Metafora e një dashurie të hidhur…

0
281
Kristaq Turtulli - Përroi qante në mesnatë

Ligor Prifti

Përroi qante në mesnatë

Impresione për romanin:’ PËRROI QANTE TË MESNATË’, të shkrimtarit Kristaq Turtulli

“Përroi qante në mesnatë” i shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli do ta quaja metafora e një dashurie dhe ndodhie të hidhur, tronditëse, ku e shkuara përgjon si oktapod, tentakulat e të cilit të mbajnë lidhur dhe sot e kësaj dite, shfaqet, ngre krye herë pas here. Sa e vështirë është të fshihet e shkuara. Imagjinata e autorit, mbase dhe me ndonjë përvojë nga jeta, na e jep me art, forcë dhe vërtetësi, gjithë konfliktin dhe dramën e kësaj vepre, e tjerr, e end, e mëkon dhe e zgjidh nëpërmjet një misteri: një prej rojeve i bëhet sikur dëgjon të qarë poshtë, në përroin e Shestanit.

Shkrimtari Kristaq Turtulli, autor i shumë romaneve të suksesshme, tashmë të njohura nga lexuesi shqiptar dhe kosovar, si gjithnjë qëmton dhe gjen tema pikante në veprat e tij që kanë interes sot dhe në të ardhmen.

Si redaktor i librit e di fort mirë që, autori e ka mbajtur në duar këtë libër për vite me radhë, punuar dhe ripunuar, derisa u bind që duhet të botohej. Turtulli është këmbëngulës, e lëmon me kujdes veprën e tij, mjeshtër i sprovuar i ndërtimit të karaktereve të forta i shtjellimit të ngjarjeve dhe, në këtë vepër autori ka një ide e një synim për arritjen e të cilit vë në veprim një grup personazhesh me detyra te qarta, dikush me mendje te akullt e cinik, njeri skile e vjetër e ithtar i zakoneve të vjetra, dikush konfuz e i çoroditur, disa të shqetësuar e të vendosur, heronj që kanë dhe mbajnë besë, nëna që mbetet pa djalë, vajza përbuz fejesën që në mituri, babai plak që s’merr dot nishan me pushkë mbi hasmin që i ka vrarë djalin e ngelet në dëborë. Një letër e atit për të birin që e nxit për vrasje, një ndërmjetës fejesash me kanun, gjakës i vërtetë, këmisha e të vrarit e ndehur në litar para shtëpisë së të ndjerit, njësoj si e gjallë, thërret për vrasje, kërkon gjak.

Misteri, qarja në përroin e Shestanit është kurthi i ngritur nga njëri prej shokëve ushtarë “për çështje nderi” me anën e të cilit e çon gjithë repartin në tragjedi. Problemi themelor që shtron romancieri ynë është:

Efekti negativ që jep rregullimi i jetës jo vetëm në të kaluarën historike, por ende sot sipas Kanunit te Lekë Dukagjinit, veçanërisht i asaj sociale.

Tri linja pleksen me njëra tjetrën që na japin frytin e hidhur: fejesat me shkuesi që në moshë të mitur, shpërdorimi i besës dhe hakmarrja.

Për të kapërcyer problemin e parë bëhen përpjekje nga dy të rinj të njohur herët, dikur bashkënxënës, por familjet e tyre ishin në gjak! Vajza Mrika hedh hapin e paimagjinueshëm dhe shkon në kullën ku banon nëna e djalit që dashuron, pasi ajo është shtatzëne dhe gjatë gjithë kohës është mbikëqyrur tinëzisht, këmba këmbës nga shkuesi. Shkuesi, nga ana e tij, informon babanë e djalit ku Mrika do vejë nuse. Për rastësi, te dy djemtë, ai me të cilin ajo ishte fejuar që e mitur dhe djali që ajo dashuron, kryejnë shërbimin ushtarak në të njëjtin repart.

