Nga e majta: Q.Mara e M.Gecaj (Tiranë, 23 tetor 2018)
Skicë:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Kur i lexon këto radhë ose ato, që ka shkruar vetë miku ynë Qatip Mara, të duket si një “përrallë” ose diçka e pabesueshme. Unë nuk do të flas gjatë, në këtë skicë modeste. Por tregoj shkurt se, tre vjet më parë, ai u sëmur shumë rëndë dhe u shtrua në spitalet e kryeqytetit tonë, shtetërore e private. Për fat të keq, zemra e tij ia rrezikonte jetën seriozisht. Në këto kushte, familjarët e tij e dërguan në një spital të Torinos dhe më pas në një tjetër, në Milano-Itali. Megjithatë, gjendja iu rëndua dhe, pothuajse, çdo gjë dukej e pa shkresë jete!? Në ato çaste dramatike, iu gjend pranë, “ylli mbrojtës”, e bija, Brunilda, me bashkëshortin, të cilët jetojnë në Nju Jork.
Koha kuk priste!? Me një avion pprivat, Qatipin e transportuan për në Nju Jork. Menjëherë, e shkruan në një spital të specializuar, për zemrën e njeriut. Aty iu dha ndihma e parë, u bënë shumë analiza dhe zemra iu vu nën mbrojtje të sigurtë. Pritej vetëm çasti, ku të gjendjej mundësia për të siguruar zemrën e dikujt tjetër, pra pas një aksidenti, që të bëhej transplanti i saj, në trupin e Qatipit. Dhe, me në fund, ndodhi mrekullia! Zemra u sigurua, falë edhe shpirtmadhësisë së familjarëve të aksidentuarit dhe kujdesit të mjekëve të spitalit aty. Me mjetet dhe metodat më moderne të kohës, u bë me sukses transpanti i zemrës dhe në krahërorin e Qatip Marës po rrihte një zemër e re. Kështu, ai shpëtoi nga një vdekje e sigurtë, rilindi edhe një herë.
Pasi u njoha me këtë fakt kaq të gëzueshëm, i postova një letër dashamirëse Brunildës, në të cilën edhe unë e falënderoja sinqerisht, për dashurinë e pakufishme: Baba-Bijë. Menjehërë, ajo m’u përgjigj me fjalë të bukura dhe emocionuese. Tashmë, ato letra janë publikuar në Interneti, por dhe në një libër timin e në këtë të riun, me autor Q.Marën.
Merret me mend, se u deshën disa muaj qëndrimi në spital, që zemra e re të përshtatje plotësisht në trupin e Qatipit. Po dhe kjo periudhë kaloi me sukses të plotë, deri sa ai u rikthye pranë familjes, ku të gjithë e pritën krahëhapur dhe e kthyen në një festë të vërtetë familjare.
Vitin e kaluar, me mallin e pashuar për vendlindjen e Shqipërinë, për të afërm, kolegë, miiq e dashamirë, Qatip Mara erdhi përsëri në kryeqytetin tonë, shkoi në Vlorë, nga e ka origjinën, takoi me dhjetëra të dashur e të njohur të tij. Pastaj, u rikthye në Nju Jork. Po atje nuk ishte aspak i qetë, deri sa tërë këtë ngjarje, sa të trishtuar, po aq të gëzuar, të mos e shkruanate në një libër. Së pari, donte të shprehte falënderimin dhe mirënjohjen e pakufishme për të bijën, Brunildën e familjen e saj, për njërtëzit e vetë, si dhe për tërë personelin mjekësor të spitalit, në Nju Jork, që e rikthyen në jetë. Kështu, me plot dashuri, emocione e frymëzim, shkroi e publikoi librin me titullin domethënës, “BRUNILDA, jeta ime e dytë” (Tiranë, 2018). Por, ndërkaq, këtë histori ai e vazhdoi dhe e fiksoi në librin tjetër, me titullin “Jeta ime e dytë, me zemrën e tjetrit”(Takime me vëllazërinë, kolegë e miq), Tiranë2018.
Kapakët e dy librave të rinj, me autor Qatip Marën (Tiranë, nëntor 2018)
2.
Ishte befasuese për mua, kur një ditë tetori të këtij viti, më mori në cel. tim dhe dëgjova, diku afër, zërin e njohur dhe shumë të dashur, të kolegut e mikut tim të paharruar, Qatip Mara. “Kam ardhur mbrëmë në Tiranë,-foli ai me zërin që i dridhej paksa. – Jam shumë i gëzuar dhe dua të takoj ty e mikun tjetër të pandarë, Përparim Hysi (Papi)…”. Sigurisht, ndjeva kenaqësi për këtë njoftim dhe të nesërmen u takuam në mjediset e lokalit “Galaxy-Bar”, që ndodhet në hyrje të Bulevardit të Ri të kryeqytetit tonë. Bisedat tona nuk kishin të mbaruar… Por ai shpejtonte, që të shkonte në takime të tjera dhe, kryesorja, në Shtëpitë Botuese, ku kishte dërguar dorëshkrimet, për dy libra të rinj.
Qatipi erdhi edhe dy herë të tjera e më takoi, por tashmë duarplot. Pra, më solli nga një kopje të dy librave, që sapo kishin dalë në qarkullim. Por edhe unë i dhurova dy librat e mi, më të rinj, “Si ujëvarë bjeshke…” dhe “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë,2017 e 2018). Në librin e parë, Qatipi ka bërë këtë shënim (u kërkoj ndjesë lexuesve): “Mikut të dashur, Prof. Murat Gecaj: Me respekt e dashuri vëllazërore e atdhetare… E falënderoj, me mirënjohje, për optimizmin, që më ka dhënë në vitet e vështira, kur luftoja për jetën nëpër spitale, me kërcënim nga vdekja… E uroj nga zemra për jetë të gjatë dhe me shumë gëzime, familjarisht! Nga: Qatip Mara, Tiranë, 9 nëntor 2018”.
Nuk po shkruaj dhe as po jap mendime për këta dy libra të mikut tonë të përbashkët, Qatip Mara, pasi do të duheshin faqe të tëra. Këtë punë do ta bëjnë lexues e studiues të tjerë dhe, kryesorja, ata flasin vetë, për këdo që i lexon.
…Këto ditë, ashtu si erdhi, pra vetëm, me guxim e optimizëm për jetën, Qatip Mara fluturoi me avion, nga Rinasi, për në Nju Jork. Atje, ai ndodhet tani në gjirin e ngrohtë familjar, si dhe përherë nën mbikqyrjen e rrebtë të punonjësve të aftë të mjekësisë.
E përshëndesim atë nga larg, përzemërisht dhe i urojmë:
Shëndet të plotë e mbarësi, gëzime e lumturi, si vetjake e familjare!
Urojmë e shpresojmë që, përsëri e përsëri, do të takohemi, vetëm për të mira, në Atdheun tonë të dashur!
Mirupafshim, miku ynë i dashur Qatip Mara!
Tiranë, 21 nëntor 2018