Nga Fahri Xharra – 28 Tetor 2017
Sa interesant me këtë historinë tonë, atë që e dinim, nuk guxonim ta thonim, e për atë që nuk kishim asnjë pike njohurie rrihnim (edhe sot rrahim) gjoksin duke e vërtetuar ma paditurinë tonë e në përfitimet e atyre që na donin ashtu si ishim dhe ashtu si jemi edhe sot. Me të vërtetë, mjerimi mendor qenka një kafshatë që nuk kapërdihet e kur edhe rreh gjoks duke e mbrojtur atë mosdije, atëherë i vjen era si e lakrave “turshi” kah mesi i pranverës.
Kujt i shkonte mendja se kishte shqiptarë ortodoksë në Maqedoni? Edhe ata që e dinin, nuk guxonin, se regjimet e ndryshme që moti kishin vendosur “veto” mbi çdo gjë që sillej rreth të vërtetës sonë. Heshtje historike me qëllim harresën, me qëllim shlyerjen përfundimisht nga hartat e kombit një masiv të madh kombëtar. E mësonim Migjenin, por në heshtje na ngacmonte se kush ishte ai nga kishte ardhur? Askush nuk fliste.
E lexonim trumcakun që vuante nga melankolia, i cili fatkeqsisht kishte lindur në një vend të shkretë. Ishte në një vend ku ishte një natyrë- e cila nuk mund të quhej natyrë. …Por e dini që trumcaku bëri vetvrasje? Sepse ishte në një vend ku ‘kafshatat e mjerimit’ nuk kapërdiheshin. Por nuk kapërdihen edhe sot.
Interesant! jemi në një vend ku kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale. Asnjëherë nuk e sqaruam se nga ishte Migjeni, sepse nuk guxonim e as nuk donim.
“I gjyshi, Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik, se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (po nga krahina ku ka lindur edhe poeti, patrioti shqiptar, Josif Jovan Bagëri) – qe shpërngulur nga mesi i shekullit të 19-të. Kemi plot familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra, e te tjera. Nikolla Dibrani qe murator nga mjeshtria dhe thonë se mori pjesë në ndërtimin e kishës ortodokse në Shkodër. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal te Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me një vajzë nga Kuçi, me Stake Milanin, e cila kishte edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, shqipen për gjuhë amtare. Nikolla Dibrani, kur humbi jetën në Mal të Zi, aty nga moti 1876, la pas dy bij: Gjokën (Gjergjin) dhe Kriston, fare të vegjël.
Gjergjj Nikolla hyri shegert te Beroviçët, te cilët u kujdesën sikur ta kishin birin e tyre. Ata e ndihmuan jetimin të vejë edhe në shkollën italiane. Më vonë, ndersa u mbante hesapet, i ndihmoi edhe në një pijetore, ngjitur me magazinën e tyre, në të cilën me kohë punoi për hesap të vet duke shitur mallra ushqimorë. Gjergji (ose Gjoka) qe burrë i urtë, i ndershëm e me karakter. Për këto cilësira përherë e zgjidhnin epitrop në kishën ortodokse, sepse e çmonin dhe e nderonin, komuniteti i tij e dërgoi të përfaqësonte në Kongresin Kishtar të Beratit më 1922. Me cilësitë e tij të mira ai fitoi një shoqe jete të pajisur me kulturë e me bukuri të rrallë, Sofi Anastas Kokoshin, me të cilën u martua më 17 shtator 1900. Kjo grua pati lindur më 15 tetor 1881 dhe vdiq më 16 gusht 1916 duke lënë pas të shoqin me dy djem e katër vajza nën kujdesin shtëpiak të së vjehrrës plakë. Milloshi qe atëherë pesë vjeç.
…Milloshi, i cili pati mbaruar shkollën unike në Shkodër më 1923, kur i vdiq babai dhe i vëllai, ndodhej në Tivar tek e motra më e madhe, Lenka Jovani, e martuar atje me një mekanik nga Kavaja, Llazar Jovani. Milloshi po studionte në klasën e dytë të gjimnazit kur i ungji, Jovan Kokoshi, e lajmëroi se i pati nxjerrë bursë për në gjimnazin e Manastirit. U nis për atje në vjeshtë 1925. Pasi mori atje semimaturën më 1927, me rezultate të mira, për vitin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij e regjistruan në Seminar. E mbaroi këtë shkollë më 1932. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”.
Në vitet e ’90 kam lexuar nëpër disa faqe interneti që Migjeni ishte serb, dhe vetë u çudita pasi një fakt i tillë kurrë nuk na ishte përmendur në shkolla.
– Pyet një lexues: A është e vertetë? A ka dëgjuar ndonjeri tjetër për këtë? Mua nuk me zë meraku se çfarë origjine etnike kishte Migjeni familjarisht, pasi për mua ai gjithmonë do të mbetet nga poetët shqiptarë më të preferuar, por vetëm sa për të shuar kuriozitetin.
Nëse Migjeni me të vërtetë ishte serb, atëherë kjo duhej të ishte përmendur dhe në tekstet tona shkollore. Mua do më vinte keq nëse politika shqiptare do na e kishte mbajtur fshehur këtë fakt nga biografia e tij, pasi arti i Migjenit qëndron shumë më lart se lojërat e fëlliqura politike në Ballkan!
Migjeni, shqiptari ortodoks i Maqedonisë!
Pra, lojëra të fëlliqura mbi tokën tonë, në popullin tonë e për popullin tonë.