Marrë nga: DialogPlus.ch *)
Me ikjen e shqiptarëve zhdukemi ne nga Europa. Shkrimtari i famshëm turk Orhan Pamuk mbi luftën e Kosovës. Ky tekst u botua më 16 prill 1999 në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung».
«Për çdo njeri që në Turqi e ka vijuar shkollën e mesme, Kosova është emri i një prej njëzet e pesë deri tridhjetë betejave historike, të cilat duhet mësuar përmendësh»: Orhan Pamuk, shkrimtar turk.
Foto: Shutterstock
Orhan PAMUK
Për çdo njeri që në Turqi e ka vijuar shkollën e mesme, Kosova është emri i një prej njëzet e pesë deri tridhjetë betejave historike, të cilat duhet mësuar përmendësh. Dijen tjetër detyrimisht të nxënë që shkollari i zellshëm duhet ta dëshmojë në provimin me shkrim janë fitore të tjera, të ngjashme të historisë osmano-turke. Pas aneksimit të Mbretërisë së Bullgarisë nga forcat osmane Hungaria, Polonia, Serbia dhe Bullgaria, të gjendura nën presionin në rritje të osmanëve në Ballkan, u bënë aleatë në vitin 1389 «edhe njëherë për një kryqëzatë të re» për t’i përzënë myslimanët nga Europa. Përkundër faktit se ishin numerikisht më të dobët thuhet se turqit e fituan Betejën në Gazimestan dhe shfarosën ushtritë e aleatëve.
Në atë luftë të Kosovës humbi jetën jo vetëm padishahu osman, por edhe cari serb Lazari, dhe si pasojë e kësaj u shfaros pjesa më e madhe e aristokracisë serbe, kështu që lufta nga ky shkak paraqet një kthesë, ajo në vetëdijen kombëtare të serbëve ka lënë një plagë të hapur, të thellë dhe deri më sot këndohet nga këngëtarët popullorë serbë në vajet e tyre nacionale. Nxënësi i zellshëm turk nuk mund t’i ketë të qarta të gjitha këto. Sidoqoftë, deri së fundi vetëm një pjesë e vogël e opinionit publik turk e dinte se «Kosova» përveç emërtimit të një lufte është edhe emri i një rajoni, ku jeton një pakicë prej gati dy milionë shqiptarëve. Megjithatë, ky opinion turk në pjesën më të madhe menjëherë e ka përvetësuar çështjen e Kosovës dhe brenda një kohe shumë të shkurtër mund të identifikohej me shqiptarët e atjeshëm.
Pa dyshim këtu me rëndësi është pozita e veçantë e shqiptarëve në historinë osmane, të cilën ata e kishin përkundër numrit të vogël si popullsi: në kuadër të rekrutimit të djemve shqiptarë për ushtrinë osmane ata ishin bërë myslimanë dhe në vitet e mëvonshme shumë fëmijë të besimit të krishterë ishin ngjitur në elitën osmane dhe mund të bëheshin jo vetëm jeniçerë, por edhe pashallarë, arkitektë apo nëpunës dhe, siç e di çdonjëri që kryen shkollën e mesme, ata me të vërtetë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë osmano-turke. Por për shqiptarët e Kosovës nuk ndihet vetëm dhembshuri e thjeshtë – pas simpatisë që bazohet në mllef të fuqishëm gjendet një ndjenjë edhe më e fuqishme, një frikë. Sepse tema e vjetër, e përmendur në librat e shkollës së mesme ende është pjesë e debateve: dëbimi i myslimanëve nga Europa. Megjithatë, në gjithë këtë ndodhi ka edhe shumë ironi, e cila në kokat e nacionalistëve turq dhe islamistëve politizues shkakton huti.
