MËSUESI, SHKOLLA, LIBRI JANË TË PA ZËVËNDËSUESHËM

0
1420
Ndue Sanaj - Luigj Shyti

Bashkëbisedim me Luigj Shytin

Nga NDUE SANAJ, Dritare.Info

I dashur Luigj, mbas shumë përpjekjesh hulumtuese, ecje të pafund, studimore, takime e takime të pafund, shfletime e shfletime letrash, dokumentesh, gazetash deri në arkivat e shtetit për të nxjerrë në dritë punën e 100 vjetëve në arsim e kulturë në Dukagjin, duke filluar nga viti 1917, nga i madhi At Shtjefën Gjeçovi dhe At Justin Rrota, më në fund e kurorëzove me sukses duke nxjerr librin me titullin e madh “Historik i Arsimit dhe i Kulturës në Dukagjin”. Të lumtë dora për këtë arritje të madhe.

1. Tani, si e ndjejnë veten Luigji?

Pas çdo botimi, autori ndjen kënaqësi, e ndijën veten një shkallë më lartë, të paktën në mendjen e tij, por për autorin çdo libër ka brenda pjesë, dhe jo pak, nga mendja dhe nga zemra e tij, ka mund dhe djersë. Natyrisht, vlerësimin e bëjnë lexuesit, veçanërisht ata që njohin mjedisin për të cilin bëhet fjalë, që njohin kohën, terrenin, kushtet politike, social-ekonomike dhe natyrore, psikologjinë e njerëzve për ku shkruhet apo bisedohet. Në qoftë se botimi gjënë pëlqimin e tyre, autori, ndjen shumë kënaqësi. Nga ana ime, jam ndjerë mirë me vlerësimet e bëra për botimet e mëparshme. Botimet janë ngjarje me rëndësi për autorin, sepse janë kurorëzim i një punë fort dashamirëse, por edhe me jo pak përpjekje, si nga ana e materialit që merr në konsultim e referim, po ashtu edhe në gjetjen e vendit për ta çuar aty ku e ka vendin e duhur, për kohën e duhur. Natyrisht ndjehem edhe më i moshuar, por s’kemi ç’ti bëjmë, por ndjehem edhe më kërkues ndaj vetes, e kjo më bën që edhe në analizën e një libri që lexoj, ti futem më thellë, në mënyrën time, për të parë se çfarë ka dashtë me thënë autori dhe çfarë ka thënë, sepse tjetër është çfarë ka dëshirë të thotë autori dhe tjetër është çfarë ka thënë në fakt. Mosha nuk është, dhe nuk duhet të jenë, pengesë për të mësuar gjatë gjithë jetës, pavarësisht flokëve të bardhë apo rrudhave në ballë ku vitet kanë lënë gjurmët e tyre të pakthyeshme.

2. Ideja e realizimi është e madhe, por mendoj se është me interes të dihet, se si të lindi ideja e ndërmarrjes së kësaj pune hulumtuese e studiuese, për ketë teme kaq të madhe e të rëndësishme për arsimin e kulturën në tërësi për tërë vendin, por në rastin konkret, për Dukagjinin?

Unë kam punuar për shumë vite në arsim dhe në drejtimin e shkollës 8 vjeçare dhe të mesme. Për 50 vjet të jetës time dhe mbi 33 vjet të punës kam jetuar dhe punuar në krahinën time, në Dukagjin, në fshat, me punën kulturore, por rreth 30 vjet në arsim, në disa shkolla të Dukagjinit si mësues dhe drejtues, veçanërisht në zonën e Pultit dhe të Shalës. Për shumë vite kam qenë drejtues rinie në zonën e Shalës, një punë vullnetare por shumë e bukur, me shumë veprimtari, e shumë lëvizje, që të jepnin kënaqësi të pashlyeshme. Puna dhe veprimtaritë më dhanë mundësinë për të parë, nga afër, gjendjen e nivelit arsimor dhe kulturor të bashkëfshatarëve të mijë, kulturën e jetesës, por edhe traditat në mënyrën e jetesës, bashkëpunimit, bashkëjetesës në komunitet, traditat historike e kulturore, mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, etj. Kam dëgjuar dhe kam parë në fëmijërinë time shumë që nuk dinin të shkruanin e të lexonin, madje kam parë njerëz që shkonin të ndonjë që dinte të lexonte në lagje, fshat, apo edhe të frati për të lexuar ndonjë letër që vinte nga pjesëtari i familjes ushtar, apo diku tjetër. Duke u rritur në moshë, pastaj duke punuar në arsim, por edhe duke ua përsëritur nxënësve, sa lejonte mosha e koha, ato që thash pak më lart, që të mund motivoheshin, dhe motivoheshin edhe ata, por edhe prindërit e tyre ndikonin edhe tek unë që të mos harroheshin, të ngulitej kërkesa “e heshtur, e pa kthjelluar mirë” për shumë kohë, për të bërë diçka për pasqyrimin e atyre përpjekjeve në një kohë shumë të vështirë për krahinën dhe vendin, në tërësi për të gjithë qenien tonë, por edhe se si në ato kohë me gjithë ato turbulenca politiko-ekonomike, krahas me kërkesat dhe dëshirën për liri e pavarësi, u ngjallë ndjenja e arsimimit, si njëra nga drejtimet më të rëndësishme, e cila do të mund tu hapte rrugën të gjitha drejtimeve të tjera të zhvillimit dhe përparimit të vendit. Gjithnjë erdhi duke mu mbushë mendja që të përpiqesha të bëja një gjë të tillë, por, mjaft ngadalë. Gjatë punës time kam mbajtur shumë shënime edhe si mësues edhe si drejtues, ashtu siç kanë mbajtur dhe mbajnë shumë kolegë të mijtë, mësues e drejtues, dhe mendoja se kam një informacion të vlefshëm, por sa më thellë futesha në problemet dhe punën e bërë në kohë të ndryshme për arsimin dhe kulturën, më dukej se dija më pak. Një shok i imi, jo mësues, kur më erdhi në shtëpi për vizitë, disa kohë më parë, dhe pa disa dosje vetëm për problemet e arsimit në shkollat që kisha punuar dhe punoja, më pati thënë një herë, se pse nuk e bën një historik për arsimin në Dukagjin, pasi ke këto materiale. Unë i thashë se këto janë materiale dhe shënime personale dhe nuk mund të bëhet një historik vetëm me këto, nuk del i plotë dhe nuk mund të përfshijë gjithë atë punë të madhe që është bërë, dhe që nga vitet ’60 i kam parë e kam marrë pjesë edhe vetë, por janë edhe shumë e shumë të tjerë që kanë punuar në frontin e rëndësishëm të arsimit dhe edukimit, ka shumë dokumente, të dhëna, e kujtime që i vlerësoja se duheshin për një gjë të tillë.

Ju, zoti Ndue, e dini shumë mirë, punën e vrullshme, dhe shumë të rëndësishme, që bëmë bashkë me Kryesinë dhe gjithë pjesëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, dhe jo vetëm, veçanërisht në 6-7 vitet e fundit, për ngritjen dhe vendosjen në Shkodër të monumenteve të Mehmet Shpendit dhe Martin Camajt, por edhe më parë me konferenca e simpoziume shkencore për Dukagjinin. Pasi mbaruam punë me këto monumente, në Kryesinë e Shoqatës shfaqëm mendimin për një konferencë shkencore për arsimin dhe kulturën në Dukagjin. Ne përpiqeshim që ti merrnim gjerat në kohë dhe nuk i lamë për ditën e fundit. Puna filloj dy vite përpara kohës kur do të mbushej 100 vjet nga çelja e shkollave të para në Dukagjin. Pas diskutimeve në Kryesi, u vendos që të punonim për këtë Konferencë, duke e vlerësuar si një ri zgjim e vlerësim të historisë në këtë krahinë, u ngritën grupet e punës, u ndanë detyrat. Në mbledhje dhe takime në grupe pune, u diskutuan dhe u përcaktuan temat që do të mbaheshin në Konferencë, u ftuan mësues e ish mësues, punonjës kulture, por edhe nga terreni, drejtues të kohës, për të shkruar kujtimet e tyre, nga të cilat do të dilnin edhe nga ato që do të paraqiteshin në Konferencë. Kështu filloj puna për përgatitjen e saj. Nuk ishte aspak i lehtë realizimi i saj. Kërkohej punë kërkimore në arkiva të kohës, në biblioteka, në shtyp e kohës, në kujtimet e bashkëkohësve, në fotodokumente e fotografi të ndryshme, apo në objekte. Për këtë duhej të kërkonim dhe të gjenim gjithë sa të mundnim materiale, që i shërbenin temës së çështjes.

Së bashku me Prelë Shytanin, e të tjerë filluam kërkimin në arkiva, duke shfletuar secili për temën e vet, shumë dosje, të shekullit të XX. Sa më shumë shfletonim e më shumë bindesha se duhet bërë diçka që këto të dhëna të mos mbylleshin, ndoshta përgjithmonë, të mbetej e fshehur ajo punë e vlefshme e bërë. Askush nuk duhet të mendojë se ne arritëm majat më të larta, bëmë gjera të jashtëzakonshme. Ne bëmë atë punë që duhej bërë për krahinën tonë, u përpoqëm që të pasqyrojmë atë punë të madhe që bënë paraardhësit tonë mësues e drejtues në arsim, dhe arritëm ato që janë publikuar më në fund. Kjo nuk ishte aspak e vogël që në një vend shumë të thellë malor, larg jetës urbane, e izoluar nga politikat dhe administrimi i kohëve, por dhe i vetë izoluar për të mos u shkërmoqë nga pushtimet, reprezaljet, veprimet dhe ndikimet e tyre. Nuk është pak që një vend plotësisht analfabet që e gjeti Pavarësia e krijimi i shtetit shqiptar, pesë vjet më vonë fillon hapja e shkolla në gjuhën shqipe.

