MIRDITA NË OPTIKËN E ISAK AHMETIT

0
1423

(Intervistoi: Gjon M A R K U)
———————————-

1. Pyetje:
————-
Si fillim, profesor, dy fjalë jo dhe aq “zyrtare” për lexuesit e këtij edicioni, kush është Isak Ahmeti në trinomin: shkrimtar, studiues dhe profesor?

Përgjigje:
—————-
Isak Ahmeti, biri i Marisë dhe Gjergjit, u lind më 25.03.1946 në fshatin Stubëll, Komuna e Vitisë (Kosovë). Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, Viti dhe Zhegër. Pas studimeve klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitëve në Dubrovnik, përkatësisht pas maturimit në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ndoqi studimet për filozofi dhe teologji në Kroaci. Më pas ka kryer edhe Fakultetin Filozofik, degën e Albanologjisë, ku edhe është lauruar duke marrë titullin: profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Ka realizuar qëndrime specializimi në Itali dhe Gjermani.

VEPRAT
————-
1. Gallatea, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1972,
2. Uratë zbulimi, poezi, Rilindja, Prishtinë 1976,
3. Kushtimebesë, poezi, Rilindja, Prishtinë 1983,
4. Njeri i kohës sime, poezi të Salvatore Quasimodos, përkthim nga italishtja, Rilindja, Prishtinë 1979,
5. Qumështi i zi i agimit, antologji e lirikës së re gjermane, Rilindja, Prishtinë 1988,
6. Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, SHB “Drita”, Ferizaj-Bergamo (Itali), 1994,
7. Kosova, monografi, Cenzor Imzot Nikë Prela, Prishtinë 1996,
8. Bibla në Letërsinë Shqiptare, Rilindja, 1999,
9. Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, Illyricum Sacrum, Prishtinë 2000,
10. Weise Zeit (Kohë e bardhë), poezi gjermanisht-shqip, Botues “Shtjefën Gjeçovi”, Zym-Has, 2000,
11. Kur’ani në Letërsinë Shqiptare, botim elektronik, 2006 (Shkoder.net… Fjala e Lirë),
12. Mëvetësi e studimit dhe krijimit të letërsisë, ShB”Faik Konica”, Prishtinë, 2014, dhe
13. Vepra vlerash të mëdha poetike, Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës, ShB”Faik Konica”, Prishtinë 2018.

Përveç këtyre veprave, autori në fjalë ka botuar, gjithashtu, nëpër revista letrare dhe shkencore (në Prishtinë, në Shkup, në Zagreb, në Sarajevë, në Shkodër, në Tiranë etj.), mbi 200 njësi bibliografike (artikuj, kritikë letrare, vështrime, recensione dhe studime nga fusha e letërsisë, filozofisë dhe kulturës).

Poet, përkthyes i afirmuar letrar nga gjuha italiane, gjermane, spanjole dhe latine dhe studiues, Isak Ahmeti është përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Është përfaqësuar edhe nëpër bibliografi të ndryshme të kritikës letrare shqipe (në Prishtinë, Tiranë etj.). Për veprën e tij kanë shkruar me dhjetëra e dhjetëra autorë, shqiptarë dhe të huaj; ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt studimi dhe observimi si dhe pikë referimi për shumë autorë (shqiptarë dhe të huaj).

Isak Ahmeti është laureat i shumë mirënjohjeve dhe çmimeve, edhe i Çmimit prestigjioz “Ndre Mjeda” i Qendrës Muzeore “Nde Mjeda” në Kukël dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, me motivacionin “Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës” (Kukël, 23 nëntor 2013).

Përveç si profesor i dalluar i Gjuhës dhe letërsisë Shqipe (për tri e më tepër dekada), Isak Ahmeti ka ushtruar edhe një varg funksionesh shoqërore-politike dhe së fundmi edhe si kryetar i Komunës së Vitisë(1988-1989).

Është anëtar i LSHK që nga viti 1972 (shek.XX) dhe anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli në Paris.

2. Pyetje:
————-
Ne kemi sendërtuar një libër me intervista ku fokusohet Mirdita, në zhvillimet e veta historike, natyrisht në raport dhe me trevat e tjera shqiptare fqinje apo të ngjashme për nga zakonet e tradita?
Çfarë është ky emër dhe kjo krahinë për Ju?

