Mësuesi, drejtori, studiuesi dhe intelektuali që i bën nder vendlindjes!

0
1495
Mehdi Hoxha

Ibrahim Kabili Kisha vendosur të shkruaja disa radhë për kolegun, mësuesin, drejtorin dhe intelektualin Mehdi Hoxha. Mehdiu është bir i Selitës së Malit dhe i bën nder asaj, mbarë krahinës dhe Tiranës.

Pasi mësova se ai po botonte një monografi për Selitën dhe selitasit, nuk pata më asnjë mëdyshje për këtë. Vlerat mbesin vlera, me kuadro e studiues të tillë, ato nuk shuhen kurrë!

Qe ditë e mërkurë datë 06.01.2021. Ditë me reshje shiu. Në orën 06 të mëngjesit zgjohem nga mbesa Ajsla dhe nipi 4 vjeçar Ajni, i cili kishte ditëlindjen! Ato me tortën në dorë dhe të shoqëruar nga mamaja e tyre, nisen drejt kopështit për të festuar…

Unë pi një kafe në lokal me Çimin, Tinin dhe Leon. Çimi pasi pagoj kafet, më motivon bashkë me Tinin për shkrimin. Luftë brezash! Kohë të tjera! Beteja me kovidin vazhdon. Artisti Kujtim Prodani, fatkeqësisht e humb betejën me të! Ne do dalim fitimtarë në fund, por me humbje! Duke tejkaluar emocionet, nisem për në destinacion. Takoj Mehdiun në shtëpi te 21 Dhjetori, dhe bëjmë një bisedë të shtruar…

Mehdi Hoxha lindi në Salitë të Malit më 30.03.1956 në një familje të madhe, me emër dhe tradita atdhetare. Që fëmijë Mehdiu qe një djalë i zgjuar dhe i interesuar për shkollë. Nën kujdesin e prindërve, Elmazit dhe Hajries, me gjithë vështirësitë ekonomike, ai vazhdoi shkollën dhe i mbaroi të gjitha ciklet e shkollimit. Shkollën fillore e filloi te godina e xhamisë për mungesë lokali, dhe e mbaroi të godina e shkollës aktuale sot, me rezultate shumë të mira. Ai kujton me nostalgji mësuesit e tij të parë: Lejla Masha dhe Qamil Meta. Shkollën 8 vjeçare e kreu në vendlindje në vitet 1968-’72 me rezultate shumë të mira, dhe u vlerësua edhe me fletë nderi. Flet me shumë respekt për mësuesit e përkushtuar dhe mjaft të përgatitur si: Vangjel Dilo, Fadil Disha, Hamdi Hallvaxhiu dhe drejtorët Fidus Haxhiademi dhe Andon Ceci.

Vazhdon studimet për mësuesi në Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë në vitin 1972 dhe i përfundon më 1976 me rezultate të mira.
Flet me fjalët më të mira për atë grup profesorësh në pedagogjike që jepnin mësim dhe dije e përgatitnin gjenerata mësuesish. Veçon profesorët Besim Turdiu, Shpresa Kasimati, Evgjeni Gjeçi dhe Bestar Ruli etj.

Fillon punë si mësues në ciklin fillor në Selitë të Malit në vitin 1976 deri 1978, dhe e ndërpret punën pasi kreu shërbimin ushtarak në Tiranë.
Gjatë shërbimit ushtarak dallohet për rezultate të mira në të gjitha disiplinat ushtarake. Pas kryerjes së ushtrisë fillon punë si mësues në Shkollën 8 Vjeçare Mëner i Sipërm në ciklin e lartë në lëndën histori- gjeografi deri në qershor 1990. Shkon në një shkollë ku gjeti një kolektiv të mirë me mësues të përkushtuar. Drejtori i shkollës Fehmi Alimehmeti, dhe stafi pedagogjik me mësuesit: Sali Hida, Kadri Tafa, Vesel Lami, Selim Hysa, Hamit Lika dhe Xhume Hida punonin shumë. Si shkollë patën rezultate me nxënësit. – “Isha mësues i ri e pa përvojë në arsim në ato vite, por përfitonim nga përvoja e më të vjetërve dhe veçon si metodist shumë të mirë mësuesin e mirnjohur Sali Hida”, citon Mehdiu.