Pas një pune këmbëngulëse u grumbulluan shumë materiale, u panë shumë dokumente, u morën shumë skedime e të dhëna interesante. Pra, u krijua mundësia për zhvillimin e Konferencës Shkencore për këtë problem. Por të gjitha ato materiale që u grumbulluan, në imtësi nuk mund të paraqiteshin në Konferencë, për arsye kohe, madje disa duhej që të krahasoheshin dhe ballafaqoheshin me dokumente e fakte të tjera. Gjithsesi pas përgatitjes së kujdesshme në bazë të një programi të përcaktuar deri në detaje nga Kryesia e Shoqatës, u zhvillua Konferenca në një nivel të lartë nga përgatitja, nga pjesëmarrja si dhe nga disiplina shkencore. Punë e kujdesshme u bë për përgatitjen e botimin e materialeve të Konferencës. Doli një botim mjaftë serioz dhe i kërkuar nga lexuesit, veçanërisht nga ata që kanë punuar dhe punojnë në frontin e arsimit dhe të kulturës në Dukagjin dhe për Dukagjinin, por edhe studiues të ndryshëm.

Përgatitja e zhvillimi i konferencës, referatet, kujtimet e të tjera që u paraqiten ne Konferencë, ishin të rëndësishëm për mua që të merrem me përgatitjen dhe botimin e një Historiku për arsimin dhe kulturën në Dukagjin, ku do të dilnin më shumë të dhëna, më shumë analiza, do të mund të pasqyroheshin sa më shumë, ata që kanë punuar e drejtuar apo punojnë dhe drejtojnë akoma në shkollat e Dukagjinit, por edhe problemet në kohë të ndryshme, vështirësitë, marrëdhëniet shoqërore, kushtet e jetesës, puna kulturore si një aspekt i pandarë nga shkolla dhe mësuesit. Mu gjendën pranë shumë koleg e bashkëpunëtorë, me të dhëna, foto e dokumente. Kjo më dha më shumë zemër për përgatitjen e këtij botimi, me dëshirën që ajo punë e bërë të mos harrohet e humbasë në terrin e mjegullnajën e kohës. Në këtë botim nuk është bërë e mundur që të thuhet gjithçka, por është thënë shumëçka.

3. Në mes të tjerave ndaleni në një pjese të librit, për punën e priftërinjve katolik për ndriçimin e mendjes së malësoreve … Pse e keni veçuar, që në fillim të librit ketë çështje? Cili ishte roli i tyre në mbajtjen gjalle të gjuhës shqipe dhe pse ishte e ndaluar me dekret të veçantë nga sulltanati?

E si mos të veçohet puna e priftërinjve gjithmonë, dhe veçanërisht edhe për këto momente. Kleri në krahinën tonë ka qenë gjithnjë në frontin e parë për edukimin e popullit me të gjitha cilësitë e mira, për të ruajtur historinë e kulturën, gjuhën shqipe, edukatën familjare, dashurinë për atdheun, e elementë të tjerë. Në të gjitha kishat bëhej një punë e organizuar me masën e të rinjve. Grumbulloheshin pranë saj, edukoheshin me besimin fetar, por edhe zhvillonin veprimtari kulturore interesante, të cilat shfaqeshin, pranë kishës, përpara prindërve të tyre në ditë festash e festimesh. Pranë kishave janë hapur edhe shkolla të niveleve të ndryshme të cilat ndihmuan në ruajtjen e gjuhës shqipe. Mbase jo gjithmonë dhe në çdo vend mësonin shkrim e këndim, por edhe veprimtaritë edukative-kulturore qenë një ndihmë mjaftë e madhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Veçanërisht priftërinjtë që qenë shqiptarë bënë një punë mjaftë të madhe për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe. Ndërsa po kërkoja në arkivin e Muzeut në Shkodër, në lidhje me një botim që kam bërë disa vite me parë, ish punonjësi i arkivit Paulin Pero, tashmë i ndarë nga jeta, dhe me kujdesin e tij të veçantë, më vuri në tavolinë një dosja jo të vogël, që mua më tërhoqi shumë sa më shumë shfletoja. Për mua, krejt rastësisht, pashë disa dokumente të viteve 1920-1922, por edhe të viteve të mëvonshme, veçanërisht nga fundi i viteve ’30. Më tërhoqën aq shumë sa nuk di se si kaloj koha, veç kur më afrohet Paulini dhe më thotë se erdhi koha me dalë. E lamë për ditët në vazhdim, dhe ashtu bëmë. Aty pash rreth 40 dokumente origjinale që bënin fjalë për punën që po përpiqeshin dhe arritën të bënin priftërinjtë e kësaj krahine dhe drejtuesit e tyre, duke marrë përsipër dhënien e mësimit në këto shkolla. Kishte dokumente me kërkesa për të hapur shkolla, për materiale shkollore, emërime të priftërinjve si mësues, lëvizje të tyre, etj. E kam thënë edhe në libër, se këto shkolla që u hapën në Dukagjin nuk ishin aspak private, as fetare, pavarësisht se jepnin mësim priftërinjtë e mësimi zhvillohej në mjediset e kishave, dhe as të panjohura për kohën, por mbetën të panjohura më vonë e veçanërisht pas çlirimit të vendit kur kishte shumë mundësi. Ato të gjitha njiheshin nga shteti kohës, madje shpërblente më një farë subvencionimi ata që jepnin mësim. Dokumentet janë të thjeshtë, të shkruar shkurt, qartë, pa pompozitet dhe është interesante lëvizja e postës, për kohën, sa që brenda një jave çohej kërkesa e merrej përgjigja, me ja pasur lakmi edhe sot që teknologjia ka arritur lartësi të pa menduara.

Pastaj shkrimet në shtypin e kohës nga priftërinjtë e të tjera, në vlerësimin e shkollës, informacione për hapjen e shkollës, nevojat, sa të ishte e mundur për materiale shkollore në shërbim të mësimit, ecurinë e nxënësve në mësime, etj. Ne duhet tu jemi mirënjohës ndër breza, punës së bërë nga këta priftërinj, të cilët mbollën farën e mirë të arsimit dhe kulturës edhe në Dukagjinin tonë.

E kamë shkruar prej disa vitesh, por dhe në këtë libër, se më ka bërë përshtypje të madhe, se si ka qenë e mundur që këto dokumente arkivore në Muzeun Shkodër nuk janë parë dhe publikuar. Unë, ruaj mendimin se ato janë parë, por nuk janë vlerësuar e publikuar, për vendin dhe kohën dhe realizuesit e asaj punë të vlefshme.

4. Ndër të tjera ndaleni në një pjesë të këtij libri, për punën e priftërinjve katolik, për ndriçimin e mendjes së malësorëve? I nderuar Luigj, ka mendime nga studiues të ndryshëm, dr Mark Palnika, Prof dr Lutfi Alia e të tjerë, se rrënjët e arsimit e kulturës sonë i gjejmë që nga lashtësia e hershme, historia e zhvillimit të shkollave shqipe, dhe e arsimit në Shkodër që daton nga 1345-1395 dhe në Pult 1367, shkolla, këto, të hapura nga françeskanët arbnor dhe ata italian që dinin gjuhën shqipe, pranë kishave e kuvendeve duke filluar nga shkolla në Ulqin e vitit 1258 dhe në vijimësi në Durrës 1278, Tivar 1349, Drisht 1396, Shtubëll, Dibër, Prizren, Shkup, Elbasan, Ohër, e të tjera. Madje dr. Mark Palnika shkon edhe më tej: “Në vitin 1675, në fshatin Rrjoll është hapur shkolla e parë shqipe me mësues Marin Gjinin, i cila ka punuar 22 vite Ipeshkëv i Pultit, Në fshatin Xhan është krijuar kori i vajzave, në Kabash para vitit 1400 ka pasur shkollë të nivelit të mesëm. Cili është mendimi juaj?

Kam parë disa prej këtyre publikimeve dhe janë shumë interesante. Janë interesante për dëshirën për të ecur në drejtimin e duhur, gjithnjë drejt zhvillimit e përparimit, për më shumë shkollë dhe kulturë, duke vlerësuar se shkollimi është bazë për zhvillimin e një populli, një vendi. Është e vërtetë që janë hapur shkolla shumë herët në Shqipëri, nga dhe pranë kishave. Këto shkolla ndihmuan shumë në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës tonë kombëtare.

Priftërinjtë janë shkolluar në perëndim të gjithë, dhe kanë parë mundësinë e zhvillimit jo vetëm në shërbimin fetarë, por në të gjitha drejtimet për një jetë më të mirë, si e tillë edhe për shkolla në gjuhën amtare, si domosdoshmëri e pazëvendësueshme për të ardhmen e një kombi.