Përgjigje:
—————-
Mirdita si trevë, si regjion, për mua personalisht, por besoj, edhe për shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ka qenë dhe ka mbetë një Shqipëri ndër shekuj, që ka jetuar jetën në mënyrën e vet më autentike, duke e ruajtur identitetin e mëvetësishëm, qoftë atë etnik, shpirtëror, kulturor dhe kombëtar. Si trevë interesante dhe me shumë vlera të pamohueshme etnokulturore, Mirdita, me qendër në Orosh, është një krahinë nga më qendroret e shtetit të Arbërit, ajo ka mbetur zona më aktive në gjithë vendin për kryengritjet kundër Perandorisë Osmane dhe për pavarësinë e vendit. Mirdita dhe mirditorët zënë një vend të spikatur edhe në letërsinë kombëtare, ajo me shekuj ka qenë shtyllë edhe e katolicizmit dhe mbrojtëse e identitetit kombëtar, ka qenë qendër e qëndresës popullore shqiptare, ka qenë dhe ka mbetur minierë e pashterur vlerash kulturore.

Ajo, siç e ka vlerësuar edhe Gjokë Beci, ka qenë dhe është jetë, edhe ar edhe art, madje mirditori gjatë shekujve ka kultivuar shpirtin e tij prej artisti. Vlen të theksohet këtu, madje në mënyrë shumë të veçantë, se Mirdita ka dhënë një lagje të tërë personalitetesh të njohura, një plejadë humanistësh shqiptarë që kanë dhënë një ndihmesë të çmueshme për Rilindjen Evropiane-italiane veçmas. Shquhen Gazullorët, Xhovani, Pauli dhe Andrea Gazulli, të cilët, siç dihet tashmë, njëri pas tjetrit, ishin ambasadorë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468) në Republikën e Raguzës(Dubrovnikut) për vite të tëra. Mos të harrojmë këtu të përmendim edhe Papën shqiptar, Klementi XI, që ishte nga Laçi.Janë këta emra të njohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për më tepër, Mirdita, si një univers, është pasqyruar në mënyrë dinjitoze në veprën enciklopedike “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” të autorit Gjon Marku, ku përmes 61 figurave të intervistuara, përmes intervistave të tyre, parakalon historia dhe kultura e trevës së Mirditës ku kanë sunduar princë nga Dera e njohur e Gjomarkajve ; aty parakalojnë figura të njohura që i kanë dhënë emër kësaj krahine nga më të njohurat në Shqipëri dhe më gjerë si Zef Mirdita, Kolë Jakova, Atë Zef Pllumi, Jup Kastrati, Ismet Elezi, Ahmet Osja, Mark Krasniqi, Mikel Prenushi, Pjetër Arbnori, Don Lush Gjergji, Aleksandër Meksi etj. deri tek më të rinjtë të cilët, siç e ka vënë re edhe studiuesi Vlash Prendi (te libri Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë, fq. 196), po e ngrejnë emrin, dinjitetetin dhe kulturën e kësaj treve në lartësi të reja, si Ndue Dedaj, Gjon Marku, Mark Gjoka, Frrok Çupi, Mark Marku, Gjokë Beci, Viktor Gjikolaj, Nikollë Loka etj.

3. Pyetje:
————-
Si dhe sa ka mbërritur te Ju jehona e ngjarjreve historike të kësaj krahine, e cila dy-tre shekujt e fundit udhëhiqej nga Kapidani i Mirditës, po që kishte dhe një Abaci mjaft të hershme në Orosh, që për tridhjetë vite është drejtuar nga Abati Prend Doçi “Nderi i Kombit”, poet nismëtar i Rilindjes, kryesues i Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, pra me një vepër me rrezatim kombëtar?

Përgjigje:
—————-
Gjatë qëndrimit tim katërvjeçar për studime klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitive në Dubrovnik (vitet e 60-ta, shek.XX), më pat ra në dorë libri: Lule, i autorit të njohur austriak, Fabian Barcata, libër ky që me pat fascinuar tej mase. Që atëherë e deri më sot, me shumë interes dhe përkushtim, kam lexuar një literaturë të pasur, por të përzgjedhur, ku ishin përshkruar ngjarjet historikr të krahinës së Mirditës. Kjo krahinë, e udhëhequr dy-te shekujt e fundit nga Kapidani i Mirditës, kishte edhe një Abaci, mjaft të hershme, në Orosh, të cilën, siç dihet, për disa dekada e drejtoi Abati Prend Doçi “Nderi i Kombit”, por edhe poet nismëtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe kryesues i Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër.

