Abdurahim Ashiku
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dekoroi dje (e premte 3 korrik 2020) dr. Panagiotis Koliomichalis me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Më parë dr. Kolomihali ishte dekoruar me “Medaljen e mirënjohjes” që Presidenti i Republikës së Shqipërisë Albert Moisiu i akordoi me motivacionin: “Për ndihmesën e pakursyer në mjekimin e mijëra shqiptarëve në Greqi, për dashurinë dhe përkushtimin e veprimtarinë e tij në dobi të vendit tonë dhe forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë”.
Me atë rast në hotel “Titan” në qendër të Athinës u organizua nga Ambasada Shqiptare në Athinë një ceremoni e bukur ku u përcollën vlerat njerëzore, humanizmi i tij, heroizmi ku mes plumbave në vitin 1997 udhëtoi deri në Lurë për të shpërndarë ilaçe.
Ato momente i kam përcjellë menjëherë në një shkrim në gazetën shqiptare “Emigranti”, ashtu siç kam përcjellë takimet e herë pas hershme me të, veçanërisht takimin e ngushtë ku u bëra dëshmitari i parë i bibliotekës së tij me libra shqip, i koleksioneve dhe kërkimeve të tij që në rininë e hershme.
E quaj me vlerë ti ripërcell për lexuesit për njohje më të afërt të këtij njeriu që kësaj radhe duhet të merrte titullin NDERI I KOMBIT!
* * *
E pashë një të “Diele Shqiptare” në televizion. Lexova për të dhe për ekspozitën e tij në Tiranë në shumë gazeta e agjenci lajmesh në internet. Nuk mund të rrija pa kërkuar në albumin elektronik të njerëzve që i dua çastin e njohjes për herë të parë me të. Nuk mund të rrija pa i treguar lexuesit se si pata fatin e madh të mbush “grushtin me ujë në gurrën e jetës së tij”, të shoh albumet e mëdhenj të pasionit dhe të dashurisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët… kartolinat, kartëpostalet, pikturat, librat…
Këto po i tregoj përmbledhtas…
Të tjerat, ato që lidhen me profesionin e tij të mjekut, nuk mi nxë vendi. Ato nuk janë të miat, janë të shqiptarëve emigrantë, të atyre njerëzve që ngjiten në katin e tretë të spitalit Ipokratus dhe shqiptojnë emrin Kolomihali…
Për ORL-në ai menjëherë nis nga puna…
Për të tjerat, për të gjithë specialitetet e mjekësisë, ai për pak çaste mbledh apo merr në telefon shokët e tij më të mirë.
Nuk kam parë një njeri kaq të gjallë, kaq të dashuruar pas njerëzve të thjeshtë…
Ai është mjek, është NJERI, është historian, koleksionist, është…
A keni qenë tek doktor Kolomihali ? Unë nuk kam qenë. Dhe, sikur të mos ishte ai tubim njerëzor në një nga sallat e hotel Titan në qendër të Athinës, sikur të mos ishte “Medalja e Mirënjohjes” që Presidenti i Republikës së Shqipërisë Albert Moisiu do t’i akordonte Dr. Panajoti Kolomihalit me motivacionin: “Për ndihmesën e pakursyer në mjekimin e mijëra shqiptarëve në Greqi, për dashurinë dhe përkushtimin e veprimtarinë e tij në dobi të vendit tonë dhe forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë”, nuk do ta kisha njohur, nuk do të kisha kënaqësinë të dëgjoj zërin e tij ku notat e dashurisë dhe humanizmit ngjiteshin në shkallën më të lartë të pentagramit të jetës, nuk do të kisha pas privilegjin që në albumin fotografik të jetës sime të isha në krah të tij.
Unë nuk kam qenë te doktor Panajoti dhe uroj që të gjithë ata që kanë qenë, që e njohin atë nga afër, si dhe ata që nuk kanë qenë dhe nuk e njohin atë as si emër, të mos shkojnë, të mos jenë kurrë pacientë të tij dhe të asnjë mjeku.
Por Panajot Kolomihalin, NJERI me germa kapitale, do të doja ta kisha vazhdimisht pranë, të njihja thellë e më thellë përmasat e humanizmit të tij, kulturën dhe dijet e tij që janë një enciklopedi e fjetur, enciklopedi e cila po të arrijë ndokush ta shkruaj do t’i bëjë nder të madh vetes.
