Të qenit mësues efektiv do të thotë shumë. Me vetë faktin që dinamika e jetës çdo ditë e tutje, po na bën vetjak, dembel dhe të papërkushtuar sa duhet në punën apo profesionin që ne e bëjmë. Niveli i arsimit dekadave të fundit po bie dukshëm. Shkaqet e kësaj rënie janë të ndryshme, mirëpo njëra ndër to është trendi i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë e teknikave në përgjithësi, që po na “servon” gjërat e gatshme, saqë neve nuk na duhet mund i madh, për të mos thënë fare për t’i arritur. Duke parë këtë mosinteresim, mosvullnet, mospërkushtim të nxënësve edhe një pjesë e mësimdhënësve sot nuk e ka parë të udhës të zgjojnë kurajo edhe aq tek nxënësit.
Teknikat dhe mënyrat e shtjellimit të lëndës qenë shumë sipërfaqësore, jotërheqëse, joatraktive, jokuptimplota, madje herë-herë krijohet atmosferë zymtësie, monotonie e demotivuese për nxënësit. Mirëpo nëse mësuesi është i përkushtuar dhe efektiv është i kuptueshëm, i qartë, kritik dhe mbi të gjitha vetëkritik. Ai është porta që në rast suksesi është e hapur, e në të kundërtën mbyllet. Çdo shembull i mirë i tij, çdo teknikë e avancuar dhe tërheqëse lartëson dhe favorizon suksesin e nxënësve. Çdo mangësi apo mospërkushtim sa duhet i mësimdhënësit ndikon negativisht, është dëm dhe cenon suksesin e nxënësve. Mësuesi efektiv është krijues.
Ai çdo herë dhuron diçka të re. Ai është komunikues, depërtues, gjallërues dhe me plot hare në komunikim. Ai nuk punon vetëm me një person, për të nuk ka edhe aq rëndësi numri. E qenësishme, sipas tij, është cilësia dhe detyrimisht të shpërblehet dija. Mësuesi efektiv asnjëherë nuk di ta bëjë, orën të lodhshme dhe të mërzitshme, ai zhvillon mendimin kritik të nxënësve, parashtron pyetje në grupe, individuale dhe në mënyrë “mjeshtërore” di ta organizojë orën mësimore.
Thjeshtësia e modestia që zotëron mësuesi efektiv e bën të mundur që edhe nxënësit të ndihen më të lirshëm në shprehjen e opinioneve, ideve, qëndrimeve të tyre pavarësisht edhe nëse të pavërteta qofshin. Mësuesi efektiv duhet ta zhvillojë orën mësimore që nxënësit ta shohin si relaks, kënaqësi mirëpo në të njëjtën kohë edhe të “ushqehen” me dije e njohuri në një sërë temash, dukurish, ngjarjesh e konceptesh. Mësuesi efektiv shkëmben ide, mendime të ndërsjella.
Mirëpo, nganjëherë, idetë në mes nxënësit e mësimdhënësit dinë të jenë ndryshe. Dhe, kjo bën që te nxënësit të rritet produktiviteti në mësimdhënie e mësimnxënie. Nxënësit janë më kureshtarë dhe më të formësuar në paraqitjen e ideve të tyre. Mësuesi efektiv nuk është “robot” i asaj që shpjegohet mekanikisht e sipërfaqësisht. Ai mendon dhe shprehet logjikshëm e plot kuptimësi, gjë që bën që edhe nxënësit ta thonë atë që e mendojnë dhe të mendojnë atë që e thonë.
Autor: Fejzë Demiri