ISHTE DHE MBETI KOMANDANT
SHKRUAR NGA NIAZI NELAJ, DËRGOI PËR PUBLIKIM: GJIN MUSA, GAZETAR
Jam përfillur disa herë për të shkruar një monografi në nderim të njërit nga “yjet”e aviacionit shqiptar: Lulo Musai (Spahaj), por sa here e kam nisur shkrimin, diçka më ka prapsur dhe e kam nisur punën nga e para. Më në fund, vendosa e do ti qendroj premtimit që i bëra vetes. Ta dini se nuk është e lehtë të përjetësosh jetën dhe bëmat e atij njeriu me përmasa të jashtzakonshme. Ai nuk ishte vetëm një njeri i përsosur por dhe një pilot i talentuar. Në praktikën e punës kam pranuar si rregull të parë: Nuk e nis një shkrim, pa marrë më parë mendimet e shumë njerëzve që kanë qenë pranë tij apo, në rastin më të mirë, kur kanë punuar së bashku. Kështu veprova dhe kësaj here, paçka se pas kaq vjetësh nga ndarja prej tij.
Shkrimin dua ta nis me nje falenderim e mirënjohje të thellë për autorin e librit: “Shqiponja që çau retë”, njeriun e letrave Idajet Jahaj, i cili, në një monografi enkas, kushtuar heroit, me dashuri e aftësi na e pruri, të gjallë, në kujtesë shokun; mikun; babanë dhe burrin e rrallë, Lulo Musanë, i cili na mungonte prej vitesh. Kur lexon librin biografik që ka shkruar autori Idajet Jahaj, për Lulon tonë të dashur, na del përpara syve ai “ yll”i aviacionit shqiptar, i cili, edhe pse “u shkëput nga orbita “ (lexo nga shokët), nuk u shua por vazhdoi të ndritë e do të ndriçojë përherë. Ndodh kështu, mbasi e tillë ishte jeta dhe bëmat e tij; të pashlyera janë gjurmët e veprës që na la pas. Ndaj, duke lexuar e rilexuar, me vemendje atë libër, mrekullohem e krenohem për Lulon, të cilin (nuk e fsheh)e kam patur dhe e kam idhull. Sa doja ti ngjaja; sa shumë rrekesha të bëhesha si ai!
Nuk e njoh personalisht autorin e librit, por kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se Idajet Jahaj, me ato që ka shkruar për Lulon, nëpërmjet një pune plot “ bereqet” e të kujdesshme na e ka prurë mes nesh, siç ishte njeriun tonë të dashur e të paharruar. Nuk e ndaj nga dora atë libër, e mbaj si hajmali, besoj se më sjell fat e më ngjan sikur e kam pranë xha Lulon, me atë botë e shpirt të madh, me atë nur të bukur e me atë vështrim të mprehtë, të cilit nuk i shpëtonte asgjë.
Të falemnderit ! njëqint herë, o Idajet Jahaj, për këtë dhuratë të çmuar që na ke bërë! Në atë shkrim të sinqertë je përpjekur të na sjellësh sa më tepër opinione, kujtime, mbresa e vlerësime për Lulon, të cilat i ke radhitur me shumë dashuri e vërtetësi. E di se nuk e ke patur të lehtë; përkundrazi. Ai që shkruan, i kupton e i ndjen vështirësitë e kësaj pune. Nuk i thonë mëkot krijimtari. Vështirësitë shtohen kur shkruan për një njeri si Lulo, i cili ka shkëlqyer e ka lënë vazhdë në një profesion i cili nuk është yti. Me mjeshtëri e me art na ke sjellë në kujtesë ato skena të bukura e shumë prekëse kur Lulo ende fëmijë la stanin e bagëtive të cilin e donte aq shumë e hodhi në krah dyfekun të cilin e hiqte xarra nëpër rrapishtet e shtratit të lumit të Vlorës.
Pas gjurmëve të njerëzve me peshë që drejtonin formacionet partizane të zonës, nën kujdesin e partizanëve më të rritur, Lulo, “picirruku i Brigatës”, siç i thoshin bashkëluftëtarët, shpalosi, në fushën e luftës ato veti e virtyte të rralla, të cilat i kishte dhuratë nga nëna natyrë dhe nga familja e tij fisnike. Në zjarrin e luftës për liri, Lulo Musai, ende i parritur u bë partizan trim, i papërmbajtur e sypatrembur. Luftoi Lulo Musai, në përbërje të Brigatës Heroinë, mori pjesë në luftime, nga Jugu i vendit, në Veri të tij, në Kosovë e në tokat e Jugosllavisë, deri në Vishegrad. Partizani i vogël Lulo Musai u kthye nga Lufta, fitimtar, më i rritur e i burrëruar; më i mënçur e i trimëruar, me tipret e një trimi të çartur i cili i ve gjoksin rrezikut.
