MËSIMI DHE MËSIMDHËNIA

0
12915

Shkruan prof. Zymer Mehani

Shkolla është institucion i organizuar dhe i specializuar për mësimin dhe edukimin e nxënësve, e cila ka disa funksione akademike, profesionale, shoqërore dhe qytetare në shoqërinë demokratike. Institucioni arsimor kthehet në qendër ku merren njohuri, por edhe vatër ku mësohet të jetohet në një shoqëri miqësie dhe solidariteti me rrezatim të kësaj fryme edhe te nxënësit . Ajo punon në bazë të kurrikulës që shpreh politikën arsimore të shtetit dhe miratohet nga qeveria. Atje zhvillohet njeë jetë e pasur sociale, kultorore e sportive. Tërë organizimi i përgjithshëm i shkollës ka vlera të mëdha edukative, por mësimi dhe procesi mësimor është fronti kryesor i edukimit për çdo nxënës, pavarësisht nga kategoria e shkollës. Njohuritë e nxënësve u shërbejnë atyre si anëtarë të shoqërisë pluraliste, me aftësi për t’i gjykuar vlerat në mënyrë të denjë për një shoqëri demokratike.

Mësimi është proces i organizuar, i planifikuar më qëllim që të realizohet përvetësimi i diturive në fusha të caktuara. Është proces që mundëson krijimin dhe përsosjen e shkathtësive dhe shprehive të një individi. Në psikologjinë shkencore termi i mësimit ka një kuptim më të gjerë sesa ai për të cilin mund të përdoret në jetën e përditshme. Procesi i të mësuarit përmbledh të gjitha modifikimet relativisht të qëndrueshme të sjelljeve dhe aktiviteteve psikologjike të cilat vijnë si rezultat i përvojës.

Spektri studimor i procesit të të mësuarit varion nga psikofiziologjia tek psikologjia kognitive. Bihejviorizmi e vë theksin në ndryshimin aktual të sjelljes, ndërsa kognitivistet e vënë theksin në aftësinë për të manifestuar sjelljen. Mësimi karakterizohet nga një ndryshim relativisht i përhershëm. Sjellja e individit modifikohet dhe vazhdon ta ruajë karakterin e ndryshueshëm në të ardhmen. Mësimi karakterizohet edhe nga aftësia për të manifestuar një sjellje të caktuar, për të zbatuar atë që është mësuar. Zbatimi mendohet se është rezultat i kombinimit të të mësuarit me motivimet.

Mësimi është një nga veçoritë që i dallon njerëzit nga çdo gjë tjetër. Ai është tipari kryesor i zhvillimit të një njeriu qysh nga koha e fëmijërisë. Mësimi ndoshta duket i panevojshëm ndonjëherë por nevojitet në situatat ku e pret më së paku. Nuk thonin keq më herët në kohrëa lufte se lufta bëhet me gjak e me pendë. Pra duhet të ketë njerëz të zgjuar per çdo lëmi.

Dijetarë të ndyshëm kanë thënë shumë fjalë për mësimin, si për shembull: “Mos kërko vend të përshtatshëm për mësim! Dije se çdo skutë është vendi më i përshtatshëm i mësimit”. Do të kshilloja çdo kënd që të mësonte sa më herët dhe sa më parë sepse një fjalë e urtë thotë: Punën e sotme mos e lë për nesër (se e nesërmja ka vështirësitë e veta).

Mësimdhënia është proces i orientuar drejt qëllimit, ka lidhje të ngushtë me përmbajtjen, është e orientuar drejt një grupi të veçantë njerëzish, është proces i planifikuar, shfrytëzon disa strategji, shfrytëzon disa mjete, karakterizohet nga funksioni i vazhdueshëm i procesit të vlerësimit, është kompleks marrëdhëniesh, dhëniesh ose përcjellje e njohurive, organizim i veprimtarisë së nxënësve, dhe mundësi realizimi të procesit të të nxënit. Mësimdhënia dhe të nxënit janë dy kahjet e një procesi, i cili mundëson përvetësimin e programit mësimor nga nxënësit. Kjo fushë është mjaft komplekse dhe delikate për t’u vëzhguar, analizuar dhe vlerësuar.