Doktor Norman Betynin, (për jetën, veprën dhe shpirtin e tij humanitar, kam lexuar në vitet studentore, në vitet gjashtëdhjetë, në librin biografik “Mjeku i tre kontinenteve”) e bëri të madh puna e tij që nga Lufta e Spanjës ku ai i shëronte vullnetarët internacionalë e luftëtarët kundër fashizmit duke dhënë në fushën e betejës gjak, duke aplikuar për herë të parë në fushën e mjekësisë transfuzionin masiv të gjakut, e deri në malet e Kinës, në vitet e revolucionit kinez. Ai ishte me të vërtetë një mjek i madh dhe një humanist i madh. Por jetës dhe veprës së Norman Betynit i dhanë dimensionin e madh për të gjithë kohët dhe kontinentet dy autorë të mëdhenj: Ted Allan dhe Sidnei Gordon…
Të shkruash për Panajot Kolomihalin si mjek e si njeri është me të vërtet një nder dhe një detyrim për të gjithë ata që i thonë vetes gazetar, poet apo shkrimtar…
Kur në vijim të veprimtarisë, kur kishim marrë të gjithë nga një gotë verë në dorë dhe nxitonim ta trokisnim fort me gotën e Panajotit, në surdinë, gati në vesh, e pyeta në se ka qenë ndonjëherë në verilindje të Shqipërisë, në Dibër, me sigurinë se do të më thotë jo dhe do të më jepej rasti që ta ftoja në ato vende ku bukuritë e natyrës dhe shpirti i njerëzve janë diçka e virgjër.
U befasova kur ai, si i zhytur në një ëndërr të thellë, nisi të më përshkruaj me një dëshirë të madhe ato vende dhe njerëz që unë i njihja dhe i njoh në pëllëmbë të shpirtit. Ai, me një ton muzikor zëri më ngjiti në malet e Lurës, më zbriti në atë perlë të natyrës shqiptare që formon luginën e Lurës nga Lan Lura në Krejë Lurë, më ngjiti tek liqenet e bukur të Lurës dhe me një zë si të këndonte një këngë legjendare më përshkroi ato vende dhe ata njerëz që i kishin dhënë një kënaqësi që ai nuk dinte si ta shprehte…
Nuk kishte qenë si turist. Nuk kishte qenë me makina “Tuareg” ministrash e deputetësh. Kishte qenë si njeri i thjeshtë në kabinën e një kamioni që mbartte ilaçe, mbartte ndihmë mjekësore për njerëz tepër në nevojë…Dhe të udhëtosh në një kabinë kamioni në ato rrugë pa rrugë, t’i ngjitesh grykës së Çidhnës e shkëmbit të Tajanit është me të vërtetë një guxim, një trimëri, një aventurë për romane me përralla…
Kur foli në podium me dekoratën e lartë në gjoks, ai, me modesti tha se kishte bërë mbi tetëdhjetë udhëtime në Shqipëri, gjatë 15 vjetëve, madje në periudha të emergjencës së lartë… çdo pesëmbëdhjetë ditë.
Kur kryetari i bashkisë dhe njëkohësisht, (në vitin e mbrapshtë ’97), deputet i Sarandës përshkroi udhëtimin e tij nga Saranda në Dhërmi për të ndihmuar një të sëmurë, kur tregoi se në Borsh kishte takuar në një pritë dhe kishte kaluar përmes plumbave, mendova se ai ishte një mjek i madh dhe një humanist i madh që e kishte shtrirë veprimtarinë e vet në një pjesë të Shqipërisë. Kur ai më tha se kishte qenë jo vetëm në Lurë por edhe në shumë zona të larta malore të Shqipërisë atëherë ai u ngrit para meje si një mal i humanizmit. Korabi dhe Olimpi ishin shumë të ulët para tij. Ai ishte me të vërtetë një Norman Betyn i kohës sonë, ishte mjek i të gjithë “kontinenteve” të Shqipërisë.
Po çfarë tha Kolomihali në atë tubim nderi?
“I nderuar z. ambasador i Shqipërisë. I nderuar z. zëvendësministër i jashtëm, Ambasador i Sirisë, zëvendës prokuror i gjykatës së lartë, gjyqtar të Gjykatës së lartë, drejtoreshë e spitalit Ipokratus, profesorë te universitetit të Athinës, gruaja ime me të cilën kam kaluar dyzet vjet të jetës, fëmijët e mi!
