MESAZHE FUSHE – poezi (2)

0
420
Faslli Haliti - Mesazhe fushe

F A S L L I . H A L I T I
MESAZHE FUSHE
(botimi i parë)
TIRANË 1984

NJË PYETJE DRINIT

Mes maleve të shqepur,
Të shqyer,
Të çarë,
Duke kënduar një këngë të kaltër,
Ecën Drini rrëmbyeshëm, tërbimshëm, krenar.
Drin!
Kush ta hapi ty rrugën për në det?
Me shpatullat e mia ujore
E hapa vetë

ULLIRI

Ulli,
Unë të çmoj ty
Për vajin,
Për blerimin gjethor;
Të çmoj për kokrrat, qe aq shumë
I krahasohen ato, me syrin e zi vajzëror.

SHKUMBINI

Ti, Shkumbin rrjedh i qetë,
Ecën
Me një gëzim të kaltër,
Këngën ujore gëzueshëm e dredh,
Sepse e di që shkon të derdhesh në det,
E di që s’të pret përpara as një moçal.
E di që s’të pret përpara
Asnjë kënetë!
Gëzueshëm
Ti shkon në det përherë
Sepse nga gëzimi, vrulli i njerëzve diçka merr!

TRANSPARENCË

Nuk lulëzojnë lule te zeza
Mbi pemë,
Mbi pjeshkë,
Mbi lëndina.
Nuk i fut të zezë pranverës natyra.

KOHE KORRJESH

Kohë korrjesh
Natë.
Yjet si kokrra gruri
Përhapur qiellit lart.
Mes grunjrash
Kombajnat pushojnë,
Kombajnerët të shtrirë mbi kashtë
Kashtën e kumtrit shikojnë.
Kashta e Kumtrit,
Rruga e qumështit.
Na thuaj o meti, diçka
Ti e di këto,
Ti lexon gjthçka!
Historia e kashtës së Kumtrit,
Historia e Rruges së Qumshtit?
Herkuli
Gjirin e Erës piu,
U kënaq,
U ngop,
Pika e qumështit pastaj
Prej sisës së Erës kulluan
Dhe RRugën e Qumështit
Në qiell formuan.
– Përralla, shoku Meti!
Shpjegim fantastik.
Shpjegim mitologjik
Kjo vazhdë yjore
Kjo rrugë e bardhë.
Që qie;;it zbardhon netëve të vona,
Është kashta e grurit ,o Meti
Që prapa lënëkombajnat tona.

PJEKURI

Ti, portokall,
Ke një të mirë të madhe,
Që unë ta kam tepër, tepër zili:
Ti frutat i nxjerr mbi gjethet e blerta
Vetëm kur i vesh me flo

PRANVERORE

Mbi çdo gjethe,
Petale,
Fije bari,
Mëngjesi ka vënë nga një sy vese,
Që blerimi të shohë, qiellin
Të shohë kaltërsinë,
Të shoh diellin.
Dikush këput një lule molle,
Dikush një lulebore
E vë në gjoks
Emblemë pranverore

LULE DHE FRUTA

Të gjitha pemët,
Të egra,
Të buta,
Lulet i kanë të bukura.
Po fruta, po frutat frutat si janë frutat..?

1979

NJË MBRËMJE

E fejuara një mbrëmje më shihte në sy
Dhe nëna kënaqej
Me ne të dy…
Shihja,
Nuse,
Syrin çunit,
Ju jetoni tjetër kohë,
Ju jetoni tjetër jetë,
Sytë e burrit un i pashë
Pasi u mbushën plot tre vjet.

RRUGA ME PLEPA

Nirvanas
Plepa të zverdhur.
Gjethe të shtruara mbi rrugë
Duke shkelur mbi verdhësi gjethesh po vij.
Çfarë surprize, moj e dashur,
Ti ma paske shtruar rrugën me flori?

KUJTIM NGA FËMIJËRIA E DIKURSHME

Kujdesej nëna për babanë,
Kur babai vinte i lodhur,
I këputur
Nga ara.
Pjesën më të madhe i jepte,
Gjellën më të mirë i vinte përpara.
Nëna na shihte
Dhe ne e shikonim.
Në heshtje na thoshte me sy:
Të hajë babai,
Mor bij,
Më parë,
Është këputur i shkreti për ju,
Për ju ka punuar gjithë ditën në arë.
Ne, fëmijët i rrinim përqark,
Babai na ulte mbi gju
Dhe na thoshte me mall e me dhembje:
Hani, mor bij,
S’më hahet Pa ju…

1980

BUBULLIMA

Fshati fushor Bubullimë
Është një fshat me qiell të kaltër,
Të rimë…
Në fëmijëri,
Me re dhe bubullima
E përfytyroja qiellin e tij.
Sepse luftë atëherë ish
Dhe qielli
Tym të zi resh kish…
Nga qiejt gjëmues të gjokseve fshatare
Dilnin masa resh plot bubullima.
Nga qiejt e syve të vrenjtur fshatarë
Shkrepnin vetëtima.
Këtë s’e kuptoja dot në fëmijëri,
Ndaj e përfytyroja me re
Dhe bubullima
Qiellin e tij…!

