“MISTERI I PROFECISË I HIJES SË TIREZIAS” PËR ULIKSIN “ZBULUESIN E BOTËS SË RE”…

1
1346

Nga Agron Luka

Homeri përballë Ovidit dhe Dantes: Vdekja e ëmbël e eksploratorit Uliks dhe e ekuipazhit të tij, në “ishullkontinentin Atlantida” (Odiseja, Kënga XI) – dhe mbytje fundosja e tij fatzezë megjith ekupiazh në Oqeanin jugor Atlantik dhe ridënimi në Ferr (Ovidi, Metamorfozat,19; Dante, Ferri, Kënga XXVI).

1. Sot dhe dje…!
Me një celular Samsung 6, direkt edhe nga kafia e mëngjezit, shkruan në google (italisht ose anglisht): “La morte di Ulisse secondo Omero”, shkon te tema konkrete, “Le possibili morti di Ulisse” dhe i merr njohuritë kryesore.( https://it.m.wikipedia.org ) Edhe për kërkime të imtësishme, sot e siguron të gjithë informacionin e nevojshëm.

Rezultojnë disa varjante – “vdekje” të Uliksit, Odiseut apo Laertiadhit nga Itaka, filluar nga Homeri dhe vazhduar deri në kohën tonë.
Homeri e vdes eksploratorin Uliks, me një “vdekje të ambël” bashkë me ekuipazhin e tij, në një Tokë të Re subkontinentale të Amerikës Jugore (Odiseja, K. XI); Pseudo Apollodori, me sa duket i gjen ndonjë Profeci ose interpretim tjetër dhe Uliksi do të vritet nga një pasardhës i tij “djal i jashtligjshëm”, Telegoni. Uliksi mundohet me flijime të shumta, për të zbutur jo vetëm Poseidonin Hyjnor të fyer rëndë, por edhe orakulltoren e korruptuar tokësore të Tirezias. Njihemi me tyrli thashethemnajash folklorike – mitologjike “post homerike”, ku Uliksi meqënëse kishte mosmarrëveshje me Penelopën, ia kishte dredhur “paksa” me Kalidikën, mbretëreshën e Thesprotëve!

Epirotët na e paskëshin lutur Uliksin, (siç edhe Ilirët Kadmin, vëllanë e Evropës) të qëndronte si basileus/mbret në mbretërinë e tyre etj (Bibliotheca, Epitome, 34 e 40); Plini i Vjetër, nga ana tjetër e pret shkurt se, Uliksi vdiq nga pleqëria; Ovidi dhe Dante simbas tij, e fundosin Uliksin megjith ekuipazh, brenda në Oqeanin Atlantik jugor. (Divina Commedia, Inferno, Canto ventiseiesimo, reiferendosi alla versione di Ovidi, Metamorfosi 19); Paskoli, përshkruan se, mbasi trupi i Uliksit të vdekur endet në Oqeanin Atlantik, kufoma përfundon te Ishulli i Kalipsosë (Poemi Conviviali); V. Massimo Manfredi, supozon një hakmarrje “origjinale” të Posidonit mbi Uliksin, duke e “dënuar” si të pavdekshëm, madje fantazon edhe një lloj hipoteze konspirative, sikur Uliksi qenka metamorfizuar tek një zyrtar i lartë i shërbimit sekret të marinës së sotme greke, sepse, “Profecia e Tirezias ruan zbulimin e kontinentin Amerikan, nga grekët antikë”! (L’oracolo);

Në fund mund të citojmë edhe një studim bashkëkohor, “Gulia Regoliosi, “Ulisse o il viaggio interminato”, bot., në “Ili nuova Aeropago S!, 1982, f 48-62; shih edhe E. Gatti, “Atlantide, La scoperta dell’ Amerika prima di Colombo, Modena 1994). Me këto, kemi rastin të konstatojmë se sa mbrapa, me diferencë në fazë dhe të niveleve krejtësisht të përcipta, kanë qenë studimet e komentimet tona kritike universitare, me botën e përparuar, jo vetën në kohën e diktaturës, por mjerisht edhe sot…

[Vini re: Shpjegohet emri Atlanti me ilirishte-albanishte, Ati – babai i Dheut, siç edhe Dhemetra etj, krahasohet teknika e ndërtimit të mureve të Lissus Albania, me muret e Cuzco në Meksikë etj, dhe ne kemi qenë duke bërë bunkerë e sirena alarmi dhe duke dëgjuar leksionet e atllarëve!!!]
Tirezia, thuhet se ka qenë një person prift orakulli, parashikues i fateve njerëzore, por kaq qe bërë i neveritshëm, i korruptuar etj, saqë perenditë e urrenin dhe vetë Zeusi e ndëshkon kur e metamorfizon nga mashkull në femër dhe më në fund e degdis në Hades, ku i nënështrohet gjithfarë vuajtjeve. Uliksi i Homerit e takon Hijen e Tirezias në Hades (bota e nëndheshme e të vdekurve të dënuar) dhe ky “me lejen e Zeusit” ia parashikon fatin e fundit Uliksit! Edhe pse ishte i dënuar e hije, vetia e telepati profecisë i funksiononte…

“Profecia e Hijes së Tirezias, direkt nga Hadesi”, mbase ka qenë edhe disa kuptimëshe, por gjithsesi, komentatorët më autoritarë e pranojnë se, në shumicën e rasteve, bëhet fjalë se “parashikon” një Mision Odiseja II, në një eksplorim e vendndodhje që ishte larg: “përtej Shtyllave/Kolonave të Herakliut”! Simbas interpretimit dhe pasqyrimit të Homerit, ajo profetizonte një vdekje të Uliksit dhe ekuipazhit, të cilët kanë përfunduar “në mbrendësinë e një Toke të Re, të paeksploruar, ku nuk e njohin detin, kripën”. Ndërkaq, simbas Ovidit dhe Dantes, kemi një vdekje ku ata e vështrojnë Tokën e Re, nga largësia kur janë ende “brënda detit”. Te Homeri kemi një nënështrim ndaj fatalitetit, predestinimit, shkruarjes së fatit nga perenditë qiellore, kurse te Dante kjo justifikohet si një dëshirë “flakë e brendëshme shpirtërore” e natyrës njerëzore për zbulimin e botës ku jeton. Por, ndërsa te Homeri misioni përfundon me sukses, megjithse e ka një çmim, mosrikthimin më në atdhe, – te Dante, kjo aventurë përfundon edhe si një marri, ku zbulimet kalojnë edhe përmes kësaj “marrie” të domosdoshme”.