Dhe pas këtij hutimi dhe kësaj ironie duhet të kërkohet nacionalizmi turk, i cili është ndezur tamam përmes çështjes kurde dhe përjashtimit faktik të Turqisë nga Bashkimi Europian. Më e mira do të ishte që kjo temë të vështrohet nga pikëpamja e jetës së përditshme. Kur si pasojë e ngjarjeve të Kosovës filluan sulmet me bomba kundër Jugosllavisë, në Stamboll, si gjithkund në botën islame, festohej Kurban Bajrami. Gjatë këtyre ditëve besimtari që është i kamur pret një kurban, por pjesa më e madhe e njerëzve shkojnë shtëpi më shtëpi dhe vizitojnë më të moshuarit, kushërinjtë e afërt dhe të largët, para së gjithash ata që s’i kanë parë qëmoti, personalitetet që nderohen dhe respektohen, apo drejtorët ose krerët e shoqatave dhe bashkësive, madje edhe eprorët dhe shefat – dhe njerëzit që i duan.
Këto vizita më pëlqejnë shumë, jam kënaqur edhe vetë shumë gjatë ditëve të festës së fundit dhe kam qenë në shumë shtëpi për të parë gjeneratën e vjetër, xhaxhallarët dhe hallat e moshuara. Kur si fëmijë apo të rinj gjatë Bajramit trokisnim në dyert e këtyre xhaxhallarëve, gjysheve, kushërinjve të largët apo të njohurve me rang e emër, të cilët pa dallim ishin dëshmitarë të themelimit të Republikës së Turqisë, atëherë ata bënin gjithçka që të sillen «mirë» ndaj nesh në një mënyrë këmbëngulëse, të disiplinuar, dhe ata vërtet ishin të mirë me të gjitha që na ofronin, me tryezën e shtruar për ne, me kujtimet e tyre dhe me stilin e fisëm.
Por kësaj radhe, gjatë vizitave për Bajram, unë te kjo gjeneratë dikur aq «dashamirëse» ndjeva shenjat e para të një mllefi shqetësues, një nacionalizmi të përzier me xhelozi dhe diçka nëntëshëm të ligë; këto depërtonin nga anekdotat e fëmijërisë sime kur kisha orë me qyqe, nga qetësia e mrekullueshme e rrugëve të Stambollit, të cilat për shkak të pushimeve të gjata dhe frikës nga sulmet terroriste ishin të boshatisura nga veturat dhe turistët, dhe nga shija përherë e njëjtë e llokumit me fëstëk. Dukej se të gjithë xhaxhallarët e mi, hallat, kushërinjtë e dashur të afërm e të largët, të cilët puthin vajzën time shtatë vjeçare, të gjithë ata heronj të respektuar të vizitave të Bajramit të fëmijërisë sime, të cilët më herët plot krenari e shikonin veten si njerëz të Perëndimit, sot nuk shihnin më shpresë se do t’i takonin Perëndimit, se do të jenë pjesë e Europës.
Bajrami i Madh dhe i Vogël janë me gjasë festa kryekëput fetare, janë diçka që lidhin traditën dhe të kaluarën me të sotmen. Por gjatë gjithë fëmijërisë sime unë të dy Bajramët i kam përjetuar si festa nën shenjat e modernizmit dhe perëndizimit, jo duke iu referuar traditës dhe islamit. Në rrethet e larta të shtresës së mesme të Stambollit, ku jam rritur unë, në lagjet, ku kam jetuar, në këtë qytet të perëndizuar, kozmopolit gjatë Bajramit të Vogël nuk theksohej sakrifica, por festa. Dhe meqë bëhej fjalë për festë, atëherë vishej kostumi formal perëndimor me xhaketë dhe kravatë, shërbehej dhe pihej liker, ndonëse islami ndalon alkoolin.
Dreka që shtrohej në tryezën e gjatë të gjyshes sime ishte edhe dëshirë për të qenë familje perëndimore-moderne, ishte drekë që shërbehej në porcelan të importuar, në të cilën merrnin pjesë gra, burra, farefis dhe të njohur me stoli dhe me aromë parfumi në kostumet e tyre më të bukura, fund e krye perëndimore – kjo drekë për mua nuk kishte të bënte me një festë islamike, por më shumë me një skenë nga romani «Buddenbrooks» (Budenbrokët) të Thomas Mann-it.
