EuroEmigrant, 03/09/2017
Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i ka fituar të tëra betejat e tij në histori. Është krijues dhe vetë substanca e lirisë.
Skënderbeu i ka fituar edhe betejat e tij mendore të kujtesës post mortem, asnjëherë shqiptarët nuk e harruan, sepse në fakt është e pamundur të harrohet. Skënderbeu është konceptualisht dhe heroi semantik i kombit shqiptar dhe këtë të vërtetë nuk e tjetërson dot askush.
Tashmë Gjergj Kastrioti është heroi i 6 shekujve, sulmet perverse dhe antihistorike nuk kanë munguar, madje edhe kanë marrë trajtat e një skenderbofobie të pakuptueshme dhe të neveritshme.
Kjo skenderofobi nuk është zhbërë dhe nuk është harruar përfundimisht.
Edhe tani në shekullin e XXI, aspekte groteske dhe metastaza të skenderofobisë shfaqen në imazhet publike, duke krijuar një shqetësim të madh,duke provokuar në forma të çuditshme dhe të pabesueshme.
Mbulimi i skulpturës së Gjergj Kastriot Skëndërbeut, pikërisht në sheshin që mban emrin e tij të paharruar, nuk është një çështje dekoriapo skenografie banale dhe e rastësishme.
Aspak.
Është një akt ikonoklastie antishqiptare, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, asnjëherë nuk është guxuar për të manifestuar një marrëzi të tillë antikombëtare, një provokim, urbi et orbi, para gjithë botës dhe mediave.
Dhe pse vallë
Ku është alibia e pakuptimtë, se skulptura, shëmbëlltyra e Gjergj Kastriot Skënderbeut, gjoja do të pengonte apo do të kontrastonte lutjet rituale fetare?!
Po çfarë është mbulimi skenografik i figurës së heroit në sheshin metropolitan me emrin e tij?
Një kumt i mbrapshtë dhe kundërhistorik se ja, ju shmangën shqiptarët si një turmë zombi, me identitet të prishur dhe të humbur të vetëdijës kombëtare, pikërisht simbolit më të madh dhe demiurgut të idesë dhe kredencialeve të shqiptarisë dhe të lirisë para tërë botës.
Por provokimi publik dhe patjetër i stimuluar nga qarqe antishqiptare dhe mercenarët e rëndomtë, jam i bindur për këtë gjë, nuk ka të bëjë në thelb me vetë popullin shqiptar, që kurrë nuk e ka braktisur dhe harruar heroin e vet kombëtar.
Sepse Gjergj Kastriot Skënderbeu i ka fituar të tëra betejat e tij, të së kaluarës, të së sotmes, edhe të së ardhmes, deri në amshim. Emri i tij i madh në histori është një motiv i patjetërsueshëm i unitetit, kohezionit jetik të kombit shqiptar në të tërë epokat.
https://www.fmimages.net/ikonoklastia-groteske-ndaj-skenderbeut/