Misionar i Dashurisë

0
848

Misionar i Dashurisë

Më lejoni që tani,
të përshkruhem me thjeshtësi!
E t’i hedh në fletë ca rreshta,
që formojnë një poezi.

Në një fshat të bukur linda,
në një kohë plot vështirësi.
Por shumë shpejt e kuptova
se gjithçka është dashuri.

Shumë herë qielli përmbi mua
dukej sikur mbante zi.
Atëherë besimi rritej
dhe më jepte ngrohtësi.

Jam i lumtur dhe plot shpresë
të vesh krahët e lirisë.
Që të jem njeri pajtimi,
Misionar i Dashurisë.

Shkodër, më 19.01.2017

Sa mister i bukur!

“…të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji,
për t’i turpëruar të fortët”. (1 Kor. 1, 27)
Sa mister i bukur,
Ti o Zot,
se ëmbëlsisht
në vogëlsira
e në hollësira
banon,
më shumë
se kudo,
dhe bota,
pikërisht këtë,
nuk kupton!

Shkodër, më 24.07.2018

… Kurora e premtuar që na pret!

Do të na pengojnë
shumë,
do të na kundërshtojnë
dhe luftë mbase do të na bëjnë.
Ecja besoj
e gjatë do të jetë,
dhe e mundimshme,
sepse shumë i madh
është çmimi
dhe Kurora e premtuar
që na pret.

Shkodër, më 09.05.2018

Gozhda mbi trupin Tënd…

Megjithëse
Ti u ringjalle
të tretën ditë.
Tashmë,
pas mijëra vitesh,
me habi,
mbi trupin Tënd
të shenjtë,
shoh gozhda
përsëri,
o Zot Jezus!
Prandaj,
me zemër të lutem:
Ki mëshirë për mua
dhe për të gjithë ata
që akoma
Ty të kryqëzojnë!

Shkodër, më 06.09.2018

Shën Shtjefni

Të vranë me gurë,
o Krisht ki mëshirë!
Dhe ti i fale,
si vëlla i mirë.

Le të buçasë zëri,
i fortë si rrufe:
O shën Shtjefni,
lutu për ne!

Shih dhimbjet tona,
lut Zot e Zojë!
Sot bota jonë,
për lutje ka nevojë.

Pajtori ynë,
martir për fe.
Nga Qielli i shenjtë,
lutu për ne!

Blinisht (Lezhë), 1994

Faleminderit, Mari!

Faleminderit, Mari,
sepse me “po˗në” tënde
na fale Shpëtimtarin!

Faleminderit, Mari,
sepse na shoqëron
dhe na udhëheq drejt Jezusit!

Faleminderit, Mari,
sepse në dhimbje dhe gëzim
je gjithmonë me ne! Amen!

Rrëshen, shtator 1994
Nikolin Sh. Lëmezhi