Midis shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës

0
553

Ne foto: Av. Sergjio Mazreku

Nga Av. Sergjio Mazreku

Shoqëria njerëzore, edhe pse ka bërë shumë hapa përpara në epokën e demokracisë funksionale dhe të globalitetit integrues, ende ka probleme në lidhje me ruajtjen e performancës demokratike, në lidhje me ruajtjen dhe përmirësimin e standardit demokratik, ku kryefjala është liria e individit dhe të drejtat e tij humane.

Lufta që bën sot shoqëria globale për një siguri më të lartë njerëzore, lufta kundër terrorizmit të çdo origjine, qartësia e situatave politike në kushtet e pluralizmit nga e Drejta Ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara, e bëjnë ende më të prekshme dhe më urgjente nevojën e një kujdesi rigoroz dhe kontrolli të rreptë në lidhje me mbrojtjen dhe respektimin e lirisë ekonomike, politike dhe njerëzore, si dhe të të drejtave njerëzore në rrafshin global, në pikëpamjet politiko-juridiko -kushtetuese, ekonomike, morale dhe sociale, por dhe etniko-kulturore.

Kjo, mbi të gjitha, ka të bëjë me forcimin e demokracisë në botë, e cila si pikën e saj kryesore, principiale, ka në mënyrë të drejtpërdrejtë ruajtjen e standardit të sistemit demokratik, ku “Themba e Akilit” janë të drejtat e njeriut, liritë humane, me një shtrirje të tyre sa më të gjerë dhe zbatim real në të gjitha aspektet e veprimtarisë së njeriut dhe të shoqërisë njerëzore.

Sot në Shqipëri, në te gjitha podiumet politike,mediatikedhe më gjërë përdoret rëndom fjala “shtet ligjor”, si një stilemë semantike kuptimore, që përcakton të drejtat dhe detyrimet e çdo qytetari dhe rregullat e lojës në një shoqëri të hapur. Por ky përdorim realisht nuk është as i plotë dhe as i drejtë, por ka diçka që nuk e përmbledh “verdiktin” e asaj çfarë duhet të mishërojë ligji dhe e drejta në demokraci.

Fillimisht duhet të sqarojmë se cila është terminologjia që duhet të pranojmë: shteti ligjor apo shteti i së drejtës, terma këto të përdorura gjerësisht sot në literaturën politike e juridike, në shtypin e shkruar, mediat vizive, portalet etj.

Të dyja termat duket sikur kanë të njëjtin kuptim dhe shprehin të njëjtin koncept, atë të lidhjes së ngushtë dhe reciproke midis shtetit dhe së drejtës. Por shteti ligjor nuk është identik me shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës është veçori tipike e shteteve demokratike, me liri dhe të drejta të konsoliduara njerëzore, ndërkohë që shteti ligjor ekziston edhe në diktaturat e gjithëfarëshme, siç ishte diktatura e proletariatit në epokën komuniste, që e sanksiononte në kushtetutë barainë në varfëri deri në skamje dhe shtypjen dhe persekutimin e armiqve të brendshëm të revolucionit, me anë të masave shtrënguese nga më të rëndat, deri tek eleminimi fizik.

Shteti ligjor ekzistonte dhe në vendet ku qe ligjeruar skllavëria, si forma më primitive e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, duke shtypur e dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme liritë dhe të drejtat njerëzore të një pjesë të popullatës së pambrojtur nga ligji përjashtues.
Shtet ligjor kanë dhe vendet ku sundon Sherjati që shtyp e maskaron në mënyrë “ligjore” femrën dhe e kthen atë në një skallve të moderuar të burrit.

Pra shteti ligjor jo detyrimisht është një shtet demokratik, ndërsa shteti demokratik detyrimisht dhe në çdo shafqje të tij është dhe duhet të jetë me çdo kusht një shtet i së drejtës.

Shteti i së drejtës është krijimi i një hapësire të nevojshme, ku liritë dhe të drejtat qytetare të gjithkujt të jenë të mbrojtura në mënyrë të barabartë me ligj dhe ku askush nuk ndihet I përjashtuar për shkak të racës, kombit, etnisë, religjionit, ngjyrës së lëkurës apo shkallës hierarkike në nivelin ekonomik, social dhe kulturologjik.