Bonjaku Lulo Musai, pas çlirimit të vendit, tok me moshatarët e tij ishpartizanë, u ul në bankat e shkollës së kadetëve, për të vazhduar shkollimin aty ku i kishte ndërprerë. Më pas, në datën 7 mars të vitit 1948, së bashku me 10 shokë, Lulo u nis për t’u bërë pilot, në shkollën e aviacionit sovjetik. U bë pilot dhe shërbeu në reparte e detyra të ndryshme, si fluturues, deri në vitin 1975, kur u penalizua, në mënyrë të pamerituar, duke u përpjekur ti vishnin në trup një qyrk, i cili nuk i shkonte e nuk ishte i tij.
Duke shkruar për jetën dhe veprën e lavdimadhit Lulo Musai, shkrimtari Idajet Jahaj na bën nder të gjithëve. Nëpërmjet përshkrimit të një heroi si Lulo Musai, pena e “ hollë” e autorit dhe mendja e kthjellët e tij, na nderon të gjithëve: ne nxënësit, shokët, kolegët e vartësit e tij; gjithë atyre që janë rritur e formuar nën drejtimin e atij specialisti brilant e njeriu të mirë. Libri i bën nder Smokthinës, e cila e lindi dhe e rriti bonjakun Lulo; nderon fisin e Spahajve dhe familjen e Lulos; vendos në radhët e të nderuarve edhe veten e tij. Ndaj sot bërtas me të madhe:” Të lumtë mendja e të buroftë muza, o Idajet Jahaj, për të na dhënë libra të tjerë me vlerë”!
Duke lexuar librin e Idajet Jahaj, u mrekullova me hollësitë e me dashurinë me të cilën ai ka gdhendur jetën e fshatit. Përveç që duhet të jetë nga ato anë, autori ka ditur kë të pyesë. Ai ka qëmtuar opinionet e njerëzve të rritur mes atyre gërxheve, atyre të cilët njohin çdo detaj të jetës së fshatit. Arti i tij lidhet me bukurinë dhe vërtetësinë e paraqitjes të materialit faktik. Nuk bëhet fjalë për të përshkruar bukur natyrën, mbasi mjaft të tjerë e kanë bërë suksesshëm këtë. Natyra, përrenjtë, shkëmbinjtë, majat, gërxhet, lëndinat, honet, atje janë, e me një rrugëtim, mund ti shikosh, për bukuri.
Autori Idajet Jahaj ka ditur “të futet “ në lëkurën e fshatarit të atyre anëve duke na dhënë besueshëm mentalitetin dhe psikologjinë e njerëzve heroikë e krenarë të trevës. Rrëfimet e banorëve të atyre anëve janë të vërteta, të çiltra, të besueshme e bindëse. Ato kanë brenda dëshirë e shpirt, së toku. Cdo tregim më ngjan me ujët e pastër që gurgullon, si qelibar, kur zbret nëpër ata përrenj malorë me shtrat të gurtë. Fjalët e çiltra të banorëve vendas më ngjasojnë me ujët e krojeve të fshatit malor, Të cilët nuk shterrojnë kurrë.
Autori nuk është njeri i aviacionit. Të paktën unë nuk e kam njohur si të tillë. Kësisoj, për të kompensuar mosnjohjen si duhet të disa veçorive të jetës në aviacion u është referuar kujtimeve e mbresave të disa specialistëve të mirëfilltë, të cilët kanë qenë pranë heroit tonë. Ka bërë shumë mirë që ka ndjekur këtë udhë. Kjo punë e vështirë është mjaft e lodhëshme e kërkon shumë përkushtim e sakrificë. Kam qenë fluturues e nuk më vjen mirë që disa nga ata që kanë dhënë mendime për Lulo Musanë, edhe pse e kanë njohur mirë, në rrëfimet e tyre nuk kanë treguar profesionalizëm e nuk i kanë nxjerrë si duhet në dritë vlerat e pamohueshme të Lulo Musait; talentin e tij si pilot e aftësitë komanduese të tij.
