Nga Pierre-Pandeli Simsia – ZemraShqiptare.Net
Edhe pse ka kaluar një periudhë kohe më shumë se njëçerek shekulli nga rënia e komunizmit në Shqipëri, nga ndryshimi i sistemit politik, fjala e dhimbshme, “Persekutim” vazhdon të përmendet shpesh edhe këto kohët e fundit, madje është përhapur si epidemi për ta përdorur me krenari, veçanërisht nga njerëzit e nderuar të Artit Shqiptar.
Pra, kemi të bëjmë me një të vetquajtur, persekutim.
Ka mjaftuar një kritikë në institucionin ku kanë pas punuar dikur në atë sistem politik, kritikë, e shoqëruar më pas edhe me autokritikë përpara kolektivit të punës, praktikë më se e zakonshme e asaj kohe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe, kjo ka mjaftuar që shumë njerëz në këtë çerekshekull të shpalosin me krenari flamurin e të vetquajturit, të persekutuar!!!
Para disa vitesh kam shkruar një esse me titull: “Kush nuk ka qenë i persekutuar në Shqipëri”, botuar në disa gazeta.
Në fillimvitet 90-të, në Shqipëri “epidemia” “I persekutuar” filloi të përhapej me shpejtësi të paparë ndonjëherë. Për shumë njerëz, “deti u bë kos”
Në turravrapin e tyre, njerëz të ndryshëm shpejtuan kush të merrte lugën i pari e të përfitonte nga ai kos; madje në atë turravrap u përfshinë edhe intelektualë, artistë të ndryshëm ish punonjës të policisë sekrete, sigurimit të shtetit që në gjuhën popullore njiheshin si fuksa, kaleca… në emër të të qënurit i – e i persekutuar, jo vetëm u dëmshpërblyen padrejtësisht, por përfituan edhe pozita të ndryshme shtetërore, madje emigruan dhe u sistemuan edhe në Amerikën e largët, në kampionin e demokracisë botërore, armikun e betuar të komunizmit.
* * *
Në vitin 1997, i sapoardhur familjarisht në Sh.B.A. në një nga lulishtet e Nju Jork-ut, duke shëtitur dy djemtë e mi, në atë kohë të vegjël, u njoha edhe me dy bashkatdhetarë (çuditërisht, ne shqiptarët e dallojmë njëri tjetrin në çdo vend të botës të jemi).
Në bisedë e sipër, njëri nga ata, më tha se, para vitit 90-të kishte punuar në Komitetin Qendror të P. P. SH.
Me fshesë të pisët në dorë dhe me plastikën e mbledhjes së mbeturinave, ish intelektuali i K.Q. po pastronte lulishten… Ndjehej i kënaqur me jetën dhe punën që bënte në Nju Jork.
Si i “persekutuar” që ishte paraqitur në zyrat e emigracionit, Shteti Amerikan, pasi ia kishte njohur edhe “biografinë e keqe, persekutimin”, i kishte mundësuar punën dhe ndihmën sociale…
Dhe, të vetquajturit të persekutuarit e shumtë kanë vazhduar të shfaqen gjatë këtij çerekshekulli aq sa janë bërë edhe të bezdisur duke u prononcur edhe në bashkbisedimet (intervistat) e ndryshme në media dhe në televizione.
Nëse do marr shembull artistët e ndryshëm: Çfarë i shtyn ata njerëz të nderuar nga shoqëria e djeshme dhe nga shoqëria e sotme të shpalosin me mburje flamurin e të vetquajturit, të persekutuar?!
Çfarë dënimi kanë vuajtur ata dhe ku?
Çfarë të përsekutuar kanë qenë ata artistë (shkrimtarë, poetë, këngëtarë, kompozitorë, regjisorë…) të nderuar që kanë pasuruar artin, letërsinë, muzikën e bukur shqiptare me krijimtarinë, interpretimet, me artin e tyre të suksesshëm?!
Këto e shumë pyetje të tilla ia bëjnë vetes lexuesit dhe shikuesit e shumtë.
Aktorë të nderuar, të talentuar, të vlerësuar që nëpër vite na kanë kënaqur me artin, me interpretimet e tyre të suksesshme në skena dhe kinematografi, na tregojnë sot se kanë qenë të persekutuar dje, sepse, sipas tyre, na qenkan përgjuar nga sigurimi i shtetit…!!!
* Këngëtar-ë – e të nderuar -a , të suksesshme, të pëlqyera nga artdashës të shumtë, të vlerësuara, që kanë kënduar për shumë vite me radhë, madje janë vlerësuar edhe me çmime të ndryshme në festivalet e këngës dhe muzikës shqiptare, vazhdojnë edhe sot të shpalosin me krenari flamurin e tyre të vetquajtur, të persekutuar, sepse, pavarësisht suksesit dhe vlerësimit të tyre me çmime të ndryshme në skenat shqiptare, na paskan qenë me biografi të keqe…!
*Aktorja-këngëtarja e njohur, pasi erdhi në Sh.B.A. dhe fitoi statusin e të persekutuarit, edhe sot e kësaj dite vazhdon ta valëvisë atë flamur, vetquhet e persekutuar, duke u prononcuar në televizione të ndryshme shqiptare.