Priftërinjtë dhe kishat u bënë nismëtar dhe strehë e shkollimit në gjuhën shqipe. Sidomos në shekullin e XIX kishte shkolla, por nuk mësohej shqip. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, na kujton se, në vitin 1887, kur u hap shkolla e parë shqipe, shtetërore në Korçë, në Shqipëri kishte 3000 shkolla, por vetëm ajo që u hap në Korçë ishte në gjuhën shqipe. Natyrisht, edhe në Konferencë, por edhe në botimin për të cilin pa flasim jemi përqendruar në territorin e Dukagjinit të sotëm. Në mesjetë Pulti kishte një shtrirje shumë më të madhe se sa është sot Dukagjini. Është me vend të njohim dhe të vlerësojmë shumë punën që kanë bërë kishat dhe priftërinjtë në krahinën tonë, por edhe kudo, ndonëse nën presion të jashtëzakonshëm, ruajtën dhe përhapin gjuhën shqipe. Unë mendoj se duhet vlerësuar qofshin shkollat shtetërore, qofshin ato private që u vunë në shërbim të gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. Pranë çdo kishe kishte grupe të fëmijësh dhe rinjsh e të rejash që mësonin këngë, dhe kryenin veprimtari kulturore pranë kishës në ditë festash dhe të kremtesh. Të gjitha këto bëheshin në gjuhën shqipe, në ato famulli që famullitari ishte shqiptar ose dinte gjuhen shqipe. Mësimi i këngëve bëhej përmendësh, jo se shkruheshin, pasi nuk dinin shkrim e këndim. Natyrisht kjo nuk ishte shkollë, por ishte një ndihmë e madhe për të ruajtur gjuhën shqipe nga ndikimet apo veprimet e pushtuesve të kohës, për ta bërë atë më të pranishme edhe në jetën kulturore të famullisë, nëpërmes të cilave vinte te veshi dhe mendjen e dëgjuesve nga ata që këndonin apo recitonin, gjuha shqipe më ëmbël, më bukur, që rriste dashurinë edhe për gjuhën por edhe për atdheun, tokën e të parëve.

5. Mbas çlirimit të vendit u bënë përpjekje të mëdha, që quhet “Lufta kundër analfabetizmit” edhe ju e keni pagëzuar kështu. Pse u publikua aq shumë kjo nisëm sa edhe sot përmendet, madje më shumë të drejtë si një arritje e madhe dhe e veçantë dhe puna e atyre mësuesve dhe drejtuesve të kurseve që u vunë në krye të kësaj pune? Cilat ishin shkaqet, kur në zonën tonë shkollat shtetërore u hapën që në vitin 1917 dhe nuk duhet të kish analfabet?

Shqipërinë, dhe, si pjesë e saj edhe Dukagjinin, e gjeti çlirimi i vendit me një analfabetizëm të pashembullt në Ballkan dhe Europë. Në këtë gjendje e kishin lënë regjimet që kaluan mbi truallin shqiptar. Dukagjini, në këtë kohë, kishte katër shkolla fillore, me 168 nxënës, ku jepnin mësim katër mësues. Koha kërkonte që njerëzit të dinin të shkruan dhe të lexonin, të paktën. Qysh në vitin 1941, Prof. Kolë Prela, i pushkatuar pak vite pas çlirimit nga regjimi që u vendos në Shqipëri, e quante analfabetizmin dëm për njeriun dhe kombin, dhe shtonte: “Anmiku më i madh i analfabetizmit asht shkolla … Dije o shqiptar, se një analfabet s’ka pse pret dritë ma fort se i verbti të pamët … shkolla asht lumnia, ndera e trimnia e një kombi”. Duheshin kurse kundër analfabetizmit, që njerëzit të mësonin shkrim e këndim, të vihej në lëvizje rrota e historisë për më shumë dituri. Natyrisht nuk kishte ndonjë nivel të lartë shkencor, por të paktën të mund të përfitonin për të shkruar dhe lexuar. Shtatë muaj pas çlirimit filluan kurset kundër analfabetizmit në Dukagjin. Gazeta “Koha e Re” e cila dilte në atë kohë, shkruan në korrik 1945 se filluan kurset kundër analfabetizmit në Dukagjin. Fillimisht kurset u vendosën pranë shkollave ku ishin të hapura, por dalëngadalë u shtrinë në të gjitha territorin. Ishte sanksionuar me ligj që i detyronte shtetasit deri në moshën 40 vjeç të mësonin shkrim e këndim. Pati jo pak vështirësi, në bazë materiale, në mungesën e drejtuesve të kurseve, në koncepte frenuese, në largësinë e qendrave të kurseve nga shtëpitë e banorëve, kushtet e punës në bujqësi e blegtori që vështirësonin pjesëmarrjen e kursistëve, etj. Në përfshirjen në kurse u tregua kujdes i veçantë për përfshirjen e vajzave dhe grave. Drejtuesit e kurseve kishin njohuri për shkrim, këndim dhe pak matematikë. Në nëntor 1946 – mars 1947 kishte 550 kursistë midis tyre 300 gra e vajza. Këtu pa flasim për Dukagjinin, por një punë e tillë u bë në të gjithë territorin e vendit. Për këtë është shprehur edhe ish Ministri i Arsimit të kohës, Thoma Deljana. Sipas dokumenteve të gjetura në Arkivin e Shtetit, në qershor të vitit 1948 kishte 31 kurse ku përfshiheshin 489 pjesëmarrës, midis të cilëve 355 ishin gra dhe vajza. Është vendi të përmendet se kurset kundër analfabetizmit ishte përpjekja e parë dhe shumë serioze edhe për emancipimin e grave e vajzave, në veçanti, krahas emancipimit të shoqërisë në përgjithësi, të një shoqërie që vinte nga një e kaluar shumë e vështirë në të gjitha drejtimet.

Gjithsesi, u bë një punë shumë e madhe në këtë drejtim, sepse shkollimi jo vetëm do të krijonte mundësi shkrimi e leximi, por sillte edhe emancipim të shoqërisë. Prej këtyre kurseve dolën kuadrot e para, që më kalimin e kohës e rriten nivelin e tyre arsimor nëpër shkollat pa shkëputje nga puna. Zhdukja e analfabetizmit u konfirmua zyrtarisht në vitin 1956, por lufta kundër tij vazhdoi dhe duhet të jenë nën kujdes edhe sot. E them këtë sepse nxënësit që braktisin shkollën e detyrueshme pa e përfunduar, janë kontingjent për analfabet, sepse në shumicën e rasteve, për të mos thënë të gjithë, e braktisin shkollën nxënësit me përparim të dobët. Raste braktisje ka edhe në Dukagjin, të njohura zyrtarisht. Kjo duhet të jenë objekt hulumtimi dhe korrigjimi, kryesisht nga shkollat prej të cilave janë larguar. E kam trajtuar në një nënkapitull për vetë punën e madhe që u bë në atë kohë për të mësuar dhe përhapur shkrimin dhe këndimin në gjuhën shqipe. Ishe një masivitet që meritonte vëmendje si vlerësim i punës së bërë, por edhe si një histori që duhej treguar brezave.

Është e vërtetë se filloj hapja e shkollave në vitin 1917, por ishte kohë turbullirash politiko-ushtarake, dikush hynte në Shqipëri e dikush dilte, brenda vendit nuk kishte stabilitet në jetën politiko shoqërore të vendit, qeveritë që erdhën në fuqi pas Kongresit të Lushnjes nuk u treguan të interesuara që të ndihmonte malësorët dukagjinas që të forconin dhe përhapnin shkollat e punën e tyre. Madje ato u mbyllën disi pa zhurmë. Mbase në këtë drejtim ndikoj edhe Lëvizja e Dukagjinit e vitit 1926, kundër regjimit të Zogut, që dihen pasojat e saj. Kjo çoj në analfabetizëm edhe shumë, për të mos thënë të gjithë, nga ata që kishin filluar të mësonin diçka. Me gjendjen e shkollave që u hapën, me frekuentimin jo të plotë të fëmijëve në moshën shkollore, nuk do të ishte e mundur zhdukja e analfabetizmit, por do të përfitonin një masë e madhe e fëmijëve malësor, e që do t’ja vlente për të ardhmen.

6. I nderuar Luigj, ju ndaleni në një pjesë të veçantë me titull “Arsimi në Dukagjin në vitet 1945-1990”. A mund të na thuash diçka më shumë për veçimin e kësaj pjese?

Në qoftë se është bërë ndonjë punë e mirë, në Shqipëri pas çlirimit, ndër të parat, në mos më e para është shkolla dhe shkollimi në Shqipëri. Por “boshti ideologjik”, pa tjetër, që ishte gjithmonë i pranishëm në mësim e shkollë, sepse e tillë ishte koha dhe ishte e pamundur dalja jashtë kësaj kornize. Çlirimi i vendit e gjeti edhe Dukagjinin në atë nivel shkollor që u përmend pak më sipër. Por nuk është e vogël që një vend shumë i thellë e malor, larg jetës urbane, brenda 73 viteve, nga çelja e shkollave të para, të arrihet që në vitin 1990, vetëm në Dukagjin të ulen në bankat e shkollës mbi një e katërta e popullsisë, pa përfshirë ata që shkolloheshin jashtë Dukagjinit e familjarisht banonin në Dukagjin, dhe që ishin një numër i konsiderueshëm, sigurisht, mund dhe duheshin të ishin më shumë. Brenda kësaj periudhë pati një ndërprerje totale të shkollimit në Dukagjin, për 14 vjet, nga regjimi i Zogut.