Në opinionin tim, Lulo Musai ka qenë e mbetet njëri nga tre “yjet “ e aviacionit shqiptar. Nëse Niko Hoxha erdhi si fat i aviacionit dhe pa punën e tij vetmohuese, deri në sakrificën ekstreme nuk do të ishte rritur e kalitur aviacioni që kishim deri në vitet ’90 te shekullit të kaluar, nëse mund të mos kishim shkollë të lartë të aviacionit, si burim kuadrosh fluturues dhe të specialiteteve të tjerë, pa iniciativën dhe këmbënguljen e legjendarit kokëkrisur Babaçe Faiku; mund të them plot gojën se nuk do të kishim regjiment helikopterësh pa bëmat e Lulo Musait. Të më falë autori i librit; nuk e kam me atë. Atij i përulem, për atë që ka bërë.
Pyetjen e shtroj fare thjeshtë: Ata që kanë folur për Lulon, nuk i kanë ditur vlerat e tij? Zor se mund ta besojë njeri. Që i kanë ditur, kjo nuk mund të vihet në diskutim. Atëherë përse nuk i kanë nxjerrë si duhet në evidencë? Po bëj hamendësi e po rrekem të spjegoj përse disa syresh janë shprehur pa nerv; ftohtë; përciptaz; tangent e pa profesionalizmin e nevojshëm e të mundshëm?Përse disa nga shokët dhe bashkëkohësit e tij janë shprehur me “ gjuhë të drunjtë”? Po të kishin folur me profesionalizëm e “me zemër në dorë”, po ta kishin mbushur materialin me jetë aviatorësh mesiguri që do ta kishin ndihmuar më tepër autorin. Po përse nuk e kanë bërë këtë gjë? Gjithnjë them opinionin tim: E para, Lulo Musai, në vitin 1975 u gjykua e u dënua; u lirua nga ushtria e doli në pension të parakohshëm.
Duke ngritur probleme të qëna e të paqëna, disa zemërzinj, servilë, karrieristë e arrivistë, kujtuan se u erdhi dita për të bërë karrierë të pamerituar, me sajesa e paudhësi; u orvatën ti atribuonin Lulo Musait gjera të cilat ai nuk i kishte. “ Fshesa e hekurt “, e ftohtë e pa shpirt që kaloi në ushtri, mori me vete dhe Lulon, me epitetin e shpifur të arrogantit e të prepotentit. Ndoshta në thënjet e tyre me rezervë, rrëfenjësit janë rrekur të “ ruajnë veten”. Të më falin ata njerëz por i siguroj se arroganca e prepotenca, edhe sikur të ishin të vërteta tek heroi, ato nuk janë virus që ngjitin sëmundje. Pra nuk kemi të bëjmë me një sëmundje që ngjitet. Mëkot tremben se ato nuk ngjiten; kot e kanë fëlliqur veten. Si nuk i thërresin mendjes se janë në moshë të tretë dhe e kanë të qartë prognozën.
E dyta, duke i njohur të intervistuarit personalisht kam përshtypjen se janë burra të mençur e trima. Nëse janë treguar të rezervuar për të folur si duhet për një mikun e tyre të mirë, kjo mund të lidhet me një dukuri tjetër, e cila, në çdo rast nuk është e mirë: me zilinë; me cmirën; me një lloj xhelozie të fshehur e të heshtur. Më ka rastisur shpesh të intervistoj njerëz të kësaj moshe dhe, e dini çfarë më ka ngjarë? I kam pyetur për x njeri e më kanë folur për y nin. Kjo është prap mirë; më e keqja është kur i atribuojnë vetes atë që e kanë dëgjuar ose që e kanë vënë re tek të tjerët. Kjo “sëmundje “ është “ e shkuar”; asnjeri nuk mund ti shpëtojë asaj. Lulo Musai ishte ai që ishte e u bë i atillë falë vetive e virtyteve të veçanta që e karakterizonin, të cilat nuk mund të shiten e të blihen në treg. Ato janë dhunti e nuk bëhen dhuratë. Për atë që ka ikur, kur e meriton nuk duhen kursyer fjalët e mira; madje, në libra të shënjtë kjo çmohet si bamirësi.
