MIQ TË NDERUAR, TE “SHTËPIA E SHQIPTARIT”…

0
988
Llazar Vero

Shënime:

Nga: Llazar Vero, publicist-Filadelfia (SHBA)

“Shtëpia e shqiptarit”. kështu e thërrasin bashkatdhetarët tanë, Qendrën Kulturore të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të SHBA-ve. Kjo nuk është e rastit, porse aty zhvillohen veprimtari të shumta të kësaj Shoqate me emër, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe më gjerë. Vetëm gjatë vitit 2016, janë zhvilluar 34 veprimtari të larmishme: me karakter historik, shoqëror dhe kulturor. Por aty organizohen edhe ditëlindje, përkujtimore, babyshoëuer (një festë, para se nëna e re të lind fëmijën) etj. Në një ditë të tillë, u “pagëzua” kjo qendër me emrin e bukur, “Shtëpia e shqiptarit”. Dhe, si një shtëpi e madhe, ajo ka pritur dhe përcjellë, gjatë këtyre 15 viteve, shumë shqiptarë, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga trojet amtare dhe shtetet e tjera evropiane, ku kanë emigruar bashkatdhetarët tanë.

Ja, kështu ndodhi edhe këtë javën e fundit të vitit 2016. Nga Shqipëria, kishin ardhur për vizitë dy bashkatdhetarë të nderuar: Bajram Avdia dhe Mezan Resuli, i pari nga Tropoja dhe i dyti nga Çamëria. Të dy, biznesmenë dhe miq të mirë. Zërin ua kishim dëgjuar, vite më pare, nga miku ynë i përbashkët, Hysë Hasa, që jeton në Filadelfia dhe është anëtar e veprimtar i palodhur i Shoqatës sonë. Si parathënie të vizitës së tyre, miqtë e sapoardhur na dërguan dhuratë, para disa muajsh, një flakë elektronike, që është simbol edhe i grupit të tyre shoqëror, me emrin “Flaka”. Hysa, edhe pse larg tyre, vazhdon të jetë anëtar i këtij grupi.

Kryetari i Shoqatës sonë, Tajar Domi, së bashku me Ll.Veron dhe Rrapi Rokajn, kishin shtruar tavolinën, te salla e kafenesë, si për një ditë të veçantë. Një pritje-koktejl, me gjtha tëra dhe të gjitha me shpenzimet vetjake të tyre, për të nderuar vëllezërit tanë nga Shqipëria, pjesëtarë të Grupit shoqëror “Flaka”.

Duke iu uruar mirëseardhjen, Tajar Domi u foli miqëve, shkurtimisht, për jetën e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe punën e madhe, që bëhet për ruajtjen e kulturës dhe traditave më të mira të vendit tonë. Ai theksoi se, viti 2016, është një nga vitet me më shumë veprimtari dhe arritje.

Pastaj e mori fjalën i sapoardhuri, Bajram Avdia, i cili i falënderoi mikpritësit dhe vazhdoi të tregojë për jetën e tyre, në Grupin “Flaka”. Po çfarë është ky grup? Ata janë kolegë e miq, biznesmenë. Çfarë i ka bashkuar ata? Flaka e atdhedashurisë. Nuk jane bindjet politike ose partiake, as ato krahinore, as interesat e biznesit ato, që i kanë bashkuar, por thjesht si shqiptarë, si burra të ndershëm, familjarë dhe atdhetarë të mirë. Nuk janë pak motivet e bashkimit. Bile, janë nga ato me më shumë peshë. Motivi kryessor: “Ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, për vlera të vërteta”. Falë talentit të tyre, punës së madhe dhe sakrificave, ata kanë arritur të punësojnë me qindra njërëz në Shqipëri, kanë ndihmuar me qindra të vobekët. Pra, në përgjithësi, kanë bërë shumë punë të mira.

Kështu i shihje çdo mengjes të pinin kafen së bashku. Pastaj vendosën të organizohen më mire, si grup shoqëror. I gjetën edhe emrin. E quajtën Grupi “Flaka”. Ashtu si flaka e vatrës, që të mban grohtë dhe bashkë. Zgjodhën edhe kryetarin, sekretarin dhe gjykatësin. Të gjithë me detyra të plota veprimi demokratik. Dhe me disiplinë të forte, me asnjë shkelje.

Përsa u përket bindjeve politike, ata janë të ngjyrave të ndryshme, të majtë dhe të djathtë; bile, kanë në mes tyre edhe një me bindje komuniste, se është bindje e tij, e shokut dhe mikut të tyre. Ata e respektojnë njëlloj, njëri-tjetrin.

