MJELLMA ME XHUNGË

0
160
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

MJELLMA ME XHUNGË

Sa herë zgjohesh në mëngjes vetë i dyzeti
I afrohesh pasqyrës e flet vetë me veti
Në sipërfaqe mjellmën aty e dallon më parë
Në liqen e zgjon atë bukurosh shtegtar

Këtë bukuri e gjen në ujin e kthjelltë bilur,
Është zog i madh, i bukur, i pritur me vjet nën urë
Tashmë i moshuar me sqepin e kuqërremtë,
Me unazë dalluese me ngjyrë të remtë

Qafën e ka të gjatë e kokën në ujë e tretë
T’i arrijë bimët e rrënjët e guacat ndër fletë
Del e lëviz në kullota dhe rruan folenë e vet
Te liqeni sa herë të vijë në pranverë çdo vjet

Është e bukur dhe gjithherë poezi e vërtetë
Veç ndërsa fërshëllen, ndërsa hungërinë
E lëshojnë zëra nga fyti i tyre. Ia japin gjithësinë,
Besën, fjalën njëri tjetrit ia japin për jetë.

BUFI VESHGJATË

E keni hetuar bufin sy mbyllur veshgjatë
Sesi njëjtësohet në dimër ndër degë
Dëgjo gjysh e lëre xhezven e vjetër pa vegë
Borë tirret jashtë e bie për hënë natë

Është enigmë apo ç’ më shfaqet në dritare
Bufi ndër degë s’e ka formën e vjetër
Ai në dimër ndryshon merr formën tjetër
Është bërë gati t’i afrohen zogjtë fare

Ky është gjahu i hutinit me vesh të gjatë
I kap në mënyrë vetëtimthi zogjtë në natë
Njëjtë siç shkreptinë aparati fotografik
E pamja e Arinait ngrinë në Dardanë vrik

BAJZA

Është shtegtar distancash të shkurtra
Fjalë i nis shoqes me pëshpëritje të urta
Bredh liqenit e lumit ngadalë,
lëviz ujit e del në kallamishte, në mal

E qetë, nuk trembet prej askujt
E heton rrezikun e vërsulet ashpër ujit

Kërkon në fusha të hapura bimësi
Dimëron në brigjet e rrjedhës së Drinit të zi
Me të vegjlit në afërsi të poetit
Me pamje të ngjashme lules së detit

GICVILJA

Ky shtegtar, me trup të zgjatur, tërë flakë ndezë
Ka ecje të përkryer, e pendë të gjata si kreshtë,
Me sqep të shkurtër e krahë të gjatë ik në vjeshtë,
Qafa dhe ana shpinore i kanë ngjyrë të zezë,

E anën barkore i ndrit e bardha në të verdhë.
Me puplat ngjyra ngjyra vetëtima qiellit derdhë.
Gjatë fluturimit dëgjohet, qiellit kjo sorkadhe
Shtegton në gusht e vogël, të vijë prapë në pranverë.

Fëmijët e pëlqejnë dhe duan ta kapin aty aty
T’ia shikojnë puplat e bukura e të buta. Mrekulli.
Gicivilja heshtjes së vet fluturon e qetë ndër fletë.
Nuk flet as me të varfër as nuk flet me mbret!

PATAT

Dea e Lea ecin fushës, ndalen buzë ujit.
Në gur e vërejnë një gjurmë e befasohen.
Ndërmjet vetvetes nisin të sqarohen…
– Është e Gjergj Elez Alisë, – thotë Dea .
– Apo, – ndërhyn Lea, – mund të jetë e Mujit.
E lënë gjurmën e ecin, qëndrojnë në Urë,
ndërsa gjurma e panjohur mbetet në gur.
Lumit vijnë patat me të vegjlit e vet aty.
Pataku qafë gjelbër me unazë e çifteli…
Pata ngjyrëkafe valës bregun e mësy’
Të vegjlit, të shtatit, me ngjyrë të verdhë,
Varg njëri pas tjetrit varg e vijë.
Dea shikon me kërshëri
Një buzëqeshje të ëmbël e derdhë
E Lea e hareshme kërcen e lumtur përherë
E te lumi tashmë zgjon kohë me erë e shi
Të dy vajzat ikin vetëtimthi në shtëpi.
Patat strehohen në degët e shelgut aty…

CINGËRRIMI I NATËS

Ky zog mund të shihet zgjimit
Në muzg në orët e fillimit të fluturimit,
Ose në dritën e parë në mëngjes,
Ndërsa gjethet ende ndrisin nën vesë

Kaq me mjeshtri fshihet, maskohet
Sa ndryshe mund të cilësohet –
Cingërrimi i natës ose mbreti i tokës,
Zëri i dëgjohet larg e jehon kokës.

– Në muzg më tingëllon ai zë e tretë, –
Dea e hutuar flet me zë të qetë.
– Të njëjtën zë e dëgjoj dhe unë në fletë,-
Thotë Lea e ndrit tokës ag i lehtë.

– Zëri i dëgjohet qartë cërr-cërr në urë, –
Ke përshtypjen se është afër aty, në gur.
E zogu pushon në degë të thatë,
Flatron lehtë, pa zhurmë, gjatë e gjatë…

FAZANI

– Mbrëmë vonë e vizatova një fazan,-
Dea i thotë Leas e ikin në ëmbëltore,
Të blinin ëmbëlsirë apo akullore.
Lea ec e lazdruar, krenohet me mitan…

– E ngjyrat, cilat ia zgjodhe për fustan?
– Me penda ngjyrash të ylbertë ,
Kaq shumë ngjante vërtetë në fazan,
E bishtin e gjatë e tërhiqte të blertë.

Rreth qafës me qafore ngjyrë të artë,
Ecte fletës së artit figurativ me kreni,
Të arrij të na bashkohet mua dhe ty,
I etur dhe i etshëm, ajo i shihej qartë.

– Ja fazani, – tha Lea. Habitet mjeshtri.
– Ju të dyja, doni nga një kupë akullore,
Po fazani, të cilin e mbani për dore,
Do ëmbëlsirë ai, apo diçka të pijë?!