Isak A H M E T I – shkrimtar nga Kosova
Mirdita si trevë, si regjion, për mua personalisht, por besoj, edhe për shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ka qenë dhe ka mbetë një Shqipëri ndër shekuj, që ka jetuar jetën në mënyrën e vet më autentike, duke e ruajtue identitetin e mëvetësishëm, qoftë atë etnik, shpirtëror, kulturor dhe lombëtar. Si trevë interesante dhe me shumë vlera të çmueshme dhe të pamohushme etnokulturore, Mirdita, me qendër në Orosh, është një krahinë nga më qendroret në shtetin e Arbërit, ajo ka mbetur zona më aktive në gjithë vendin, për kryengritje kundër Perandorisë Osmane dhe për pavarësinë e vendit.
Mirdita dhe mirditorët zënë një vend të spikatur edhe në Letërsinë Kombëtare Shqiptare. Ajo me shekuj ka qenë shtyllë edhe e katolicizmit dhe mbrojtëse e identitetit kombëtar, ka qenë qendër e qëndresës popullore shqiptare, ka qenë dhe ka mbetur minierë e pashterur vlerash kulturore. Ajo, siç e ka vënë re edhe Gjokë Beci, ka qenë dhe është jetë, edhe art edhe art , madje mirditori gjatë shekujve ka kultivuar shpirtin e tij prej artisti. Vlen të theksohet këtu, madje në mënyrë shumë të veçantë, se Mirdita ka dhënë një lagje të tërë pesonalitetesh të njohura, një plejadë humanistësh shqiptarë që kanë dhënë një ndihmesë të çmueshme për RILINDJEN EVROPIANE-ITALIANE veçmas.
Shquhen Gazullorët: Xhovani, Pauli dhe Andrea Gazulli të cilët, siç dihet tashmë, njëri pas tjetrit ishin ambasadorë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Republikën e Raguzës (Dubrovnikut), ku unë, për fat të mirë, kam kryer studimet klasike në kolegjin prestigjioz të Jezuitëve (në vitet e 60-ta të shek. të kaluar). Mos të harrojmë këtu të përmebdim edhe Papë Klementin e XI që ishte nga Laçi. Janë këta emra që njihen jo vetëm në rrafshin kombëtar…
Për më tepër, Mirdita, si një univers, është pasqyruar edhe në veprën enciklopedike “ANTOLOGJI E MENDIMIT TË SOTËM PËR MIRDITËN” të autorit Gjon Marku, ku përmes 61 figurave të intervistuara, përmes intervistave të tyre, parakalon historia dhe kultura e trevës së Mirditës ku kanë sunduar princ nga dera e njohur e Gjomarkajve.
Aty parakalojnë figura të njohura që i kanë dhënë emër kësaj krahine nga më të njihurat në Shqipëri dhe më gjerë si Zef Mirdita, Kolë Jakova, Atë Zef Pllumi, Jup Kastrati, Ismet Elezi, Ahmet Osja, Mark Krasniqi, Mikel Prenushi, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi etj. deri tek më të rinjtë, të cilët, siç e ka vënë re edhe studiuesi Vlash Prendi (te libri: Shtigjeve të traditës kulturore, fq. 196), po e ngrejnë emrin, dinjitetin dhe kulturën e kësaj treve në lartësi të reja si Ndue Dedaj, Gjon Marku, Mark Gjoka, Frrok Çupi, Mark Marku, Gjokë Beci, Viktor Gjikolaj, Nikollë Loka etj.
Vlen të theksohet se kohët e fundit, sipas njohurive që kam, letërsia e sotme e autorëve mirditorë përditë e më shumë po pasurohet me vlera të reja, me botime të reja, nga autorët mirditorë si: Pal Doçi, Nikollë Toma, Gjon Marku, Mark Tirta, Pjetër Marku etj. Madje disa nga shkrimtarët mirditorë si Ndue Dedajn, Vlash Prendin, Gjon Markun etj. i njoh edhe personalisht, e njoh veprimtarinë e tyre letrare, shkencore, publicistike si dhe angazhimin e kontributin e tyre në letrat shqipe…