Dikur, në Shqipërinë e “forcave të veta”, të gjysmës së dytë të shek XX, të izoluar e të mbyllur, edhe me rrjeta me korrent (mos të themi si në Ishullin e Polifemit, në Ishullin e Çirçes apo në Ishullin e Kalipsosë…), për të gjetur një komentim interpretim sa më të saktë edhe në terrenin e mitologjisë, fillimisht nuk mund ta siguroje informacionin e mundshëm. Mund të mbeteshe për një paqartësi edhe për një literaturë, në vend numëro me dekada dhe kësisoj, “anijen ta gryenin krimbat”! Pastaj, të grinin vigjilentët xhelozët, që i kishin monopolizuar temat dhe enciklopeditë e huaja, që i kishin “zënë gropat e lojës shkop e dokërr” dhe të improvizonin gjithfarë vërejtjesh dhe akuzash…
Ndonjë “i prekur politikisht imperialist ose revisionist social-imperialist”, i cili tentonte të këmbëngulte”, ndodhte që: “ja hante dhija librat” sepse ja konfiskonin komplet bibliotekën; detyrohej t’i shpërndante librat tek të afërmit dhe shumica nuk i riktheheshin më; edhe po të guxoje të nxirrnje ndonjë lajm shkencor me një vesh në radiot e huaja, nuk mund ta publikoje…

Për të apasionuarin mbas përkthimeve shkencore, historisë, letërsisë e mitologjisë: kishte gjithfarë ngushticash dhe rrjetash. Mjerë ai që kishte guzuar t’ia kalonte Kryepartisë, që kishte patur të bënte edhe me Zyrën e Arsim-Kulturës të Agjitacionit e Propagandës së K.Q. të P. P. SH-së, dhe me vetë Zeusin = shokun Enver, bashkë me 100 kimerat-dragonjtë gjakpirës me: “100 koka, 200 duar e 200 këmbë, 400 sy e 400 veshë! Mjerë ai dhe familia e tij. Ëhë, sa lart rrahte Pejgamberi i Ri…!

Mjeranin, e rrasnin në burg, e izolonin në Ishullin e Revizionistëve Zvërnec, ose e çonin edhe në Çmendinë Pavionin 19. Doktori psikiatrik Hoxhati i Madh, me stenogramën e falsifikuar, të administronte edhe recetën, edhe ilaçet, edhe elekroshoket që, “kurrë mos të shëroheshe”, meqenëse edhe, “autokritikën nuk e kishe pranuar ta bënje siç e donte Ai dhe Partia”…

2. “Lundrimet” e Herakliut dhe të Lukianit: matanë “Ngushticës së Shtyllave të Herakliut”!
Na ishte thënë se, “Shtyllat e Herakliut”, te ngushtica mes Spanjës dhe Marokut (Evropës dhe Afrikës) shënonin pikën e fundit të Botës në Perendim, “andej nga dielli perëndon” dhe më tutje s’kish guxuar kush të lundronte me rrema e as të navigonte me karava me vela, as në imagjinatën si metaforë – trillim, apo si ndonjë hipotezë gjeniale!

[Me pak fjalë ishte si ajo pengesa me hunj të ngulur, me leqe gardhe purtekash e rrjetash, në vend daljen e derdhjen e Bunës nga Liqeni – deri në Drin, që quhej edhe si Dajlani, ku mbeste blini, ngjala, trofta, shojza, krapi, qefulli, kubla…]
Ky “caku heraklidian perendimor”, ku para tij shtrihej Oqeani Atlantik, me sa duket ishte fundi, mbasi caku tokësor, ishte shtyrë ma në perendim disa herë! Pjesa tjetër konsdierohej ujë dhe vetë Homeri i vjetër e shtronte hipotezën: Nga futet këtu dielli, vallë nën tokë e nga e nxjerr kokën prapë”!? (Odiseja, K X, v. 239-242)

Kjo hipotezë, edhe mbas rreth 1500 vjetësh, te mendjet dogmatike dukej se ende vegjetonte, sepse ky dielli i vështruar nga bregu ranor Maroken, kur perëndonte e zhytej në Oqean, thuhej se të jepte edhe përshtypjen: “sikur po futej në një farë burimi me lym të zi”! Deri atje ishte rrekur, domethënë e kishte tentuar udhëtimin një farë Dhulkarnejni = arab. Kokëdybrirëshi! (Shih edhe Kur’an-i, bot. 1992, Surja El Kehf, ajetet 84 e 85)
Ka të ngjarë që ky Dhulkarnejni/Kokëdybrirëshi i Kur’an-it, që përshkruhet si një eksplorator në të katër koordinatat e mesoret gjeografike te Dheut, në një kohë të vonë ishte ngatërruar nga tefseristët kuranikë, sikur kishte qenë vetë Aleksandri i Madh/Iskender Zülkarneyn (mqs Aleksandrit i pëlqente t’i imitonte e përvehtësonte mitologjitë e mëdha edhe ato të Herakliut, sepse mbante veten si pasardhës me origjinë nga ai.) Por, ndërkaq, një tjetër hipotezë, pak më e bazueshme, e sjell se ky kokëdybrirëshi që kishte synuar perëndimin, mbase kishte qenë vetë Herakliu ose ndonjë kokëdybrirësh i ngjajshëm dhe si një ideator i lashtë i monoteizmit me një zot?!