Jam shumë i prekur dhe i lumtur për marrjen e medaljes së lartë që më jepet nga presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiu për kontributin human në shërbim të forcimit të miqësisë midis dy popujve shqiptarë e grekë.
Kontributi për ndihmën time humanitare për Shqipërinë ka të bëjë me origjinën time dhe dashurinë time për bashkatdhetarët e mi. Besoja se ishin mundësitë e mija që të shërbej edhe unë me një ndihmë ndaj shqiptarëve në momentet kur duhej. Besoj se sot në personin tim nderohen të gjithë kolegët e mi të spitaleve të Greqisë për ndihmën ndaj shqiptarëve që kishin nevojë, sidomos pas viteve 1990. Duhet të theksoj se me mijëra herë kam dashur dhe kam marrë ndihmën e kolegëve të mi, patologë, kirurgë, kardiokirurgë, gjinekologë, etj. Asnjë prej kolegëve nuk ma ka kthyer fjalën. Dua të falënderoj pronarin e shoqërisë farmaceutike z. Demo si dhe shoqëritë e tjera farmaceutike që më dhanë ilaçet falas.
Nuk do të harroj udhëtimet e shumta në Shqipëri, besoj se janë më se tetëdhjetë, dashurinë dhe mikpritjen që më ofruan në të gjitha shtëpitë shqiptare të çdo lloj besimi apo rryme politike. Ata kanë shtruar dreka e darka të pasura, më kanë dhënë dhurata simbolike dhe mbi të gjitha dashurinë e tyre. E ndjej veten të lumtur që jetova çaste kaq të bukura dashurie midis popujve tanë. Nuk do të harroj sa me dashuri dhe me respekt më prisnin çdo pesëmbëdhjetë ditë për të qenë i pranishëm në fshatrat e tyre, të më dorëzojnë pasaportat e tyre për t’i çuar në ambasadën greke në Tiranë ku punonjësit e saj, pa asnjë hezitim, duke u shpjeguar se ata njerëz kishin nevojë tepër urgjente që të kuroheshin në spitalet greke u jepnin vizën. Udhëtoja duke drejtuar një Renault të vogël për gjithë natën për të qenë në mëngjes në Athinë, në spital.
…Është shumë e vështirë për mua të shpreh ato që ndjej në këtë moment. Ndjej një vlerësim dhe mirënjohje për vëllezërit anonimë që njoha në ato vite dhe për kurajën e tyre. Nuk ka më të bukur se sa buzëqeshja e një fëmije të shëruar nga një sëmundje. Mirënjohje për kolegët e mi të spitalit Ipokratus që mu gjetën pranë. Mirënjohje, sepse sot ndjehem më pranë jush, se grekët dhe shqiptarët janë më pranë, dhe në të ardhmen do të jenë akoma më pranë dhe unë do të jem i lumtur në se mund të jap kontributin tim modest për këtë…”
Doktor Panajot Kolomihali foli edhe shqip. Foli bukur, qartë, si të ishte në një konak malësie, në një auditor të madh me njerëz të mëdhenj. Dhe a nuk ishin vërtet të mëdhenj njerëzit që kishin ngulë sytë e kishin përqendruar veshët në fjalët e një gjuhe që doktori e ndjente si të tij ?
Pas tij folën shumë vetë, njerëz të thjeshtë në emigracion dhe autoritete shtetërorë e shoqërorë…
“E kam parë doktor Kolomihalin të udhëtojë nga Saranda në Dhërmi, për të mjekuar një grua tha Kosta Kallogjeri. Ai nuk pranoi që t’i jepnim me vete shoqërues të armatosur. Në kthim, në Borsh, ai u përball me një pritë banditësh. Nuk u tremb. Kaloi mes plumbave dhe për fatin tonë, për fatin e të gjithë shqiptarëve që ai ka mjekuar duke u dhënë jetë, është midis nesh…”
“Kam shkruar historikun e shëndetësisë për rrethin e Sarandës për 150 vjet, tha mjeku Minella Nini. Në historik nuk mund të lija pa shkruar dy fjalë për njeriun e nderuar, mjekun e madh Kolomihali. Doktor Kolomihali nuk është mjek, është NJERI me plot kuptimin e fjalës. Mjek është zanat. Në qoftë se doktor Kolomihalit do t’i jepet mundësia dhe aftësia të shkruaj jetën e këtyre 15 viteve do të ishte një nder i madh për vendin tonë dhe për Greqinë.”