Në vitn 1980 emërohet mësues në Shkollën 8 Vjeçare Bastar-Murrizë në lëndët gjuhë-letërsi e më pas histori-gjeografi. Aty, Mehdiu gjeti një kolektiv shumë të mirë me mësuesit: Kostandin Dhjamanti, Ilir Mehqemeja, Fredi Shalësi, Afërdita Kondi, Xhemile Hoxha, Abedin Koçi, Ymer Ademi, Hysni Hoxha, Hysni Takaci, Agron Ruçi, Abdulla Ceka, Ramazan Selmani etj. Duke kujtuar atë periudhë mediu shton: “Ishim një kolektiv kompakt, me mësues shumë të përgatitur.

Bëhej një punë kualifikuese shumë e mirë si nga drejtorët; Përparim Braçe e më pas Hekuran Balla, dhe nga komisionet lëndore si ai i histori-gjeografisë me kryetar K. Dhjamantin, dhe komisionet e tjera. Kam nostalgji për ato vite, përfundon ai”. Gjatë kësaj periudhe Mehdiu vazhdon arsimin e lartë pa shkëputje nga puna në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në degën Histori-Gjeografi dhe e mbaron në vitin 1985 me rezultate të mira. Këtu punoi deri në vitin 1985. Puna e Mehdiut deri tani qe e lidhur me mësimdhënien, me punën me nxënësit, përgatitjen shkencore dhe profesionale të tij.

Duke parë ecurinë e punës si mësues dhe arritjet e tij, DARQT në vitin 1985, pasi diplomohet në profilin e tij, e emëron drejtor në Shkollën 8 Vjeçare Bulçesh. Në shkollën e Bulçeshit stafi ishte i përgatitur. Mehdiu në pozicionin e ri punoi me përkushtim në shkollë, organizon stafin, vendosi marrdhënie shumë të mira me komunitetin, rregullon mirë ambientin figurativ, gjelbërimin e shkollës, bën një mjedis që rrezatonte kulturë.

Në vitin 1992 emërohet drejtor i Shkollës së Mesme të Baskuar Zall-Dajt. -“Këto vite qenë të vështira për arsimin dhe me gjithë përpjekjet e stafit, shkolla kishte probleme që vinin nga situata politike në vend. Ra numri i nxënësve, largimet qenë të shumta. Edhe këtu pata kolegë të mirë si; Zija Muça, Liman Doko, Hamdi dhe Cen Mansaku, Mustafa Duhani, etj.

Në vitin 1993 Mehdiu transferohet në Kërrabë në pozicionin e drejtorit të Shkollës së Mesme. Kushtet këtu ndryshuan dhe përkushtimi i tij qe më i madh. Tranzicioni qe i vështirë dhe problemet qenë të shumta. Duke kujtuar ato vite Mehdiu shton: ” Këtu në fillim i kushtova rëndësi rregullit, disiplinës dhe më pas ngritjes së cilësisë. Mendoj se bëmë dhe arritëm diçka së bashku me kolegët, në këto rrethana tepër të vështira”.

Në vitin e mbrapshtë ’97 Mehdiu emërohet drejtor shkolle në Shkollën 8 Vjeçare Babrru-Fushë. Shkolla hapej për herë të parë, mungonin lokali, baza materiale e didaktike. Gjithçka ishte amulli, komuniteti qe heterogjen dhe shteti pothuajse ra. Në këto kushte duhej një dorë e fortë, një drejtor i përkushtuar e vizionar, që ta mblidhte shkollën dhe të vazhdonte normalisht punën e mësimin. E këtë e bëri më së miri “drejtori i kudo ndodhur” Mehdiu.Duke kujtuar ato vite Mehdiu shprehet: “Për vetë arsyet, mendoj se historia e kësaj shkolle në ato vite qe një histori suksesi dhe arritjesh.

Me përkrahjen e MASH u sigurua lokali, baza didaktike dhe kuadri i kualifikuar. Brenda vitit shkolla arriti në 360 nxënës. Ajo që ishte më e rëndësishme, qe fakti se shkolla pati një rritje cilësore. Na viti në vit rezultatet në procesin mësimor- edukativ qenë të mira. Me mësues të tillë si: Ferit Lika, Kristina Ahmetaj, Caush Kullufi, Metije Totojani, Kimete Fregja, Meria Prenga, Nezir Isaku ne fillim dhe shumë të tjerë më pas, shkolla pati vetëm arritje. Asnjë xham nuk u thye në ’97 në këtë shkollë”. E pa asnjë dyshim shumë meritë pati kolektivi, e veçanërist dhe Mehdiu.