Të lundroje thellë në Oqeanin Atlantik drejt Perëndimit, thuhej me kohë (te Lukiani I shek II, psh, etj.) se, Oqeani derdhej në një katarakt gjigand, poshtë në humnerat qiellore dhe sa andej edhe Toka bashkohej me kupën qiellore që e mbante mbi supe Atlasi…

Koha e sotme, me studimet më të thelluara dhe nga gjurmë zbulimet e reja arkeologjike, ka hedhur interpretime se, lundërtarët e lashtë egjiptianë e ata fenikas, me sa duket kishin guxuar të shtyheshin edhe përtej asaj ngushtice të Gjibraltarit, edhe rreth e qark Afrikës, madje edhe vetë ngushticën, kishin qenë ata që e kishin pagëzuar para grekëve argonutë të Herakliut, si, “Shtyllat e Melkartit”, simbas një heroi të mitologjisë së tyre. Na dilte pra, se grekët antikë kishin qenë edhe kopjacë edhe pak si përvetësues…

Në librin tim, të sapobotuar, ÓÊÏÄÑÉÍÙÍ, kam hedhur të sintetizuar temën e eksplorimeve detare edhe përtej “Shtyllave të Herakliut”, në mënyrën metaforike të trilluar si ironi, të cilën e kisha trajtuar më herët edhe në disa shkrime gazetash.
(Agron Luka, “ÓÊÏÄÑÉÍÙÍ, Shkodër 2016, “Eksploratori mitologjik Herakliu dhe shkrimtari Lukiani (shek II) “zbuluan” hemisferën perendimore dhe kontinentin Amerika”, f 233 – 255; gaz. “Shqipëria Etnike”, 1 tetor 2002, “Udhëtimi i lashtë i Herakliut”, f 12-13; gaz. Ndryshe; shih edhe gaz. Koha Jonë, 18-19 shtator 2006, etj)

Simbas një fantazie ironike, të Lukianit nga Samosta (shek II), Herakliu dhe Dionizi bashkë me një ekuipazh argonautësh, duke lundruar, përtej “Shtyllave të Gjibraltarit”, “në anën e anës së oqeanit perendimor”, kishin arritur deri te një ishull me bimësi të harlisur, ku kishin lënë si kujtim, një shenjë, një shtyllë bronzi që mezi lexohej, me mbishkrimin: “Deri këtu arritën Herakliu me Dionizin”… (Dionizi futej këtu për të krijuar ironinë e ilaritetin dejshëm, mqs ishte perendia e vênës. Po ashtu Dionizi ishte si shoqërues i Herakliut edhe nga Orjenti. A. L.)
Këtë “ish lundrimin mitik të Herakliut me Dionizin, vetë Lukiani me një ekuipazh lundërtarësh, do ta përsërisë dhe do ta përshkruajë. Mbasi lundrojnë për 80 ditë, mbas shumë peripecishë dhe tmerri se po bien kokëposhtë në katarakt, kishin arritur deri te Ishulli me Shtyllën e Herakliut!

Pastaj ishin shtyrë më thellë dhe kishin hasur tokë kontinentale,”në anën e kundërt të kontinentit tone”. Atje kishin gjetur shoqëri njerëzore por edhe amazonat, ku disa gre flisnin gjuhën indiane e disa të tjera gjuhën lidiane! Lukiani vetë, kishte shfrytëzuar disa autorë antikë, por kryesisht Homerin dhe Platonin, pastaj kishte futur edhe fantazinë dhe trillimin ironik volterian dhe zhylvernian bashkë. Si kuriozi dhe ambiciozi njeri “për rekorde të reja”, Lukiani ishte ngjitur edhe në hënë e në sferat qiellore, ku edhe toka poshtë dukej si një sferë e vogël e shndritshme… Dhe, edhe atje kishin hasur në emigrantë grekë…! (Lukiani, “Vepra të Zgjedhura”, bot. shqip 1979, “Një histori e vërtetë”, f 414 – 454).

Mbi këtë temë unë u zgjerova pak më tepër, duke përfshirë edhe njohje të këtyre tipe të mitologjisë, në shkollat detare antike të qyteteve ilire-albane-epirote me prejardhje pellazgjike; vura në dukje se, Kolombi kishte përdorur disa harta e materiale me vlera pararendëse që bazoheshin mbi idenë e botës sferike. Kur, refuzimet mosbesuese e dogmatike, kishin arritur kulmin, Kolombi ishte munduar të fuste në punë edhe disa Profeci biblike e kristiane, se, krishterimi duhej përhapur deri: “Et in fines Orbis Terrae verba eorum” (Psalmi 18) e mbase duke nënkuptuar edhe Profecinë e Jeruzalemit të Ri – Botës së Re…; diskutova se edhe në Kur’an-i trajtohej kjo temë (Në suren El Kenf dhe El Rrahman, “me dy lindjet dhe dy perëndimat”); Thuhej se përpak ky projekti i Kolombit, mund të kishte përfunduar edhe në duart e myslimanëve… (“Kristofor Kolombi a të gjetunit e Amerikës”, Shkodër 1928, f 18, etj.)

3. Një rihetim dhe rilexim objektiv direkt i Odisesë dhe i Ferrit te Komedija Hyjnore!
Nga leximet e përcipta, me kapërcime etj, si shumë kush, edhe unë kisha formuar idenë se, udhëtim eksplorimet e Odiseut – Uliksit, kufizoheshin brenda Detit Mesdhe, si një lloj harte e treguesi i porteve, rrugëve detare tregëtare dhe njerzve që e rrethonin dhe se e gjithë kjo “aventurë e detyruar” përfundonte me kthimin e tij në Itakë, me marrjen e hakut ndaj pretendentëve dhe me ndëshkimin simbas kanuneve antike. Me pak fjalë, ishte ajo mbyllja: “Kështu jetuan të lumtur përgjithmonë”!