U ngritën shkolla të reja mjaftë të mira, për kohën, në të gjithë territorin e Dukagjinit, u hapën shkolla fillore ku kishte grumbullim shtëpisë, madje edhe për katër nxënës e që kishin vështirësi për shkak kushtesh terrenit dhe atmosferike për të frekuentuar shkollën në largësi, si në Kaprre, Mollë e Shoshit, Maja Thanës, etj. U ngritën konvikte për grumbullimin e nxënësve për tu krijuar mundësinë e shkollimit në një cikël më të lartë. I pari konvikt u hap në Xhan të Pultit në të cilin e strehuan njëqind nxënës nga gjithë Dukagjini por edhe nga Nikaj-Mërturi, në vitin 1946. Në fundin e viteve ’60 u ngritën konvikte në të cilat strehoheshin nxënës nga lagje apo fshatra në distancë të konsiderueshme që nuk mund të vazhdonin shkollën 8 vjeçare nga shtëpitë e tyre. Konvikte u ndërtuan në Theth, Plan dhe Palaj-Shosh. Kjo vinte se ishin ndërtuar shkollat e reja në qendra të mëdha, fillimisht, sepse nuk kishte mundësi ekonomike për ti ndërtuar të gjitha njëherësh. Konviktet ndihmuan që të gjithë nxënësit që mbaronin shkollën fillore të mund të vazhdonin shkollën 8 vjeçare. Konviktet vijuan deri sa u ndërtuan shkolla në të gjithë territorin, të cilat krijuan mundësitë e vijimit të shkollës 8 vjeçare të gjithë nxënësit nga shtëpitë e tyre.

Në vitet ’80 filluan të ngrihen klasat kabinet, dhe nxënësit lëviznin sipas orarit nga klasa në klasa. Kjo do të krijonte mundësi që mësuesi do të kishte të gjithë bazën materiale mësimore në klasë, dhe nuk kishte nevojë për tu bartë me harta, tablo, mjete demonstrimi në fizikë apo biologji e kimi nga klasa në klasë. Pa tjetër që nuk ishte e mundur në të gjitha shkollat, sepse se pari kërkohej hapësira e duhura dhe maksimumi i bankave apo tavolinave në çdo klasë, përveç të tjerave, por, sidoqoftë filluan dhe funksionuan me rezultat të mirë, atje ku u ngritën. Shembulli, ndoshta, më i mirë në vitet ’80, qe shkolla 8 vjeçare në Theth.

Koha kërkonte më shumë shkollim në nivel më të lartë. Sytë u drejtuan te shkollat e mesme. Në vitin 1973 hapet e para shkollë e mesme bujqësore në Breglumi-Shalë me konvikt. Katër vite me parë kishte filluar shkolla e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna. Mësimi zhvillohej pasdite vonë, pasi mund të linin punën, por edhe mësuesit të ishin të lirë nga puna më nxënësit e ditës të shkollës 8 vjeçare. Mësimi jepej nga mësues të shkollës 8 vjeçare sepse ishin të gjithë me arsim të lartë, por plotësoheshin edhe nga kuadrot specialist të kooperativës bujqësore apo të aparatit të Komitetit Ekzekutiv të Lokalitetit. Të bën përshtypje, që megjithëse hapej një shkollë në një zonë nga më të thellat në Shqipëri, me një prapambetje të madhe arsimore, dhe që ishte e para në zona të tilla, shtypi lokal që dilte në atë kohë shkroi plot 112 fjalë ??!!

Shkollat e mesme filluan të hapen edhe në zona të tjera si në Shllak, e disa vite me vonë, në Theth, Pog, dhe Ndreaj-Shosh. Morën arsim të mesëm qindra nxënës, nga këto shkolla, shkuan në shkollat e larta dhjetëra student që u diplomuan mjek, ushtarak, agronom, ekonomist, mësues, etj. Hapja e shkollave të mesme i dha gjallëri dhe shtysë pozitive, të fuqishme, gjithë jetës në Dukagjin.

Shumë nga këta nxënës u bënë drejtues në ekonomi e administratën shtetërore të kohës, por mund dhe duhej më shumë. Njerëzit po shkolloheshin, por me gjithë arritjet, gjithsesi nuk ishte në nivelin e duhur dhe të mundur tërheqja e tyre në drejtim, në strukturat drejtuese, sidomos në bazë. Drejtuesit e kohës, natyrisht kishin fituar një farë përvoje, kishin bërë edhe punë të mira, por, përpiqeshin të justifikoheshin me propagandën e politikës së kohës, dhe patriotizmin që manifestonin, por kjo nuk mjaftonte. Kjo vinte edhe pse nuk kuptohej nga shumë njerëz në ato vendet ku “ziente kazani”, ku diskutohej programohej dhe përgatitej gjithçka për në popull, por edhe ata që e kuptonin se duheshin njerëz të shkolluar, duket se bënin sikur nuk e kuptonin, për të ruajtur karriget apo ndonjë privilegj moral apo material që kishin zënë. Prandaj kishte rezistencë jo të vogël për të përfshirë ata që kishin më shumë shkollë në jetën e fshatit apo krahinës. Kjo pa tjetër që solli ngadalësi në jetë shoqërore e në zhvillim. Qëndrime të tilla nuk ndodhën vetëm me ata që mbaronin shkollën 8 vjeçare, por po vazhdonte edhe me ata që mbaronin shkollën e mesme, caktoheshin brigadier në ndonjë qoshe në bujqësi apo blegtori, ndihmës llogaritar ku shefi ishte me shkollë 8 vjeçare pa shkëputje nga puna, apo në ndonjë vend tjetër. Por edhe shikoheshin me “kujdes” që ti “edukonin”. Po të futej më shumë shkolla në jetën shoqërore, pa tjetër që do të kishte edhe me shumë zhvillim, më shumë kulturë, më shumë e më shpejt emancipim të shoqërisë.

7. I dashur Luigj, sa është interesantë pjesa e parë “Arsimi në Dukagjin në vitet 1945-1990, jo më pak interesante është edhe pjesa e dytë “Jeta Kulturore Artistike në Dukagjin”! Pse vjen pas e dyta dhe nuk është vendosur në vendin e parë kjo pjesë e librit, pasi kultura popullore ka qenë shumë më e hershme, madje që me lindjen e shoqërisë njerëzore e organizuar në grup, e organizuar në bashkësi?

Po, kultura është e vjetër sa vetë jeta që nga shfaqja e njeriu të ditur në tokë. Secili brez ka zhvillimet e veta, e ato që janë parë të vlefshme kanë kaluar nga brezi në brez.

Transmetimi i përvojës nga brezi në brez është kolektivizëm (jo kolektivizim), është tregues vendimtar i edukimit, kulturës popullore. Në librin për të cilin po flasim, ka qenë e vështirë që të analizohet e përshkruhet gjithë ajo përvojë në shekuj e mijëvjeçarë të paraardhësve tonë. Nga ana tjetër për kulturën në Dukagjin nuk është shkruar pak, është shkruar nga studiues e udhëtarë, është shkruar nga priftërinjtë, është shkruar në vitet e fundit nga studiues e dashamirës të kulturës nga Dukagjini dhe për Dukagjinin, si Prof. Zef Gjeta, Voc Deda, Ndue Sanaj, Prelë Milani, Ledia Dushi, Lazër Kodra, Zef Lulash Sokoli e Lulash Gila, Ndue Cukeli, Kolë Funiçi, etj. Ku janë trajtuar tema e studime të mirëfillta, apo elemente të veçantë të kulturës. Unë, si pjesë e studiuesve dhe botuesve, nëse mund të jem i tillë, të bashkëkrahinarëve të mijë dukagjinas, jam përpjekur në të gjitha botimet e mija të trajtoj kulturën e krahinës tonë sa më shumë në gjerësi dhe thellësi edhe në botime të veçanta. Në këto punime janë trajtuar ceremoniali i dasmës tradicionale, kultura popullore, etnografia, etnogjeneza, folklori, ceremonia mortore tradicionale, elementë të veçantë të saj, etj. Janë trajtuar shumë tema, e pa tjetër që ka shumë e shumë të tjera të vlefshme dhe interesante për tu trajtuar. Në botimin e këtij libri që po flasim, kultura është shënuar në pjesën e dytë. Kjo nuk është bërë aspak për mungesë vlerësimi, por e kam vendosur në këtë mënyrë sepse, këtu, kultura nuk është trajtuar si e tërë, por janë marrë elementë të veçantë të saj të cilët janë pasqyruar në libër. Jo vetëm kjo, por edhe se për kulturën siç e thash pak më parë, është shkruar jo pak. Nga ana tjetër trajtimi në këtë botim është kryesisht në njëqind vetët e fundit, si dhe puna që është bërë nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit të XX e në vazhdim, si një punë më e organizuar, veçanërisht në elementë të veçantë të saj. Duhet të shënoj se në këtë botim, arsimi ishte masiv, është hera e parë që problemet e arsimit trajtohen kaq gjerësisht, mbase kjo ishte ajo që vlerësova dhe më shtyri për këtë renditje. Po kujtoj këtu se vetë shkolla dhe shkollimi janë pjesa më e organizuar dhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë historikisht e kulturës. Mandej është krijuar një farë tradite që kur flitet për këto dy degë, të cilat janë të një trungu, vazhdimisht thuhet “arsimi dhe kultura”.

Me fillimin e hapjes së shkollave, edhe kultura mori një drejtim më të kualifikuar, u ndje puna e tyre. Por duhet theksuar se, pas çlirimit të Shqipërisë, ashtu si edhe vetë shkolla, edhe puna kulturore u vu mbi baza më shkencore, më e organizuar, më masive, më e kualifikuar, gjë që çoj në një hop të zhvillimit të saj, ndër të tjera edhe me veprimtari kulturore artistike të cilat shkëlqyen në shumë veprimtari lokale e kombëtare. Kjo, traditë tashmë po vazhdon edhe sot e duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nuk është shumë e rëndësishme, mendoj, se si janë renditur kapituj, por kryesorja është se janë në një botim të përbashkët.

