MOIKOM ZEQO – T’I NGJASH PLATINISË…

0
644
Moikom Zeqo

NË KUJTIM TË TË MADHIT MOIKOM ZEQO, PO PUBLIKOJMË NJË TREGIM TË TIJ, “T’I NGJASH PLATINISË…”

Moikom Zeqo

Në mars 1993 ndodhesha në aeroportin e Londrës në pritje të kthimit me avion në Tiranë. Flokët i kisha të gjata dhe qeshë veshur me një kostum të zi. Befas më ndodhi diçka e papritur.

Tri, katër kameramanë me aparatet e tyre, u turrën drejt meje duke klithur në anglisht dhe në frëngjisht “Mishel Platini, Mishel Platini, kur keni ardhur në Londër? Pse inkonigto?

Gati u ngurosa. Për një të dhjetën e sekondës mendoja të luaja rolin e sozisë, t’u përgjigjesha në anglisht dhe në frëngjisht, të isha i gjallë, i pranueshëm, i famshëm, krenar, mospërfillës në fokusin e kamerave të TV-ve të botës.

Disa herë të njohur të mi në Shqipëri më kishin thënë se i ngjaja krejtësisht Mishel Platinisë, si fytyrë, si trup (- në fakt ai duhet të më ngjante mua se si moshë jam 2 vjet më i madh!) Pra, isha i pregatitur për shakanë e sozisë, aq më tepër që edhe ime më e kishte parë në ekran një ndeshje ndërkombëtare futbolli dhe qe habitur nga ngjashmëria e birit të saj me yllin e futbollit botëror, Platininë.

Por nuk i kisha dhënë rëndësi, më dukej një trill pa kuptim, një rastësi që s’më bënte as të lumtur dhe as të pikëlluar. Kurrë nuk e besoja që shakaja do të bëhej ndërkombëtare dhe absolutisht serioze, gati gati një e vërtetë krejtësisht (pashmangshmërisht) e besueshme. Arrita në kufirin më të skajshëm, më absolut të ngjashmërisë.

Me një stërmundim titanik u kthjellova, u riktheva në vetvehte. Ju shmanga sfidës tunduese, të një rastësie misterioze.

– S’jam Mishel Platinia, thashë në anglisht dhe frëngjisht. Nuk më besuan.

O Zot, nuk më besuan, nuk më besuan! Vërtiteshin rreth meje, më filmonin, buzëqeshnin, madje gati hungëronin – më pyesnin me ngulm, “keni ndonjë të dashur në Londër, jeni takuar me Mbretëreshën, ç’mendoni për flirtet e Ledi Dianës, etj.“, por çuditërisht nuk pyesnin për lojtarët e futbollit anglez, as për futbollin në përgjithësi.

Absurditeti qe i plotë, jetëshkurtër. Erdhi shefi i sigurisë së aeroportit, më përshëndeti, më kërkoi pasaportën, e pa, fytyra e tij nuk bëri asnjë grimasë, më përshëndeti përsëri, u kthye nga kamerat dhe tha qartë: “Është një shqiptar!

One albanian? Ah!
Kaledoskopi u shpërbë, u thërmua në çast. E ndjeva triumfin e vetmisë dhe indiferencës përbuzëse.

Ky qe shpërblimi, por edhe tallja brutale e ngjashmërive.

Marrë nga Nacionale.Info