Disa vite më vonë, duke e lexuar e rilexuar disa herë krejt tekstin e Odiseas në përkthimin shqip të vitit 1976, Parathënien, “Hartën e V. Berarit” – me lundrim – tallazitjet, diku e mbiquajtur edhe si Udhësia dhe komentimet e tyre, kisha vënë re, mjaft i befasuar se këto udhëtime-lundrime kufizoheshin vetëm në Pellgun Mesdhetar! Edhe vetë, Harta e V. Berarit, e publikuar qysh në hyrje, nuk e kalonte aspak detin përtej ngushticës së “Shtyllave të Herakliut”! (shih hartën) Si kishte mundësi ky konkluzion e ky interpretim, kur nga vetë Homeri, me një lexim më të vëmendëshëm, rezultonte diçka ndryshe?!

Kjo “surpriza homerike”, ku Uliksi na dilte se, i kish kapërcyer Kolonat e Herakliut dhe na qe futur më thellë në Oqeanin Atllanik (dhe jo vetëm një herë…), për mua fillonte në mënyrë disi enigmatike te Homeri, qysh në Këngën I:

“I shkreti Uliks, burrë i urtë po fatzi,
që ka sa kohë, i ndarë nga miqtë, vuan
n’një ishull që n’çdo anë e rrahin dallgët,
në mes të Oqeanit pa kufi.
Ai ishull është si pyll, aty jeton
një hyjneshë bija e atij Atlantit
zitrilluesit, që njeh humner’n e detit,
e mban shtyllat që ndajnë Qiellin nga Toka.
E bija e tij e mban ndaj vetes t’shkretin…”
(Odiseja, K. I, v. 69 – 77)

Shtrohej pyetja, kjo, “Bija e Atlantit”, nimfë hyjnesha Kalipso dhe vetë Ishulli Ogigi, ku duhej të stacionohej dhe të identifikohej: në Oqeanin Atlantik apo në Detin Mesdhe?! I kishin konstatuar lundërtarët e vjetër, Ishujt si Ayorret, Madeira, Kanarie?! Dikush (I ndjeri prof. L. Franja), më pat thënë se, “sekreti” qëndronte tek një fjalë, aty ku përkthyesi P. Gjeçi e kishte përkthyer fjalën e origjinalit të greqishtes së vjetër “det i thellë = si Oqean” dhe prandaj ti ke ra në këtë grackë! Mirëpa hajde e gjeje aso kohe një tekst origjinal, si ishte e shkruar grafia e termit origjinal në greqishten e vjetër, pa le që germat greke mezi i lexoja dhe aso kohe edhe arkeologët “kompetentë” i njihnin përciptazi…
Grekët antikë, siç edhe qytetërimet e shquara pararendëse, kishin arritur së paku në një ide hipotezë se: Bota mbase kishte edhe një si formë breshke gjysëm sferike dhe pjesa tjetër rrethohej nga uji. Hipoteza sferike doli pak më vonë!

Të vjetrit orjentoheshin me bazë diellin nga lindja dhe perendimi dhe veriu e jugu, pra i njihnin katër koordinatat dhe mesoret e tyre, duke përcaktuar edhe krahun e djathtë e të majtë me fytyrën nga poli i veriut, lundronin brigjeve me stacione të shumta dhe kishin shenja, orjentoheshin edhe natën me yllësitë e konstelacionet etj. Vetë Ishulli i Itakës dhe flota e tij ku banonte Uliksi, njiheshin në të gjithë botën mesdhetare dhe realizonin lundrime të largëta në të katër koordinatat, madje edhe në veri, deri në fundin e Adriatikut. Ashtu edhe flota e ishullit Feakia/Skeria, e cila shquhej “mbi gjith të tjerët në artin e lundrimit”, ishte në gjendje të arrinte skaje të largëta që konsideroheshin si “funde bote”.

Nuk është aq i panjohur ky ishull n’botë,
po nam të madh ka në Lindje e n’Jug,
në mjegull të Veriut, në fund të botës.
(Odiseja, K. XIII, v. 293 – 295; K. VII, v. 397 – 403)

Në një nga ato “vendet enigmatike” (siç e thamë) edhe plaku i urtë Homer e hidhte ide-hipotezën se: “dielli rrotullohej rreth tokës dhe mbasi zhytej diku në perëndim, i dilte përsëri tokës nga krahu tjetër, për të lindur në Lindje”, siç e citoj:

“O miq të mi, n’këtë vend ku kemi zbritur,
Ne s’dimë nga bie as Lindja e as Perëndimi.
Nga futet këtu dielli, vallë nën tokë
E nga e nxjerr kokën prapë?”
(Odiseja, cit. K X, v. 46 – 49; 239-242)

Çfarë mund të ishte pra, që përkthyesi Pashko Gjeçi dhe Parathënësi M. Xhaxhiu, e kishin lënë ende më 1976, kaq të paqartë komentimin te Odiseja?! Te rasti konkret te Shtyllat e Herkulit, si ndaheshin deti – ujra të thella – nga Oqeani perendimor?! Po ashtu edhe më përpara, po i njejti Pashko Gjeçi e kishte lënë shumë të mangët e të paqartë interpretimin e komentimin, edhe te Ferri te Kanga XXVI!

Për vete, prof. P. Gjeçi e kishte kuptuar mirë se, Uliksi po lundronte thellë edhe përtej ekuatorit në jug – perëndim, por nuk e sqaronte në veçanti e me hollësi për lexuesit dhe studentët?! E pakta nga vitet 1959 – e deri te vitet 1976, prof Gjeçi nuk kishte arritur të jepte një komentim të kuptueshëm me varjantet mitologjike të përfundimit të Uliksit, aq ma tepër kur vetë kryetema ishte për të! Po kështu e kishte lënë në hije edhe Diomedin, i cili kthehet në Thraki në vendlindje por, do ta shohim edhe në Ishujt e Adriatikut të veriut dhe në të dy hapësirat tokësore bregdetare Iliri – Etruski, duke shpërndarë qytetërimin e përparuar!