Kjo lidhje shprehet në mënyrë tepër të qartë në nenin 4, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku sanksionohet: “ e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Ndoshta për arsye të referimit kushtetues, në Shqipëri duket se shprehja “shtet i së drejtës” ka fituar qytetarinë.

Përkufizimi i Shtetit të së drejtës ndryshon sipas autorëve dhe epokave, por ai është para së gjithash një model teorik i organizimit të sistemeve politike, duke u bërë një temë themelore e politikës, meqenëse konsiderohet si një nga karakteristika kryesore të regjimit demokratik, por nuk është detyrimisht një regjim demokratik.Përgjithësisht një Shtet i së drejtës nuk është detyrimisht demokratik, por çdo shtet demokratik është një Shtet i së drejtës. Ndryshe ndodh në shtetin ligjor, që kur nuk ka demokraci dhe liri qytetare kthehet në shtet policor, ose regjim policor”, ku mbretëron arbitrariteti dhe regjimi i dhunës.

Shteti i së Drejtës mund të përmblidhet sipas formulës: “Asnjë nuk është mbi ligjin” dhe më tej, “askush,në emër të asnjë lloj ligji nuk mund të privohet nga liritë dhe të drejtat themelore ekzistenciale”, e thënë ndryshe nuk ekziston asnjë “arsye shtetërore” e posaçme, për të dëbuar, persekutuar, keqtrajtuar dhe nëpërkëmbur dikë, pasi gjithkush është i mbrojtur nga shteti i së drejtës, të gëzojë liritë dhe të drejtat e plota qytetare.

Ekzistojnë ligje, paketa ligjore e akte nënligjore, qënga Kushtetuta tek gjithë sistemi ligjor juridik, pra janë një tërësi normash juridike që mbrojnë qytetarët nga format arbitrare të pushtetit (ekzekutiv.

Në Shqipëri kalimi nga shteti ligjor drejt shtetit të së drejtës ka qenë një proces I gajtë që ende vazhdon, ka nisur në fillim të proceseve demkokratike në fillim të viteve ’90 dhe ka ardhur duke u thelluar gjithnjë e më shumë, për të kulmuar në reformën në drejtësi, që pritet ta çlirojë shoqërinë shqiptare nga të gjitha praktikat abuzive ligjore të organeve të drejtësisë, që nga organet policore dhe të hetimit deri tek gjykatat.

Por ende liritë dhe të drejtat njerëzore në vendin tonë jonë larg të qenit në lartësinë e standardeve evropiane; Shqipëria I ka nënshkruar të gjitha, konventat ndërkomëbtare të lirive dhe të drejtave themelore, por është larg aplikimit të një standardi të tillë, që të gjitha shtresat e popullsisë të jenë njësoj të mbrojtura nga abuzivizmi, varfëria, pamundësia për shkollim dhe mosmarrja e shërbimeve në cilësinë duhur nga administrate etj.

Zbatimi i konventave dhe fuqizimi i demokracisë në shoqërinë civile janë instrumente që veprojnë kundër padrejtësive, në dobi të sovranitetit kombëtar dhe të privatësisë së individit në këto vende.Njëzet e tetë vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri në vitet ‘90′, kur nisi një epokë e re, ajo e ndërtimit të ekonomisë së tregut të lirë, bazuar në ligjësitë ekonomike të kapitalizmit, ende në Shqipëri ka probleme në lidhje me të drejtat e njeriut, sidomos me të drejtat e pronës dhe të mbrojtjes ligjore nga Kushtetuta. Për një gjysmë shekulli, politika qeverisëse në vend ishte e dhunshme, diktatoriale dhe imponuese. Ishin me mijëra familje të persekutuara, me mijëra persona që përndiqeshin si njerëz të dyshimtë, që luftonin diktaturën e proletariatit.

Urrejtja kolektive shqiptare për shkeljen e të drejtave njerëzore për një gjysmëshekulli nga partia-shtet, solli atë forcë e përmbysje të madhe ku populli mori kontrollin dhe nisi të kërkonte të zhdukte padrejtësitë nëpërmjet fuqisë së tij. Por, a ishin të gjitha kushtet social-ekonomike dhe politike në Shqipëri që të realizohej kjo përmbysje e madhe? A ishin të gjitha kushtet për ngritjen e një sistemi të ri moderator? Sistemi shumëpartiak dhe zgjedhjet e lira që u vunë në bazë të politikës janë kushte të nevojshme, por a mund me atë bazë sociale, atë nivel kulturor, mbi atë bazë politike, të filtroheshin prirjet dhe mendësitë komuniste brenda një kohe të shkurtër?