Më ka rastisur të përshkoj në këmbë ose mbi kafshë nëpër trevën time. Brenda dhe përqark saj, por dhe në treva të tjera kam ndeshurme një dukuri tejet interesante: në anë të udhës kam vënë re një pirg me gurë. Disa e quajnë muranë. Në atë vend, dikur, dikush, ka dhënë shpirt. Ndonjërit i dihet emri e historia; të shumtët mbeten anonimë. Ka qenë në traditën e njerëzve tanë: kur kalon pranë atij pirgu me gurë, kalimtari qendron; në shënjë respekti për atë që nuk është në jetë, merr një gur nga toka pranë dhe ia shton muranës. Eshtë e njerëzishme, por nuk duhet ngatërruar me bestytnitë. Kur zbret maloren përmes kthesave të Barmashit, në vitet ’50 të një shekulli më parë, kam vënë re një mrekulli.
Dikur, në ato kthesa ishte aksidentuar, me vdekje një shofer. Emrin e tij nuk e dinin pasagjerët; mundet as kolegët e tij; por, çdo shofer që zbriste në atë faqe mali, kur vinte tek kthesa ku kishte ndodhur aksidenti, i binte buries, tri herë. Atëherë isha tepër i ri për të kuptuar psenëe kësaj dukurie interesante. Tani mund ta bëj analizën e të tërheq konkluzione. Pavarësisht se nuk e njihnin kolegun e aksidentuar, ata njerëz të mirë e kujtonin atë, në një mënyrë të thjeshtë por domethënëse. Dhe e nderonin jetën e tij.
Të kalojmë tek rasti ynë: Jemi rritur së bashku apo nën drejtimin e Lulo Musait. Sa ishte mes nesh Lulo, ma do mendja se ata që kanë shkruar për të me atë “gjuhë të drunjtë”, më mirë të kishin heshtur. “Kur nuk ke çfarë të thuash, ka thënë një i mënçur, më mirë hesht”. Për Lulo Musanë, nisur nga veprimtaria e tij fluturuese dhe drejtuese, çdo njeri që nënvizon një veti apo një virtyt të tij, në radhë të parë i bën nder vetes. Mëkot rreket njeri apo tjetri të evidencojë veten. Ai që nuk është më në jetë, faktikisht është jashtë gare; prandaj çdo formë e shfaqjes së xhelozisë është e tepërt dhe e padrejtë; përndryshe njeriu matet me mullinjtë e erës.
Po të mos mërziteni do tju dëftoj një ndodhi të viteve të fundit: Lulo Musai ka lënë pas tri vajza e tre dhëndurrë. Nuk ishte pishman që nuk la djalë, mbasi bëri dhëndurrë për kokën e dhëndrrit. I mesit quhet Genci dhe e ka mbiemrin Sokoli. Më besoni, është një sokol, në tërë kuprtimin e kësaj fjale. Sot është me moshë reth të gjashtëdhjetave; ka qenë qitës, me emër. Në shtëpinë e tij, para disa vitesh bënte vizita konsulli i Ambasadës Ruse në Tiranë; një rus nga Uralet me emrin Sergej. Me përkëdheli, rusët i thonë: Seriozha. Ky seriozha pëlqente, në shtëpinë e Gencit rakinë e rrushit, të cilën e nxirrte i zoti i shtëpisë, Faja, me gradacion rreth 20 gradë, nga rrushi “ shesh” i hardhisë në oborr. Kishte elokuencë në të folur diplomati rus.
Një ditë, në shtëpinë e Gencit kishte ardhur gruaja e Lulos – Sadetja. E prezantoi të huajin, Genci, me vjehrrën e ai pyeti: Po vjehrrin ku e ke? I zoti i shtëpisë e bëri me dije mysafirin se vjehrri i tij, Lulo Musai nuk jetonte dhe se ai kishte qenë “pilot i klasit të parë”. Ai ishte bërë pilot në shkollat sovjetike të aviacionit dhe kishte përfituar mjaft mga eksperienca e pilotëve të shkëlqyer të atij vendi. Për habinë e të pranishmëve, diplomati i huaj sapo dëgjoi për titullin e lartë të “ pilotit të klasës së parë”, u ul në gjunjë, në shënjë nderimi e respekti. Komenti im është: “Trimi e njeh dhe e nderon trimin”. Pas komentit vjen, logjikshëm një përfundim: Le ta themi atë disi ndryshe: “ Ai që nuk ka miell në magje, nuk ka çfarë ti japë atij që i kërkon miell hua”!