Edhe pse në monizëm nuk i provoi qelitë e ftohta të burgut, edhe pse asnjë ditë nuk e provoi jetën e të mallkuarit, internim, pavarësisht se ia ndërprenë vazhdimin e të kënduarit në festivalet e muzikës shqiptare apo në skenat e teatrit shqiptar, por, u lejua ta shpaloste talentin e saj si artiste në aktivitetet artistike të ndërmarjes ku punonte… Dhe, për këto fakte, vetquhet, e persekutuar!!!
* “Unë, ia di për shumë falenderim kryetarit të komitetit ekzekutiv të qytetit ku unë banoja që, me ndërhyrjen e tij, nuk më internuan në fshatrat e thella malore siç erdhi vendimi nga lart, por, më lanë të vazhdoja të punoja si artiste në trupën e teatrit të qytetit tim…”
* “Mua, me trupën e estradës profesioniste të qytetit ku punoja, nuk më lejonin të shkoja në qytetet kufitare, sepse, mendonin ndonjë arratisjen time…” është shprehur midis të tjerash në intervistat e saja aktorja tjetër e njohur… duke shpalosur kartën e të vetquajturit, e persekutuar!!!
Regjisori i suksesshëm e shpalos me krenari kartën e të vetquajtur, i persekutuar, sepse, nga vendlindja dhe vendritja e tij në një fshat malor, fillimisht u transferua në Tiranë, por, pas disa vitesh qendrim në kryeqytet, e transferuan për të vazhduar aktivitetin e tij të suksesshëm artistik në estradën e një qyteti tjetër.
Dhe, broçkulla të tilla si këto ka shumë raste…
Pas një aktiviteti të rëndësishëm në një lagje të Nju Jork-ut të populluar me shqiptarë, të ulur në një tavolinë të madhe duke pirë kafe mes miqsh e shokë, poeti i njohur, në bisedë e sipër, filloi të fliste me shpatë të madhe, duke përmendur shpesh “persekutimin” e tij.
Çudi! Çdo lexues i rregullt i ka në bibliotekën e tij private librat e tij me poezi që poeti, jo pak herë i ka kushtur Partisë së Punës, madje edhe E. H.
” Më hoqi nga Tirana – fliste poeti për E. H. pavarësisht se ai vetë është i lindur dhe rritur në një fshat të Shqipërisë – dhe më çoi në X qytet në një vepër industriale…
Të pranishmit rreth tavolinës shikonin njëri tjetrin në sy në heshtje; u kuptua nga të gjithë se, “persekutimi” i poetit të njohur ishte transferimi i tij nga Tirana në X qytet, pa iu ndaluar edhe e drejta e krijimtarisë letrare.
Por poeti nuk donte t’ia dinte heshtjes dhe kryqëzimit të shikimit të tyre, as ngritjes nga tavolina dhe largimit të dy bashkatdhetarëve, vazhdonte të fliste e të fliste duke dhënë edhe shembuj të shumtë nga jeta në qytetin industrial ku kaloi pak vitet e jetës së tij.
Duke u kthyer për në shtëpi, rrugën e bëra me poetin e njohur të “persekutuar” dhe shkrimtarin e urtë, që pak a shumë janë moshatarë me njëri tjetrin.
Shkrimtari i urtë që, siç duket, kishte qejfmbetjet e dikurshme me poetin, miqësisht i thotë: – Tregohu pak më i kujdesshëm, si shumë po e tepron; po e përdor vend e pavend persekutimin tënd. Pse qahesh kot? Në burg, nuk të futën. Edhe atje në atë qytet ku të transferuan, të lejuan për të ushtruar krijimtarinë letrare. Por, ty ta bëri koka dhe vetë e pësove… Dhe i përmendi sahatin e Gjirokastrës.
Sipas shkrimtarit të urtë, në vitet 70-të kur Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe u dhuroi sahatin një shkolle, sigurisht, mbajti edhe fjalimin përshëndetës që pati jehonë të madhe.
Të nesërmen, kur diskutohej jehona e atij fjalimi, poeti kishte thënë në rrethin miqësor shoqëror: Fjalimin e shkruajta unë…
Kaq u desh dhe, poetin e transferuan nga Tirana për të punuar në atë qytet industrial…
Mirëpo poeti i “persekutuar” shfrehu mllefin e tij duke iu përgjigjur kolegut të tij shkrimtar: – Nuk ke gojë ti të hapësh me mua, sepse je ti ai, që ke patur vëllanë të arratisur këtu në Amerikë dhe nuk të hyri gjëmbi në këmbë…
Po të persekutuarit e vërtetë???!!!
Gazetari i mirënjohur, i urti, i vlerësuar në Komunitetin Shqiptar në Nju Jork dhe në gjithë Sh.B.A. është lindur dhe rritur në fshat në Myzeqe, në internim, në karakatina të shkatërruara, mes dhimbjes, baltës, përbuzjes… asnjëherë nuk e përmend dhimbjen e jetë së tij dhe gjithë familjarëve, internimin, persekutimin, edhe në biseda të thjeshta mes miqsh e shokë.
Është kjo një vlerë e shtuar ndaj gazetarit të nderuar, atij njeriu intelektual dhe njerëzve të shumtë si ai të vuajtur në jetë, që gëzon respektin dhe dashurinë e gjithë miqve dhe shokëve, të gjithë ata që e njohin…