë dhe shkulim.
Ta mbys Paridin s ́më bie ndërmend
Dashuria natyrën e ka prej mëmës,
ndërsa fshehjen e trimërinë prej të
atit! Kohën s ma bën të durueshme
as bija e Afërditës, dhe as hija e saj
Pyes; çdo bëhet me Akropolin, me
pasuritë shpirtërore të pellazgëve?!
Trojë, ti sot armik e ke dashurinë.
Nga të erdhi ty ky kalë i nxirosur,
apo mos unë jam ajo kafsha e keqe!
Vaji i detit është i njëjtë me timin
kripa e njelmët ia mpreh tallazet;
në cekëtina e plazhe ka kufoma
dhe kafka kokash sa për një Kala;
vetëm nën qiell të shqipes ka Trojë.
vetëm nën qiell të shqipes ka Iliri.
vetëm nën qiell t´shqipes ka pellazgë
vetëm nën qiell të shqipes ka dardanë
vetëm nën qiell të Ipes ka Shqipëri
Prej se jam lindur e dashurojë Trojën,
drerin e ëndrrave e kam për zemër.
O fat i Trojës, tragjedi e Priamëve
luftën s ́e ndali, Troja do digjet, por,

6.
——————————————–

bashkë me të, edhe e fitorja armikut.
Rruga për në histori mbetet e gjatë
yje ka qielli po vazhdon të jetë natë
agim i kuq i arbërit, i kuq shndritë
prej ajrit lart dielli vëngër na soditë
dardanët kudo po grumbullohen
t´i mbrojnë tokat dhe kullat e tyre
Helena e deshi vet djalin tonë, ajo e
pëlqeu marrëzisht ta marr për burrë,
Troja s´ka pse të frikohet, jemi në
vendin tonë. Një gjak jemi me akejt
zemërimi mund të jetë i fshehur
po djali dhe vajza fort përqafohen
Qielli ka yje po vazhdon të jetë natë
përpara kemi një pafundësi epokash
pellazgët kanë rrugë të gjatë në jetë
ky plazh me rërë mund të duket
shkret. Por nata ka humbjen e vet
Iliada e Homerit i këndoi Trojës
por përshkruesit atë e ndryshuan
shpikën grek midis fisesh pellazge
Për Priamin, Eneun, dhe Kreuzen
shqiptarët do ta ngrejnë të vërtetën
për luftën e Trojës, dhe rreth Trojës
Troja kryeqytet i dardanisë së lashtë
e shtrirë në gjerësinë e trojeve të saj:
mbetet luftë midis fisesh pellazge
O fat i Trojës, o tragjedi e Priamëve
luftën s’e ndali, Troja do digjet, por,
bashkë me të, edhe fitorja e akejve.

Atdhe GeciDortmund, 2020 / Poemë nga libri në dorëshkrimi, “Diell i zënë Çamërie”.

p.sh. Poema është ripunuar!…