Mirela Sula: “Mirë se erdhe në Londër, por mos u merr me shqiptarë”

0
1246
Mirela Sula

http://www.thealbanian.co.uk6 shtator 2016

Mirela Sula ka vetëm tre vjet që ka ardhur në Londër dhe të gjithë tashmë e njohin me emrin “Migrant Woman”. Kur e pyesin nga je – ajo përgjigjet “I am a migrant woman from Albania”. Një grua që ka filluar të influencojë në mjediset Londineze imazh pozitiv për të gjithë shqiptarët. Mirela është në Londër për të ndjekur studimet e doktoraturës në psikologji por në të njëjtën kohë ka ndërmarrë një sërë iniciativash dhe në mënyrë paralele është angazhuar me shumë projekte grash. Sukseset e saj nisën fillimisht me revistën “Albanian Woman”, pastaj me “Migrant Woman Magazine” dhe tashmë projekti i saj për fuqizimin e femrës është shtrirë në rrafsh global me “Global Woman Magazine”.

E njohur si autore e shumë librave, botimi i saj më i fundit i klasifikuar si “best seller” në Shqipëri “Mos e Lër Mendjen të Ikë” është botuar në Amerikë, Turqi dhe së shpejti do të botohet edhe në Itali. Për gjate këtyre tre viteve Mirelaka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar, sidomos në kuadër të fuqizimit te grave dhe sapo është përzgjedhur si Gruaja Frymëzuese e Vitit në Britani.

Si nisi udhëtimi në profesionin tuaj?

Karriera ime ka nisur si mësuese fshati në një shkollë të vogël me rreth 30 fëmijë (klasa ime kishte rreth 10 nxënës) në një periferi Pukës. Më duhej të ngjisja kodrën rreth një orë me këmbë për të shkuar në punë apo për të dalë në qytet, por në atë kohë isha e re dhe plot ëndrra, ndaj dhe më dukej sikur udhëtimi im sapo kishte filluar drejt një destinacioni që nuk e dija por e ndjeja se do të ishte pjesë e qëllimit tim në jetë. Më pas, u ngrita në detyrë, u bëra mësuese qyteti (qesh), u transferova si mësuese në shkollën 8-vjevcare Migjeni në Pukë dhe në të njëjtën kohë fillova të aktivizohesha me projekte të ndryshme të grave.

Pas një fare kohe solla në jetë një fëmijë të sëmurë ndaj mu desh të shkëputesha nga puna dhe nga shkolla që të kujdesesha për të. Në përpëlitjet e dhimbjes për ta mbajtur gjallë mbaj mend veten duke ecur në rrugët e Tiranës për herë të parë. Teksa i laja me lot ato rrugë duke u munduar të përballoja klithmat e sime bije në spital e pyesja veten: çfarë do ndodhë me jetën time, jam vetëm 22 vjeçe dhe më duket vetja si e humbur në këtë botë që duket krejt e huaj për mua. Për herë të parë eksplorova Tiranën dhe shihja që shoqet e mia shkonin në shkollë apo ndiqnin ëndrrat e tyre, ndërsa unë dergjesha në spital e zhytur në depresion me time bijë vetëm 7 muajshe. E kush mund t’i kuptonte ankthet e një gruaje të re fshati si unë.

Fundja kush isha unë? Askushi, një nuse fshati që duhej të fshija çdo ditë oborrin, të piqja bukën në furrë, të prisja berret kur vinin nga mali, të milja lopën, të laja rrobat me dorë dhe për këtë duhej të ndizja një zjarr të madh përjashta me një kazan të madh me ujë të ngrohtë teksa ngrija së ftohti në borë. Ja kështu ka nisur udhëtimi im. Kur humba edhe time bijë e cila nuk ia doli dot të jetonte thashë se udhëtimi mbaroi, kaq ishte.

Por pasi luftova me deperesionin që askush nuk donte t’ia dinte (duke e shtypur veten të mos marr ilace) mu desh të ngrihesha në këmbë sepse një fëmijë tjetër do vinte në jetën time dhe unë duhej të jetoja për të. Dhe jo vetëm të jetoja por të fuqizoja veten që t’i jepja atij një fëmijëri të lumtur dhe jo si e imja. Vetëm pas një viti kur në jetë kishte ardhur im bir, bëra gati valixhen dhe u nisa për një jetë të re në Tiranë. Një udhëtim që nisi për të më hapur shumë shtigje të tjera.

Udhëtimi në Tiranë u pasua me udhëtimin për në Londër? Çfarë ju shtyu ta merrnit këtë hap?

