Me rastin e 7 Marsit:
Nga Sejdo Harka, Murat Gecaj
1.
Ibrahim Hajdarmataj, për të cilin po i shkruajmë këto pak radhë, është një nga mësuesit tanë, që u dashurua me profesionin e tij, që në një moshë tepër të re. Dëshirën e tij të zjarrtë, për të zgjedhur profesion të përjetshëm punën e mësuesit, e ka thelluar sentenca e bukur filozofike, me vlera universale: ”Dija ndriçon mendjen, ndërsa mendja ndriçon botën”, të cilën mësues Ibrahimi e përdor shpesh edhe sot në bisedat e përditëshme. Dihet se “ustai” i parë, që i përçon dijet ndër breza, është mësuesi. Që ta meritosh përjetësisht këtë emër të madh e të nderuar nga të gjithë, njëkohësisht dhe pivilegj,nuk mjafton të mbarosh një shkollë mësuesie, qoftë dhe me përfundime të larta. Rëndësi të veçantë ka pasioni dhe përkushtimi, për të ngulitur thellë në mendjen e nxënësve dije të qëndrueshme, me të cilat ata do të ndryshojnë botën. Vetëm kështu mësuesit e pasionuar kanë mundur ta gdhendin, në kujtesën e nxënësve dhe prindërve, këtë emër sa të bukur, aq dhe të vështirë.
Me këtë pasion dhe dashuri për dijet dhe nxënësit, ka punuar një jetë të tërë edhe mësuesi Ibrahim Hajdarmataj, i cili lindi e u thinj mes banorëve dhe nxënësve të shkollave të zonave më të thella të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Edhe pse ka shumë vite, që ka dalë në pension, nuk ndahet për asnjë çast nga kolegët, fëmijët dhe ish-nxënësit e tij. Është kjo arsyeja që, edhe pse ata sot kryejnë detyra të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit,i drejtohen me respekt: ”Eja, ta pimë një kafe,o mësues Ibrahimi”! Dhe ai, kurrë s’ua u bën fjalën dy. Këtë emër të bukur ai e ka ruajtur dhe ushqyer me respekt e dashuri dhe me punë të palodhur, me nxënësit dhe njerëzit e atyre anëve.
Ai, tërë jetën, ka synuar që nxënësit e tij t’i bëjë jo vetëm njerëz të aftë,por dhe qytetarë të mirë dhe atdhetarë e njerëz të lirë. I frymëzuar nga filozofia e pedagogut të madh W. Wuard, gjatë punës mësues, nuk është mjaftuar me tregimin dhe shpjegimin e thjeshtë të mësimit,por rëndësi të veçantë i ka kushtuar demonstrimit, motivimit dhe frymëzimit të nxënësve. Për Ibrahimin, përvehtësimi i dijeve të qendrueshme nga nxënësit, është një zinxhir i pandërprerë. Ajo fillon me dëgjimin dhe përfundon me vetëveprimin e nxënësve, për zbatimin dhe përçimin e tyre te njerëzit.
”Fëmijët, – thotë mësues Ibrahimi, – nuk mund të rriten si “fidanet në kubikë”. Ata duhen trajtuar jo thjesht si objekt, por si subjekt i mësimit dhe edukimit. Fëmijët u ngjajnë fidanëve të njomë. Si të tillë, po nuk i “kalite”, në fushat e gjera të jetës reale dhe po nuk i ushqeve me”ajrin dhe ujin e pastër”, nuk do të rriten mendërisht dhe fizikisht të shëndetshëm, por do të zvarriten si “shkurret dhe barërat e këqia”. Ashtu si bujku punëtor dhe i mënçur, që rritë bimë të shëndetshme dhe plot bereqet, ashtu dhe mësuesi i ditur e me përkushtim, në bashkëveprim me familjen dhe shoqërinë, përgatit njerëz të aftë dhe të dobishëm, për vete dhe për shoqërinë”.
Ibrahim Hajdarmataj në kompjuter
2.
Ibrahim Hajdarmataj u lind në mars të vitit 1947, në fshatin Zogaj të krahinës së Bytyçit, në Malësinë e Madhe të Gjakovës të rrethit Tropojës, në një familje arsimdashëse dhe me tradita atdhetare. Gjyshi i tij, për një kohë të gjatë, ka qënë mik dhe bashkëlufëtar me Bajram Currin. Është ai, që bashkë me disa malësorë të tjerë, e ngritën të parët trupin pajetë të “Plakut të maleve”, kur ra hrroikisht në Shpellën e Dragobisë, për ta përcjellë me nderime në banesën e fundit, në Krumë të Hasit.
Mësimet e para, Ibrahimi i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Shkodër. Më vonë, ka mbaruar Universitetin e Tiranës, për gjuhë dhe letërsi shqipe. Prej këtej, ai nisi rrugën e gjatë, mbi 40-vjeçare, duke u rënë kryq e tërthor shkollave të zonës së tij,pa iu ndarë për asnjë çast,deri sa doli në pension. Me dijet dhe vullnetin e fortë, ai u mësoi nxënësve dhe banorëve të atyre anëve, se si ta “vrisnin” analfabetizmin dhe varfërinë, gjakmarrjen dhe egërsinë, pensimizmin dhe pasigurinë. Kështu, u dhuroi atyre përkushtimin dhe gatishmërinë, për t’u qëndruar pranë edhe në çastet më të vështira të jetës.