Një letër djallëzore e babait, plot këshilla sipas Kanunit, zgjon ne skutat e vetëdijes se ushtarit “të turpëruar” instinktin e hakmarrjes, bluan e bluan në mendje lloj mbrapshtish deri sa fikson idenë si ta tërheqë shokun e vet ushtar ne errësirë poshtë përroit për ta vrarë. Krimi realizohet në mënyrën më të sakte të vepruarit pabesisht. Vritet shoku në detyrë atdhetarie, ushtar. Vritet duke pirë ujë mbas shpine; nuk kthehet mbarë, por lihet me fytyrë zhytur në burim; nuk i vihet arma nën krye. Te gjitha këto nuk i pranon Kanuni.

Pabesia arrin kulmin kur vrasësi e qëllon viktimën me armën e këtij te fundit, i cili ja pat dhënë pak më parë për ta mbajtur një çast sa te pinte ujë. Gjithashtu, gjakësi nuk jep lajmin e vrasjes për ta bërë të ditur dhe për ta marrë përsipër atë, sikundër e kërkon Kanuni. Më pas ushtarët përjetojnë një situatë të re, të rëndë psikologjikisht.

Shkrimtari ynë sikundër e ka në metodën dhe stilin e tij, vazhdimisht jeton me personazhet, di të zbulojë botën shpirtërore, ndjenjat, përjetimet e tyre. Ai me talent, art me mjeshtëri e me njohuri psiko-sociale di të motivojë natyrshëm e bindshëm veprimet, qëndrimet, aktet e personazheve, duke paraqitur evoluimin e natyrshëm e të besueshëm të tyre. Di të japë të përbashkëtën dhe te veçantat e tyre. Sikurse personazhet, edhe tablotë e zhvillimeve në këtë vepër kontrastojnë dhe kjo e bën te ashpër konfliktin. Mendoj se kjo del qartë në skenat kur kanunistët vërsulen me tërbim te kulla ku është strehuar Mrika me synim për ta vrarë, por që nuk e lejon Kanuni: këtë vajzë vetëm babait i lejohet për ta vrare. Skena tjetër është ajo kur në fshat mbërrin trupi i ushtarit te vrarë pabesisht.

Kanunistët këtu ç’burrërohen nga nëna e te vrarit, nga Mrika e nga përfaqësuesit e repartit.
Shkrimtari me talent dhe mençuri reket të japë idenë se kohët kanë ndryshuar, ato ligje, ai organizim i shoqërisë sipas Kanunit duhen kapërcyer, sepse shoqëria ka ndryshuar, ka ikur përpara, ka më shumë kulturë, dituri e qytetërim, ka shtetin e së drejtës, ka institucione të zgjedhura e të emëruara, të kualifikuara, ka kushtetutë, kode ndëshkimi të miratuara nga njerëzit e zgjedhur e të kualifikuar. Çdo organizim i shoqërisë nuk është i vlefshëm njësoj në të gjitha kohët. Kanuni mund të ketë vlera njohëse historike se si ka pas qenë e organizuar jeta dhe shoqëria atëherë, por është i pa praktikueshëm sot.

Romani të mban ngrehur deri sa ta përfundosh së lexuari. Ka gërshetime mjeshtërore linjash, ka digresione interesante, mjedise me kolorit malësoresh të ashpër, por të prirur për të vepruar drejt pasi e kuptojnë se ku veprohet mirë e ku keq. Bukur plor art jepet idili i dashurisë midis dy të rinjve, aq i ëmbël, aq njerëzor, aq pasionant e aq tragjik njëherësh.
Shkrimtari ynë bazohet shumë në dokumentacion, ka studiuar Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe materiale të tjera; njeh doket dhe zakonet e atyre rajoneve dhe di t’u referohet e t’i interpretoje duke dhënë filozofinë e tij.

I uroj suksese të mëtejshme autorit të talentuar Kristaq Turtulli. Respekt për krijimtarinë e tij.

LIGOR PRIFTI
Përkthyes. Redaktor i librit

Të interesuarit mund ta gjejnë librin në Kosove, Prishitnë te libraria Artini dhe Dukagjini
Ne Tirane te libraria: Libri universitar dhe Albania.