MONOGRAFI QË BEGATON HISTORIOGRAFINË, ARSIMIN, KULTURËN, SPORTIN …

0
1969

Fadil H. Curri “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë”, botoi “ProkultPress”, Prishtinë 2017

Milazim F. KADRIU

Pas botimit të disa librave me poezi dhe libra publicistik Fadil H. Curri kësaj here erdhi para lexuesve me një libër historiografik, libër mjaft voluminoz në dy pjesë të ndarë në dhjetë kapituj, me monografinë për fshatin Mazgit të Kastriotit të titulluar “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë”.

Po ta shfletosh këtë monografi sheh se brenda saj ka mjaft histori për fshatin e me gjerë në të gjitha fushat e jetës e mbi të gjitha ka fotografi të periudhave të ndryshme kohore që janë një dëshmi historike. Të gjitha materialet e grumbulluara në këtë monografi e bëjnë këtë vepër jo vetëm të kapshme si dokumentar, por edhe joshëse për ta lexuar nga të gjitha gjeneratat.

Njëri ndër 20 fshatrat e komunës së Kastriotit është edhe fshati Mazgit që shtrihet në anën verilindore të qytetit sha ka një sipërfaqe prej 6,5 km katror. Ky fshat ka një histori të begatë që nga periudha e Perandorisë Romake e deri në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Thuhet se qysh herët në periudhën e Perandorisë Romake në këtë fshat afër vendit të quajtur Gazimestan ishte ndërtuar Amfiteatri veror. Në vitin 1389 në këtë fshat është zhvilluar lufta që njihet si Beteja e Kosovës. Në këtë fshat përpos objekteve tjera është për të kujtuar historinë më të re luftën e UÇK-së është ngritur edhe lapidari që ruan kujtimin për dëshmorin e këtij fshati Ferid Curri.
Dhe, nuk ka më bukur dhe më ndershëm se sa ‘t’ia lësh një dokumentar fshatit të lindjes, aty ku autori i ka kaluar mbi 50 vite të jetës së tij. Ai, tash më i është kthyer këtyre viteve, duke i përkujtuar jo me fjalë, por edhe me vepra, të cilat “rrëfime”, dokumente, shënime, foto të ndryshme që janë dëshmi e rrallë e një dokumentari.

Autori në monografinë për fshtin Mazgit fillon nga toponimi i këtij fshati për të vazhduar historikun e tij në periudha të ndryshme si ajo romake,osmane,lufta e parë dhe e dytë botërore,lufta e lavdishme e UÇK-së e deri në ditët e sotme. Mandej me fotografi e fakte flet për monumentet historike që nuk janë të pakta në këtë fshat. Ai sjell të dhëna për personalitete të këtij fshati,për familjet që kanë jetuar dhe jetojnë në fshat si dhe për shumë aktivitete arsimore, kulturore – letrare e sportive të mazgitasëve.

Më tej në një kapituj flet për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe bletarisë në fshat, për festat, adetet dhe zakonet e banorëve të këtushëm e për shumë gjera tjera. Një pjesë të mirë të këtij libri autori ia kushton luftës së fundit dhe dëmeve që ka shkaktuar kjo luftë. Ai prezanton të gjitha familjet e këtij fshati duke sjellë edhe viktimat e terrorit serb që u bënë si kudo tjetër në Kosovë edhe në këtë fshat. Po ashtu ai me krenari flet edhe për luftëtarët e lirisë të cilët bashkë me aleatin e tyre NATO i sollën lirinë e shumë pritur vendit.

Jemi dëshmitar se të tjerët, ata që na kishin okupuar për shumë kohë kanë shkruar dhe shkruajnë histori të rrejshme, e që kanë shkruar edhe për Mazgitin e Fadil H. Currit. Këto histori falëse ata i kanë shkruar vetëm e vetëm për t’ia arritur qëllimit të tyre, ndërsa nga ne pak kush i rreket kësaj “çështje” me interes jo vetëm për qytetarët, por, të këtilla vepra janë edhe me interes kombëtar. Andaj, Fadil H. Curri e ka dëshmuar vetën me këtë vepër se, intelektuali ynë nuk do duhej të rrijë duarkryq, por do të duhej të japi nga vetja diçka në jetën e tij, bile ndonjë monografi fshati, shkolle, apo ndonjë shënim për ndonjë martir apo dëshmor kombi etj.

Fadil H. Curri me këtë dokumentar për fshatin Mazgit, ka hyrë në radhën e atyre krijuesve që po hapërojnë sigurt në ndriçimin e krejt jetës sonë, duke shkruar në kohën e tanishme për të kaluarën dhe duke lënë gjurmë për të ardhmen. Në këtë monografi shihet se Fadil Curri kaherë ka pasur interesim që të shkruajë ndonjë vepër të kësaj fushe, sepse, fshati i tij, Mazgit, ka shumë ngjarje të hershme, e banorët e këtushëm e kanë ndryshuar jetën në të mirë të tyre, dhe ai me ndihmën e bashkëfshatarëve dhe të komunës së Kastriotit ia arriti qëllimit dhe tani kemi në dorë librin “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë” që është një bazament i mirë për të gjithë ata që në të ardhmen duan të shkruajnë dhe hulumtojnë më shumë për historinë e këtij fshati dhe fshatrave tjera të këtij lokaliteti.