Imzot Prend Doçi, të cilin e kam përfaqësuar mjaft denjësisht te libri im:Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, botues”Drita” Ferizaj – Bergamo (Itali), 1994, njihet edhe si organizator i një kryengritjeje, në bashkëpunim me Derën e Gjomarkajve, që të fitonte indipendencën e popullit shqiptar. Por kryengritja në fjalë, siç dihet, u shtyp dhe Imzot Prend Doçi u zu rob dhe u internua në Turqi, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. Mirëpo edhe në arrati ai do zhvillojë një veprimtari të jashtëzakonshme. Është ky kleriku shembullor që, në mënyrë të organizuar, sipas shembullit të Imzot Pjetër Bogdanit, luftoi me armë, me fjalë e penë për pavarësinë e Atdheut. Shembullin e Abatit të Mirditës do ta ndjekin edhe klerikë të tjerë si Dom Prend Suli, Dom Zef Skana, Dom Nikollë Kimza etj.e së voni edhe Pater Ambroz Marlaskaj, dijetar mirditas i niveleve evropiane, doktor filozofie, që, fatkeqësisht, u la gjatë në hije të plotë.

Le të theksojmë ketu edhe faktin se Imzot Doçi ishte i pari që themeloi një shkollë e një konvikt për djelmoshat mirditorë për t’i edukuar me ndjenjën e patriotizmit e të kulturës.Ai nuk hapi shkollë fetare, por një shkollë që t’ i shërbente popullit të Mirditës, dhe jo vetëm atij , për të zhvilluar kulturën e domosdoshme për atë kohë-thotë At Zef Pllumi.

4. Pyetje:
————
Konkretisht në Kongresin e Manastirit (1908) fitoi pikërisht Alfabeti i “Bashkimit” në Shkodër, për rrjedhim dhe i vetë Doçit? A nendoni se i është dhënë vendi i merituar në studimet shqiptare Kongresit të Alfabetit?

Përgjigje:
————-
Shumë e saktë.Në Kongresin e Manastirit(1908), që ndryshe quhet edhe Kongresi i Alfabetit, fitoi pikërisht Alfabeti i “Bashkimit” për rrjedhim, siç thuani edhe ju, i vetë Doçit. Ekziston një literaturë e tërë, ndonëse jo e mjaftueshme, për këtë ngjarje historike, që kishte të bënte me unifikimin e një alfabeti të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres u aprovua, fatbardhësisht, alfabeti me shkronja latine, që do provokojë, më pastaj, myslimanët injorantë e konservativë të asaj kohe…

Dihet tashmë se për këtë Kongres janë bërë mjaft shkrime, shpesh të njëanshme e me ngjyrime ideologjike, janë edhe dy publikime të veçanta, njëri:Kongresi i Manastirit (Tiranë, 2004) i Shaban Demirajt & Kristaq Priftit dhe tjetri: A. Buda: Alfabeti i Gjuhës Shqipe dhe Kongesi i Manastirit, studime, materiale, dokumente (Tiranë, 1972), etj. Pavarësisht kësaj, mendoj unë, akoma nuk i është dhënë vendi i merituar në studimet shqiptare Kongresit të Manastirit.

Le të shpresojmë se studiuesit dhe historanët tanë të gjeneratave të reja, të çliruar nga paragjykimet ideologjike, do i japin një vend më të rëndësishëm dhe më meritor këtij Kongresi, ku rolin kryesor e pati At Gjergj Fishta, Homeri shqiptar, që ishte i anatemuar për pesë dekada !…

5. Pyetje:
————–
Shqiptarët janë përballur me një problem të madh në këto njëqind e ca vite, me përpjekjet sllave për asimilimin kulturor të popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., ku dhe sot e kësaj dite nuk ka një qarkullim kulturor të mjaftueshëm të librit, filmave, koncerteve, panaireve, ekspozitave, të turizmit etj.Jemi i vetmi popull në botë që ndahemi me kufinj të ndryshëm mes veti që edhe më tej mbetet problemi i pazgjidhu i identitetit?Cili është opinioni Juaj?

