MJEK I NDERUAR DHE INTELEKTUAL NË PËRMASA KOMBËTARE

0
411

In memoriam

Prof. dr. Simë Dobreci (1934-2020)

Ditën e marte me 16 qershor 2020 në moshën 86, vdiq në Braticë-Ulqin dr. Simë Dobreci, mjeku, profesori universitar, studiuesi dhe intelektuali i njohur në përmasa kombëtare.

Ai ka lindur më 27 mars 1934, në Braticë-Ulqin, me origjinë nga Shestani i Krajës. Shkollën tetëvjeçare e ka kryer në Braticë e Ulqin(1953), gjimnazin klasik në Tivar(1957), fakultetin e mjekësisë në Beograd(1963). Fillimisht ka punuar në Tivar e Ulqin(1964-67). Më pas shkoi në spitalin e Prishtinës (1967), ku filloj specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Në vitin 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Një kohë ishte drejtor i klinikës në Prishtinë duke u marrë me veprimtari shëndëtësore, edukative e shkencore.

U doktorua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1980. Në Fakultetin e mjekësisë fillimisht ishte docent i dermatologjisë(1984), profesor inordinar(1989) dhe profesor ordinar(1994). Për studentët e mjekësisë botoi librin e Dermatologjia(1980) si dhe botime të tjera. Dr.Dobreci është doktori i parë i mjekësisë në degën e dermatologjisë në Kosovë dhe e tërë veprimtaria e tij është e lidhur me këtë degë të mjekësisë, duke mbet model për studentët dhe kolegët e tij.

Pasi në vitin 1990/91 regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar, e të njëjtin fat e pat edhe Dr.Simë Dobreci, duke vazhduar të punoj në shtëpia private.Me paraqitje shkencore ka marrë pjesë në konferenca, sesione e takime të ndryshme shkenore në vend dhe në botën e jashtme. Ishte kryeredaktor i revistës Praxis Medica, revistë profesionale shkencore e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.

Me punën e tij profesionale dhe raportet e krijuara me pacientët, jo vetëm në Kosovë, Ulqin e gjetiu, ka mbetur emër i veçantë në mjekësi, që është admiruar si rrallë kush, duke i mbetur besnik betimit të Hipokratit.

Në përiudha më rëndësi për çështjen kombëtare, shquhej për guxim intelektual në mbrojte të drejtave të popullit shqiptar. Ai ishte nënshkrues i Peticionit të 215 intelektualëve shqiptarë kundër dhunës së pushtetit serb në Kosovë.

Pas daljes në pension dr.Simë Dobreci, kthehet në vendlindje në Braticë, duke mos qenë pasiv, por merr pjesë në veprimtari të ndryshme shoqërore, shkencore e kulturore, që lidhën me Shestanin, Krajën, Anën e Malit, Ulqinin e Tivarin. Është themelues i Shoqatës “Dom Gjon Buzuku”, si dhe i revistës “Buzuku”, nga viti 2001, ku ishte kryeredaktor përgjegjës, ku deri me tash kanë dalur 52 numra.

Si intelektual me përmasa kombëtare ai ishte i shqetësuar për emigrimin përkatësisht shpopullimin e vendbanimeve në Shestan e në Krajë në përgjithësi, e sidomos në veçanti humbjen e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor të popullsisë shqiptare që është duke përjetuar asimilim të heshtur. Pikërisht, duke qenë dëshmitarë i dukurive të tilla antishqiptare, ai u angazhu maksimalisht të botojë çdo gjë që ka të bëjë nga tradita dhe trashëgimia shqiptare e këtij mjedisi, për ti publikuar si lëndë më vlerë shumëdimensionale në faqet e revistës “Buzuku”. Në këtë aspekt meritat e dr. Simë Dobrecit janë të jashtëzakonshme, si pak kush në botën shqiptare.

