Mësuesi ynë i filmit Kristaq Dhamo

0
586
Kristaq Dhamo dhe Kolec Traboini

Regjisori Kristaq Dhamo dhe autori i shkrimit Kolec Traboini

– nga K. P. Traboini

Në biseda të thjeshta, në komunikim njerëzor, duke na trajtuar si të barabartë, me një modesti të admirueshme Kristaq Dhamo na mësoi të bëjmë filma. Ai ishte dhe vazhdoi të jetë derisa Kinostudio u rrënua nga vandalët politike të kulturës, mësuesi ynë model në kinematografi! Dua të sjell një ngjarje të veçantë për të pohuar se megjithëse drejtues Kristaq Dhamo nuk ishte njeri skematik, as i ngurtë, as i sertë, siç kishte shumë të tjerë në atë regjim imponues. Ruaj në kujtesë një ngjarje që kurrë nuk e harroj.

Kryeredaktori i gazetës “Drita” Duro Mustafaj kishte bërë një kërkesë që të më merrte në redaksi si sekretar i kolegjumit, me që e hoqën Abdyrrahim Myftiun për “Pashallarët e kuq” të Ismail Kadaresë. Atë kohë isha redaktor në sektorin e filmit kronikal por redaksinë e kishim të përbashkët me filmin artistik. Më thirri në zyrën e tij Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, e me mirësjellje më tha. Ka një kërkesë emërimi për ty, të shkosh sekretar kolegjiumi në gazetën “Drita”. Çfarë mendon, me pyeti. Ngrita supet. Nuk e di, u shpreha.

Por, vazhdova, ma prish mendjen rritja e rrogës se kam dy fëmijë për të rritur. Sapo e kuptoi se kisha një mendim të luhatun më tha: Mos shko. U çudita, se Kristaq Dhamo kishte marrë përsipër të më komunikonte e jo të më thoshte mos shko. E pa që unë po dyshoja e buzëqeshi. Je i ri – më tha, atje është një çerdhe grenzash, do të hanë. U topita. Ato fjalë nuk guxonte ti thoshte askush në atë kohë. Po ai e tha hapur e pa as më të voglin hezitim. Në do këshillën time, vazhdoi me ton solid Kristaq Dhamo, mos shko. Më bindi. Pastaj shtoi. Për rrogën mos u bëj merak.

Do të bëjmë një ndarje në redaksi, ty do të propozoj në drejtori si përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar. Këtu do të jesh më mirë. Jo vetëm me bindi, por edhe më shpëtoi nga ndonjë situatë e vështirë që mund të më ndodhte në çerdhen e grenzave të Lidhjes se Shkrimtareve ku i hanin kokat njeri-tjetrit. E falënderova për sinqeritetin dhe për këshillën. Ai më buzëqeshi e më rrahu krahët. Je më mirë e më i sigurtë këtu në Kinostudio, më tha dhe u ndamë. Nuk shkoi gjatë dhe më emëruan përgjegjës i Redaksisë së filmit dokumentar dhe për 10 vjet e kreva atë detyrë që nuk ishte e lehtë, por sa kohë kisha udhëheqës artistik Kristaq Dhamon, falë fantazisë së tij krijuese mbresëlënëse, gjithmonë gjendeshin zgjidhjet artistike.

Mësova shumë prej tij sidomos në aspektet e dramaturgjisë dhe regjisurës, por edhe ai kishte besim tek krijuesit e rinj. I përkrahte pa kursim. Më kujtohet se kur më miratoi për realizim skenarin e filmit “Dëshmi nga Barleti”, (me operator Ibrahim Kasapi), më tha “është shumë i vështirë, nuk e di si do t’ia dalësh, por duke parë pasionin tënd për këtë realizim kam besim të plotë se do të bësh diçka të mirë.”. Kur mbarova filmin dhe e ia paraqita para se ta shfaqnim në kolektivin krijues, na shtrëngoi dorën e tha: keni bërë një film shumë të bukur, madje më të mirë nga se e mendoja. I tillë ishte udhëheqësi artistik Kristaq Dhamo.

Edhe pse në fillim mund të kishte rezerva, duke parë pasionin e krijuesve të rinj, i motivonte e përkrahte ata pa kursim. Atë vit filmi “Dëshmi nga Barleti” u shpall realizimi më i mirë dokumentar i vitit 1990 dhe mori shpërblimin e caktuar në vlera monetare. Po ky është vetëm një episod i vogël që ka të bëjë me mua, por ai ishte mësues e udhëheqës artistik për një plejadë artistësh të rinj që ruajnë një mirënjohje të madhe për të. E vërteta është se Kristaq Dhamo na konsideron si shokë e miq, si kolegë, por ai ishte e mbetet gjithmonë mësuesi ynë i filmit! Nga ana profesionale thjeshtë dua të vë në dukje se Kristaq Dhamo, ky krijues e modest i madh, mban mbi shpatulla meritën më të jashtëzakonshme në kinematografi, është regjisor i të parit film artistik të plotë shqiptar “Tana” përuruar më 17 gusht 1958, i cili, pa as më të voglin dyshim është shkolla e filmit shqiptar.

* * *

Në kushtet e një shoqërie kaotike, harraqe, ku në biseda televizive apo në shtyp për kinematografinë dalin e flasin soj-soj njerëzish që nuk dinë asgjë si ka proceduar filmi shqiptar, duke lënë e mënjanuar krijuesit e mëdhenj të filmit, mendova se dy fjalë duheshin folur që të mos ngrejnë idhuj të rremë duke i quajtur madje koka të mëdha të kinematografise edhe ata që ishin më të zakonëshmit. Gjithashtu desha që themeluesi i filmit artistik shqiptar Kristaq Dhamo të ndjejë e të kuptojë se tek njerëzit, bashkpunëtorët e kolegët, tek nxënësit e tij ka lënë përshtypje të mira dhe të mirat që ka bërë nuk kanë humbur.

Por nuk u nguta të shkruaj biografi për Kristaq Dhamon. Nuk më takon mua. Por thjeshte të jap impresionin tim. Do të desha që edhe të kineastë të tjerë të shkruanin mbresat e tyre, se të jenë të bindur që për Kristaq Dhamon do vijë koha për tu shkruar edhe libra. Brezat e të ardhmes askush nuk i pengon dot të përceptojne me vërtetësi e pa manipulime atë çfarë historia tashmë e ka regjistruar.