Ideja për këtë shkrim më ka lindur prej kohësh, por kam vendosur me vete një farë radhe. Më parë kam shkruar monografi për të lavdishmin Niko Hoxha; për pilotin e talentuar Gëzdar Veipi dhe për të papërsëritshmin Anastas Ngjela; do të shkruaj dhe për të tjerë, sa të më punojë mendja e të më shkruajë pena. Dua të përjetësoj, edhe nëpërmjet shkrimeve modeste ata që kanë vënë gurët e themelit e i kanë dhënë shtysë zhvillimit të armës plot lavdi të aviacionit. Dikush, ma do mendja me mendjelehtësi; ca më keq kur nuk e ka shpirtin të mirë brambullin poshtë e përpjetë: Po çfarë keni bërë xhanëm, se mos keni qenë në luftë. Atyre zemërzinjve e cmirëzinjve u them: Ne në luftë të përditshme kemi qenë! Pse pak të duken ty gjithë ata shokë tanët që kanë dhënë jetën, në krye të detyrës, për ta ngjitur aviacionin në majat ku ishte para se një mendje e një dorë ogurzezë e katandisi këtu ku është. Sa për heronjtë; të cilët nuk janë më midis nesh, nuk dua e nuk lejoj të bjerë mbi ta pluhuri i harresës. Mjaft e kanë dheun që mbajnë prej kohësh mbi shpatulla. Pavarësisht nga mendimet alternativë për një çështje apo për një njeri, do të përpiqem të ngre “lapidarë”, për ata që e meritojnë dhe sa të më ecë.
Leximi i librit të mrekullueshëm të shkrimtarit Idajet Jahaj për Lulo Musanë, më shkundi e më nxiti të flakë tej plogështinë e të rrëmbej penën, për të shkruar siç di e siç dua unë për të. I lutem të më mirëkuptojë autori i librit: “ Shqiponja që çau retë”, për guximin që mora për të shkruar për të njëjtin njeri. Nuk pretendoj të bëj kritikën e librit të tij. Nuk jam nga ajo “ prerje”; çapi im nuk mund të arrijë deri atje, sa të bëj kritikën e një vepre letrare si jotja. Me ato që dua të shkruaj rrekem të plotsoj ndonjë gjë, të cilën e di unë dhe shokët e mi të specialitetit. Mos ma merr për keq po të kujtoj një dukuri: Patjetër do të keni vënë re si ngrihet një shtëpi me mur guri. Edhe unë e kam pikasur. Fillimisht vihen gurët e gdhendur të qosheve dhe mbasi lidhen mirë e mirë me llaç gëlqereje, mbushen brenda me haliçë (gurë të vegjël).
Haliçët e bëjnë murin më të plotë, më të fortë e më të qendrueshëm ndaj lëkundjeve të tokës. Ato që dua të shkruaj për Lulon, ju siguroj se nuk do të duken si mballomat në një veshjeje njëngjyrëshe. Do të përpiqem të hedh në letër mendimet e miqve të mi e të Lulos, të cilët kanë çfarë të thonë për atë njeri me vlera shumë. Pyeta shumë e do të shkruaj pak. Po të kisha mundësi ti shtrydhja mendimet e atyre që intervistova mund të arrija në përfundimin e teknikut të helikopterëve Vokërr Punavija, nga Mati, i cili, siç është fjalëkursyer tha:”Sa ditë do të kem në jetë, do ta ruaj kujtimin e tij. Ishte, siç thonë sot, me humor (por ai vërtetë), “ etalon, njësh”. Kështu them dhe unë: Lulo Musai ishte e mbetet “ Njësh”, por jo si numër e si radhë; ai ishte “ Njësh” për vlerat që bartëte”. Lulo Musai (Spahaj) ishte “ Dashi që i prin kopesë, jo bravarja qe hiqet branë, në fund të tufës”. Zor se mund të gjendet një i dytë që të krahasohet me atë lab tipik e fisnik.