THEMELI

Nisa këngën për ngjyrat e pallateve, qyteteve,
Ngjyrat s’e pranuan këngën time,
E meritonin tullat dhe llaçi
Para tyre.
Nisa këngën për llaçin dhe tullat
Tullat dhe llaçi s’e pranuan këngën time,
E meritonin gurët
Para tyre.
Nisa këngën për themelet,
Themelet s’e pranuan këngën time,
U habita,
Pastaj e kuptova:
E meritonin punëtorët këngën para tyre.
Themeli
I çdo pallati, hidrocentrali dhe uzine -punëtorët.
Punëtorët-themeli i çdo rrokjeje, tingulli,
Ritmi, rime, toni, ngjyre.
Askush s’e meriton këngën para tyre

KUJT IA FSHEH TI DASHURINË

Babai…
Tha vajza
Dhe u drodh,
E u ndanë ata.
Ikën,
Fluturuan,
U bënë erë,
Sikur të ishin dy zogj
Dhe babai të ishte skifter…
Kujt ia fsheh dashurinë ti moj vajzë,
Kujt i trembesh,
Babait i trembesh ti?
Gjersa dashurinë e bëni nën zambakë neonesh,
Festë do të kemi së shpejti në shtëpi.

NË FËMIJËRINË TONË

Radio,
Filma,
Koncerte,
Ndeshje futbolli në televizor
Nuk kishim atëherë në fshat.
Ne nuk kishim mbrëmje fare,
Kishim vetëm ditë gri dhe natë.

PEIZAZH SHIU

Shi me diell,
Pika shiu të lyera me dritë dielli,
Si kokrra gruri që shkunden nga qielli.
Duket sikur s’bie shi,
Por shihet gruri i ri.

NISET PËR NË FESTIVALIN POPULLOR

Niset labi në festival
Me gojën plot breshëri këngësh.
Niset malësori
Me këmbët në flake të valles.
Niset myzeqari në festivalin popullor
Me takijen si majë të dëbortë Tomori,
I përcjellë nga valët e blerimit fushor

NJË TË DEKLASUARI

Nuk e duron ai klimën tonë klasore,
Unë e shoh,
Unë e ndiej,
Unë e di,
Ai dridhet ditë dhe natë,
Zjarri ynë atë nuk e ngroh,
Zjarri ynë atë e djeg;
I përvëlon çdo shtirje,
Çdo dredhi…
Ai qesh dhe vetëm qesh,
Sikur të qeshurat
Të mungonin
Midis nesh…

ME SHISHET E BOJËS QË DERDH

Borgjezi,
Borgjezi!
Artin e do të turbullt, llum,
Kurse qiellin e plazhit e do të kaltër,
Dhe detin pa dallgë, pa shkumë.
Poezinë
E do hermetike,
Kurse vilat verore
I do me ajër të freskët, të kulluar,
Me dyer e dritare hapur,
Me palma dhe blirë rrethuar.
Romanin
E do xhungël
Të populluar me dinosaurë,
Minj,
Lakuriqë,
Reptilë,
Kurse kopshtet e vilave i do
Me kanarina, fazanë, lauresha, bilbilë.
Filma,muzikën, teatrin,
I do të përçartë,
Me delir
Me jerm,
Kllapi,
Kurse fëmijën e vet
E do me kokën mbushur me diamante, flori.
Borgjezi,
Borgjezi!
Shpirti i popujve
Është Drin,
Amazon,
Nil,
Misisip,
Shpirti i popujve është oqean,
Nuk mund ta nxish dot, ta kthesh në kënetë,
Me shishet e bojës që derdh…

SHOKUT

Më ke kritikuar,
Të kam kritikuar,
Edhe jemi ndeshur rreptësisht.
Kjo ka ndodhur,
Kjo ka ngjarë.

Por as me vete kurrë s’të kam sharë

KTHIMI I DEAS NË ATDHE

Mirë se na erdhe, moj Dea e Butrintit!
Kemi pasur një shoqe me emrin tënd
Në çetën tonë ne.
Ty të zhvarrosën,
Të rrëmbyen të huajt,
Shoqen tonë e futën fashistët në dhé.
Ty të rrëmbyen,
Të lakmuan bukurinë,
Shoqen tonë e pushkatuan,
Një mbrëmje pranë mullirit…
E tregove gjithë bukurinë, moj Dea,
E tregove sot që erdhe në atdhe.
Në mermer ti,
Dea e Butrintit
Në mermer shoqja jonë partizane në Muze.
Në mermer bukuria,
Në bronz Trimëria…

21 poezi
Nga
PJESA E DYTË e librit tim të dytë
Mesazhe fushe” 1984