8. Në pjesën e dyte të librit, keni veçuar një kapitull, me teme “Gazeta “Dukagjini” dhe puna e saj në shërbim të bashkësisë dukagjinase dhe më gjere”. Mua me vjen mirë që e keni veçuar, se është një pune jashtëzakonisht shumë e madhe, vullnetare, që është bërë në këto 16 vite nën drejtimin e kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, të anëtareve të redaksisë, të kryeredaktoreve Prelë Milani, Lazer Kodra, Luigj Shyti dhe tani të Suela Ndojes, por dhe të intelektualeve dukagjinas dhe jo vetëm pjese e kësaj bashkësie, por që nga Australia e largët, SHBA, Kosova, Mali i Zi dhe po të thuash nga të gjitha hapësirat shqiptare, si dhe të mundësorëve të saj, por mundësisht desha diçka më konkrete për ndikimin që ka dhënë kjo gazete në bashkësinë tone dukagjinase?!

Gazeta “Dukagjini” është renditur në vazhdën e botimeve të tjera që janë bërë nga dukagjinas dhe për Dukagjinin. E kam menduar dhe vlerësuar, në mendjen time, si nga botimet më masive, më të rëndësishme, më të bukur të kohës. Ishin këto që e vendosa në një vend të veçantë, por, besoj, të merituar.

Gazeta “Dukagjini”, qe një domosdoshmëri e kohës. Dukagjini, në kohën që po projektohej kjo gazetë dhe vetë shoqata, ishte tronditur, ashtu si edhe gjithë Shqipëria, nga vala e emigracionit, rrugë e pa rrugë, nëpër dete e avion, maleve me bore e ujërave të rrëmbyer. U largua pjesa më e gjallë e jetës, mbetën shtëpitë vetëm me pleq të moshuar, më shumë si kujdestarë për shtëpitë se sa për punë. Ky emigracion edhe u pagua shumë shtrenjtë me jetë njerëzore. Emigracion pati edhe brenda vendit në shumicë të madhe. Secili ngulte gurin ku të mundte, dhe si e me se të mundte. Po bëheshin dhe duhet të bëheshin përpjekje për tu përshtatur kushteve të reja, dhe duhet të bëheshin. Vendlindja, pothuaj, u shkretua, në krahasim me atë që ishte më parë, e shumë e shumë probleme të natyrave të ndryshme. Në këto kushte po lindte Shoqata Atdhetare “Dukagjini”, por kësaj i duhet edhe një lajmëtar i fuqishëm, një zëdhënës i dejë por kohën dhe vendin, prandaj që në statutin e parë të saj u sanksionua se do të punohej për daljen sa më parë të një gazete, dhe kjo nuk vonoj dhe gjashtë muaj pas ligjërimit të shoqatës doli numri i parë i gazetës “Dukagjini”. Vërtetë ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për vetë shoqatën dhe Dukagjinin. Personalisht jam ndjerë shumë i mallëngjyer kur kam marrë numrin e parë të gazetës në dorë, kur ju zoti Ndue e sollët nga Tirana, sepse atëherë atje shtypej, sa dhe sytë mu kanë mbushë më lot gëzimi kur i kam vënë buzët mbi të duke e puthur, që u realizua një detyrë nga më të rëndësishmet për shoqatën dhe komunitetin tonë e më gjerë, por edhe një dëshirë e imja e disa viteve më parë, por që nëatë kohë mbeti e parealizuar. Ajo vijon punën sipas programit. Ajo nuk ishte dhe as nuk është gazetë e politikës partiake, as private, as e pavarur, por është botim i kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, duke pasqyruar veprimtaritë e shoqatës, pjesëtarëve të saj, por edhe mjaftë më gjerë, në të mirë të zhvillimit, përparimit dhe emancipimit të shoqërisë tonë. Kjo gazetë pasqyron dhe mbështetë, në mënyrën e saj të mundshme, politikën kombëtare. Gazeta, me sukses, ka ndjekur nga afër, sa ka qenë e mundur, edhe punën dhe jetën e bashkëkrahinareve, vëllezërve dhe motrave tonë të cilët morën rrugën e kurbetit, apo lanë disi trojet e të parëve dhe u vendosën në qytete apo afër tyre nëpër Shqipëri. U është bërë jehonë, është pasqyruar puna dhe jeta e tyre, problemet që i kanë shoqëruar, dhe ka dhënë ndihmesë në orientimin e zgjidhjes së problemeve. Është e vetmja gazetë që del periodikisht, rregullit prej 16 vitesh në Shkodër, dhe prej shumë vitesh e vetmja gazetë që del në Shkodër.

Gazeta “Dukagjini” ka një përhapje mjaft të gjerë. Ajo ka shkuar në shumë vende të Gadishullit Ilirik, në shumë vende të Europës, në Amerikë, e deri në Australi. Kemi pasur dhe ka bashkëpunëtor të saj në të gjitha këto vende. Ajo vazhdon të mbetet si e domosdoshme në jetën e çdo dukagjinasi, në lidhjet e bashkëbisedimet e gjera dhe interesante, në njohjen e punës dhe veprimtarive të bashkëkrahinarëve dhe bashkëkombësve kudo ndodhen.

Kjo gazetë ja ka bërë vendin vetit që të vlerësohet, edhe nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, edhe nga Unioni i Gazetarëve, edhe nga Këshilli i Qarkut Shkodër, pse jo edhe nga shoqata si motra, por mund dhe duhet të ishte vlerësuar edhe më parë, madje mund dhe duhet të kishin bashkëpunëtorët e vet me këtë gazet, me që pati dhe ka fuqinë që të jetë e vetmja gazetë aktive në Shkodër, prej vitesh, etj. Duhet lënë xhelozitë sepse është fakt konkret puna e saj. Unë jam ndjerë mirë me botimin e daljen e gazetës, që isha nismëtar në daljen e saj, që isha vazhdimisht redaktor i saj dhe për disa vite kryeredaktor i saj. Gazeta “Dukagjini” ashtu si edhe vetë shoqata, është punë kolektive dhe askush nuk mund ti shtrijnë e futë duart, apo hundët, personalisht drejt saj. E dua shumë dhe uroj të jenë jetëgjatë.

9. Pasi jemi te puna dhe roli i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nëpërmjet gazetës së saj “Dukagjini”, mund të bisedojmë pak, mbi rolin e Shoqatës në nxitjen e punës hulumtuese, studiuese e botuese të intelektualeve Dukagjinas, si Luigj Shyti, Prele Milani, Lazer Kodra, Voc Deda e të tjerë e të tjerë? Mendoj, jo për të absolutizuar rolin e shoqatës, por nisëm dhe nga fakti, se hulumtuesi, studiuesi, krijuesi e botuesi Luigj Shyti, në vitin 2005, pas dy vjet të themelimit të shoqatës, më del me botimin e pare, me titull “Dukagjini ka vend për të gjithë, publicistike”?!

Autorët që përmendni Ju, pak më sipër, edhe të tjerë, janë kolegë dhe shokë e mijë, të mirë. Puna e tyre duhet përgëzuar dhe propaganduar se është e vlefshme për Dukagjinin, dhe më gjerë. Natyrisht secili ka drejtimin e vet, idenë e vet, mendimet e veta, mënyrën e vet të shprehurit, por që mblidhen në mullirin dukagjinas, që të bluaj më mirë dhe më shumë.

Po, në Dukagjin kanë vend të gjithë, kanë mundësi të gjithë, kanë hapësirë të gjithë, për të punuar, mësuar, për të fituar, për të shkruar, për të kënduar, nuk veçohet askush, dhe nuk duhet të ndodhë, asnjë zonë apo fshat qoftë i madh apo i vogël.

Kuptohet se mundësitë dhe hapësira është e kufizuar më hapësirën që zë në një territor. Nuk ka të njëjtën mundësi potenciale një vend, p.sh. me 200 banorë si një tjetër me 1000 banorë, në të gjitha drejtimet, por asnjërit nuk duhet ti mohohet e drejta, puna, pjesëmarrja, vlerësimi, sipas mundësive dhe aftësive.

Titulli i ati libri me publicistikë ka të bëjnë me disa shkrime, disi dualiste për probleme të ndryshme në Dukagjin. Kjo më shtyri që bëra një shkrim në gazetën “Dukagjini” dhe pastaj e përfshiva në atë botimin që përmendni Ju. Mua nuk më duket i drejtë qëndrimi dualist midis fshatrave apo zonave, pasi nuk kemi asgjë të ndarë, jemi si një familje e madhe dhe e qëndrueshme e lidhur me qindra fije tëfuqishme. Pa tjetër që ka dhe duhet respektuar të veçantat e secilës zonë apo fshat, megjithëse këto janë shumë të vogla, madje mund të thuhet të pa rëndësishme në kontekstin e përgjithshëm jashtë krahinor.