Unë, diçka nga këto “ngurrimet – n’gurtësimet” e prof. Gjeçit, vetëm i kisha konstatuar. Bie fjala, Ishulli Feakia/Skeria, i cili nga shumica e identifikuesve dhe komentuesve kompetentë ishte lokalizuar si Korkyra/Korfuzi, na ishte quajtur si “ishulli përrallor”! Po ashtu, këto dy autoritete, te Kënga XI as në Shënime e askund, nuk e kishin shënuar fare, “Vendin, fisin me troje e banesa të Kimerëve”, i cili, sadokudo lidhjej me Uliksin/Odiseun, qysh në Botën e gjallorëve njerëzorë mbitokësorë dhe në një ndër ato kandidatet “vendet me Himera/Kimera”, hynte edhe Himara/Cimmera jonë, e pakta qysh nga M. Barleti vetë. (Odiseja, përkthimi P. Gjeçi 1976, Parathënie, I–XI; “Udhëtimi i Odiseut, sipas V. Berarit”, XII; Shënime, Kënga VI, v. 11; Kënga XI, nuk ka asnjë shënim për Kimerët!; Hist. Skënd. 1967, f 97)

Na dilte se disa mitologji të lashta lokale ishin sofistikuar nga grekët.
Dyshimet, m’u shtuan edhe më shumë, sepse unë e dija që prof. Pashko Gjeçi kishte qenë edhe përkthyesi e botuesi i Ferrit të Dante Aligierit dhe aty në Këngën XXVI, trajtohej fund-vdekja e Uliksit, i fundosur megjith anije në Oqeanin Atlantik! Ndërkaq edhe këtu shënimet e disa vargjeve, ishin konfuze! Nuk merrej vesh fare se ku ishte bazuar Dante dhe sa kishte improvizuar vetë duke futur edhe njohuri bashkëkohore të tijat! Nënkuptohej nga shënime – sqarimet se, Uliksi vetë me disa lundërtarë e kishin kapërcyer edhe rrethin e ekuatorit dhe ishin zhytur thellë në Oqeanin Atllantik ku tashmë shiheshin edhe yje të tjerë, ku nuk shihej më fare Ylli Polar etj, dhe megjithatë nuk jepej asnjë komentim i qartë, asnjë diskutim të paktën! Dhe pse duhej të ndodhte kjo mjegullnajë?!
(Dante Aligieri, FERRI (Komedija Hyjnore), Tiranë, 1960, Kënga XXVI, f 133 – 137; Shënime, f 203 -204)

Ç’kishte kërkuar vallë Uliksi në këtë Odisean II: Botën e Re, rekordin e fundit të Botës, që t’ia kalonte edhe Herakliut, apo mos ndoshta Pavdekësinë, siç kujtonte se e kishte “të siguruar” Herakliu apo siç thuhet se, e kishte kërkuar edhe Aleksandri i Madh, “Skajin e Botës dhe atë Burimin e Pavdekësisë” nga Orjenti?! (Dhe këtu nuk po flasim edhe për Jezusin, sepse ky e kishte pavdekësinë të garantuar nga Ati, ishte Trini – njëkohësisht edhe vetë i biri, edhe vetë shpirti, edhe vetë i Ati, = “Tre Zota në një”, siç e thotë Kur’an-i…)
Të mos harrojmë se, te Libri i Makabeut, shkruhej se, “Aleksandri i Madh kishte arritur deri te Skaji i Tokës në Orjent” (Bibla, bot. 1994, Libri i parë i Makabejve, 1 á, f 1311)
Ironiku Lukiani e tregonte se, Aleksandri mburrej se, ia kishte kaluar edhe vetë Herakliut nga Orjenti. (Lukiani, Vep. të Zgj., “Flipi dhe Aleksandri”, f 259)
Dhe se sa thellë shkonin këto “fundet e Botës”, Lukiani e nuhaste mjaft mirë, posa e dinte me perfeksion edhe Këngën e XI –të të Odisesë së Homerit…

4. Përpjekje për të zhdavaritur mjegullën…
I mbetur në këtë “cektinën e paqartësisë”, në një rast diskutimesh, më erdhi në ndihmë prindi im Gjovalin Luka, i cili e dinte “sekretin e Profecisë së Tirezias”, sepse botimi italian i Odiseas, që ai e kishte përdorur për lexime e studime e jepte sqarimin. Gj. Luka e kishte ndihmuar me ndonjë diskutim e sqarim shokun e tij, të afërt, prof. M. Ndoja, i cili me kohë merrej me përkthimin e Ferrit. Kur doli botimi i vitit 1976 i Odiseas nga prof. P. Gjeçi, prindi im mbi bazën e këtij teksti dhe të disa të tjerëve italisht, ishte në gjendje të konstatonte se, në disa raste përkthimi shqip nuk korespondonte si teksti italisht! Por, kush mund t’i futej aso kohe asaj vorbulle, nëse përkthimi shqip apo përkthimi italian, shkjeponte nga origjinali…

Për aq sa na interesonte, po e citoj, komentatorin Italian të vitit 1937: “Dopo questa nuova e terribile esperienza, Ulisse riparte. Il suo destino è questo. Neppure il ritorno in patria gli darà pace e riposo. Come Tiresia gli a predetto in questo canto, gli sarà destino navigare ancora. E Dante lo farà perire in mare, vecchio e canuto, alla ricerca, come Colombo, di un nuovo mondo da conoscere e di revelare agli uomini”.

“Mbas kësaj ekperience të re dhe të tmerëshme (Lundrimi në Botën e Nëndheshme të të vdekurve në Hades, ku gjen edhe Himerët, etj. A.L.), Uliksi riniset, Fati i destinuar është kështu. As rikthimi i tij në atdheun Itaka, nuk i jep paqe e qetësi. Ashtu siç orakulltari Tirezia ia kishte parathënë divnesën në këtë Këngë (të XI-tën. A.L.), atij i ka takuar fati të lundrojë/navigojë përsëri. Dhe Dante e bën të vdesë-mbytet në det, plak dhe i thinjur në eksplorim-rikërkim, si Kolombi, për një bote të re, për ta njohur dhe futur në shërbim të njerzve”.