E vërteta fare është që kisha ardhur në një pikë që doja të ndryshoja sërish jetën time. Për dhjetë vjet në Tiranë ndodhi revolucion në jetën time, arrita shumë gjëra që më përmbushën në karrierë, por gradualisht fillova të ndiej se nuk isha rritur shpirtërisht dhe mendërisht. Për mua kjo ishte shumë e rëndësishme dhe ndjeva një thirrje për të ndryshuar së brendshmi dhe provuar potencialet e mia.

Mendova: Nëse unë nuk bëj diçka për të ndryshuar, kush tjetër do ta bëjë këtë për mua. Kështu një ditë, pas shumë tentativash për ta motivuar veten se ka ende rrugë për të bërë, bëra gati valixhen dhe vendosa të ndahem nga e shkuara për të nisur një jetë të re me tim bir, në atë kohë 13 vjeçar në Londër. Erdha për të ndjekur studimet e mia të doktoraturës në Psikologji dhe në këta tre vjet jeta në Londër më ka dhënë edhe plot mundësi të tjera, për të eksploruar kapacitetet e mia.

Çfarë është atdheu për ty?

Atdheu për mua është një chip që rri brenda meje dhe e marr me vete kudo që shkoj. Është pjesë e imja, dhe marrëdhënia ime me të nuk ndryshon në varësi të vendodhjes, po në varësi të rritjes time. Kohët e fundit një ndikim të madh në këtë marrëdhënie ka luajtur edhe im bir, i cili ka filluar të bëjë një kërkim personal tejet të thellë, për të kuptuar dhe njohur më shumë rrënjët e atdheut të tij. Teksa ma përshkruan ndonjëherë më bën të besoj se shumë shpejt teoria ime për atdheun edhe mund të ndryshojë, e ndikuar nga konceptet e tij avangardë dhe patriotizmin e zjarrtë, që shfaq për Shqipërinë dhe Kosovën.

Dhe si nisi udhëtimi në Britani dhe bashkëpunimet me komunitetin?

Nuk ka qenë aspak e lehtë për mua t’ia nis nga fillimi, edhe pse i kam përzemër ndryshimet. Dhe kur them nga fillimi nënkuptoj që vendosa të lë çdo gjë pas, të bëj divorc me të shkuarën dhe të rilind një njeri i ri, në një botë të re. Duke lënë gjithçka pas duhej të merrja rriskun e fillimit të një jete plot sfida, e vetme me përgjegjësinë e nënës që ka aq shumë ëndrra për të birin. Më tri valixhe me vete që dy humbën rrugës, me fare pak kursime, pa asnjë lidhje apo kontakt, me një anglishte që linte shumë për të dëshiruar, por me një dëshirë të zjarrtë për t’ia dalë dhe të mos ketë kthim mbrapa.

Ndërsa bashkëpunimet me komunitetin filluan si një mënyrë për t’u bërë pjesë e një grupi, kisha nevojë të përkisja diku. Unë nuk i përkisja më të shkuarës, por e tashmja që po jetoja ishte shumë e paqartë, dhe akoma më e paparashikuar e ardhmja. Pika e nisjes filloi me komunitetin tim, por e vërteta që dëgjoja nga çdo shqiptar që takoja këtu ishte paksa e hidhur. Çdokush më thoshte: “Mirë se erdhe në Londër por mos u merr me shqiptarë”. Ishte një shok për mua, por nga ana tjetër nuk doja ta besoja.

Tani në këtë rrugëtim të shkurtër që kam bërë, kam njohur pa fund shqiptarë (sepse në fakt unë vendosa të merrem me ta) dhe sigurisht që ka pasur raste që jam ndjerë e zhgënjyer, por asnjëherë nuk jam penduar që zgjodha ta nis ecjen time me bashkatdhetarët e mi këtu. Ka qenë një zbulim i ri i vetes dhe njerëzve si unë, që vijmë nga e njëjta histori dhe ndajmë të njëjtat “minitrauma” nga rrënjët tona. Çdo gjë ndodh për një arsye. Dashuri-urrejtja që kemi për njëri-tjetrin është një lidhje traumatike, që ka nevojë të kurohet dhe kërkon kohë.

Është detyre e jona, e brezit tonë, që ta përmirësojmë karmën dhe të mos e trashëgojmë këtë virus në gjeneratat e ardhshme. Kam pasur fatin të njoh shumë shqiptarë, që manifestojnë një dashuri të pashtershme për veten dhe të tjerët dhe gëzohem teksa shoh se ky numër sa vjen e rritet sidomos tek të rinjtë. Dhe ky do të ishte mesazhi im për çdo shqiptar: aktivizoje dashurinë brenda vetes dhe shpërndaje këtë dhuratë për të tjerët.

Bisedoi Petrit Kuçana