Unë kam mendimin tim, por po e shprehë edhe si këshill, aq sa mund të vlejnë si e tillë, për ata që do ta lexojnë. Nuk duhet të përpiqemi që të grumbullojmë pranë vetes, ose në rreth të ngushtë, shumë material, sepse nga grumbullimi bëhet një pengesë që nuk mund të shikosh se çfarë ka, apo çfarë bëhet përtej, më larg, ose, nga mbipesha krijohet një gropë, brenda së cilës i pari mund të bjerë ai që ka formuar grumbullin. Është mirë që “ta hamë bukë dhe ti lëmë vend ujit”, thotë një fjalë e urtë popullore. Të mos e bëjmë “boshtin mullar” se nuk shkon. “Uni” është për tu përdorur për të marrë përgjegjësi, nuk është shumë i vlefshëm për tu mburrur. Nuk rriten vlerat, apo emri i një vendi a i një njeriut pse shkruhet një libër voluminoz a pse këndohet një këngë, pse bëhet një reklamë a një promovim pompoz, por shkruhet libri apo këndohet kënga sepse e ka nxitur puna e tyre, djersa, gjaku, trimëria, vendosmëria, rezultati. Zbulimi dhe evidentimi në tërësinë e tyre, i veçorive me përparësi, janë ato që bëjnë diferencën. Shkrimet, librat, këngët, nuk bëhen për të krijuar dhe ngritur heronj ose heroizma, por janë këto të fundit, pra, heronjtë e heroizmat, që nxisin dhe duhet të nxisin për studime, libra, shkrime, këngë apo dokumentarë e filma. “Të gjithë meritojnë nga një qiri, por dikush prej dylli e dikush prej vijami” (parafine), kam dëgjuar një thënie të kahershme.

Për mua, të gjithë librat që botohen kanë vlera, kuptohet se dikush më shumë e dikush më pak. Nga ana tjetër shikohen botime që kanë jo pak të meta. Këtu është fjala për brendinë dhe mesazhin që bartin dhe jo nga ana teknike. Mirë është të mos kenë as të meta tilla, por një shkronjë e harruar nuk ja ndryshon brendinë librit. Por unë mendoj se të metat që mund të shikohen në një libër janë të ndara në gabime dhe faje. Nga sa mendoj unë, të metat e natyrës teknike, pasaktësi apo shmangie, kur janë të pa qëllimshme, janë gabime. Ndërsa ato të meta që duken të qëllimshme janë faje, kuptohet moralisht, sepse të gjithë kanë të drejtën të shkruajnë çfarë dhe si e mendojnë, e lexuesi, që është më gjak ftohtë, ka të drejtën e vlerësimit. Personalisht jam përpjekur dhe ja kam arritur që të shmangë gabimet e qëllimshme, të mos ulë dikë, apo diçka dhe të nge dikë apo diçka, të mos bëj apo të nxitë diferencime, apo hatër mbetje, me qëllim panegjirik, apo nënvlerësues.

Dukagjini është një dhe i pandarë në tërë qenien e tij, në histori dhe kulturë, në të folur, në etnografi, doke e zakone, në mjeshtri e ndërtime, në zhvillimin e kulturave bujqësore dhe të blegtorisë, dhe shumë e rëndësishme, ndërtimi i marrëdhënieve dhe organizimi i jetës shoqërore. Çdo përpjekje për të vënë vija ndarëse, për të bërë krahasime, për të tentuar ulje apo ngritje të paragjykuara, mendoj se nuk janë të vlefshme për sot as për të ardhmen. Askush nuk është i përkryer, askush nuk është pa të meta. Intelektualët, apo autorët e botimeve, duhet të synojmë të gjejnë linja që bashkojnë sa më shumë e sa më mirë.

Me pëlqen shumë qëndrimi i intelektualëve dhe autorëve të botimeve të komshinjve tonë të mirë, Nikaj Mërturit dhe Malësisë së Madhe, që kurrë nuk lexova shkrime me tendencë dualiste, për fshatra apo zona të ndryshme, apo ballafaqime, edhe pse ka midis tyre largësi gjaku që vështirë të gjenden fijet, apo besime ndryshe.

Dëshira për të hipur në kodër, për ta dalë në rogë, është vështirë të realizohet në tavolinë, nën hijen e mrizit, apo në freskinë e ortekut të borës në verë. Kjo është një farë trimërie pas lufte, apo urti pas kuvendit. Për të gjithë, dhe për të gjitha, është përcaktuar nga historia në kohë dhe hapësirë. Ajo ka përcaktuar vendin e secilit në kohën e duhur, në sasinë e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Unë dëshiroj dhe bëj thirrje që të shkruhet sa më shumë, për persona, për vende, për objekte, për veprimtari të sotme dhe të kohës së kaluar, pa çka se sot mund të na duken të parëndësishme, të shkruhen dhe këndohen këngë sa më shumë të të gjitha gjinive dhe në mënyrën si tu shkojnë mendja autorëve. Pa tjetër mbi të vërteta. Koha do të jenë ajo që do ti seleksionojnë. Ajo është përcaktuesja me e drejtë dhe më e pamëshirshme, se kush meriton të jetojnë e kush do të harrohet. Një libër që del në treg, e nuk i referohet, qoftë, edhe një studiues, vjen duke u venitur e harruar. Një këngë mund të shkruhet, këndohet e regjistrohet, pra mund të rrojë në një arkiv, por kur nuk e këndon populli, madje edhe duke harruar autorin, vështirë se do të quhet folklorike. Folklori është ruajtur e transmetuar në shekuj gojë në gojë, nuk është shkruar, por edhe autori nuk është kujtuar dhe nuk kujtohet fare.

Me që jemi në këtë pikë, a mund të mohohet, të nënvlerësohet, sepse për mbivlerësim nuk është nevoja, veprimtaria e shoqatës “Dukagjini” në këto vite, pavarësisht se jo të gjitha mund të pëlqejnë të gjitha veprimtaritë e saj. Natyrisht që jo, sepse e ka shkruar historinë e saj me punë konkrete.

Shoqata Atdhetare Dukagjini ka bërë, në vitet e jetës së saj, atë që nuk e ka bërë askush në historinë e Dukagjinit. Ajo nxiti veprimtari duke qenë edhe vetë aktor dhe faktor dhe realizoi detyra shumë të rëndësishme për historinë dhe kulturën, etnografinë, vlerat natyrore, turizmin, edukimi, emancipimin shoqëror, etj. Pa asnjë farë hezitimi e them se kjo shoqatë, me veprimtaritë e saj, është bërë faktor për Dukagjinin, madje gjatë Konferencës që organizuam për arsimin një mik e shok pjesëmarrës, Alfred Haxhari, më tha: “jeni bërë institucion”.

Shoqata Atdhetare “Dukagjini”, me punën dhe veprimtarinë e saj, ndihmoj në zgjimin e dëshirave për të hulumtuar dhe publikuar historinë, kulturën, etnografinë, natyrën, zhvillimin e krahinës, integrimin në jetën që jetojmë, në të gjitha ngulimet e vendbanimet e reja pas asaj dyndje marramendëse që u bë pas vitit 1990. Ndonëse askujt nuk ju vu detyra konkrete që të merrej me një punë studimore e botime librash. Përjashtoj këtu konferencat e simpoziumet shkencore që kemi zhvilluar dhe duheshin organizuar në grup. Secili gjeti mundësinë e drejtimin, secili ju drejtua kujtimeve, shënimeve, skedimeve, secili përcaktoi temën, titullin, në pavarësinë dhe prorjen e vet. Dhe mirë u bë. Shoqata ndiqte, vlerësonte, mbështeste, promovonte, publikonte në gazetën e saj, por edhe në mediat elektronike lokale e kombëtare, në mbledhje e konferenca të ndryshme, në Kosovë, në Mal të Zi etj. Të dalin në qarkullim rreth 200 tituj librash nga dhe për Dukagjinin, në të gjitha gjinitë, për periudhë relativisht të shkurtër nuk është pak. Kështu pra, shoqata ndikoj shumë në jetën kulturore shkencore për Dukagjinin dhe s’kishte si ndodhte ndryshme, pasi parimet e përgjithshme ishin përcaktuar qysh në themelimin e saj, në statutin dhe programin e saj afatgjatë.

Unë në këtë botim, për të cilin po flasim, nuk kam pasur qëllim për të shkruar historikun e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, por nuk kam mundur ta anashkaloj për vetë veprimtarinë, rolin dhe realizimet cilësore që ka pasur, u bë pjesë e fuqishme e jetës së dukagjinasve, por edhe më gjerë. Historiku i kësaj shoqata është mirë që të shkruhet, por fillimisht, mendoj, se do të ishte mirë të shkruhen dhe mblidhen kujtime rreth saj, foto, dokumente, pjesë nga jehona që ka bërë veprimtaria e shoqatës dhe që i është bërë këtyre veprimtarive, të shfrytëzohet arkivi i shoqatës, i cili, për kohën është shumë i pasur, dhe pastaj në mënyrë të qetë dhe me gjak të ftohtë të shkruhet historiku. E kam thënë kohë më parë, dhe po e përsërisë me respekt, se ndjehem shumë mirë që isha nismëtar dhe pjesë e drejtimit për pesëmbëdhjetë vjet, dhe për të gjitha arritjet e saj. Mendoj se isha në kohën duhur dhe vendin e duhur, për të dhënë ndihmesën time për të dashurin dhe të paharrueshmin, Dukagjinin tim.

10. Luigji im, mjaft keni hulumtuar, keni gërmuar e lexuar, mjaft të dhëna për arsimin keni grumbulluar dhe keni përplasur njëra me tjetrën për tu afruar sa më shumë të mundshmes së vërtetë. Ju lumtë. Në një rast më ka qëlluar të bëj debat me një intelektual kosovar, sepse ai kritikonte rininë sot, se është e pa ditur dhe nuk bën përpjekje për tu arsimuar. Në mes të tjerash atij i pata thënë, se nuk jam dakord me ty. “mua më ka qëlluar fati që në moshën 61 vjeç të mësoj kompjuterin dhe mësuesi im ishte në klasën e VI. Nuk e di nëse e kam drejt idenë time”, prandaj ju pyes, nga gjithë ky hulumtim e studim i juaj, mund të na thoni pak mbi shkollimin e djemve dhe vajzave dukagjinase sot?