(Odissea, versione di I. Pindelmonte, con prefazione, riassunti e comment di G. Liparini, Bolognia, 1937, f 122)
Tashmë e kisha mësuar se Profecitë kishin nga dy, tre e ndonjëherë edhe më shumë kuptime. Njiheshin, përshembull Profecia për Krezin, Profecia për Aleksandrin Mollos, njiheshin lojrat e fjalëve, silogjizmat, sofizmat bile edhe “Sofizmi i Brirëve”, deshifrimet me disa kuptime etj.

Te Arriani, unë kisha konstatuar këtë pasazh mjaft të rëndësishëm:
“Logografi Hekateu thotë se Herakliu, prej Argosi, i dërguar nga Eurystheu për të grabitur dhe për t’i dërguar Lopët e Geryonit në Mikën, nuk zbrit as te Iberët, as mbi një ishull të quajtur Erythi të vendosur në Oqeanin Atlantik; ai (Hekateu shek V p.e.r.) thotë se Geryoni ishte një mbret i kontinentit që jetonte midis Ambrakisë dhe Amfilohisë, dhe se ishte pikërish ky vend ku Herakliu i grabiti gjedhët duke i dhënë fund ndërmarrjes së tij të vështirë. Unë dij edhe që kjo krahinë është e pasur në kullota dhe ushqen lope shumë të bukura. Lavdia e lopëve të Epirit rrjedh ndoshta nga një kohë më e vjetër se Erystheu dhe nuk është aspak e pa arësyeshme të besohet se mbreti i Epirit quhej Geryon”.

(“Ilirët dhe Ilria tek autorët antikë”, bot. 1965, F. Arriani, “Alexandri Anabasis”, Lib. II, 16)
Na dilte se, Gerioni gjigandi i njohur i kopeve me lope e buaj, në Fundin e Botës në Perendim” te Bota Atlantike, në variantet e lashta, na paskish qenë një trinjak – tre vëllezër siamezë, të ngjitur që vepronin si një person dhe ky Gerion – TreGerion, na kishte qenë një basileus mitologjik i Epirit! Herakliu, bashkë edhe me albanët ilirë që e ndjekin, na paskëshin grabitur kopetë në Epir, aty përballë te ishulli Saseno dhe jo te Iberët e Spanjës – pranë ngushticës dhe as atje te Ishulli Errythi, në Oqeanin Atlantik. Kjo vllazëri me tre koka, gjashtë duar e gjashtë këmbë e gjashtë sy e gjashtë veshë, na ishte edhe modeli – etalon, i miqësisë, barazisë dhe drejtësisë njerëzore, simbas Lukianit, sepse ashtu i detyronte përveç lidhja shpirtërore edhe ajo gjenetike si tre siamezë të pandashëm, në një.
(Skylaksi, Periplus, Ilyroi, 26, cit. “Ilirët dhe Iliria…”, f 36; Lukiani, “Vep. të Zgj”, cit. f 413; shih edhe Homeri, “Dorët e Trefishtë” në Kreta.)

Kështu na jepej mundësia ta hidhnim hipotezën se, grekët antikë jo vetëm mblidhnin e përvehtësonin mitologjitë autoktone gadishullore, por edhe i deformonin duke sajuar tregime-poema e romane mitologjike si Bëmat e Herakliut, ku fusnin sigurisht protagonizmin e tyre, ku me këtë rast shpesh ua humbnin edhe vjetërsinë e origjinalitetin më të lashtë. (Mbi këtë temë kam botuar një seri shkrimesh me kohë).

Komenti italian i vitit 1937, megjithse ta hapte horizontin, duke qenë si një botim popullor dhe i lirë, nuk futej në hollësira. Rezultonte se, kjo rinisia e Uliksit, mbas gjithë asaj përpjekje kolosale për të kapur Itakën, te Odiseja e Homerit Kënga XI, ishte e lidhur me një Odise II – Udhëtim të Ri, simbas Profecisë së Tirezias.

Ndërkaq, vetë Dante, si udhërrëfyes e shoqërues ka Virgjilin, citon Lukanin dhe Ovidin e Metamorfozave, edhe Livin etj, e përmend Tirezian (Kanga XX, v. 40-45). Por, i shmanget Homerit, madhe nuk bzan se edhe idenë me zbritë në Hades dmth në Ferr, ia ka kopjuar atij…

Në varjantin dantesk, Uliksi vetëm konstatoi me sy të lirë nga largësia, një Mal të Lartë dhe e ka supozuar me arsyetim inteligjent dhe me gëzim natyrisht se, atje duhet të ketë një Tokë të Re, përderisa ka një mal madhështor dhe të lartë dhe përderisa fillimisht edhe era vjen nga ai drejtim tokësor. Por, kur kjo erë sh’ndrrohet në një Uragan, atëhere Uliksi, do të fundoset megjith anije thellë në Atllantikun e jugut. Dhe të mos harrojmë se te varjanti homerik gjendet një njeri, kurse tek varjanti dantesk, “nuk ishte konstatuar asnjë gjurmë njerëzimi”. Eksploratorët e lashtë, si tipar kryesor kishin guximin, ndërkaq premise kryesore e kishin të siguruar, përderisa thithnin ajrin.

