MESAZH NDERIMI E MIRËNJOHJEJE…

0
1435

Përshëndetje, mikut tim të çmuar, prof. Murat Gecaj!

Nga: Donika Çelapoete

Është kënaqësi për mua, të ulem e të shkruaj dy fjalë zemre për këtë mik kaq të çmuar, publicist e studiues, por dhe bashkëpunëtor e redaktor letrar i disa librave, sidomos i autorëve të rinj.

Nuk ka shumë kohë që ne jemi njohur, përmes Internetit, kur iu drejtova atij për të bërë redaktimin letrar të një vëllimi, që e kisha në dorëshkrim. Dhe, menjëherë, unë gjeta te ai mirëkuptim e gatishmëri për ta realizuar këtë detyrë.

Shënoj këtu se, para kësaj, për redaktimin e librit tim, i cili del në qarkullim së shpejti, m’u desh të përballem me disa vështirësi të ndryshme. Pra, m’u desh shumë kohë e mund që të trokas, “në një derë e një tjetër”, për të arritur në një marrveshje bashkpunuse me redaktorët përkatës.Kështu, fatkeqësia që ndodhem në emigracion,nuk më dha mundësinë të përjetoj realitetin e gjendjes së sotme në vendlindje. Por, falë Zotit, aftësia për të gjetur njeriun e pastër e shembullor në shpirt nuk më mungon edhe përse na ndan largësia fizike.

Kjo intuitë e imja, më bëri të ndalohem te redaktori i librit tim, prof. Murat Gecaj.

Ndryshe nga të tjerët, që për shkak se jemi në emigrim dhe, mbase, mendojnë që ne i gjejmë paratë për tokë dhe i kemi ato “me thes’” dhe, o burra, të vëmë një çmim sa më të lartë, që ata ta hapin atë e ta zbrazin në të tilla raste, duke menduar sikur të isha vajza e tij, ai e vuri dorën në zemër dhe kërkoi diçka simbolike, aq sa unë të mos i ndihesha borxhlije, pra pothuajse e bëri tërë punën falas.

Dua të theksoj këtu se, ndryshe nga të tjerët, që ne emigrantëve na marrin sikur të jemi të huaj dhe jo bijtë e bijat e Mëmës Shqipëri dhe na kërkojnë para të shumta dhe ende pa bërë asnjë punë, miku im as që e diskutoi këtë gjë. Kështu, ne u morëm vesh që ai ta bënte punën e tij dhe pastaj të mi dërgonte poezitë e redaktuara. Bile, prof.Gecaj përgatiti e dërgoi, bashkë me to, edhe “Hyrjen” e këtij libri, me fjalë dashamirëse, të një njohësi të aftë të krijimtarisë poetike. Pra, kështu u tha e kështu u bë, me mirëkuptim të plotë.

Në se nuk ma besoni këtë realitet,kush e njeh të nderuarin prof.M.Gecaj, mund t’i drejtohet edhe në emrin tim e ta pysë, se vetë ai do t’u dëshmojë për sinqeritetin e atyre fakteve, që përmenda më lart.

Përfitoj nga rasti që ta përgëzoj nga zemra, për punën miqësore që ka bërë ky redaktor, në përgatitjen për botim të librit tim. Gjithashtu,përfitoj nga rasti, që t’u dërgoj një mesazh të gjithë figurave letrare, studiuesve e botuesve dhe t’u them se, të punosh në interesin e përgjithshëm dhe për të rritur nivelin kulturor e letrar të krijuesve, t’i mbështetësh e t’i nxitësh ata, është kënaqësia më e madhe, që të pasuron në shpirt.

Mendoj se:”Të madh nuk të bën xhepi i grisur,përkundrazi, të madh e të nderuar nga të gjithë, të bën shpirti i madh e i pastër”! Prandaj edhe unë, me shpirtin e pastër, të mbushur me shumë mirënjohje, ia kushtova dhe e drejtova këtë mesazh përgëzimi, të madhit e shpirtpasurit, Murat Gecaj.

Nga zemra uroj: Rrofsh sa malet, miku im, Murat Gecaj! Lum Kombi ynë, që të ka ty, o dritëdhënës i kultures, letërsisë e artit shqiptar!

Me respekt të veçantë për Ju!

Itali, gusht 2016