Ju, keni të drejtë të pyesni. Unë në studimin tim për arsimin dhe kulturën në Dukagjin nuk e kam pasur të mundur që të merrem me përfshirjen e zhvillimit të shkencës dhe teknikës si dhe shtrirjen në shkollat e Dukagjinit, duke qenë se ka përfshi një periudhë në të cilën shkenca dhe baza materiale virtuale është përfshirë pak për mos me thënë aspak.

Djemtë dhe vajzat dukagjinase, ata që vazhdojnë shkollën në Dukagjin, kanë vështirësi natyrore, mungesa të bazës materiale shkollore, lokale shkollore jo të përshtatshme sa duhet për mësim, interesimi i prindërve ja në nivelin e duhur, e kjo për shumë arsye të jetës ekonomike me vështirësi, etj. Në këtë drejtim një detyrë shumë e rëndësishme u bie mësuesve që punojnë në këtë territor. Ata duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për realizimin e programit mësimor. Nuk kam njohje se sa ndjehet ndihma dhe kontrolli nga drejtorët e shkollave apo zyrave arsimore. Nuk kam dëgjuar që ti vizitojnë këto male inspektor të Ministrisë së Arsimit dhe të duket dora e tyre. Po kështu nuk kam ndjerë asnjë herë, këto vite, që inspektor të bashkisë për problemet e arsimit të kenë kaluar e ndihmuar këtë krahinë, këta mësues e nxënës të cilët kanë nevoja të shumta. Këto janë më shumë rëndësi, sepse vlerësimi dhe ndihma nga lart, shton punën në bazë.

Brezi i sotëm është në kushte shumë të ndryshme me kohën kur jemi rritur dhe shkolluar ne. Secili brez e ka për detyrë që të synojnë më të mirën për të tashmen por edhe për perspektivën. Nuk është brez i mirë ai që bën çfarë të mundet për të jetuar mirë për vete, dhe që nuk mendon për fëmijët e tij, për brezat që vinë. Ai që kritikon rininë e sotme, i ka ra punës shumë shkurt, ka dashtë me dal në anë sa më shpejt. Po të shikojmë nga mundësitë materiale, mundësitë e komunikimit në të gjitha mënyrat, sot janë pa mbarim. Brezi ynë, e ata të mëparshmit edhe më shumë, kemi pasur kushte jo të mjaftueshme mësimi në shkollë e kushte të përshtatshme për studim në shtëpi. Familjarët e atyre kohëve e quanin të kryer detyrën me shkuarjen e fëmijëve të tyre në shkollë. Shumë, sot shkojnë në shkollë më makina, të veshur shumë mirë, të ushqyer po ashtu, me interesim prindëror shumë të madh, me përpjekje maksimale për tu lidhur me mësuesin e lëndës, mësuesin kujdestar, me drejtorin a nëndrejtorin. Të gjitha këto janë në favorin e mundësisë për të mësuar mirë e shumë mirë, për të frekuentuar shkollën pa asnjë mungesë të paarsyeshme e për sjellje shumë të mirë.

Sot teknologjia ka arritur lartësi të pa imagjinueshëm më parë. Fëmijën, që në moshën 2-3 vjeç, e shikon me lojëra elektronike në dorë. Shikohen fëmijë të moshës së vogël shkollore që përdorë bukur telefonin inteligjent, kompjuterin a mjete të tjera elektronike. Këto dhe shumë të tjera, pa tjetër, çojnë në zhvillim dhe përparim, njohjen e botës që na rrethon, njohje me të reja të shkencës dhe teknikës dhe vënia e tyre në shërbim të njerëzimit.

Pra, kushtet ekonomike janë plotësisht të përshtatshme për mësim dhe edukim maksimal. Sigurisht që ka shumë nxënës që kanë përparim të mirë dhe shumë të mirë në mësime, ka sjellje që të kënaqin, kanë veshje të pastër, kanë çantën me libra e pajisje të tjera dhe i mirë mbajnë ato. Shembuj pozitiv ka mjaft, por, kur përpiqesh të bësh krahasime me kushtet që përmendëm dhe nivelin mësimor, këtu ka ngërç, sepse kurba e kushteve dhe ajo e përvetësimit të mësimit, në mesataren e përgjithshme, nuk është e kënaqshme, frekuentimi po ashtu. Unë pretendoj frekuentim të plotë dhe cilësi më të lartë në përvetësimin e programit me këto kushtet që janë. Në këtë pikë janë më shumë se një faktor dhe aktor, pra nxënësi nuk është i vetmi në këtë përgjegjësi. Është familja, është shkolla dhe trupa mësimore, dhe më mjaftë rëndësi është faktori shoqëror. Në qoftë se duam të kemi përgatitje të brezit të ardhshëm, në qoftë se duam të kemi zhvillim dhe përparim të vendit, në qoftë se duam të shikojmë se si është vendi shumë vite përpara, mund të shikojmë se si arsimohet brezi i sotëm. Madje japonezët kanë një thënie shumë të bukur: “në qoftë se do të dish si është atdheu pas 1000 vjetësh, shikon arsimin sot”.

Nxënësit kanë shumë mundësi, sot, për të mësuar, por asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar mësuesi, shkolla, libri. Të gjitha të tjerat janë ndihmëse të këtyre. Ka hyrë në veprim psikologu në shkollë. Në kohët që jemi është i domosdoshëm, por, për asnjë moment nuk duhet të harrojmë se mësuesi është dhe duhet të jenë gjithmonë një hap përpara në shkollë e kudo në punën mësimore dhe edukative në krahasim me psikologun. Psikologu, në bindjen time, nuk është eprori i drejtorit apo drejtorisë, por as i mësuesve. Ai është mësues për problemet specifike psiko-sociale të punës së shkollës. Vërtetë kryen këtë punë, por gjithmonë në zbatim të detyrave të përcaktuara nga drejtori e drejtoria e shkollës dhe në bashkëpunim me ta. Psikologu duhet të hyjë natyrshëm në jetën e nxënësve, madje nuk më duket e natyrshme as me çua nxënës apo mësues me thirr ndonjë nxënës që ka shfaqje të nevojshme për tu përmirësuar, e aq më tepër me fjalinë “eja se të kërkon psikologu”. Edhe më prindërit kërkohet punë e kujdesshme nga psikologu. Psikologu është dhe duhet të jenë vendi i besueshëm që nxënësi, por edhe prindi të rrëfehen në mënyrë të plotë dhe të saktë në lidhje me problemet e tyre. Po të mos jenë parasysh këto, mendoj se, nxënësi vihet nën presion, nuk mund të hyhet në botën e tij, e për pasojë, në vend që të vëmë vetulla nxjerrim sytë.

11. Luigj Shyti, mësues prej 45 viteve dhe në shumicën e këtyre viteve, prej mbi 30 vjet drejtues, në detyrën e drejtorit të shkollës, në shumë shkolla në Dukagjin dhe në rrethinat e qytetit Shkodër, si në Gurë të Zi, Rragam të Gurit të Zi. Ju, kudo shkollat që keni pasur , ku kanë qenë model. Unë kam parë dy shkolla ku keni qenë drejtor, atë të Gurit të Zi dhe atë të Rragamit të Gurit të Zi te të cilat pashë vërtetë një model të mjedisit jashtë dhe brenda shkollës. Për punën në shkolla të tjera më kanë thënë kolegët tu. Kam parë edhe shkolla të tjera, por nuk ka pasur të atillë nivel, që vërtetë mësonin nxënës, por pamja e jashtme dhe e brendshme nuk të jepte përshtypjen se këta mësues e drejtues janë pa kulturë, me pa përgjegjësi për detyrën që kanë marrë përsipër. Te ju, cili është çelësi i përgjegjshmërisë së paraqitjes të një mjedisi kaq të kulturuar në shkollat ku drejtuat, i cili të jenë dhe një eksperiencë për brezin e ri mësimdhënës dhe drejtues?

E kam përmendur disi edhe pak më parë. Po, kam punuar vetëm në arsim 45 vjet dhe drejtues rreth 32 vite. Puna dhe arritjet që ju përmendni janë rezultat i punës së kolektivit të shkollave. Unë jam përpjekur që të kem marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë kolektivat ku kam punuar edhe si mësues dhe si drejtor. Asnjëherë në shkelje të ligjeve në fuqi, por duke gjetur mënyrën për të realizuar detyrat në kushtet më të mira të mundshme.

Edhe në drejtimin e shkollës, si në çdo punë tjetër, duhet iniciativë, analizë e vendimmarrje sa më të drejtë. Drejtuesi nuk është i duhuri që mundohet të përçajë kolektivin, por përkundrazi, vazhdimisht duhet të jenë për formimin e forcimin e kolektivit. Kam punuar në njërën prej shkollave që përmendët ju. Ishte shkollë e madhe, kishte bashkangjitur edhe shkollën 8 vjeçare dhe kopshtin parashkollor, arrinin rreth 700 nxënës, dhe kolektivi i mësuesve afër 40 vetë. Kohët ishin të trazuara, më shumë nga politika se sa pamundësia për punë e jetesë. Gjithsekush dëshironte e kërkonte të bënte sipas mendjes së tij, të realizonte tekat e tij. Jo radhë, na shtoj punën edhe futja e hundëve të politikës së ditës, në punën e problemet e shkollës, sidomos në ato që nuk u takonin dhe nuk u takon. Kjo na shtoi punë, që të merreshim edhe krijimin e mirëkuptimit me drejtuesit vendorë. Bashkëpunimi me nëndrejtorët e shkollës, lidhja më këshillin e mësuesve, komitetin e prindërve, me mësuesit me përvojë shkollore, këshillat e nxënësve, e të tjera bënë të mundur që të krijohej një atmosferë punë e mirëfilltë. Unë kam pasur gjithmonë natyrën që të mos kem prioritet urdhrat, por vendoje detyrash e kontroll i tyre, pa bërë dallime e përdorur dy standarde. Po, shembulli personal, ishte dhe duhet të jenë në radhë të parë. Nga ana tjetër nuk kam synuar që të gjejë mësues të pa përgatitur, duke punuar jo mirë, përkundrazi kam synuar që të gjejë shembuj të mirë dhe ti përgjithësoja. Kjo pati dhe ka efekte të mira, sepse kur vlerësohet njeriu për disa punë, e të tjerat nuk përmenden, kuptohet se ato nuk janë në nivelin që kërkohet. Njerëzit, aq më tepër mësuesi e kupton vetë se ku është e meta.

