Milazim Kadriu, në kujtim të krijuesit (1958-2019)

0
628
Milazim Kadriu

Përveç shkrimeve inkurajuese për miqtë-krijues dhe krenarinë për arritjet e autorëve në krijimtari, ndodhë jo rrallë, madje dhe fare pa pritur, që të mësosh edhe lajme të dhembëshme, për ndarjen e hershme të tyre nga jeta dhe shkuarjen në përjetësi.

I tillë ishte edhe rasti i Milazimit, ani pse askush nuk e kishte menduar që për kohë aq të shkurtër edhe një penë shqiptare, do ti linte lamtumirën kësaj bote vdekatare, për të kaluar përgjithmonë në amshim.

Ndaj mësimi i lajmit për vdekjen e Milazim Kadriut, shkaktoi pikëllim të thellë, për familjen, miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin poetin tonë të mirë.

Jetëshkrimi i autorit

Sipas shënimeve biografike të tij, Milazim F. Kadriu u lind më 21.6.1958 në fshatin Revuçë të Besianës dhe vdiq më 13.07.2019 në Prishtinë.

Ai, si i ri pas përfundimit të shkollimit fillor në Llapias (Kërpimeh), kishte vijuar gjimnazin në Besianë, për të studiuar pastaj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë pranë Universitetit të Prishtinës.

Fillimisht u punësua në shkollën e mesme të Besianës e më pas në shkollën e Llapiasit ku kishte mbaruar edhe vet mësimet fillestare, për të dhënë tanimë kontributin e tij personal dhe punuar me elan e shumë përkushtim, si mësimdhënës në këtë institucion deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Me shkrime Milazim Kadriu kishte nisur të merrej qysh i ri, duke rënë në pah sidomos me poezitë për fëmijë e më vonë edhe me krijime për të rritur, me sprovimin e temave edhe në prozë e kritikë letrare.

Ishte bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja”, “Zërit të rinisë”, asaj “Shkëndija”, Bujku etj, ndërsa në vitet e 90-ta, kur gazetat në gjuhën shqipe u mbyllën me dhunë nga regjimi okupator i Serbisë, ai bashkëpunoi me gazetën kroate “Fokus” që dilte në Zarë.

Ushtar i lirisë

Milazimi ishte edhe ushtarë i UÇK-s, në kuadër të së cilës kontribuoi për lirinë e atdheut të vet, ndërsa pas mbarimit të luftës, një kohë punoi në radion lokale “Radio-Llapi”.

Përveç gazetarë, redaktor e kryeredaktor, ai ishte edhe bashkëpunëtor i redaksisë “Dëshmorët e UÇK-s”, si dhe bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë”, anëtar i redaksisë së revistës “Albi” dhe korrespondent nga Besiana i gazetave “Epoka e re”, “Gazeta e re”, “24 orë” ,”Kosova sot” etj.

Ndërsa si pjesëmarrës aktiv i luftës për liri, edhe njëri nga veteranët e nderuar të UÇK-së.

Krijimtaria letrare

Poeti Milazim Kadriu na vije si simbol i një poezie të ndjeshme, me bazament të qëndrueshëm atdhetar, i cili kujton me dhembje vuajtjet e shqiptarëve nën okupim.

E për të kuptuar më mirë ndjesitë patriotike të poetit, po shkëpus me këtë rast, disa rreshta të përzgjedhur nga poezitë e tij, si; “Dikush duhej të vdiste” vargje që i përkushtohen luftëtarit të atdheut, apo trimit të Arbërisë, të cilit siç shprehet poeti, as pas rënies për liri, armiqtë nuk arritën t`ia ndalnin buzëqeshjen:

– Dikush duhej të vdiste
*******************
– Në marshim drejt lirisë
– Plumbat që e morën
– S`ja ndalën buzëqeshjen trimit të Arbërisë”!

Autori i gëzohet,me të drejtë edhe fundit të durimit nën robëri, gjë që e shprehë në rreshtat vijues tek poezia “Pritja”:

– Pritjes i erdhi fundi,
– pushoi heshtja,
– u ngjall shpresa!

Se ai kishte besim në arritjen e lirisë një ditë, e thotë me bindje në poezinë “Ecëm pa u ndalë”:

– Nëpër terr, furtunë e rrufe
– kemi ecur pa ndalur,
– me shpresën se një ditë
– do ta shohim dritën

Bindje të cilën e forcon edhe më shumë në vargjet e poezisë “Shihja”:

– Edhe pse ishte robëri
*****************
– Shihja ardhmërinë
****************
– Shihja lirinë!

Duke i dhënë epilogun heshtjes me ri-ngjalljen e shpresës, tek rreshtat pasues të poezisë “Pritja”:

– Pritjes i erdhi fundi,
– pushoi heshtja,
– u ngjall shpresa!

Kështu që siç kemi rastin të shohim edhe në vargjet e mësipërme, poezinë e vet, z.Kadriu përveçse e ngriti në stil të duplikuar apo edhe triptik të artit, kronikës dhe metaforës, asaj edhe në vargjet e krijimeve tjera, i veshi një kostum solid me ndjeshmëri të sforcuara poetiko-patriotike, si tek rreshtat e poezisë “Oxhaqet”:

– Shtëpitë u rrënuan
– Oxhaqet mbetën
– Tymi ngrihet lartë
****************
– Dëgjohet kënga e lirisë!

Ndaj në vend të përfundimit, mund të themi se edhe në rreshtat e lartcekur, si në gjithë krijimtarinë e Milazimit, bie në sy përpjekja domethënëse për shpjegimin analogjik të autorit, se përkundër të gjitha peripecive, vrasjeve dhe dëmeve të luftës, çmimi që u kërkua nga shqiptarët, ata u treguan të gatshëm të paguanin për çlirimin përfundimtar nga Serbia.

Kështuqë edhe në poezinë “Ata që për liri u flijuan”, kushtuar dëshmorëve dhe heronjve të rënë për atdhe, poeti shprehet me krenari, se:
– Ata që për liri u flijuan
– Nuk vdiqën, pavdekësi fituan.
Pra poeti e dëshmon edhe një herë më tepër se ishin heronjtë dhe dëshmorët e kombit, ata që ranë në fushëbetejë, për ti bërë dritë atdheut të robëruar, ndriquar rrugën në ecjen kombëtare të vendit si dhe ngritur vetëdijen e shqiptarëve që për shumë kohë, kërkonin liri dhe çlirim nga okupatori serb.

Botimet kryesor të autorit:
“Lindi dielli” (poezi për fëmijë) viti 2000
“Biografi e shkurtër për dëshmorin Besnik Muharrem Restelica”, viti 2011
“Flakadani i lirisë” (50 autorë), viti 2012
“Tri shkronja” (poezi për fëmijë), viti 2014
“Uragani i lirisë” (20 autorë), viti 2017
“Refleksione letrare” , viti 2017
“Vështrime letrare”, 2017
“Monografi e shkollës së Llapiasit- (Kërpimëhut)”, viti 2018
Bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë”

Përveç krijimeve personale, Milazimi me poezitë e tij, u përfaqësua edhe në dhjetëra libra të krijuesve të tjerë, nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe kontribuoi edhe si redaktor, lektor e recensent i disa veprave të ndryshme letrare

Ndaj megjithëse është ligj i pandryshuar i natyrës, që pas një kohe të caktuar të shuhen edhe poetët dhe krijuesit, përkundër viteve dhe dekadave që do të kalojnë, vepra dhe kujtimi për të, e bëjnë të paharrueshëm autorin Milazim Kadriun edhe në amshim.

Gani Qarri