MISTERET E PARISIT TË VOGËL (fragment)

0
549
Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

Me rastin e 10 dhjetorit, të kësaj dite të shënuar së Krahinës Autonome të Korçës dhe Shqipërisë, po hedh për ju një fragment nga romani ‘MISTERET E PARISIT TË VOGËL’. Respekt për historinë dhe burrat e shquar.
‘Rroftë Shqipëria! Rroftë Krahina Autonome” e Korçës!’

Kristaq Turtulli

Oh ç’ditë e bekuar që ishte moj bijë, qyteti, qielli shndriste! Ditë e madhe. Na ngazëllohej shpirti, na këndonte zemra. Zonja Dhoksanë hapi kat më kat të gjitha dhomat e shtëpisë, shtroi rrugën me karafila të kuq dhe priti e përcolli me gjithë të mirat të madh e të vogël. E ndoqa nga afër rrjedhën e ngjarjeve kur Misto trimi hyri në qytet më 8 dhjetor 1916 me një fuqi prej 300 vetash. Djemtë tanë ishin të armatosur deri në dhembë dhe me besim në fitore.

Një ditë para se të hynte Themistokliu, mora vesh që, francezet dëbuan nga Korça gjithë mbeturinat venizeliste dhe së bashku me ta internuan në Selanik disa nga lapangjozët vendas të propagandës greke dhe, mirë ua bënë dushmanëve. Më dëgjon, i kam të shkruara të gjitha, këtu në mendje:

Më 9 dhjetor u biseduan hollësitë për organizimin e administratës shqiptare, që do të themelohej ne Korçë.

Për të siguruar një bashkëpunim midis elementeve me pikëpamje e rryma të ndryshme, burri i mençur Themistokli vendosi që në keshillin qeveritar të merrnin pjesë edhe persona qe ishin si krerë të propagandës greke. Nuk e meritonin djajtë me çizme, por ç’të bënte djali. Me taktiken e tij mundi të zgjedhë në keshillin qeveritar disa nga këta, të cilët i thirri në shtëpinë e tij duke i vënë përpara një fakti të kryer. Ne këto bisedime Themistokliu mori me vete edhe disa nga “djemtë” që nuk i ndante kurrë, si Andrean, Qemalin, Mehmetin, Sejfullanë e Maliqin.

Mbrëmjeve mblidheshin pranë vatrës në shtëpi dhe bisedonin kokë më kokë, u shkëlqenin sytë prej shpresës dhe besimit. U shërbeja djemve me durim e dashuri. I mbuloja me kuverta të ngrohta kur i kotëte gjumi. Lodheshin djemtë e nënave, lodheshin. Po bënin një punë të paqme:
Mes luftës së keqe, midis fuqive të mëdha, qyteti ynë po bëhej më vete, oaz paqeje…

Populli në këtë kohë mbushi rrugët, priste me nderime dhe entuziazëm Miston me shokë, i shoqëroi deri në Prefekturë ku do të bëheshin bisedimet.
Themistokliut kishte zënë miqësi me kolonelin frances Henri Dekuen. Ai ishte goxha burrë, i pashëm, gojëëmbël, ta pije në kupë. E donte Miston, si vëlla, respektonte qytetin dhe ëndrrën tonë.

Një mbas dite moti të ngrohtë, djemtë qëndronin në verandën e shtëpisë sonë, dhe unë u servira lëng lule manaferre. Misto ishte veshur me kostum gjahtari, ndërsa koloneli Dekuen me uniformën e ushtrisë franceze. Koloneli Henri Dekuen piu me ngadalë lëngun e shijshëm të manaferrës më buzëqeshi në shenjë falënderimi dhe i tha Themistokliut:
“Do të tregoj një sekret, miku im Misto. Më lejon të quaj me emrin që të thërresin korçarët, hë?!