Pasi jam larguar diku për 5-6 vjet nga një shkollë, takoj një mësues në moshë, me përvojë dhe punëtor i mirë në të gjitha drejtimet. “Drejtor, mu drejtua edhe pse kishim kohë që nuk punonim bashkë, por edhe kishim moshë pothuaj të njëjtë, ai vazhdonte të më thërriste drejtor, ti ke dashtë me na bashkua, ndërsa disa të tjerë që erdhën pas tej përpiqeshin me na nda nga njëri tjetri”. Unë ruaj mendimin se si janë mësuesit është shkolla, natyrisht gjithmonë në krye duhet të jenë drejtori, ai është figura qendrore e shkollës, në mobilizimin e kolektivit e menaxhimin e shkollës. Kjo është e duhura për një drejtues shkolle, pse jo edhe në fusha të tjera, që më ndihmoj edhe mua në të gjithë punën time kudo ku punova edhe si mësues edhe si drejtues. Unë kam pasur mendimin dhe vazhdoj ta kem se gjithmonë mësuesi më i mirë mund te mos jetë drejtor i mirë. Drejtuesi është menaxher i punës në shkollë, duhet të jenë masovik, energjik. Ai nuk duhet të harrojë se punon me kolegët e tij. Kanë të njëjtën nivel arsimor, ai është njëri prej tyre. Nuk ka dhe nuk duhet të kenë shkollë të posaçme për drejtor, ndërsa trajnime dhe kualifikime po, pa tjetër. Drejtori duhet të jenë i arsyeshëm, mos ta lëshojë fjalën vend e pa vend, të përdorë fyerje, nofka e nënvlerësime, duhet të jenë zbatues i ligjeve dhe vendimeve për të gjithë njëlloj, i guximshëm për të pasur edhe mendime ndryshe me eprorët duke i arsyetuar ato, shok i secilit mësues e i të gjithëve bashkë, të qaj e të qeshë me ta, të përpiqet me të gjitha mundësitë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve shoqërore, personale e familjare të vartësit të tij. Kështu, mësuesit, shikojnë te drejtori njeriun që nuk është vetëm për të dhënë detyra e për të kërkuar plotësimin e tyre, por edhe për jetën shoqërore dhe private të mësuesit. Në këto kushte mësuesi është i gatshëm për tu përgjigjur detyrave që i kërkohen. Këto më kanë ndihmuar në punën time në shkolla, kudo që kam punuar, duke formuar mirëkuptimin reciprok, respektin reciprok, gjithnjë në të mirë të punës në shkollë.

Duhet të përmendë se në të gjitha shkollat që punova edhe si mësues i thjeshtë, edhe si drejtor kemi mbetur dashamirë, dhe me të gjithë kemi kënaqësi të dyanshme që të takohemi, të rrimë e bisedojmë bashkë. Kurrë nuk pata probleme për të shënuar në shkollë midis meje dhe mësuesve, mësuesve midis tyre, mësuesve dhe nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Kjo nuk është pak, sipas vlerësimit tim.

12. Ju keni renditur e falënderuar disa bashkëpunëtor, që ju kanë ndihmuar në punën tuaj hulumtuese, studiuese e shkencore. Mendoj, se me siguri këta bashkëpunëtorë ju kanë lehtësuar në punën tuaj krijuese. Prandaj, në qoftë se mundet të thoni diçka më shumë për rolin e tyre në këtë vepër kaq të madhe?

Unë i quaj shumë të rëndësishëm bashkëpunëtorët. Sa më shumë bashkëpunëtor që të jenë aq më mirë shkojnë punët. Bashkëpunëtori jep mendimet, të dhënat e veta, ashtu si i di ai. Këtu e ka kryer detyrën bashkëpunëtori. Jo të gjithashtu materialet që sjellin bashkëpunëtorët mund të gjejnë vend në një botim, ose të botohen ashtu si i ka sjellë ai. Materialet që mblidhen seleksionohen, pastrohen nga “pluhurat”, nga lënda e tepërt, ballafaqohen midis tyre dhe pastaj vendosen në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur. Sido që të jenë, të dhënat e bashkëpunëtorëve duhet vlerësuar e falënderuar. Sidomos një libër studimor nuk mund të jenë i plotë pa bashkëpunëtorë në momente të veçanta, pa literaturë referuese, pa të dhëna arkivore, etj.

Sa u takon konsulentëve, sipas mendimit tim, janë një grup jo i madh që njohin përgjithësisht gjendjen, kanë njohuri për zhvillimet në terren dhe dashamirës, koleg dhe shokë me autorin. Konsulentët, kanë qenë dhe janë të rëndësishëm në çdo punë. Edhe të shkruash një libër është e nevojshme që të kesh ndonjë konsulentë. Konsulenti të ndihmon, sinqerisht, për një ose më shumë probleme, në saktësimin e gjerave që janë trajtuar, në gjetjen e vendit të duhur të problemeve që janë renditur në libër, për plotësime e saktësime të nevojshme të datave, ngjarjeve, shifrave. Konsulentët e mijë janë shokë të mijë, të moshës, të profesionit, por janë edhe njerëz që njohin gjendjen e përgjithshme për të cilat flitet në libër dhe që kanë respekt në komunitet . Natyrisht konsulenti nuk ka mundësinë, dhe nuk e ka për detyrë, që të kenë në dorë të gjithë materialin bruto për një studim a botim, por merr në dorë kopjen e parafundit. Konsultimi para botimit të krijon mundësi për disa plotësime të nevojshme, konkrete dhe të shpejta, Konsultimi para botimit të jep më shumë siguri edhe në vetë vete. Unë i kam gjetur, këto, të konsulentët dhe bashkëpunëtorët e mijë, dhe u jam mirënjohës. Ata e meritojnë vendosjen e emrit të tyre në hyrje të librit.

13. Luigj i dashur, mbas gjithë kësaj punë të madhe, për të cilën jeni krenar ju, jam krenar unë dhe duhet të jenë secili dukagjinas, secili shqiptar i arsimuar dhe duhet të falënderojmë, se mbi të gjitha puna për një shekull në fushën e arsimit e të kulturës në zonën e Dukagjinit, tani ndodhet në libër, çka do të dëshiroja, duke shprehur edhe dëshirën tënde, kjo vepër të bëhet me vëllezër të tjerë, cili mund të jenë mesazhi juaj?

Gjithkush ka dhe duhet të kenë një farë plani, të paktën orientues, natyrisht që mund të mos realizohen të gjitha, por pa një synim, një plan, një angazhim është vështirë që të motivohesh për të bërë një punë, për të shkruar një libër, për të bërë një studim, për të bërë një ndërtim. Edhe unë kam ato planet e mija që dëshiroj ti realizoj sa më shpejt dhe sa më mirë. Kam përmendur diçka në kopertinën e fundit të librit. Po punoj që ti botoj sa më parë. Po të kem mundësinë e duhur mbase mund të dalë edhe ndonjë tjetër.

I dashur Ndue!

Ju falënderoj për vlerësimet, për mënyrën dashamirëse të pyetjeve, dhe për mundësinë si më jepni që nëpërmes kësaj interviste të komunikoj me lexuesit e gazetës “Dukagjini”. Pyetjet tuaja, të thella dhe të gjera, më bënë që të jem sa më i hapur dhe kjo më shtyri që të shkruaj disi gjatë.

Dua të theksoj se marrëdhëniet tonë personale e shoqërore janë një shembull i mirë, nga të cilat mund të marrin përvojë edhe të tjerë. Pavarësisht se kemi pasur mendime ndryshe, kemi diskutuar dhe debatuar, natyrisht për asgjë personale, madje edhe në këtë botim, nuk kanë ndikuar në ftohjen tonë, në kthimin e kokws në njërën anë, nuk kanë ndikuar në takimet tona, biseda, shoqëri, kafe e veprimtari të tjera të përbashkëta. Për këtë të falënderoj ngrohtësisht. Sigurisht që marrëdhëniet e mira midis dy personave varën nga të dy, sepse që të dy janë faktor dhe aktor.

I nderuar Luigj Shyti!

Duke shprehur edhe dëshirën e lexuesit të gazetës “Dukagjini”, të falënderojmë për këtë vepër të madhe që na solle, ashtu siç janë të gjitha botimet tua të mëdha dhe me një mesazh mjaft të qartë, për sot dhe të ardhmen, në veçanti me studimin “Dukagjini, rrugëtim në gjenezë” në vitin 2014. Ju lumtë.

Të urojmë për punë të tjera hulumtuese, studiuese e botuese dhe me mesazhe të qarta, si vazhdimisht, për sot dhe për të ardhmen.

Bashkëbiseduesi

NDUE SANAJ

Shkodër, 17 korrik 2019