Nga Frank Shkreli
Bota shqiptare në përgjithësi duket sikurë jeton në një konflikt të përhershëm. Shoqëria shqiptare kudo në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dallohet për konflikte e mosmarrveshje me njëri tjetrin, jo vetëm midis politikanëve dhe partive që ata përfaqësojnë — dhe jo vetëm në kohë zgjedhjesh. Po të ndjekësh media shqiptare, nuk shef tjetër veç grindje dhe akuza midis njëri tjetrit, përfshirë edhe gazetarët dhe analistët. Këtyre grindjeve dhe mosmarrveshjeve nuk u mungojnë, fatkeqsisht, as mendjet më të ndritura të letrave, të gjuhës dhe të kulturës së kombit. Madje as figurat më të mëdha të historisë së kombit – si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe vet Nëna Tereze, nuk mund t’i ikin kësaj atmosfere të çoroditur, duke u bërë subjekt konfliktesh, grindjesh dhe mosmarrveshjesh midis shqiptarëve. Shoqëria shqiptare duket si e paralizuar nga inatet politike, personale dhe profesionale. Ndihet një mungesë e madhe dashurie dhe respekti për njëri tjetrin, një boshllek, për të mos thënë një gjëndje e rëndë shpirtërore që ka kaplluar jo vetëm shoqërinë shqiptare, por mbarë botën, në çerek shekullin e parë të shekullit 21.
Dje në Prishtinë u shugurua katedralja me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të njëjtën ditë kur u mbushën 20 vjet që kur ajo ndërroi jetë dhe ekzaktërisht një vit pas shenjtërimit të saj nga Papa Françesku.
Asnjëri prej nesh nuk jemi Nënë Tereza, por ka mundësi që sado pak të influencohemi nga jeta e saj dhe të frymëzohemi nga disa thënje të saja duke ndjekur sado pak edhe shembullin e saj në këtë jetë – ashtu që bota shqiptare të ketë më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin, si vëllëzër dhe motëra të një gjaku, me një histori dhe identitet të përbashkët — pa marrë parasyshë dallimet dhe pikëpamjet politike, fetare ose krahinore. Kombi shqiptar është NJË dhe si i tillë meriton, pikësëpari, të bashkjetojë në paqë e në dashuri me njëri tjetrin, por edhe me të tjerët për rreth.
Javën që kaloi, njëra prej revistave më të lexuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Reader’s Digest, kishte botuar disa prej atyre që ajo cilësonte si ndër thënjet më të fuqishme të Nënë Terezes. Më poshtë po ju sjellë disa citime që unë përzgjodha nga burime të ndryshme e që i atribohen Nënë Terezës. Me rastin e shugurimit të katedralës kushtuar asaj në ceremoninë e 5 Shtatorit në Dardani, le të na shërbejnë fjalët e saja si frymëzim – nga misionarja dhe shënjtëresha shqiptare, Nënë Tereza e cila jetën e saj, respektin dhe dashurinë ua kushtoi më të varfërve të botës në të gjitha kontinentet dhe pa dallime fetare, politike ose ideologjike. Ndonëse, 20 vjetë më parë ishte ndarë nga kjo jetë, Nëna jonë Tereze me trashëgiminë lënë pas, me veprën dhe me fjalët e saja, vazhdon të influencojë dhe të frymëzojë njerëzit vullnetmirë, anë e mbanë botës.
Me rastin e shugurimit të Katedralës që mban emërin e saj në Prishtinë dhe me qëllim për të kujtuar dhe për të nderuar Nënë Terezën, bijën e kombit shqiptar dhe sipas shumë vërejtësve botërorë, humanisten më të madhe që ka njohur ndonjëherë bota, ja disa citime të cilat mund të na frymëzojnë që, sot dhe nesër, të bëhemi si njerëz dhe si shqiptarë, ndoshta pak më të mirë për veten tonë, pak më të dashur për familjet tona, për shoqërinë ku jetojmë dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi:
“Nëqoftse nuk kemi paqe midis nesh, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”
“Nëqoftse gjykoni dhe paragjykoni të tjerët, atëherë nuk kini kohë për t’i dashur ata”
“Çdoherë që i buzqeshë dikujt, ky është një veprim dashurie, një dhuratë ndaj atij personi, një diçka shumë e bukur.”
“Unë vetëm nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë për të krijuar shumë valëzime.”
“Fjalët e ëmbëla dhe të njerzishme mund të jenë të shkurtëra dhe lehtë për tu shqiptuar, por jehona e tyre është me të vërtetë e pa mbarim.”
“E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kështuqë, ka mbetur vetëm e sotëmja. Le të fillojmë”
“Të jeshë i kënaqur në momentin që jeton. Aq mjafton. Secili moment është aq sa kemi nevojë; nuk kemi nevojë për më shumë.”
“Del e shiko botën sot dhe duaj njerzit që takon. Prania jote le të ndezë dritë të reja në zemrat e njerzve.”
“Disa njerëz që takon gjatë jetës janë një bekim. Disa të tjerë janë një mësim.”
“Kurrë nuk je në humbje. Gjithmonë ke diçka për të mësuar nga çdo person që takon gjatë jetës tënde.”
“Një gjë që mund të marrë gjithë jetën për ta ndërtuar, dikush mund ta shkatërrojë mbrenda natës, por megjithkëtë vazhdo të ndërtosh.
“Një të mirë që e bën sot, shpesh do të harrohet deri nesër. Por megjithkëtë vazhdo të bejshë mirë”
“Nëqoftse je i ndershëm dhe i sinqert, të tjerët do të përpiqen të të mashtrojnë, megjithkëtë vazhdo të jesh i ndershëm.
“Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj.”
“Ndihmo një person njëherë e në një kohë dhe gjithmonë fillo me personin që është më afër teje.”
Këto janë vetëm disa nga qindra thënje të Nënë Terezës botuar në gjuhët më të mdha të botës. Ato janë frymëzuese dhe nganjëherë provokuese, por që të bëjnë të mendojë njeriu se çka është e rëndësishme në këtë jetë. Ndonëse kurrë nuk lindi fizikisht fëmijë, Gonxhe Age Bojaxhiu, atë mbarë bota e njeh si Nëna Tereze. Këto thënje dhe shumë e shumë të tjera si këto janë për nga cilësia dhe nga përmbajtja sikur të dilnin nga goja e çdo nëne shqiptare. Këto dhe thënje të tjera të Nenë Terezës tregojnë dhe zbulojnë dashurinë e saj për të afërmit dhe për më të varfërit e kësaj bote, nënvijojnë mëshirën dhe dinjitetin e saj si grua dhe si nënë ndaj secilit person që ajo ka takuar gjatë jetës së saj në këtë tokë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave tepër modest në kujtim edhe të takimeve personale vite më parë, me të madhen e kombit shqiptar dhe të botës, Nënë Terezen.