voal.ch | 25 qershor 2016
Voal – Presidenti i fundit i Jugosllavisë, Stjepan Mesiç, në një intervistë për gazetën Standard të Austrisë, rrëfen se si nisën luftërat në Jugosllavi. Ai thotë se bota nuk e mori seriozisht projektin e Sllobodan Millosheviçit.
Mesiç, që ishte president nga qershori deri në dhjetor të vitit 1991, thotë se e dinte se do ishte presidenti i fundit, pasi ai model nuk do funksiononte. Kjo për shkak se Millosheviç kërkonte të krijonte Serbinë e madhe.
Mesiç thotë se duke dëbuar 2 milionë shqiptarët e Kosovës në Maqedoni dhe Shqipëri, ai kërkonte të destabilizonte Shqipërinë dhe Maqedoninë.
“Ai ishte i bindur se në këtë mënyrë do mashtronte komunitetin ndërkombëtar, duke e shitur veten si burri më i fortë në rajon, që mund të stabilizonte Maqedoninë dhe Shqipërinë”.
Më pas ai rrëfen një takim me Millosheviçin.
“Kam pasur një bisedë me të në një takim të presidiumit, gjatë një darke normale. I thashë: Dëgjo Sllobodan, plani yt nuk është Jugosllavia, por Serbia e Madhe. Por kujdes, sepse sa më shumë të zgjasë kjo, aq më i madh do jetë dëmi, sidomos për serbët. Kjo për shkak se Serbia do shihet si fajtorja kryesore në këtë konflikt dhe bota nuk do ju shohë me sy të mirë, do ju tregojë me gisht. Ty do të varin serbët në rrugën Terazije në Beograd. Millosheviç ishte ulur me një cigare dhe me uiski përpara dhe më shihte. Më pas i thashë: Sllobodan, kam një lutje për ty. Ai më tha: Le ta dëgjojmë! I thashë, kur të të varin ty aty, do të mendosh për mua dhe unë do mendoj për ty. Dhe Millosheviç më tha: Ta shohim se kë do të varin”.
I pyetur nga gazetarja nëse e ka parë sërish atë, Mesiç thotë: “Po, në gjyqin e Hagës, ai si i akuzuar dhe unë si dëshmitar. Dhe i thashë: A të kujtohet biseda jonë?”