Mësuesja nga Vranishti mban gjallë gjuhën shqipe në Greqi

0
844
Vera Shkurti - mësuese në Greqi

Gjin Musa, gazetar, shkrim i marrë nga Gazeta ‘Vlora’.

Jam nga Vranishti i Vlorës, njëzet vite në mërgim – e fillon tregimin e saj mësuesja Vera Shkurti. Kur erdha për herë të parë nuk e dija se ku shkoja dhe nuk e mendoja se çfarë të bëja… Dalëngadalë humbet veten… Nuk e dija ajo që jam, ajo që duhet të isha. Erdha për të realizuar ëndrrën e çdo njeriu të thjeshtë që të ketë një shtëpi. Ai ishte qëllimi. Ishte një qëllim i afërm sepse mendonim të shkonim, të punonim disa vite, të mblidhnim ato lekë që duheshin për të bërë një shtëpi dhe të ktheheshim përsëri në vendin tonë, në jetën tonë, në profesionin tim.

Mirëpo nuk ndodhi kështu. Domosdo që jam ndeshur me vështirësi. Ka pasur momente që kam menduar kthimin çka e kanë jetuar të gjithë emigrantët e çdo kohe që kur ikin lënë mbrapa vendin, marrin me vete nostalgjinë, dashurinë për vendin, për njerëzit, për gjithçka. Kam shkuar në Shqipëri dhe jam kthyer përsëri… Për herë të dytë, po. Pse? Se nuk kam gjetur vazhdimin e asaj jete që ndërtuam këtu. Duket sikur i kanë harruar ata që janë atje. Kurse ju që ikët pse u kthyet prapa? Në vitet e parë të emigracionit këtu nuk mund të mendoje një gjë të tillë se edhe nuk kisha atë idenë që Greqia do të mbushej pëllëmbë edhe tokë me shqiptarë. Pas kaq vitesh kisha gjetur edhe unë ritmin e punës time, por e kuptoja se diçka më mungonte në vetvete.

Më mungonte vetja ime. Vetja ime kishte humbur. Kishte humbur në atë jetën e përditshme të punës të një emigranti. Nuk ishte kjo ëndrra ime… Ajo bëri që një ditë të shkoj në bashkinë e qytetit dhe të trokas në derën e kryetarit të bashkisë. Nuk e mendonte që unë të shkoja atje për një çështje të tillë. Mendoi se kisha ndonjë hall timin personal… Stefanos Laguros, zëvendës kryetar i bashkisë thotë… Kërkesa nuk na ra si rrufeja në qiell të pastër. Kur jeton me një komunitet i cili ndodhet jashtë vendit të tij për arsye ekonomike është krejtësisht e kuptueshme një kërkesë e tillë, dëshirueshëm, po aq edhe i detyrueshëm, mësimi i gjuhës amtare. Duke qenë të bindur për këtë ide, si organizëm bashkiak, menduam që kërkesës së parashtruar ti përgjigjeshim pozitivisht.

Kështu pra, me ndihmën e çmuar të drejtoreshës së arsimit fillor, zonjës Vlastari, si dhe me mbështetjen e madhe të drejtorit të shkollës publike numër 2, u bë më pas e mundur marrja e një vendimi të komisionit të shkollave, për dhënien e një klase, këtu në Tinos, që do ti shërbente fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës së tyre amtare për fëmijët që jetojnë këtu. E veçanta qëndron në faktin se shumë prej tyre i përkasin brezit të dytë të emigrantëve, pra nuk e kanë dëgjuar gjuhën amtare.

Ishte një gjë shumë e bukur për mua ta realizoja në kushtet e mërgimit pasi së bashku me realizimin e mësimit të gjuhës shqipe do lidhja edhe diçka tjetër, atë që atyre u mungonte, lidhjen me rrënjët e tyre, me vendin, prindërit gjyshërit, stërgjyshërit, pse jo edhe popullin, historinë e vendit të tij, sepse ashtu dalëngadalë duke njohur veten në kuptimin e plotë ai do të jetë edhe më krenar për atë që është shqiptar.

Unë tërë jetën nuk kam për t’i harruar ato çaste gëzimi kur drejtori i shkollës numër 2 z. Valakas më merr në telefon dhe më thotë të vini në shkollë dhe të firmosni dorëzimin e klasës për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe. Kishte ardhur momenti kur durimi sa vinte dhe pakësohej dhe unë doja vërtet që ta realizoja sa më shpejt. Qëllimi im ishte që ta filloja më 7 Mars. Shkolla u hap më 1 prill 2012…

Para se t’i jepja dorën zëvendëskryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Këshillit të emigrantëve të ishullit të Sirosit, z. Nikos Albanopulos, e pyeta: “Kur shkollat greke do të hapin dyert për mësimin e gjuhës shqipe ashtu siç janë hapur dyert për mësimin e gjuhës greke në Evropë, Amerikë e deri në Australi?

Shqiptarët që ndërtuan ishullin Mbas 97¬tës, mbas humbjes së piramidave, ndodhi një emigrim i ri. Rrugët e ishullit të Tinosit ku banoj filluan të mbushen me fëmijë. I dëgjoja duke shkuar në shkollë bashkë me fëmijët e mi. Rritej numri i lindjeve sepse erdhi rinia. Atëherë këta fëmijë për gjashtë vjet nuk vonojnë dhe shkojnë në shkollë. Në shkollë mësojnë e flasin gjuhën greke. Në rrugë me shokët e shoqet duke u kthyer flasin gjuhën greke. Në shtëpi prindërit nuk i gjejnë. Të merrnin edhe fëmijët dhe t’i çonin në Shqipëri e t’i merrnin prapë. Shikuan një ndryshim shumë të madh. Nuk janë më ata të frikshëm.

Janë edhe të zotët e vetes por edhe kanë treguar edukatën e tyre me sjelljen e tyre, me punën e tyre, e kanë rritur respektin. Ishulli i Tinosit, qyteti i Tinosit, nuk ka qenë kështu para njëzet vjetëve që kur kam ardhur unë. Bregdeti, buza e detit, të gjitha lokalet po t’i krahasosh kanë ndryshuar krejtësisht pamjen. Këto në sajë të krahëve të lirë të shqiptarëve, të punës së madhe të tyre, të punës lirë të paguar. Na dhimbset që ne kemi punuar kaq shumë, por është edhe një krenari për fëmijët tanë.