Por tani gjatë vizitave të mia në ditët e para të luftës, të cilat përkonin me Bajramin e Vogël, me vogëlsirat krejtësisht të përditshme, titujt e gazetave dhe shprehjet hidhëruese të familjarëve të moshuar u bë i dukshëm për mua një fakt pikëllues: e hidhëruar dhe zemëruar borgjezia turke ka hequr dorë nga shpresa e perëndizimit. Jo vetëm pleqtë tekanjoz, të cilët gjatë këtyre ditëve festive i pashë duke qëndruar të patundur para televizorit, por edhe të kamurit në moshë të mesme dhe ajo borgjezi Stambolli, e cila ia ka sjellë Turqisë jo vetëm pjesën e vet të pasurisë dhe furnizohet mirë në turnetë e blerjes në Londër dhe Paris – të gjithë këta e mallkonin Europën dhe Perëndimin me një zë. Janë zhdukur edhe kravatat, xhaketat dhe malli për Europën i festuesve.
Pas këtij mllefi pa dyshim fshihet kufizimi i demokracisë në Turqi dhe gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit. Kur para një viti e gjysmë, duke iu referuar tamam këtyre shkaqeve, ranë në ujë shpresat për anëtarësim në Bashkimin Europian, në mbarë vendin u ngjall një armiqësi intensive kundër Europës. Kur kësaj iu shtua edhe frika nga ndezja e çështjes kurde nga armiqtë perëndimorë, në shtypin turk, sidomos në mesin e kolumnistëve dhe komentuesve politikë, u shfaq një armiqësi kundër Europës dhe Perëndimit, siç nuk ishte parë kurrë në këtë masë.
Kritika perëndimore kundër gjendjes së të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe liria e kufizuar e mendimit u kundërshtua në mënyrë shumë të ashpër («Thua se ju në Perëndim jeni aq të pastër!»), konflikti u trajtua në mënyrë të pafrenueshme si çështje stili, i cili inspirimin assesi nuk e kishte nga idetë e Kemal Ataturkut, i cili vërtet ka qenë përfaqësues i perëndizimit.
Burimi inspirimi për ata autorë, të cilët shërbehen me një retorikë të ashpër kundër Perëndimit dhe, mes tjerash, thonë se Lindja dhe Perëndimi parimisht janë të papërputhshme dhe se edhe pas zgjidhjes së problemeve të të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, Turqia me fenë dhe me kulturën e saj tjetër kurrsesi nuk do të pranohet nga Perëndimi, pra burim inspirimi i këtyre autorëve janë tezat e Samuel Huntingtonit, të cilat me qejf përsëriten në mediume – madje edhe kur nuk është lexuar fare libri: përplasja e civilizimeve, dallimi fundamental mes civilizimeve kristiano-perëndimore dhe islamit, konflikti i pashmangshëm i të dyve dhe kështu me radhë.
Këto teza janë kapur nga shtypi nacionalist dhe popullist dhe janë pranuar si thirrja e Papës për një Kryqëzatë të re. Fundja ky Papë i ri, profesor në Amerikë, ka të drejtë! Thuhet se ushtritë perëndimore, të cilat nuk lëshojnë rast pa bombarduar Irakun, nuk kishin synimin më të vogël për t’u dalë në ndihmë myslimanëve të Bosnjës të kërcënuar nga gjenocidi. Halli i tyre i vetëm nuk ishin të drejtat e njeriut, por dëbimi i myslimanëve nga Europa dhe dobësimi i Turqisë, vendit më të fuqishëm islamik në Europë, nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe të çështjes kurde. Dhe historia e kulturave perëndimore, sipas këtyre tezave, ishte gjithsesi histori e torturës dhe gjenocidit.