“Ai është njohës i shkëlqyer i kulturës shqiptare. Doktor Kolomihali prej shumë e shumë vitesh ka krijuar një koleksion fotografish dhe kartëpostalesh që nuk e ka njeri në Shqipëri. Është një koleksion prej 2500-3000 fotografi të para Marubit….”
MEDITIME NË SHTËPINË KOLOMIHALI…
Pas asaj njohjeje “midis njerëzve” më lindi dëshira që ta njoh “larg njerëzve”. Kërkova celularin e tij derisa më në fund një ditë e gjeta. E mora në telefon. Mendova se do të ishte diku larg, në ndonjë ishull apo në ndonjë pikë turistike për të pushuar. Gusht ishte dhe në gusht Athina tjetërsohet nga njerëzit, nga makinat, nga lëvizjet. U gabova. Ai ishte në “Ipokratus”, në spital, mes njerëzve. Më dha “koordinatat” e vendndodhjes dhe unë u ngjita në katin e tretë të spitalit, në kërkim të tij në zyrat 9 ose 12. E prita jo shumë gjatë.
Erdhi i veshur me bluzën e bardhë dhe me buzëqeshjen “borë-bardhë”. I dhashë dy fotografi, njëra në momentin kur atij i vunë në gjoks dekoratën e akorduar nga presidenti Moisiu dhe tjetrën kur kishim dalë bashkë. U mallëngjye. Më falënderoi dhe më kërkoi ndjesë. I duhej të futej në sallën e operacionit. Pyetjet që kisha përgatitur në greqisht humbën në kujtesë. Diktofoni mbeti në fillim të shiritit magnetik. Ai ishte “midis njerëzve”…
…Pas një jave u lidha përsëri me të. Më dha orën dhe adresën e njohur të takimit, kati i tretë i spitalit “Ipokratus”. Shkova para kohe. E prita. Erdhi me saktësinë e “Filias Fogut” të Zhyl Vernit. Mbylli derën e zyrës dhe filluam të bisedojmë. Kërkoi të bisedojmë pa mikrofon përpara, thjesht si miq. E solla bisedën në udhëtimet e tij. Me përjashtim të udhëtimit në Çidhën e në Lurë për udhëtimet e tjera nuk foli ose më saktë është të them se nuk donte të fliste.
Më tha se i ishte betuar babait të tij që kishte zbritur në fund të viteve ‘30-të nga Malet e Lunxhërisë në Athinë e që kishte ndërruar jetë nga mesi i viteve ‘90-të, se do të ndihmonte me fuqinë e trupit dhe të shpirtit shqiptarët. Ai kishte bërë dy betime në jetën e tij, një para Hipokratit, mjekut të madh të lashtësisë për profesionin e tij dhe një përpara babait. Të dy betimet i kishte mbrehur në shpirtin e tij në tërheqje të “parmendës” së humanizmit dhe dashurisë për rrënjët e të parëve të tij.
Nga biseda e shkurtër diçka nxora nga rrënjët e jetës dhe të profesionit të tij, nga lidhjet e tij me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai nuk kishte udhëtuar në Shqipëri vetëm në vitet ‘90-të. Kishte qenë edhe shumë vite më parë, jo njëherë por disa herë. Kishte parë edhe Lukovën, edhe Ksamilin, edhe Jonufrën edhe…në dy kohë. Dhe për këto i dhembte zemra…
Ndërsa po “futeshim” në thellësi të jetës së tij, në ato labirinte që shpesh e shpesh herë prania e mikrofonit i largon, përsëri një zile telefoni, një zile e fortë si zilet e telefonave të vjetër “Tesla” që të shkulnin nga vendi… E thërresin në operacion, në një rast urgjent. Para se të më japë dorën doli nga zyra për t’u kthyer me një kartëvizitë në dorë, një kartëvizitë intime ku shënohej adresa e plotë në Nea Jonia dhe të dhëna të tjera private. Më tha se do të telefononte për të biseduar në shtëpi, me “një gotë raki përpara”.
Të premten e asaj jave më mori në telefon. Më tha se atë ditë nuk mund të takoheshim se kishte një rast urgjent. Më tha se do të takoheshim të nesërmen.
E shtuna është ditë pushimi për zyrtarët …por jo për mjekët….