A ishte gati çdo shqiptar për të udhëhequr vetveten dhe për të realizuar më të mirën për veten dhe shoqërinë? Në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së thuhet se “Qeverisja mund të ndërtohet vetëm nga populli dhe mund të qeverisë vetëm me miratimin e tij”. Duke parë kushtet e reja politike, sociale dhe ekonomike, qeveritë amerikane të radhës do të realizonin synime të caktuara, si institucion i qeverisjes së organizuar, duke pasur gjithmonë si kryeprincip moral dhe institucional ruajtjen dhe përmirësimin drejt përsosjes së standardit të lirive dhe të drejtave humane.

Dihet që qeveria apo qeverisja demokratike ushtron tre lloj pushtetesh: pushtetin legjislativ sepse harton ligjet dhe është ajo që projekton politika publike, ka pushtetin ekzekutiv, mbasi ekzekuton, administron dhe miraton ligjet dhe fuqinë juridike, sepse interpreton ligje në kushte konkrete dhe zgjidh konflikte. Kur pushteti ligjvënës i bashkangjitet pushtetit ekzekutiv, liria nuk ekziston dhe raste të tilla ndodhin rëndon në politikën shqiptare. Pushteti i gjykimit ka forcë të tij individuale në shoqëri dhe në shoqatat e ngritura përbën bazën e zhvillimit dhe progresit të tyre.

Por ajo që krijon pasiguri në bindje politike në këtë fazë zhvillimi të jetës demokratike në Shqipëri është pozicioni i dyfishtë që mbajnë partitë, duke kaluar nga një bashkim në koalicion në tjetrin, duk parë interesat e ngushta vetiake dhe dëmtuar shtratin e bindjeve politike dhe të platformës që nga krijimi i tyre, duke keqpërdorur dhe zhgënjyer mbështetësit e tyre, pra duke manipuluar opinionin publik.Dihet se ndryshe nga pushteti diktatorial ku fuqinë e kishte një individ i vetëm apo më e shumta një grup i vogël, në qeverisjen demokratike, ky pushtet teorikisht dhe praktikisht duhet të ushtrohet nga populli, por realisht kjo nuk ka ndodhur siç duhet në Shqipëri, për shkak të klientelizmit dhe nepotizmit politik, që ka dëmtuar frymën e mendimit të lirë dhe privatësinë e individit politik.

Sigurisht që paralelisht me zhvillimin demokratik të institucioneve qeverisëse, në vendin tonë u ngritën dhjetra shoqata joqeveritare të krijuara nga grupime qytetare me prirje të ndryshme politike, të majta dhe të djathta, të cilat dolën me platformat e tyre për zhvillim në të gjitha fushat e jetës. Në shumicën e tyre në bazë është vendosur lufta kundër korrupsionit, çështje të një shoqërie të sëmurë dhe mbrojtja e ligjshmërisë për zhvillim. Në to mëshirohen ide të tilla themelore që të pasqyrojnë vlerat e individit, pa marrë parasysh përkatësitë partiake, krahinore, apo fetare. Në projektet e platformat e këtyre shoqatave shikohet si domosdoshmëri plotësimi i kërkesave të shumicës, mbrojtja e lirisë dhe të drejtave individuale, evidentimi i një psikologjie dhe kulture të re bashkëkohore në shërbim të evoluimit shoqëror në qeverisjen demokratike.

E gjithën kjo, pra gjithë vektori politik dhe jopolitik në Shqipëri vepron në mënyrë të pandalshme, për të penguararbitraritetin e mundshëm të shtetit ligjor, që të mos degenerojë në shtet policor, por me kohë, me reforma të thella e shndërruese, siç është Reforma Madhore e ndërmarrë në Drejtësi, për ta nxjerrë atë nga kolapsi I trashëguar dhe azmatik, të mund të krijojë një model të përhershëm dhe solid të shtteit të së drejtës, kun ë mënyrë ligjore dhe kushtetutuse të garantohen liritë dhe të drejtat qytetare, si alfa dhe omega e një shteti të bazuar tek principet e së drejtës dhe një shoqërie të vërtetë demokratike.