Me qëllim që të tërhiqja sa më tepër opinione, fillimisht u telefonova disa shokëve, të cilët kanë qenë pranë heroit. Mendoni që shokët e mi e të Lulos tani janë të moshuar e me kondicion fizik të dobët. I telefonova ingjenierit mekanik të aviacionit, Vebi Punavija; njërit nga kontributorët më në zë për konsolidimin e regjimentit të helikopterëve. Në vitin 1967, kur u vendos që Farka të bëhej vendi i dislokimit të regjimentit, helikopteri i menaxhuar prej Vebiut, me pilot Lulo Musanë, u ul i pari në lëndinat ku parashikohej të ndërtohej heliodromi.
I befasuar e i shqetësuar nga telefonata e papritur, i ndodhur përpara kërkesës për të rikujtuar një njeri të dimensioneve të Lulo Musait, Vebiu belbëzoi: “çfarë të them e çfarë të le pa thënë për atë njeri, nga ta nis e ku ta sos? Bëmat e Lulo Musait nuk kanë anë e fund”. Pastaj pyeta e mora opinionet e mjaft bashkëkohësve të Lulos. U takova me kryeinxhenjerin e regjimentit, të mënçurin e të shkathëtin Tajar Ramadani (Skëndaj), teknikun e treshes Petrit Levanaj, njërin nga mjeshtrat e shfrytëzimit të helikopterit Mig-4 etj.
Me “ bereqet “ ishte takimi me teknikët e helikopterit Mi-4: Shyqyri Berisha e Sinan Breshani, me Vasil Jakovin, Liço Kopaçen, Siri Godaj, me ingjenierin e skuadriljes së dytë Dajlan Birçe, me Fadil Lelin e Lirim Kananin, me veteranin e aviacionit Shaqo Hoxha (baxhanak i Lulos) dhe gruan e tij –Teutën; me vajzën e mesme të Lulos- Linditën dhe bashkëshortin e saj – Genc Sokolin; me pilotët: Albert Shkurti; Shpëtim Baxhaj; Osman Kushta; Çobo Skënderi; Vasil Andoni; Dhori Zhezha; Gëzdar Veipi; Budjon Tollkuçi; Ahmet Sulejmani; Nestor Dhaskali; Nustret Bilani etj. Të gjithë ata që pyeta, njëzëri më dëftuan anë të veçanta e vlera të padiskutueshme nga jeta dhe veprimtaria e atij “ ylli”, si pilot, drejtues, mësues, shok e prind i mirë.
Ndihmesë të pamatë më dha, në punën time libri me kujtime i të ndjerit Flamur Mickaj i cili ka qenë shok i të njëjtit kurs, për pilot, në vitet 1948-1952, kur të dy përgatiteshin për tu bërë pilotë, në qytetin “ Engels” të Bashkimit Sovjetik dhe që kanë qenë shokë e kolegë, gjat gjithë jetës. Mbi të gjithë më ka ndihmuar e orientuar shkrimtari i nderuar Idajet Jahaj, me monografinë që ka shkruar, kohët e fundit; një goxha libër, në nderim të kujtimit të figurës shumëdimensionale të pilotit talent Lulo Musai (Spahaj). Eka “ gdhëndur “ portretin e Lulos autori i monografisë:” Shqiponja që çau retë”. Na e ka prurë të dashurin e të paharruarin tonë, të gjallë, siç ishte: i mençur; i qeshur; rigoroz dhe mendjendritur.
PORTRETI DHE PRIRJET E LULO MUSAIT (SPAHAJ)
Lulo Musanë e gjeta në regjimentin e aviacionit, në Rinas, në muajin qershor të vitit 1963, kur u emërova pilot gjuajtës –bombardues, pas përfundimit të shkollës së aviacionit kinez. Ishte komandant i të vetmes skuadrile të pajisur me aeroplanë gjuajtës – kapës supersonikë Mig-19 PM.
Aeroplani me të cilin fluturonte Lulo, në atë kohë ishte i sofistikuar; i pajisur me katër raketa të drejtuara ajër-ajër dhe me llokatorë në bord. Zëvëndëskomandant i skuadriles ishte piloti talent i rrallë e njeriu i mirë Anastas Ngjela. Të dy; komandant e zëvëndës ishin një çift pilotësh emblematikë dhe e drejtonin atë njësi luftarake në mënyrë të përkryer. Në skuadrilen që komandohej prej tyre bënin pjesë pilotë të rrallë si:
1) Mahmut Hysa (Uku);
2) Halit Bulku;
3) Serafin Dhegani;
4) Nestor Dhaskali;
5) Bilal Josja;
6) Astrit Mersini;
7) Vasil Kromidha;
8) Agron Daci;