Elvi Sidheri
Të gëzosh mundësinë që ditët e sotme të lexosh një libër që flet kaq periodikisht e brez pas brezi, personazh pas personazhi, pullaz pas pullazi, kënd pas këndi, dyqan pas dyqani, dihatje pas dihatje e ngjarje historike pas ngjarjeje tjetër, është më tepër një privilegj se diçka që do të mund të emërtohej në tjetër mënyrë.
Kështu edhe e kuptova në fakt mundësinë që m’u dha për të lexuar këtë libër, “Misteret e Parisit të Vogël”, jo thjesht si një dëshmi të kërshërisë së shtuar domosdoshmërisht si edhe çdokujt tjetër që ndan një origjinë korçare si unë, për një vepër që flet kaq kthjellët e mistikisht për këtë qytet më unik se të rrallë jo vetëm në universin shqiptar, por edhe më gjerë.
Ishte një libër që prisja me ëndje ta lexoja veçanërisht për shkak të dorës e mendjes që e pat shkruar, Kristaq Turtullit dhe pendës së tij metaforike që aq rrjedhshëm harliset ndër kaq tregime e një plotësi gjuhësore shqipe që përbën një ndër shembujt më të arrirë të letërsisë së sotme shqiptare.
E siç padyshim që nuk mund të ndodhte ndryshe, ky libër ishte pikërisht një zbulim, një botë krejt e re, ndonëse e ngërthyer në një tis kujtimesh, regëtimash e duhmash fryme të së kaluarës që përqafon të tashmen, që i avitet lëçitësit të sotëm me gjithë ngarkesën e një barre të tejmbushur me fjalë, dritëhije e personazhe që na ngjallin e fanitin Korçën, këtë mishërim të vetëm shqiptar të një Parisi në miniaturë, me të gjitha zdritjet njësore të saj, kulturën, traditën, qytetarinë, atdhetarizmën, shqiptarësinë thelbësore e gjithçka që e bën këtë qytet kaq kurorë në kryet e horizonteve shqiptare.
Pa dashur të bëj sinopsin e veprës, pasi kjo është një dhuratë që i takon veç lexuesve ta shpaketojnë e shijojnë plotësisht, me gjithçka që veç leximi e ndjesitë e ndërlidhura me të na falin, sidomos në rastin e një libri të këtij niveli larmie përmbajtësore e pjekurie të epërme letrare të autorit, gjithësesi ndërkohë nuk mund të anashkalohet pa përmendur vegullia e herëpashershme e Themistokli Gërmenjit ndër faqet e këtij libri.
Një prani, një shajni aspak e vagullt, por sakaq tejet e gjallë, e prekshme, e qëmtueshme, që na ngjall aq emocione tek tregohet e përshkruhet me aq pathos e realizëm nga afshi krijues i autorit, duke na e shpërfaqur me tërë staturën imponente këtë kolos fatkeqësisht pakëz të mënjanuar nga historiografia shqiptare, dhe i kushtuar atij gjithë nderimin e merituar.
Pa harruar paralelisht që përmes rreshtave të pandalshëm porsi një rrjedhë lumore e shtratëzuar prej shekujsh, të na ofrojë thellime pafund në epokat e një Korçe që kalon nga sundimi turk, në Republikën Autonome Shqiptare të Korçës, e gjer në lulëzimin final të qytetarisë korçare gjatë shkëlqimit të viteve 30 të shekullit të kaluar.
Korça është dimension ku pluskojnë nuanca, ylbere e ngjyra pafund, njerëz e histori, që të bëhet e shtyjnë autorin ta përkryejë venën e tij krijuese, duke arritur të na i spërkasë këto copëza Korçe të mbrujtura me krejt shumësinë e tyre, përmes një gjuhe të zgjedhur, personazheve realistë e një vije logjike përherë të qartë.
Nëse do të mund të bëja një shenjim më tepër diçka tjetër, këtu kemi të bëjmë, në një mënyrë tërësisht rastësore – gjë kjo që fuqimisht na bën ta vlerësojmë edhe më shumë origjinalitetin krijues të autorit – me një përkim krejt të pavetëdijshëm në gjirin e letërsisë shqiptare, me letërsinë e famshme të Realizmit Magjik të Amerikës Latine.
E këtu merita nuk ka sesi të mos bashkëndahet mes autorit dhe vetë ambientit të patjetërsueshëm korçar ku nguliten rrënjët e tij njerëzore, letrare e nga ku krijueshmëria e tij me siguri që ushqehet paepur vazhdimisht.
Sepse e tillë është Korça, Parisi ynë i vogël i qytetarisë burimore shqiptare, një ndërthurje zërash, vezullimesh e vagëllimash në kufijtë e magjikes, por që përkundrazi ngaherë mbeten thelbësisht reale.
E në këtë truall kaq pjellor, gjen frymëzimin e tij të pashterur edhe Kristaq Turtulli, duke na falur sakaq një libër që duke dashur të citoj një nga frazat e shumta emblematike të ndryra ndër faqet e tij, do të mbetet i gdhendur në gur, e në kujtesat tona si lexues, pa u fshirë nga vijat e përkohëshme në rërë, si letërsi furacake.
Mos ngurroni ta lexoni miq!