– Kur ishte i semurë ky,- tregon kryetari i grupit, Bajram Avdia,- shkuam për vizitë në shtëpi dhe i çuam dhuratë, portretin e udhëheqësit të tij shpirtror. U gëzua pa masë. Nuk e priste nga unë, që isha demokrat, i djathtë, si i thonë. Edhe im atë nuk është në një bindje politike me mua. Në zgjedhjet e fundit elektorale, ai votoi për Edi Ramën, për Partinë Socialiste, ndërsa unë për Partinë Demokratike. Ishte zgjedhja e tij. Dhe unë e respektoj, si atin tim dhe si njeri, me bindjet e veta.Në çdo fjalë të Bajram Avdisë kishte sinqeritet dhe krenari, urtësi dhe mënçuri. Një malësor i vërtetë, një njeri i emancipuar.

Mezan Resuli është miku i tij i afërt. Në grup e thërrasin “Zambaku i Çamërisë”. Në vështrim të pare, duket i qetë, pak i ngadaltë. Por ka kaq energji në shpirt, sa ia kalon edhe një më të riu. Eshtë kjo energji dhe mençuri, që ka bërë të mundur të ngrejë një biznes të suksesshëm në Durrës,ku ka punësuar rreth 300 punëtorë. Ka disa lokale tregëtie në këtë qytet dhe në Tiranë. Ka udhëtuar shumë për punë jasht vendit, por më shumë në vendet e Lindjes, si: në Kinë, Korenë e Jugut, Vietnam etj.

– Një here, festat e nëntorit më gjetën, së bashku me Bajramin, në Korenë e Jugut,- tregoi Mezani.- Kisha hedhur Flamurin tonë krahëve, si për festë dhe dola rrugëve te Seulit, kryeqytetit të vendit. Desha ta ngrija diku, në një shtizë, në një pemë… Dola në rrugën e flamujëve. Nuk e pashë gjëkundi Flamurin tonë. Na u ndez më shumë dëshira për ta ngritur diku. Ishte dita e tij. Disa koreanë të rinjë e vunë re shqetësimin, që kishim. E njohën Flamurin tonë. Filluan edhe ata të kërkonin mundësinë për ta ngritur diku. Dhe e ngritëm pranë Flamurit Amerikan. Ashtu, ishim të lumtur. Është i bukur Flamuri ynë, është i shënjtë!

Mezani është i lidhur ngusht me Veriun e vendit tonë dhe sidomos me Kukësin, ku ka punuar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Nuk i harron kurrë ato vite dhe ata njërëz të mirë. Përpiqet t’i ndihmojë herë pas herë. Gjatë dhjetorit 2016, çoi shumë pako me veshje për familjet në nevojë, në ato zona. Dhe ata nuk e harrojne kurrë Mezan Resulin, djalin nga Durrësi, që punoi kooperativist, birin e Çamërisë.

Biseda jonë, midis vëllezërish, dukej sikur nuk do të kishte fund. Japim dhe marrim për punët tona, por më shumë për ato veprimtari, që kanë të bëjnë me bashksinë, ku jetojmë, me vendin tonë dhe se çfarë mund të bëjë secili nga ne, si individ, si grup, si një tërësi.
Miqtë e nderuar Bajram Avdia, Mezan Resuli dhe dhëndëri i tij, Kujtim Mehmeti, i cili jeton në Filadelfia, gjatë bashkëbisedimit shprehën dëshirën të bëheshin antarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Plotësuan fletëantarësimet e dhanë ndihmë, në të holla, për Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, që funksionon në Fildelfia.

Kryetari i Shoqatës, Tajar Domi u dhuroi atyre nga një libër, I cili flet për jetën dhe veprimtaritë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, botuar me rastin e 10-vjetorit të krijimit të saj, si edhe nga një stilolaps, me simbolet e saj. Ndërmjet falenderimeve dhe përqafimeve vëllazërore, në fund të takimit u bënë disa fotografi, në mjediset e Shoqatës sonë.

…Ishte me të vërtetë një takim i ngrohtë dhe mbresëlënës, me këta bashkatdhetarë, të mënçur dhe punëtorë, nga Shqipëria, me këta burra fsnikë, që dinë të bashkohen vëllazërisht dhe të punojnë, me kaq ndershmëri dhe zemërbardhësi, për mbrothësinë e Shqipërisë sonë të dashur.

Filadelfia (Amerikë), dhjetor 2016