Komentatori italian i v. 1937, i dinte tashmë zbulimet e Kolombit, Vasko De Gamës, Amerigo Vespuçit, Ferdinando Magelanit etj. E dinte fort mirë edhe se, Kolombi bashkë me eksploratorët evropianë, nuk kishin qenë idealistë dhe thjeshtë kristianë humanitarë. Kolombi, përkundrazi dha edhe kontributin e tij të egërsisë: “Zbulimi”, ende pa u marrë vesh mirë se ç’përfaqësonte në të vërtetën, degjeneroi në një skllavëri të përbindëshme dhe një gjueti për ar dhe toka…

Sa shmangie kishte patur Virgjili nga Homeri, në funksionin e romanoçentrizmit dhe për ta konkuruar Homerin, dhe sa shmangie kishte patur vetë Dante në funksion të po asaj ideje romano-italikocentriste, madje edhe për primatin si poeti nga Firencia që ua kaloi të dyve?!
Kështu, ne (aty nga v. 1976 – v. 1979), iu rifutëm vetë rilundrim-rileximit për ta rinjohur me thellësi se, çfarë konkretisht ishte kjo “Profecia e Tirezias”, si e kishte interpretuar dhe shprehur Homeri i vjetër dhe pastaj t’i krahasonin e ballafaqonim të dy varjantet: Homerin me Danten.

Ta citojmë se çfarë rezultonte nga vetë Odiseja e Homerit, konkretisht nga kjo Profecia e Tirezias, e falltarit orakulltar teban: [… shkurtuar]
(Shih, Odiseja, K. XI, v. 151 – 178)

Konkluzioni më i përafruar i varjantit homerik, dilte se: Ulksi/Odisea/Laertiadi, “nuk plaket e nuk vdes bashkë me Penelopën e tij të dashur”, kështu na paska qenë destinimi – fati i tjerrur me furkën e tre mojrave apo i miratuar – aprovuar me parshkrim, nga Zeusi i ma vonshëm! Më me shumë mundësi i bie që ky Zoti, duhej të ishte direkt Zeusi, sepse vetëm ai mund ta thyente vullnetin e dëshirën e Poseidonit që e urrente Ulksin për vdekje, sepse i qorroi Polifemin, të birin.

Simbas Homerit, Uliksi madje me gjith ekuipazhin, kur zbarkuan nga deti dhe u futën thellë në xhungël, hasën një njeri/dmth edhe një fis njerëzor, i cili as detin, as kripën e as lopatën – flatër remash të anijeve, nuk e kish parë me sy. E kjo do të thotë se ishin fise të stër mbrapambetura… Dhe atje paskan vdekur Uliksi me ekuipazhin: “me një vdekje të ambël e mes një mijë të mirave”, thellë në një tokë sub kontinentale të xhunglave të Amerikës jugore … simbas Profecisë së Tirezias! “Ajo jeta me njëmijë të mira”, në një ambient të një komune – e komunizmit primitiv, ka të ngjarë të kishte qenë një lloj romantizmi reaksionar, “kthimi fiktiv mbrapa në të vjetrën”, ku simbas kësaj filozofie, bota na kishte qenë më e mirë në foshnjërinë e saj të pazhvilluar dhe progresivisht ajo sa vjen e degjenerohet, deri në fundin e pashmangshëm!

Njeriu vetë, dora-dorës, filloi të bënte njëfarë diferencimi midis vetë zotave, kishte edhe zota barbarë, kishte edhe të mire, por diku kishte edhe tekanjozë, që zor se bënin lëshime! Prometeu u detyrua t”ua vidhte zjarrin perendive dhe t’ia jepte njerzve dhe e ndëshkuan! E pra ky Prometeu sikur ishte edhe vëlla me Atlantin?! Të dy kishe qenë të mirë, apo njeri i mirë dhe tjetri i keq?!

Na thuhet sot se, ndonjë interpret supozon që, Uliksi u rikthye edhe një herë në Itakë: “Tornerà quindi ad Itaca”… këtu i bën flijet etj dhe riniset prapë për një Odiseja III, duke provuar të arsyetojë se, gruri apo dashi dhe demi për flije, nuk njiheshin në Amerikën e Jugut etj. Një fantazi brenda fantazisë do thoshim…

Tashti ta citojmë edhe Danten: [… shkurtuar]
(“FERRI – Komedija Hyjnore”, përkthim P. Gjeçi, 1960, Kanga XXVI, V. 1-142, Rrethi 8. Lugja 8, “Këshillorët Dinakë”, cit. me përzgjedhje.)

Nuk dukej, asnjë lloj “Profecie të Tirezias” e interpretuar si imponim, destinim fataliteti. Te Dante dhe si “pikënisje e misionit Odiseja II”; është vetë ambicia njerëzore – flaka shpirtërore për zbulime; nuk kemi takim me asnjë krijesë njerëzore; dhe nuk kemi një hyrje fizike brenda asaj Bote të Re, dhe as ndonjë vdekje të ambël te Danteja! (Siç kemi te Odiseja).

Konstatimi i një Toke/Bote të Re, e cila pasi i hapet syrit nga larg, shkakton një gëzim të natyrshëm, por, mbyllet me aktin e fundit të fundosjes me njerëz e me anije, në ato ujra të ftohta të qiellit jugor!

Na thuhet sot se, Dante këtë varjant të devijuar e të kundërt me Homerin e mori nga Ovidi, porse P. Gjeçi aso kohe as këtë nuk e dinte e as nuk e kishte cituar! Prof. Gjeçi nuk kishte thënë asnjë fjalë edhe sa kishte patur dijeni vetë Dante mbi autorët e tjerë antikë që i citonte dhe asnjë fjalë sa kishte improvizuar Dante vetë?! Parathanësi Siliqi, tha ca fjalë se, “partizanët e ideve marksiste do ta pastronin Botën nga gjanat e këqia, do ta realizonin në komunizëm, idealin e naltë, të shndritshëm, të një jete të begatë, të një Bote të drejtë e të lirë, me punë kangë, lule e poezi” (Figura vigane e Dantes, f III)

Këto fjalë më 1959-1960…
Vigani Dante, vetë me inisiativën dhe idetë e tija, e rrasi në Ferr, Uliksin, kur vetë Zeusi ia kishte caktuar një fat më të mirë?! Me ç’të drejtë Dante “me gjuhën italiane fiorentine”, pretendonte të bënte funksionet e Jezusit-Isait, si Prokurori i Përgjithshëm në Ditën e Gjykimit, akoma pa filluar askund Shenjat paralajmëruese të Fundit – Kjametit?! Sepse atje nuk ka rrasur dokëdo…

Përkthyesit Pashko Gjeçi, që i kishte kaluar një për një në mendje, në sy e në duar këto vargje e rrokje, edhe te Odiseja edhe te Ferri, si i shpëtuan pa i konfrontuar këto interpretime?! E pra, sado e ngushtë Ngushtica e Gjibraltarit, ku vetëm Zogu mund ta kalonte atë, “Shtyllat e Herakliut” u kaluan me anije dhe vetëm atje te jugu poshtë ekuatorit, ndahet Homeri nga Dante Aligieri!

