Migjeni, rrënuesi i qiellit

0
1105
Migjeni

Dionis Xhafa

Migjeni është i rrallë për nga shkrimtarët shqiptarë. Ai nuk të krijon idenë e një personaliteti të fuqishëm politikisht apo të jetë i veshur me pushtet, por përkundrazi, gjithnjë në krah të njerëzve më në nevojë të një shoqërie, që gjithnjë e më tepër shkon për nga interesi, konsumi dhe materializmi. Migjeni ishte rrënuesi i qiellit të përditshëm, ose më saktë i asaj çka në përditshmëri iu thuhet njerëzve se është qiell. Ai e rrënoi në themel realitetin e parë me sy nga jashtë dhe pa përtej asaj që njerëzit vëzhgojnë.

Migjeni, madje nuk ka shkruar as me emrin e tij të vërtetë, atë që ia kishin ngjitur të tjerët apo që e kishte trashëgimi, ndoshta për shkak se ai refuzonte të identifikonte vetveten me familjarët, me fisin, me të afërmit dhe të njohurit, por se ishte vetëvendosës në personalitet, kishte bindjet dhe idetë e tij origjinale e të pandikuara prej kërrkujt.

Atij nuk është se i interesonte, sa duket, as fama, për të mos jetuar nën hijen e projektorëve të mëdhenj, por nën skutat më të thella të shoqërisë. Fama sa duket nuk i ka interesuar, për shkak se sipas asaj që kanë thënë bashkëkohësit, Migjeni nuk ka qenë kaq i njohur në qytetin verior apo më gjerë në të gjallë, sa mori famë në të vdekur. Ndoshta, kur ishte gjallë Migjeni, ka pasur njerëz të tjerë që kanë shkruar plot, por pa ndonjë vlerë, ndërsa poeti i njohur tanimë nga të gjithë, në të gjallë shkroi i vetmuar, në një copë letër dhe pa ndonjë bujë të madhe, pasi ajo që shkroi ndoshta s’ka pasur ndonjë vlerë të madhe për bashkëkohësit ose më mirë ata nuk e kanë kuptuar, por se ishte vepra e madhe e një njeriu, fjalët e të cilit janë realitet sot e me siguri do të jenë të tilla edhe në të ardhmen.

Njerëzit, që duan të jetojnë me rrejshmëri në jetë, e shohin qiellin blu dhe pa re dhe se jetojnë me këtë gënjeshtër, ndërkaq që Migjeni e pa këtë qiell, ashtu siç ishte, me re të zeza e me trishtimet e veta, sepse fundja edhe zjarri që ndezim në oxhak, vërtetë ngroh njerëzit që ndodhen në shtëpi, por se nxjerr tym nga ana tjetër.

E pra, Migjeni ishte realitet, ishte poeti i madh i kohës së vjetër dhe të mjerimit. Ndoshta, si pa dashur, sot më 2017, pikërisht Migjeni e kishte parashikuar se njerëzit do të prireshin gjithnjë e pas interesave në jetë dhe se do të shënohej dikur edhe kulmi i kapitalizmit të skajshëm njerëzor, siç ka qenë në një tjetër trajtë në të shkuarën. Migjeni e dinte se njerëzit duan vetëm paranë dhe se pikërisht te paraja shohin pushtetin, qiellin blu që kaq shumë e duan dhe që nuk e duan me re e me tym.

E se parashikimi i tij nuk ka si të mos na ngecë sot në fyt. Sepse Migjeni ka pasur dhe ka të drejtë. Njerëzit janë të prirur për të parë për nga materializmi, ata mbajnë lart flamurin e materializmit, për të lënë mënjanë flamujt e sakrificës dhe të jetës që nuk e duan. E, kështu me këtë flamur të interesit që po mbajnë njerëzit, e çojnë jetën në shkatërrim, në rrënim, në kthim të njeriut në ingranazh të parasë e të kartës së kreditit.

Migjeni e rrënoi këtë qiell të bardhë dhe na dëftoi se ky qiell ka dhe re, edhe tym. Ai ishte poeti idealist që lindi nga hiçi, jetoi mes hiçit, nuk i takoi askujt sa ishte gjallë dhe shkoi pa u ndjerë shumë. Me siguri që Migjeni hyn te ajo kategori e njerëzve që nuk e duan as lavdinë, as triumfin mbi të keqen e tjetrit. Idealizmi i tij ishte aq kulminant, sa t’ia merrte jetën që në moshën 27-vjeçare, në lulen e rinisë. Migjeni nuk i do bustet, nuk do donte me siguri që emri i tij të vërtitej shpesh në gojët e njerëzve, por këta të fundit të mbanin parimet e tij, që duken tepër të vështira.

Kjo, sepse njerëzit janë ashtu egoistë disa, pabesisht veprojnë disa të tjerë, e idealizmi është e fundit gjë që mund të imagjinohet prej njerëzve tokësore. Idealizmi në shumë persona ka vdekur, është groposur dhe lënë mënjanë. E, Migjeni e rrënoi atë qiell në mënyrën e vet, për tu munduar të rrënojë një realitet të ashpër prej kafshërisë njerëzore, por se nuk ia arriti, ama e kujtoi revolucionin, flamurin e fitores së idealizmit mbi interesin, ishte për një rini që lëvizte dhe kishte kurajo, për një jetë që ndriçon dhe fluturon, por se për të gjitha këto idealizime, ai ra vetë, për t’i marrë me vete.

Fatkeqësisht, njerëzit për nga qielli do të shohin, për shkak se nëntokën nuk e do askush, për ta varrosur edhe vetë Migjenin, me lugë, me lopata, me çfarë të munden. Njerëzit kanë bërë të mundur që qielli të lartësohet gjithnjë e më shumë, edhe pse nëntoka është e kalbur. Njerëzit luftojnë në përditshmëri për të qenë me qiellin, me të rrejshmin pushtet dhe jo me errësirën dhe nëntokën, madje i përbuzin ata që mbeten atje në fund, në minierë, në nëntokën e braktisur. Migjeni nuk donte një qytet apo një shtet. Ai nuk donte as bust, as lartësinë e yjeve. Ai donte njerëzit, që të shumtë e kanë varrosur. Ai iku, i qetë, i patrazuar, me parimet e tij, të bëra sot fli e hi.

D.Xh