(Duke u ndalur në krijimtarinë e Jahja Llukës)
Dr. Fatmir Terziu
Hyrje
Ky artikull ka për qëllim të saktësojë korrelacionin e pranuar të studimeve kulturore duke demonstruar se poezia mund të jetë një formë “kombëtare” në shoqëritë me problematika të ndryshme, si Kosova, për shkak të mundësisë së saj për të zënë vendin meritor në kohën nën okupim. Duke nxjerrë shembujt nga poezia dhe krijimet e rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës ndaj shtypjes shtetërore që përfundimisht çoi në shkëputjen dhe krijimin e Kosovës, argumentoj se poezia është një formë e fuqishme kombëtare për shkak të aftësisë së saj si mjet për kryerjen e shprehjes kolektive ( “Gjuhën e kombit”) dhe kujtimin e ritualizuar të traumave kolektive. Unë pastaj ofroj disa shembuj se si është pasqyruar kjo në tërë krijimtarinë e një poeti si Jahja Lluka, përmes krijimit të një sublime kombëtare, mobilizimit të roleve aktive e personale të vetë autorit në shoqatën për “Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” dhe përmes thirrjeve poetike vetë-refleksive për veprim. Duke vepruar kështu, unë sugjeroj se ekzaminimet e ndryshme, më së shumti nga krijimtaria poetike e autorit mund të qartësojnë mjaft enigma që rrjedhin nga nocioni dhe mesazhi poetik i vetë poezisë së rezistencës, duke shpresuar se vetëm kështu mund të besohet e krijohet besimi tek largimi nga vetmia dhe hyrja në përgjegjësi kolektive të mjaftueshme për të ecur përpara, përtej qëndresës dhe drejt demokratizimit të jetës.
Rezistenca kulturore dhe përgjegjësia si një mesazh sublim
Në një nga poezitë e vëllimit të tij poetik “Vargje vetmie” (Prishtinë, 2004) poeti nga Peja, Jahja Lluka, shkruan nën një titull sa sublim dhe mjaft domethënës “Përgjegjësi”. E ndërsa tashmë është në ekipin e Kryeministrit të Kosovës, kjo “përgjegjësi” diku e shkruar mes vargjeve “Ç’pret o syri im/ngopu me bukurinë e atdheut/mburru me lashtësinë e tokës/s’është lehtë të ecim drejt”, duket sikur tingëllon apriori si një derivat i domosdoshëm jo thjesht poetik. Ky derivat është i paraprirë nga “Qëndresë”, jo thjesht si fjalëgjetje, por si një depërtim i thellë në preambulën e saj poetike, ku autori gjen se “qëndresa është fjalë/është dashuri/është granit/është rruga e lirisë/e shpejton lindjen/lindjen e agimit/dritën e tokës”. Për të shkuar më tej autori përcakton edhe “gjuhën e dhelprës/syrin e qyqarit/mendjen e mashtruesit/peshën e askushit” dhe ky është “tradhëtari” që më tej është një qasje, një thirrje për lexuesit për të vëmendësuar arsyen pasi “Pesha e tij është shkreti/shikoni si digjet/e nuk e vëren dergjën e tij”.
Sakaq me këtë hyrje, vetvetiu nënkuptohet se veprat e këtij autori, dhe ato nuk janë pak tashmë, vetëm pesë prej tyre u promovuan pak kohë më parë, janë një dëshmi për një rrugëtim të gjatë dhe të përgjakshëm të kombit shqiptar. Jo më kot për këtë autor shkruhet e thuhet se është “veprimtar i kauzës kombëtare”. Jahja LLuka është i burgosuri që përjetoi masakrën e Dubravës dhe ferrin e kazermave serbe, por më së shumti ai njihet si autori i “Kosova nga Naçertanie e deri të Pavarësia 1844-2008”, “Shpërngulja e shqiptarëve nga Peja dhe rrethina në vitet 1912-1994” si dhe librat me poezi të shkruara në burgjet serbe.
“Edhe ti Atdhe” (Prishtinë, 2015) ka në thelbin e tij poetik poezi qëndrese, force dhe dashurie. Poezia e këtij vëllim është një poezi rezistencë më vete. Poezia e tillë Rezistencës është një përgjigje në kohë (me anë të vargut) ndaj klimës politike të shovinizmit, megjithatë ajo që në fund argumenton libri është se këto padrejtësi kanë qenë gjithmonë, dhe janë duke ndodhur në formatime dhe kostumëri të ndryshme politike, harresa dhe mohimi i tyre është thjesht manifestimi më i fundit i një harrese kolektive, i një vetëkënaqësie masive të momentit. Ndaj autori me një simbolikë të madhe këtë rezistencë e shton me përkushtimin simbolik ndaj djalit të tij “Atdheut”, duke forcuar kështu bindjen se “Atdhe do të thotë/bukuri, liri/krenari dhe dashuri/të gjitha i ke ti”. Autori me këtë poezi sublime për djalin me emrin e madh Atdhe tregon dhe zbërthen vetë rezistencën, forcën e tij mbijetuese në realitetin e tij të prangosur “në pranga jam/por ti më forcon/më bën të pavdekshëm/jeta ecën marshon”.