Më vonë, kur babai im kish më shumë se një dekadë e gjysëm që kish vdekur, unë u informova se, rrjeta e merimangave e mitologjisë së Uliksit dhe Penelopës kishte qenë shumë më e ndërlikuar dhe shumë më e përfolur. Flitej ndër thashe-themet mitologjike e improvizimet e vetë disa shkrimtarëve fantazistë se edhe Penelopa, “simboli – etaloni i besnikërisë dhe lidhjes bashkëshortore”, na kishte qenë me origjinë nga ishulli i Korfuzit, ku përballë ishte Bregu Epirot, i Tokës së Kimerëve, se e kishte dredhur një çikëz bishtin që kur kishte qenë vajzuke…

Pëflitej Penelopa, se ndërsa u kish rezistuar të gjitha flirtimeve e lajkatimeve të pretendentëve, diku i ishte dhënë Zotit Pan, te “krevati i gdhendur në dru ulliri” dhe ndërkaq thurte një sixhade-cergë, me lesh lope, dhie, curi, baliku, bashkë lesh e lî, e cila vetvetiu i ç’thurej… Si mund ta kishte pranuar Penelopa, këtë tradhëti bashkëshortore, si mund ta kishte pranuar këtë “perendi barbare” (që qelbej era skjap, ta përdhunonte seksualisht), pa qenë edhe vetë pak besimtare barbare dhe pa e justifikuar këtë si të moralshme e brenda zakoneve?! E pra kjo Penelopa mbahej edhe më e ndershme se, vetë Helena e mbuluar!!! Mbase në Itakë kish mbërritur edhe zani e nami se, basileusat akej, danaj, mirmidonë, mikenas e itakas po bënin pallë me orgjira me vajzat e Azisë së Vogël, me priftëreshat e virgjëra mbarë e mbrapshtë, madje betoheshin edhe në rrenë para Thiut, se ç’virgjërimin e Krizeidës e kishte bërë vetë Apoli…

Pas rikthimit në Itakë, flitej se Uliksi e kishte pranuar kapërdirë këtë tradhëti por, pastaj ishte xhelozuar, rrebeluar e tërbuar edhe kundra perendisë ilire të grigjave dhe kullotave Pan dhe e kishte përzënë Penelopën në shtëpinë e të atit. Dikush tjetër thoshte se, kur Uliksi shkoi te Thesprotët, Penelopa kishte lindur një djalë kopil dhe ky e mbyti Uliksin! Ndërkaq te fundi… edhe vetë Penelopa na kish përfunduar si murgeshë te “Ishulli i Çirçes”, për të larë mëkatet!
[P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, ribot. 1990, zëri Penelope (Ðçíåëüðç), f 496]

Në librin dhe në shkrimet e mija, e kam sqaruar se, nga këto zakone kishin vajzat ilire e epirote, të cilat madje e kishin të moralshme e si mburrje që fëmijët i kishin të ngjizur me perenditë politeiste, siç Penelopa me Panin, Olimpia me Zeusin, Melisa me Poseidonin etj, ato madje mund të shkonin me kë të dëshironin edhe kur ishin vajza, mund të kishin edhe fëmijë dhe përsëri quheshin virgjëresha, siç Afrodita, Fatija etj!
“Në Iliri, ndodh edhe diçka tjetër: shpesh një grua shtatzënë kur i vjen për të pjellë. largohet pak nga vendi i punës dhe pasi lirohet nga fëmija, e sjell thuajse nuk e lindi por e gjeti. Gjithashtu edhe vajzave, ndonjëherë njëzet vjeçare që atje i quajnë virgjëresha, zakoni nuk ua ndalon, që para martesës të shkojnë me atë që duan, të enden vetëm dhe të kenë fëmijë…”
(Varroni, De Re Rustica, Lib. II, 10)

Por, njeriu si njeriu, si Ademi: i pa bindur, mosbesimtar dhe përgojues, qysh në gen! Kë nuk mori nëpër gojë, edhe Zotat politeistë … edhe gratë e dashnoret e pejgamberëve, Merjemën e virgjër edhe atë jo të virgjërën… deri edhe vetë virgjëreshat… dhe Hylleshën – Nexhmijen?!
Le të shpresojmë se brezat e ardhshëm, individët e shquar dhe studimet kolektive do japin vepra, përkthime e komentime shumë më cilësore dhe shkencore. Për ne kaq qe rrisku ose kismeti…

Tags: Agron Luka, Amerigo Vespuçit, Ferdinando Magelanit, Homerit, Kolombit, Melisa me Poseidonin, Olimpia me Zeusin, Penelopa me Panin, Profecia e Tirezias, Uliksi, Vasko De Gamës

1 KOMENT

  1. Interesante. Por fjala grek nuk ka egzistuar ne lashtesi madje as fjala helen. Po te shohesh doreshkrimet origjinale dhe papiruset – keto fjale nuk jane.

    Sa per emrat, shumica kuptohen lehtesisht nga gjuha shqipe:
    Helena – e lena ose e braktusura
    Penelopa – qe punonte me pe
    Menela – Mendje lare, qe ishte i prere
    Agamemnon – qe eshte plot mend
    Odisea – Udhetari
    etj.

Komentet janë mbyllur.