Ky koleg e mik shumëvjeçar i yni, nuk është vetëm një mësues i dalluar, por dhe një drejtues i zoti. Shkollat, që ai drejtoi, u shquan për cilësi të larta në procesin msimor-edukativ. ”Sekreti” i arritjeve të mira të këtyre shkollave, qendron te përkushtimi dhe aftësitë e tij. Ai drejtonte duke udhëhequr me shembullin vetjak të një lideri të vërtetë. Në procesin e kontrollit, në plan të pare, vinte ndihmën. Është kjo arsyeja, që mësuesit dhe kolegët e duan dhe e respektojnë edhe sot e kësaj dite.
Mësues Ibrahimi, për disa vite me radhë, ponoi edhe punonjës e drejtues kulture,në zonat e thella të vendlindjes së tij. Veprimtaritë e gjera dhe të shumllojshme kulturore-artistike, kujdesi për traditat, lufta kundër gjakmarrjes dhe puna me librin, kanë qenë disa nga drejtimet parësore të punës së tij. Në veprimtaritë e tij kulturore, ai s’e ka shkëputur për asnjë çast bashkëpunimin dhe marrdhënjet e ngushta, me shkollat dhe nxënësit. Me ndihmën e tyre, organizoi estrada dhe shfaqje teatrore, festivale folklorike dhe ekspedita, për të mbledhur dhe studiuar traditat më të mira të vendlindjes.
Për zhvillimin e një pune të mirë me librin, atë e ka ndihmuar dhe specializimi, që bëri pranë Biblotekës Kombëtare, në Tiranë. Njohja me thesarin e vlerat e librit dhe rrugët për propagandimin e tij, ka bërë që Ibrahimi, edhe sot, që ka vite nga koha, kur ka dalë në pension, bën një punë të lavdërueëshme me librin. Sa herë vjen në Tiranë, mbush çantën me libra, të cilat ua dhurojnë miqtë dhe krijuesit e shumtë, për t’ua u falur me kënaqësi lexuesve dhe biblotekave, në Zogaj e fshatra tjerë të Tropojës, Hasit a Kukësit, por dhe në Kosovë.
3.
Ibrahimi është dhe një publicist i njohur, në ato anë dhe më gjerë. Ai ka një jetë të tërë, që shkruan dhe boton në shtypin qerndror të ditës. Sot ai kujton me nostalgji gëzimin e veçantë, që ndjeu, kur pa të botuar në gazetën “Pionieri”, shkrimin e tij të parë. Pastaj, dora e tij s’pushoi së shkruari kurrë. Këto shkrime, të cilët janë me qindra, ai do t’i botonte në gazetat dhe revistat e kohërave të ndryshme, si: “Fatosi”, ”Zëri i Rinisë”, ”Bashkimi”, ”Puna”, ”Mësuesi”, ”Tirana Observër”, ”Nacional”, ”Nëntori”, ”Revista Pedagogjike”… dhe në disa faqe elektronike. Ka mbi gjysëm shekulli, që bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista, të cilat botohen brenda dhe jashtë vendit.
Ndërsa, që nga viti 1990, ai drejtoi gazetën lokale të vendlindjes së tij, të cilën e pagëzoi me titullin ”Ylberi i Zogajve”. Në krijimtarinë e tij publicistike, vend të rëndësishëm zënë reportazhet dhe skicat, opinionet dhe analizat. Por, veçanrisht, dallohen temat me përmbajtje pedagogjike e kualifikuese. Ato i ka lexuar edhe në koferenca shkencore, që janë zhvilluar në Tiranë e Kosovë, në Fier e Shkodër, në Kukës e Tropojë.
Në vitet e fundit, ai botoi përmbledhjen me analiza, për krijimtarinë artistike të shkrimtarit të njohur Viron Kona, me titullin”Blerimi i një fushe, me krijime të bukura”. Ka në proces botimi dy libra të rinj, me shkrime nga përvoja e punës së tij shumëvjeçare, mësues dhe drejtues shkolle.
Ibrahom Hajdarmataj është dhe një bashkshort e prind shëmbullor. Edhe pse me vështirësi, ai ka rritur dhe edukuar 5 fëmijë të mirë. Me kujdesin dhe ndihmesën e tij të pakursyer, ata kanë përfunduar të gjithë arsimin e lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm të jetës dhe ekonomisë së vendit.
4.
Figurën e mësuesit dhe publicistit Ibrahim Hajdarmataj, e lartësojnë shumë cilësi. Por ato, që shfaqen më dukshëm, janë: sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria, që ushqen për të gjithë njerëzit. Kur ai vjen në Tiranë, bëhet nismëtar i takimeve dhe bisedave të ngrohta, me shumë miq dhe të njohur.
Kur kalon me të, rrugëve të kryeqytetit ose Tropojës, janë të shumtë njerëzit, të cilët e përshëndesin dhe e ftojnë për kafe. Jo vetëm që askujt s’ia bën fjalën dy, por dhe nuk lejon askënd, që të fusë duart në xhep. ”Ibrahimi, – thotë shkrimtari dhe “Mësuesi i merituar Bardhyl Xhama, – me shpirtbardhësinë e tij të rrallë, ta fal edhe shpirtin…”.
Për këto cilësi të rralla dhe, veçanërisht, për punë të shquar në fushat arsimit, kulturës dhe edukimit të brezit të ri, Ibrahim Hajdarmataj është dekoruar 4 herë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Medalje e Urdhëra.
Ne, e kishim pr nder e kënaaqësi, që i shkruam këto radhë modeste, në pragun e festës së 7 Marsit, “Dita e Arsimit Kombëtar Shqiptar”, për këtë koleg dhe mik tonin, të mirë e të dashur. Me këtë rast, i urojmë nga zemra:
Shëndet të plotë, mbarësi, gëzime e lumturi, si për veten dhe familjen e tij!
Tiranë, 5 mars 2017