Në vitin 2001 Mehdiu emërohet drejtor i Shkollës së Mesme Pedagogjike “Sadik Stavileci” në Katund të Ri, detyrë të cilën e kreu deri në qershor 2005. Rezultatet në këtë shkollë nga njëri vit në tjetrin, erdhën në rritje. Meritë të veçantë për arritjet pati stafi i mësimor dhe puna plot përkushtim e tyre. Drejtorit i DARQT z. Ramazan Gjuzi përzgjodhi kuadrin më të mirë për Pedagogjiken. Për vitet si drejtor këtu, Mehdiu modestisht shprehet: “I kujtoj me nostalgji ato vite. U përkushtova shumë në punë. I kushtova shumë energji proçesit mësimor-edukativ duke u bazuar në plan-programin vjetor të shkollës bazuar në udhëzimet e instancave të arsimit. Kisha katër nëndrejtor që organizonin e kontrollonin punën sipas profileve të tyre. Shkolla kishte1200 nxënës dhe 80 mësues, shkolla pati shumë rezultate falë kuadrit shumë të përgatitur e të përkushtuar”.

Krahas proçesit mësimor që ecte mirë, në saj të punës së kolektivit dhe drejtoritsë e drejtorit në këtë shkollë u arrit:
▪︎ Ngritja e kabineteve, laboratorëve e pajisja me bazë didaktike.
▪︎ U ngrit dhe u pasurua Muzeu i shkollës.
▪︎ Pati funksionim të mirë të Departamenteve lëndore.
▪︎ Funksionuan shumë mirë veprimtaritë kulturoro-artistike dhe ato sportive.
▪︎ U bë një ambient figurativ mjaft komod.
▪︎ Realizohej shumë mirë “Pranvera letrare” me nxënësit duke ftuar dhe personalitete të artit.
▪︎ U ngrit dhe funksionoi “Radio shkolla”…

Natyrisht për të gjitha këto arritje merita kryesore i takon kolektivit pedagogjik por dhe drejtoria e shkollës ka rolin e saj.
Pas këtij viti, për rrethanat e kushtet e kohës del në aktivitet privat dhe ka një histori të mirë suksesi.
Pavarësisht se është larguar shpejt nga vendlindja, ai, se ka harruar kurrë atë. Ai ka punuar shumë në këtë drejtim dhe mendoj se është modeli që duhet ndjekur nga intelektualët dhe brezat e rinj. Kështu Ai:

▪︎ Që në vitin 2000 ka krijuar Shoqatën “Selita” dhe është kryetar i saj. Shoqata funksionon dhe po bëhet një punë e mirë në: Evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, bëhet takim çdo të dielë të fundit të korrikut në vendlindje, promovon figurat historike në MHK, organizon me veglat muzikore të zonës, këngëtar e valltar “Dasmën Selitase” dhe veprimtari të tjera artistike.
▪︎ Ka financuar, ideuar, shkruar dhe redaktuar Gazetën “Benda”. Gazeta ka trajtuar probleme me një tematikë shumë të gjerë dhe ka funksionuar nga viti 2013, deri në fund të vitit 2019. Duhet të rihapet, ky është mesazhi…!
▪︎ Siç cekëm më lart, Mehdiu ka bërë një Monografi kushtuar Selitës e banorëve të saj.

Në një lexim të shpejtë arrin një konkluzion se libri, në botim, është një studim i mirëfilltë shkencor, i ndarë në kapituj, tema dhe nëntema ku trajtohen; pozita gjeografike e kushtet natyrore; historia e shtrirë në kohë; kultura dhe trashëgimia e saj; figurat që nuk jetojnë më. Kjo është puna më e rëndësishme e Mediut për gjithë karierën e gjatë në arsim. Ky është mesazh për brezat! Një mesazh që merr vlera në këto kohë të trazuara! Përgëzime Mediut për këtë arritje të madhe që e ka ideuar para shumë vitesh dhe realizuar tani!

▪︎ Mehdiu ka një bibliotekë shumë të pasur me libra të fushave të ndryshme. Ai ka arritur në vite të siguroi libra shkencor, artistik, historik, botime enciklopedike, relacione, visaret e kombit, studime të mirfillta në shkenca e figura të ndryshme etj. Ka siguruar shumë libra që i përkasin vendlindjes etj!
▪︎ Mehdiu në vite të shtrira në kohë ka bërë, relatuar, publukuar dhe botuar shumë artikuj në shtypin e kohës.
▪︎ Për punën, veprimtarinë dhe arritjet e tij, janë bërë shumë artikuj nga autor me zë dhe janë botuar në organet më prestigjoze të shtypit.

Mediu është i martuar me Vjollcën, e cila është nga familja Reçi me emër në Tiranë. Kanë 3 fëmijë; Fatjonin, Eljesën dhe Enkelejdën. Të tre me arsim të lartë dhe që kanë krijuar familjet e tyre…

IBRAHIM KABILI
Tiranë, 07.01.2021