Përgjigje:
————-
Shqiptarët, para se të përballeshin me përpjekjet sllave për asimilimin e tyre kulturor, ishin përballur me sundimin e egër pesëshekullor osman. Pavarësisht kësaj të zeze sllave dhe osmane veçmas, shqiptarët kanë arritur të mbijetojnë si popull, si komb. Madje ata sot kanë dy shtete në Ballkan, janë këto Shqipëria dhe Kosova, por që, fatkeqësisht, nuk po arrijnë dot të integrohen mes veti as në sferën kulturore as në sferën ekonomike e lëre më në BE!As sot e kësaj dite nuk ka një qarkullim normal, mes këtyre dy shteteve, të librit, filmave, teatrove etj. Ende kemi paragjykime dhe barriera!… Fajtor kryesor jemi ne vetë, faktori shqiptar, institucionet tona edhe andej edhe këndej, që janë kapur nga njerëz të papërgjegjshëm dhe të pandërgjeshëm, dhe injorantë!…

Problemi i identitetit? Për çfarë identiteti është fjala? Ne kemi identitetin kombëtar shqiptar që është toka, gjuha, gjaku, historia, tradita. Kombi shqiptar ngrihet mbi gjakun shqiptar… Por ka zëra, kohët e fundit, që thonë se pavarësia e Kosovës, si një projekt sui generis, do mund të ndikonte në thellimin e dallimeve në mes “Shqiptarëve” dhe “Kosovarëve”. Mirëpo, mendoj unë, dhe besoj, kam të drejtë kur themi se identiteti i shqiptarëve dhe kultura e tyre në pëgjithësi janë më të gjera se kufijtë e shtetit-shteteve shqiptare dhe kjo thjeshtë në kuptimin figurativ, pasi kultura e një populli është më e madhe se kufijtë shtetërorë.

6. Pyetje
————
Ju jeni studiues i njohur i poetit mirditas Ndre Mjeda qysh heret kur për të ishin të pakta studimet dhe publikimet. A mund të risillni të përmbledhur në kuadrin e kësaj interviste?

Përgjigje:
—————
Duke u marrë me jetën dhe veprën e Ndre Mjedës kisha vërejtur një nivel të ulët të studimeve, edhe ato që ishin bërë kishin ngjyrime ideologjike. Diçka më tepër, sipas mjedologut Mentor Quku, kishin bërë disa shkrimtarë dhe shkenëtarë të kategorisë së parë si Dh. S. Shuteriqi, Vehbi Bala, Jup Kastrati, Mark Gurakuqi, Rexhep Qosja, Milazim Krasniqi, Isak Ahmeti, Sabri Hamiti e ndonjë tjetër. Por edhe kjo ishte pak, jo e mjaftueshme. Me dekada ishte neglizhuar dhe keqinterpretar, në mënyrë të pajustifikueshme, figura dhe vepra e Ndre Mjedës. Të çoroditur nga pasionet e kohës, apo nga pamja e një prifti të humbur fshati, ne shqiptatët kishim bërë shumë faje ndaj këtij kolosi të kulturës shqiptare ,dhe jo vetëm ndaj këtij.

Ndryshe nga ata që ishin të influencuar nga ideologjia marksiste-leniniste dhe nga soc-realizmi dhe nga ata që që e kishin neglizhuar dhe sharë Ndre Mjedën, unë shkrova dhe botova artikuj dhe studime ku, në një frymë krejtësisht të re, moderne dhe evropiane, duke rivlerësuar dhe çmuar atë si një gjeni në kulturën shqiptare. Duke u nisur nga kritere artistike dhe estetike,e kam vlerësuar atë si poetin dhe klasikun më të madh në letrat shqipe. E kam vlerësuar atë, madje unë për herë të parë, edhe si përkthyes të përkryer të poezisë së Gëtes në shqip.

Në një frymë krejtësisht ndryshe nga të tjetët e kam vlerësuar artin e Mjedës. Dhe në këtë drejtm, besoj, kam dhënë një kontribut të veçantë. Shi për këtë kontribut rreth artit të Mjedës, Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë më ka ndarë Çmimin-Diplomën “Ndre Mjeda” me motivacionin”Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe artit të Mjedës”(Kukël, me 23 nëntor 2013).

