Moikom Zeqo, tatuazhet e shpirtit

0
759
Moikom Zeqo - libra

Nga Fatmir MinguliNacional, 14 janar 2018

Për librin “tatuazhet e shpirtit”, trans-letërsia e Moikom Zeqos

Në këtë libër është një sintezë studimesh, për t’u njehsuar në një kryesintezë. Detajet lëvizin, vihen në dukje, dalin nga errësira në dritë ose zhduken përsëri në errësirë, por thelbi i thelbeve është se ky libër i imi është tashmë një Unicum, për të tërë librat që kam mundur të vëzhgoj dhe të bëj persiatje për Moikom Zeqon.

Jeta e njeriut është një shtegtim. Padyshim, shumë i ndërlikuar. Shëmbëlltyra e udhëtimit të Odiseut Homerik mund të krijojë një kuptimshmërit më të thjeshtëzuar, por jo më pak simbolike për vehtet tona. Unë që po i shkruaj këto rradhë si dhe gjithë të tjerët, që janë qenie të arsyeshme, mendoj se jam një shtegtar në kohë. Sa do të mundohem për ta thjeshtëzuar jetën time, nuk mundet dot ta formalizoj në një kronologji vitesh. Jam i ndjeshëm, dhe jam i ndërgjeshëm, se jeta ime është një lojë e rasteve, qoftë të mira dhe të këqija brenda strukturës së Domosdoshmërisë. Prirja ime e hershme ka qenë shkencat, universi i matematikës. Përgjithësisht më tepër kam besuar tek formula shkencore. Kam shkruar dhe botuar disa libra teknikë, që janë libra konstruktiviste.

Pra, janë libra të përllogaritëshëm. Këto libra janë pjesa e jetës sime të profesionit. E di, se bota inxhinierike është bota e kulturës politeknike. E di, se përgjithësisht numrat na çojnë tek një teknikë e skajshme dhe shpesh e pashembullt. Por mund të them se gjatë gjithë jetës jam marrë dhe me gjëra, që mund të kenë lëvizje në boshllëk. Pra, çështje sterile. Në përgjithjësi kam qenë një lexues i etur, ose më mirë i thekur. Krahas leximit në shqip kam lexuar një bibliotekë të tërë në italisht, ku natyrshëm kultura matematikore ndërthuret me kulturën letrare, filozofike, apo antropologjike. Kështu në botën time janë përplasur konceptet dhe idetë . Mund të them se shijen letrare, e cila është estetike e kam të kultivuar ndërmjet një situate paradoksale, disa herë jo të qartë, por dhe të mjegullt. Por si arrita unë të bëhem një hulumtues i përshpirtshëm i letërsisë? Pse ndodhi kjo dukuri e habitshme tek unë? Pse vallë?

E vërtëta është se çdo intelektual e ka një koleksion shëmbëlltyrash në kokë. Këto shëmbëlltyra janë të ndryshme. Këto shëmbëlltyra janë të kundërthënëshme. Këto shëmbylltyra janë dukuri sinoptike. Pra, të ndërlidhura. Të gjithëmbarshme. Nuk dua të bëj një sinopsis për njohjen time me Moikom Zeqon. E kam njohur që në fëmijëri, por s’e di pse nuk më pëlqente. Moikomi qe i famshëm që në shkollen e mesme, sepse kishte botuar libra poetikë. Por një ndjenjë e pashpjegueshme sikur më largonte nga ai. Aq më tepër se nuk kishim një lidhje a njohje të përbashkët. Janë gjëra që ndodhin në jetë. Simpatitë dhe antipatitë janë gjëra rastësore. Në vitin 2002, Moikomi botoi një libër që quhej “Kënga e Këngëve”. Që në fakt ishte një shqipërim i një kryevepre biblike. Dihet se ne Bibël është dhe libri i “Këngës së Këngëve” që në menyrë apokrife, i dedikohet, Solomonit. Moikom Zeqo në një prirje të ifinitshme nuk qe mjaftuar me shqipërimin.

Shqipërimi është shpesh përshtatje. Ose një zhvendosje nga një gjuhë në tjetër. Ai i kishte shkruar komentet linguistike, por njëkohësisht kishte filluar krejt letrare, të pangjashme dhe të guximshme. Në atë kohë Moikomi qe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Vinte çdo mengjes nga Durrësi, ku jetonte në një apartament të vogël 60 metra katror, një dhomë e një kuzhinë, mes librave dhe pikturave të pafund dhe mes dy krevateve me dy kate të tipit marinar, ku flinin gruaja, dy vajzat dhe djali i tij, se ai vetë flinte në një divan. Pikërisht, në një nga mëngjeset, unë i dola përpara makinës me të cilën udhëtonte, dhe i fola. Nga xhami i hapur i makinës i dhashë një dorëshkrim të shkruar me dorë, ku kisha bërë një ese pikërisht për librin e tij “Kënga e Kengëve”. Moikomi qe i heshtur. Por shumë i vëmendshëm. E mori dorëshkrimin. Dhe më falënderoi. Mbas dy ditësh u botua në një gazetë të kryeqytetit. Ky ishte një zgrib, ose më saktë një fillim. Në vitin 2002 dhe deri më sot, për afro 15 vjet unë shkrova, duke respektuar habitërisht, në mënyrë kronikore rrjedhën e studimit për librat e Moikom Zeqos.