Më mori në telefon në mesditë. Më tha se kishte qenë deri pas mesnate në një operacion të vështirë, tepër urgjent. Kishte ardhur nga mëngjesi në shtëpi dhe përsëri në mëngjes kishte shkuar në spital. Më tha se më priste në shtëpi, madje donte të dilte që të më merrte në stacionin e trenit. I thashë se do ta gjeja kollaj shtëpinë e tij. Dhe kështu ndodhi…
Më priti në katin e fundit të një ndërtese shumëkatëshe të re, karakteristike për ndërtimet në lagjen Nea Jonia. Ishte vetëm me të shoqen Maria Zumbeti mikrobiologe, përgjegjëse në spitalin “Amalia Fleming” në Marusi me të cilën ishte njohur në vitet studentore, ishte martuar me të menjëherë pas mbarimit të universitetit në vitin 1971 dhe kishte dy djem, tashmë të rritur e të martuar…
…U ulëm dhe nisëm të kuvendonim. Pa mikrofon sepse ai nuk donte që të flisnim shumë për të…
Tek bisedonim për gjëra të zakonshme zbulova ose më mirë të them hyra në një nga dashuritë dhe pasionet e mëdha të jetës së tij. Në fakt kjo dashuri dhe ky pasion ishte përmendur në vlerësimin që iu bë ditën e dekorimit. Por tjetër është ta dëgjosh shkarazi e tjetër ta përjetosh e ta shohësh se si ai e mban ndër duar me kujdesin e nënës për foshnjën e vet të dashur. Nga një raft ai mori dy albume të mëdhenj. Në njërin album ishin koleksionuar me një pasion të madhërishëm mbi dymijë kartolina të moçme shqiptare.
Pasioni për t’i mbledhur dhe për t’i bërë pronë të vetes, e ndonjë ditë të shqiptarëve, i kishte lindur diku në Zvicër tek kishte marrë në dorë një prej perlave të natyrës shqiptare.
I shfletonte fletët e albumit me një kujdes e dashuri që të bënte të drithëroheshe e të pasionoheshe pas tij. Në një moment e fiksova në fotografi. Ai me Albumin e tij në dorë dhe Maria në tavolinën e punës. Në atë shtëpi jetohej dhe punohej…
Nuk ishte vetëm ai album kartolinash pasuri e paçmueshme e jetë së tij… Ishte edhe një tjetër me fotografi nga syu fotografik i Marubit të madh të fotografisë shqiptare.
Nuk ishin vetëm Albumet me fotografi e kartolina…
Ishte edhe një koleksion i tërë me piktura që diku, në një kasetë ruajtjeje, qëndron i mbyllur për t’u hapur e bërë publik një ditë.
Ishte edhe një bibliotekë me mbi treqind libra shqip…
Ishte edhe një cikël dosjesh me letërkëmbime me përmasa të mëdha shqiptare e më gjerë.
Ishte edhe një album i madh me pulla të moçme postare shqiptare…
Ishte edhe….
Këtu bie zilja e celularit.
E fortë, drithëruese, si kambanat e alarmit…
E thërresin përsëri në spital…
Ngrihet e nga një raft merr e më vë përpara një tufë me letra të fotokopjuara apo të printuara. Më thotë se në to mund të gjej përgjigjet e pyetjeve të mija…
* * *
Udhëtuan bashkë deri tek “Sheshi i Amerikës”. Para se të zbrisja më kërkoi t’i gjej ndonjë shqiptar që ka ndonjë kartolinë të vjetër…
I thashë se kam një mik që merret me numizmatikë…
Tani që po shkruaj këto radhë kam përpara “dosjen e tij”, atë faqe që ka shkruar ai e që thotë se ka lindur në Athinë në vitin 1946, është diplomuar mjek në vitin 1971, është i martuar dhe ka dy djem: Nikolaon 33 vjeç dhe Dhimitrin 31 vjeç. Atë pjesë të jetës së tij që lidhet me titullin e mjekut ORL dhe shërbimet në spitale të ndryshme, me dekorata e vlerësime. Kam në dorë edhe shënime të tjera shumica e tyre të njohura për mua që më parë.
Në atë “dosje” nuk i gjeta pyetjet që doja t’i bëja. Dhe, edhe sikur me doktor Panajot Kolomihalin të bëj “njëqind” takime, përsëri nuk do t’i gjej. Këto thjesht se ai nuk mund të jetë kurrë për shumë orë me një njeri, me një gazetar apo shkrimtar, për faktin se ai ka lindur dhe rritet “midis njerëzve”.