7. Pyetje:
————-
Po për letërsinë e sotme të autorëve mirditorë, e cila është shumë më e larmishme në poezi dhe prozë, çfarë mund të na thoni, nëse keni mundur të jeni sadopak në kontakt me botimet e pas 90-tës?

Përgjigje:
————–
Letërsia e sotme e autorëve mirditorë përditë e më shumë po pasurohet me vlera të reja, me botime të reja. Ajo, në bazë të kontakteve dhe njohurive që kam, është shumë më e pasur dhe më e larmishme në poezi dhe prozë. Kam njohuri se kohët e fundit janë bërë botime të rëndësishme dhe me vlera shumëdimensionale nga autorë mirditorë si Pal Doçi, Nikollë Toma, Gjon Marku, Mark Tirta, Pjetër Marku etj.Disa nga shkrimtarët e njohur mirditorë si Ndue Dedaj, Gjon Marku, Vlash Prendi etj. i njoh personalisht, e njoh veprimtarinë e tyre letrare, shkencore dhe publucistike si dhe angazhimin e kontributin e tyre në letrat shqipe. Për këta autorë kam një konsideratë të veçantë, madje edhe kam shkruar për ta…

8. Pyetje:
————–
Cila ka qenë njohja dhe marrëdhënia juaj me mirditorët, me ata të rrafshit të letërsisë, studimeve në eksperiencat sidomos me ata që e lidhen aktivitetin e tyre me Kosovën si Anton Çetta, Zef Mirdita, Gjergj Rrapi, Lush Culaj etj.?

Përgjigje:
—————–
Kam pasur fatin që Anton Çettën dhe Zef Mirditën t’i kem pasur profesorë gjatë studimeve në Fakultetin Filozofik dega e Albanologjisë, ku Zefi më ka ligjëruar lëndën e latinishtës ndërsa Antoni Letërsinë e Vjetër Shqipe. Më vonë me ta kam pasur raporte shumë miqësore por edhe raporte të frytshme bashkëpunimi në fushën e albanologjisë. Ishin shumë të përkushtuar dhe të dashur tek studentët. Kam një konsideratë të veçantë edhe për njërin edhe për tjetrin veçmas për kontributin e tyre në lëmin e shkencës e të kulturës shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Kam njohur edhe Gjergj Rrapin dhe Lush Culajn, me të cilët nuk kam pasur raporte bashkëpunimi. Por e njoh dhe çmoj lart kontributin e tyre në shkencë dhe për Kosovën.

9. Pyetje:
————-
Ju keni në dorë librin “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”? Cili është opinioni juaj për këtë botim dhe sa ai i kontribuon kulturës dhe historisë së Mirditës, studiuesve në të ardhmen?

Përgjigje:
—————
Këto vitet e fundit, në bazë të njohurive që kam, kam vërejtur se dita-ditës janë shtuar dhe po shtohen botimet për Mirditën, të shkruara nga autorë mirditorë. Po përmendi me këtë rast edhe botimet që i kam pasë në dorë si Toka e Katedraleve, të Ndue Dedajt, Ndërfana, të Gjon Markut, Krenaria, të Nikoll Tomës e të ndonjë tjetri, të cilët i çmoj lart. Por vepra, do thoja enciklopedike, për Mirditën është: Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën, Tiranë 20O9, fq. 747, e autorit Gjon Marku, shkrimtar, studiues, publicist dhe gazetar i njohur.

Në këtë vepër që është vlerësuar afirmativisht nga shumë autorë dhe studiues, edhe nga unë në një shkrim të veçantë, Gjon Marku ia ka arritur të përjetësojë vlerat e Mirditës duke iu dhënë vendin e merituar si vlera kombëtare. Në hulumtimet e tij, ai i ka trajtuar shumë nga këto pasuri që i ofron krahina e Mirditës. Po ai këto i sjell, me shumë mençuri e pedantëri, nëpërmjet dëshmive të të tjerëve duke u bërë kështu dëshmitar i gjithë kësaj pasurie kulturore, prandaj në përzgjedhjen e personaluteteve , që ka intervistuar ,është treguar elitar.

Krejt në fund le të theksojmë se ky libër është një kontribut shumë i çmueshëm për ndriçimin e historisë së Mirditës dhe si i tillë do t’u shërbejë tej mase studiuesve në të ardhmen.

Në Durrës, maj 2018.