Ndërkohë, botova dhe dy libra për të. Librin “Tjetërlloj” dhe “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”. Kështu u lidha me këtë krijues. Në fillim më habiste. Por, në vetëvete doja më tepër ta kundërshtoja, për ta përballuar përtej çdo mitizimi. E kuptoja në mënyrë të brendshme se të shkruash analiza për një shkrimtar, nganjëherë është gati e pamundshme. Ose në shumicën e rasteve është thjesht një koment i komenteve. Në rininë time kisha bërë dhe shkrime letrare. Por nuk kisha guxuar të shkruaja ide me të larta dhe sinteza të thella për vepra letrare. Por duke lexuar libra të Moikomit kam ndjerë dlirësim. Por dhe një mangësi, për të kapërcyer shumë gjëra, që i dija më parë si koncepte të gatshme, por jo të verifikuara. Fare mirë mund ta kisha lënë këtë punë. Fare mirë mund të mos i kisha kushtuar kaq shumë kohë. Por si vallë e vazhdova kaq gjatë? Dhe me kaq intensitet shtegunn tim të hulumtimeve? Vepra e njeriut që kisha përballë shpesh më dukej e pafundme. Shkrimi i tij qe i komplikuar. Ndoshta më eruditi dhe më i papërballueshmi në letrat shqipe.

Ai të huton me korpusin e tij poetik, si të dymbëdhjetë Miscellaneave dhe me vëllimet e mëdha poetike, të nxjerra dhe të zbardhura nga arkivi i tij vetjak. Një trashëgimi e tij poetike ishte e patjetërsueshme e tjetërllojshme, nuk dokumentohet tek një asnjë poet shqiptar, por asnjë poet botëror. Nuk e kam shumë të qartë nëse kam mundur të bëjë analiza adekuate, që të jenë të referueshme. Gjithashtu ky autor e ka lënë edhe korpusin e prozës së gjatë dhe të shkurtër. Janë shumë libra, sa më të drejtë estetin Alfred Uçi ka thënë se “përbën një bibliotekë”. Proza e tij e madhe “Kështu foli Mona Liza” është një parodi Niçeane. Me të nis dhe një kufi kronologjik i ndryshimit të narrativës së prozës shqipe. Deri më 1998, proza shqipe dhe në arritjet e veta më të shkëlqyeshme nuk i shmanget dot strukturës së narrativës lineare. Pra, të strukturave subjektore të vijuara.

Më tej, Moikomi me librin “Grishja e Florimontit” bën një shtjellim më cilësor, të copëzimit dhe të fragmentaritetit për të krijuar një unitet më virtual dhe simbologjik të temës dhe substancës letrare. Tjetër gjë janë prozat e shkurtra që të kujtojnë më tepër letërsinë alternative të Arthur Rimbaud-it dhe të Borgesit. Një tjetër korpus i studimeve, që është më pak i artikuluar apo jo, është ai i librave eseistikë që përbëjnë koleksionin e ndërlidhjeve, gati universale midis kulturave dhe qytetërimeve dhe shkollave letrare dhe stileve. Natyrisht, nuk duhet harruar edhe korpusi i studimeve të tij origjinale arkeologjike të historisë së artit, kulturës bizantine, por dhe të epokave filozofike, të antikitetit dhe të mesjetës. Por dhe të iluminizmit europian të filozofisë moderne, të Dekartit, Spinozës, Stjuart Millit, Kantit, të Hegelit, Marksit, Rasëllit.

Nuk di sinqerisht, që për hir të instiktit të klasifikimit të vë në këtë koleksion dhe shkrimet politike dhe juridike të Moikomit. Në publicistikën shqiptare jo vetëm që është një zë kryesor, por mbas De Radës, Faik Konicës Shahin Kolonjës dhe Fan Nolit, është kampioni i një prodhimtarie të madhe shtypin print dhe në media online. Dua të jem i qetë më më fund. Që do të thotë se dua të jem i qartë të paraqes mbas para lexuesve të librit. Në këtë libër është një sintezë studimesh, për t’u njehsuar në një kryesintezë. Detajet lëvizin, vihen në dukje, dalin nga errësira në dritë ose zhduken përsëri në errësirë, por thelbi i thelbeve është se ky libër i imi është tashmë një Unicum, për të tërë librat që kam mundur të vëzhgoj dhe të bëj persiatje për Moikom Zeqon. E rëndësishme është të nënvizoj pse metodologjia e shkrimit tim nuk ka parapëlqime. Pra, nuk ka as postulate. Çdo gjë është një ballafaqim disa herë skeptik, por anjëherë idolaktrik. Kam bërë aq sa kam mundur. Por kjo nuk do të thotë, se nuk kam pasur asnjë ambicje të madhe.