Mësimdhënia është: “ veprimtari ndërpersonale, është akt i të dhënit mësim i drejtuar nga mësuesi, i cili planifikon dhe organizon zhvillimin e procesit mësimor dhe të të nxënit, që zhvillohet në proceset e: paraveprimit, bashkëveprimit me nxënës dhe bashkëpunëtorë të tjerë në mësim dhe pasveprimit që ka për qëllim analizën dhe vlerësimin e punës mësimore të zhvilluar. Mësimdhënia është ajo që lehtëson procesin e të nxënit të nxënësve përmes realizimt të strategjive të llojllojshme e të përshtatshme mësimore me forma, metoda, të cilat bëjnë që të ndërrohet roli i nxënësit dhe i mësimdhënësit, ku nxënësi bëhet aktor kryesor (subjekt aktiv) e jo spektator i thjeshtë. Realizimi i strategjive efikase (formave, metodave, teknikave) mundëson alternativa të shumta në procesin e të nxënit dhe kjo bën që te nxënësit të zhvillojë aftësitë organizative e menaxhuese, aftësi komunikative, nxit diversitetin në të nxënit e nxënësve dhe kreativitetin e tyre.

Realizimi i strategjive efikase i jep kuptim rolit (menaxher) të mësimdhënësit në procesin e të nxënit, krijon baza të shëndosha për realizimin e të nxënit gjatë gjithë jetës. Termi cilësi në arsim është i lidhur ngushtësisht me modelet bashkëkohore apo metodat e teknikat e ndryshme që përdorin mësuesit gjatë procesit të mësimdhënies për arritjen e objektivave mësimore. Mësimdhënia dhe të nxënit efektiv kërkojnë përdorimin e metodave të përshtatshme pedagogjike dhe metodologjike. Mësimdhënies tradicionale “me shkumës në dorë” i ka shkuar koha. Me këtë nuk duhen mohuar meritat dhe avantazhet e kësaj metode në situata të veçanta, por duhet theksuar rëndësia e madhe që ka për çdo mësimdhënës, inkurajimi i të nxënit pjesëmarrës.

Ndërsa Kolbi (1984), vendos nxënësin në qendër të të nxënit, duke vlerësuar pjesëmarrjen e tij në procesin e të nxënit, si tepër të rëndësishëm për të krijuar përvojën e tij të të mësuarit.. Silcock dhe Brundert (2001) përcaktuan mësimdhënien me në qendër nxënësin, si një qasje ku mësuesi është lehtësues dhe orientues i procesit të të nxënit kundrejt mësimdhënies ku mësuesi ushtron kontroll në çdo drejtim për arritjen e objektivave mësimorë. Një nga veprimtaritë më të zakonshme në klasë që është në fakt baza e gjithë veprimtarive të të nxënit dhe edukimit është komunikimi midis mësuesve dhe nxënësve. Realizohet në shumë forma gjatë gjithë kohës mësimore dhe përfshin direkt, ose indirekt të gjithë nxënësit. Ajo synon përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Module të rekomanduara janë teknikat e të pyeturit, që përfshihen në kontekstin ndërveprues të mësimdhënies. Mësuesit duhet të jenë të hapur ndaj përfshirjes së nxënësve në të gjitha hallkat e procesit mësimor. Mësuesi drejton dhe organizon, ndërsa nxënësi gjithëpërfshihet. Mësuesi duhet të ndërthurë të mësuarit me tema dhe projekte, që sigurojnë një aktivizim masiv të nxënësve. Nxënësve duhet t`u jepet shansi që të përfshihen në punën me aparatet pedagogjike të teksteve shkollore. Kjo punë (përgjegjësi) i përqendron ata në mendime e studime dhe mësuesit i bën aktiv për lartësimin e nivelit shkencor në lëndën e tyre.

Gjithashtu, nga mësuesit duhet të mbahet parasysh dhe nxitja e ndjenjës së vetëbesimit tek nxënësit, gjë që është për t’u vlerësuar.