Miratohet qeveria e re, Albin Kurti zyrtarisht kryeministër i Kosovës

2
765
Qeveria Kurti

Kryesore, Opinion.al03/02/20

Pasditen e sotme është votuar qeveria e re e Kosovës, pas një seance maratonë në Kuvend. Me 86 vota pro, Albin Kurti merr zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës.

Më herët, gjatë fjalimit të tij në Kuvend Kurti prezantoi edhe programin e qeverisë së tij, po ashtu ai shpalli dhe emrat e kabinetit të tij qeverisës.

Kurti tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”. Kursimet tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.

Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.

Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.

Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.

Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.

Kurti tha se do të angazhohet që qeveria nën drejtimin e tij të luftojë korrupsionin, të nisë procesin e vetting-ut të përgjithshëm si dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajve.

Nga aspekti politik, Kurti tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës. /Opinion.al

2 KOMENTE

Komentet janë mbyllur.