Nuk ka dilemë së kjo revistë për nga koncepti, përmbajtja, analiza dhe trajtimi i çështjeve është unike për shqiptarët në Mal të Zi, dhe se për këtë merita kryesore i takon dr.Simë Dobrecit, i cili nuk ka kursyer kohë por edhe energji për të sjellë materiale interesante për lexuesit.

Veprimtaria e dr.Simë Dobrecit është shumë dimensionale. Eshtë meritë e tij organizimi i konferencës shkencore “Kraja me veçantitë shestanase nepër shekuj” mbajtur me 7-8 tetor 2011, në Ulqin. Artikujt e botuar në revistën “Buzuku” e më pas emërtuar në “Gjon Buzuku”, janë me vlerë të veçantë për albanologjinë në përgjithësi. Duke marrë parasysh vlerat e këtij materiali i njëjti është përmbledhur në dy libra. E ato janë “Krijime popullore shestanase”(2017) dhe “Përmbledhje vlerash njerëzore”(2018).

Duke qenë themelues dhe kryeredaktor i revistës BUZUKU, nga viti 2001 e deri më tash opinionit i ka ofruar një arkiv të dhënash me qasje shumëdimensionale, që paraqesin një thesar të diturive albanologjike. Në sajë të hulumtimit disavjeçarë me plot pasion për vendin e origjinës së tij autori na ka ofruar të dhëna për Shestanin në veçanti e Krajën në përgjithësi, që do mbesin si testament për brezat e ardhshëm.

Ai me qendrimin intelektual dhe përkushtimin idealist përballoj pengesat subjektive të ca individëve mediokër në lidhje me veprimtarinë në kuadër të Shoqatës “Dom Gjon Buzuku” dhe në revistën “Buzuku”. Por, në sajë të veprimtarisë parimore ai kishte mbeshtetjën e bashkëpunëtorëve të revistës e cila nga numri 41 u emërtu “Gjon Buzuku”, duke vazhduar me përkujdesjën e tij profesionale e materiale deri në numrin 52.

Në sajë të angazhimit dhe pjesëmarrjës në ngjarje të rëndësishme shkencore e kulturore, dr.Simë Dobreci është vlerësuar nga institucione e subjekte të ndryshme me mirënjohje, diploma e falënderime. Me këtë rast dua të ceki disa më të rëndësishmet që janë:

Ambasador i Paqës, nga Federata e Paqes Universale(2011),
Çmimi tradicional” nga Shoqata “Art Club”-Ulqin(2012),
Mirënjohja e Ulqinit” (2014), nga Komuna e Ulqinit,
Medaljen Presienciale të Kosovës” (2016) nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe dekorimin me çmimin
Nderi i Kombit” më 1 prill 2017, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.

Kudo qe punoi u dallu më punën profesionale e pedagogjiko-arsimore, duke qenë shëmbull edhe për kolegët e tjerë, duke fituar autoritet të madh. Ka mbetur në kujtesë të shumë gjeneratave si profesori model për ato studentë qe patën fat ta kenë pedagog të tyre.

Të nderuar të pranishëm,
Duke analizuar veprimtarinë e tërësishme të dr. Simë Dobrecit, del qartë se ai mbetet një shkollë e madhe për të mësuar dashurinë për njerëzit, vendlindjen, popullin e vet si dhe vlerat e trashëgimisë etnokulturore.

Dhe në fund e them pa hezitim se dr.Simë Dobreci me punën e tij profesionale, pasionin, qendrimin parimor shoqëror, intelektual e ate kombëtar, do të mbesë shëmbull për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh.

Me vdekjen e tij familja humbi personin e dashur ndërsa shoqëria dhe kultura shqiptare personin e nderuar.

Ngushllimet me të përzëmerta familjes Dobreci, të afërmeve dhe miqve të tij.
Lamtumirë doktori ynë i nderuar!
Pushofshë në paqe!

Dr. Nail Draga
(Fjala e rastit në mbledhjen komemorative mbajtur në Ulqin me 20.6.2020)