‘Më quaj si të ndjehesh më mirë,’- i tha Misto me qetësi dhe shtriu këmbët.
‘Faleminderit i nderuar. Në fillim pa të njohur, pa rënë në kontakt me ju, ne të quajtëm ‘brigand’, të shihnim me dyshim. Komanda e lartë na udhëzoi të keni kujdes me këtë njeri. Por tani me respekt e deklaroj: Themistokliu Gërmënji më bëre përshtypje të mirë. Qysh në paraqitje, ke fytyrë të çiltër, të sinqertë, trup gjatë, qëndrim burrëror, me sjellje të përsosura.
‘Oh, ju lutem,’- ia bëri Mistoja dhe u skuq.

‘Ideali juaj është i admirueshëm miku im. Ju kujtohet kur ju pyeta, dhe ju burrërisht e çiltërsisht më thatë: Jam atdhetar shqiptar. Nuk kam arsye të kem armiqësi me francezët dhe s’kam qenë kundër jush. I quaj shovinistët grekë armiqtë tanë më të këqij. Jam me ata që garantojnë lirinë e atdheut.’

Misto qeshi lehtë dhe me seriozitet shtoi:
‘Sigurisht që nuk kam asnjë arsye. Unë e respektoj Francën, historinë, kulturën, traditën, personalitet e saj të shquara; shkrimtarët e mëdhenj, filozofët, shkencëtarët, iluministët, piktorët, etj. Franca e diturisë, vendi i demokracisë: i lirisë, barazisë, vëllazërisë. Franca që i dha Evropës dhe botës mbarë zhvillim dhe përparim. Por përsëri them mik i nderuar, koloneli Dekuen: Jam me ata që garantojnë lirinë e atdheut.’

‘Këto janë cilësi të veçanta miku im, të veçanta,’- tha koloneli Dekuen i përskuqur dhe i kënaqur shumë, që Misto ja lavdëroi Francën, vendin e tij:- ‘Lufta më detyroi të gjesdis gjithë Ballkanin, por vetëm në qytetin tuaj ndjeva burrërinë, fisnikërinë, dëshirën për dituri, flladin, civilizimin Evropian.’

‘Pikërisht, ndaj ne kërkojmë autonomi,’ – i tha Misto.
‘Ke të drejtë,’- i tha koloneli Dekuen dhe zë ulët shtoi:- ‘Ta themi mes nesh, kur jam këtu mes jush, ndjehem ca si më ndryshe.’
‘E kuptoj, ndaj nuk thonë kot O Korçare, o hiç fare,’ – i tha Misto me të qeshur. Koloneli Dekuen qeshi lehtë. Na kishte rënë në sevda oficeri frances me një çupën tonë.

Ngjarje e shënuar, e paharruar qe 10 dhjetori i 1916, kur Korça u shpall Krahinë Autonome. Qyteti ynë i dashur bë si një ishull i lulëzuar në gojën e përbindëshave. Sipas protokollit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora do të administroheshin nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. U ngrit një këshill administrativ prej katërmbëdhjetë vetash. Kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin.

Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “Autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez.

Këshilli qeveritar me në krye Themistokline erdhi në Prefekture. Aty një togë ushtaresh franceze i priti djalin tone me nderime të posaçme. Koloneli Henri Dekuen dhe Themistokli Gërmënji dolën në ballkonin e prefekturës dhe mbajtën që të dy nga një fjalim të shkurtër. Midis brohoritjeve të popullit u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall Republika Shqiptare e Korçës.

Më rahu zemra me vrull, u përlota kur Themistokliu, ai burrë i rrallë, tundi gjithë madhështi flamurin kuq e zi. E shihja, i dridheshin mollëzat Burrit të dashur të qytetit prej emocionit. Më ngjau sikur fluturonte krenar, bashkë me shqiponjën tonë në qiell të hapur. Pashë nga zonja Dhoksanë dhe ajo qante e ngazëllyer. U përqafuam. Ishin lotë qëzimi dhe hareje.