Njerëzit nuk i pikëllon fakti se në shtypin e verdhë të popullarizuar hasin këtë tërbim nacionalist, luftarak. Me të vërtetë tronditës është se xhaxhallarët dhe babagjyshat, të cilët më herët vazhdimisht kanë folur për Europën dhe me atë rast nuk e harronin as letërsinë europiane, muzikën dhe artin, tani në moshë të shtyrë e përvetësonin këtë armiqësi nacionaliste kundër Perëndimit dhe pjesërisht edhe retorikën islamiste. Derisa ata nga njëra anë përkëdhelnin flokët e bijës sime, kur ne i vizitonim për Bajram, nga ana tjetër mllefi i këtyre familjarëve të moshuar mbi imazhet, të cilat i tregonte televizori, që s’ndalej kurrë nga lufta në Kosovë, nga bombat, spastrimet etnike, dëbimi dhe ikja – ky mllef nuk kishte kaluar ende, por ata ishin edhe dukshëm të hutuar nga e tërë kjo.
Me rastin e këtij hutimi dua të përmend si shembull në mesin e gazetave të popullarizuara të bulevardit gazetën e quajtur «E mllefosura». Kjo e përditshme, e cila vazhdimisht i paralajmëron lexuesit turq mbi komplotet perfide të europianëve dhe të Perëndimit dhe me po atë këmbëngulësi publikon fotografitë e bukurosheve të zhveshura nga Perëndimi, edhe mua më ka kushtuar një faqe për shkak të konspiracionit me armikun perëndimor me qëllim që të mos godas. (Një tradhtar gjendet mes nesh! Në një revistë gjermane shkrimtari Orhan Pamuk e ka quajtur Turqinë «krijesë të ulët, të mjerë»). «E mllefosura», e cila ia del që për njëzet mijë lira, domethënë për gati dhjetë feningë, të gërshetojë shumë bukuri lakuriqe me islamin dhe me armiqësinë kundër Perëndimit, në krizën e Kosovës nevrikoset në masë të njëjtë si kundër Milosheviqit ashtu edhe kundër Gadafit, Sadam Huseinit dhe Katamit. Ata janë «turpi i islamit! Ata përkrahin serbët që po masakrojnë myslimanët!»
Jo vetëm «E mllefosura» bashkë me gazeta më serioze turke, por edhe opinioni publik turk dëshiron t’i shoh ngjarjet në Kosovë vetëm si ngatërresë fetare. Për këtë arsye herë pas here botohen shpjegime që tregojnë respekt dhe admirim të sinqertë ndaj Shteteve të Bashkuara: bravo për amerikanët, të cilët – ndonëse të krishterë – po i mbështesin myslimanët. Një arsye tjetër për dëshirën që ngjarjet të mos shihen si problem i të drejtave të njeriut dhe të pakicave, por vetëm si konflikt fetar, është frika se Kosova me gjasë mund të ofrojë një shembull të keq për çështjen kurde. Ndërsa opinioni publik turk me gjithë zemër ndjen vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, Ministria e Jashtme turke ia kujton mbarë botës se Kosova është pjesë e pandashme e Jugosllavisë.
Tërë opinioni publik turk vajton fatin e shqiptarëve, të cilët, siç na tregon televizori, me veshjet e tyre, shtëpitë dhe gjestet aq shumë i ngjajnë turqve të Anadollit perëndimor… Duke injoruar me këtë rast me qëllim se pas gjithë këtyre lotëve qëndron jo vetëm një luftë fetare, por edhe një problem i të drejtave të njeriut… Kombet që kanë instinkt nacional, i cili kundërshton kërkesat për të drejtat e njeriut, janë kombe të pafat.
(Përktheu: Enver Robelli)
Copyright: E.R. & Dialogplus. Ndalohet ribotimi nga mediumet tjera.
*) publikimi këtu nuk është fitimprurës…