Thellimi tek vepra e Jahja Llukës
Dr. Muhamet Mala ka vlerësuar krijimtarinë e Jahja LLukës, jo thjesht si një përjetim aktual i tij i golgotës shqiptare, por si një operues i fakteve që flasin edhe për plagën e rendë të popullit shqiptar dhe hemarogjinë e vazhdueshme të tij, për fatin e rëndë të shpërnguljes së popullit të këtyre vatrave dhe të Kosovës, duke filluar nga vitet 1912 -1994, por duke mos harruar edhe eksodin biblik të viteve 1998 -1999, dhe ikjen e fundit të shqiptarëve nga Kosova. Në një kënd tjetër një recensent i njohur shqiptar, Hakif Bajrami, na sjell mes leximit të librit “Kosova nga Naçertanie e deri të Pavarësia 1844-2008”, faktiin e Konventës Jugosllavo –Turke, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Shqipëria Kontinentale. Mjaft të tjerë si Irna Peshkopia, Sejdi Berisha dhe Osman Grabovci kanë hyrë në detaje mes këndvështrimeve të ndryshme, duke analizuar “se në vargjet e Jahja Llukës, ngërthen ndijesimi i fortë shpirtëror, i cili pjesën dërmuese të poezive e ka shkruar në burg”. Berisha, si poet dhe studiues sheh në vargjet e vëllimit “Edhe ti Atdhe” aspektualitetin se Lluka “i këndon fuqishëm lirisë, dashurisë ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, por më së shumti dashurisë së madhe ndaj shokëve dhe bashkëveprimtarëve të tij”.
Sakaq thellimi në veprën e Jahja Llukës është një arsye më shumë kur hyn në gjeografinë e saj. Gjeografia e Llukës nuk shpëton dot nga “Kopshti i dashurisë”, ku “Rugova ishte vendi më ideal/ku të desha edhe ëndërr dhe zgjuar/unë të dëgjoja, ti më shikoje/ishe në këmishën e tejdukshme/por unë të shikoja lakuriq/pasqyrat fantazi/dhe kur ta vodha puthjen nga buzët plot zjarr/trëndafil pranvere/rrobat e ndrydhura/i hodhëm në Lumbardh/ofshamat nga shpirti/amshim pëshpëritëm”. E ndërsa në këtë gjeografi ka dhe plagë, autori i parasheh ti shërroj “të gjitha plagët, të gjitha dhimbjet me puthjen tënde”, natyrisht ku e dashura është pjesë jo thjesht e prezencës, dashurisë, por dhe dritëhijeve që kaplojnë me natën dhe me ditën, duke i kërkuar ndihmën dhe Zotit, pra “o Zot më ndihmo”.
Mes kësaj thirrjeje për ndihmën e Zotit ngrihet dhe “Tempulli i zemrës” që autori e ngre në vargjet e tij, duke i kënduar dashurisë, dhe duke iu qasur largësisë, por ai sërrish gjen në këtë hapësirë përkushtimin për Qefserin, dhe këtë ia dedikon “Vetëm për ty”, natyrisht me një superioritet, ku vargjet “Nuk dua pallate/as poste e mandate/as ar e pasuri/të dua vetëm ty dashuri”, shkojnë përtej rezistencës dhe ndikojnë në zgjimin më sublim të forcës së vargut, të timbrit të fuqishëm të poezisë, për të rikthyer qasjen tek madhorja, sublimja dhe jetikja.
Në vend të mbylljes
Duhet theksuar se në zërin poetik të Jahja Llukës, nuk është vetëm rezistenca, por tërë jeta dhe angazhimi rreth saj e për të. Ky zë poetik i këtij autori është arma që rikualizon historinë konvencionale të dhimjeve dhe plagëve shqiptare të Kosovës, nëpërmjet një varu të thjeshtë, që qas të thjeshtën e gjuhës popullore në një kënd të lexueshëm për të gjithë shtresat. Duke përshkruar një hapësirë dhe një kënd kohor të përjetuar mes vetë rezistencës dhe dhimbjeve, Jahja Lluka ka treguar se di të dekodojë tërsinë e gjërave në vlera të qëndryueshme, në mesazhe për brezat.
Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar