voal.ch | 5 maj 2016
VOAL – Gazetari dhe botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, tregon arsyen pse u prish me ish-kryeministrin Berisha. Në një intervistë të dhënë dje, Berisha tha se u prish me Bazen për shkak të një shtypshkronje. Por Baze thotë se arsyeja e vërtetë nuk është kjo. Lexoni më poshtë intervistën e botuesit Mero Baze.
Zoti Berisha ju ka përmendur së fundmi në një intervistë, duke dhënë një version të tij për prishjen e tij me ty?
Po e pashë. Prisja të reagonte, pasi dy ditë më parë kam botuar një shkrim ku shpjegoj, se Berisha po sillet si i kërcënuar. Ka pas zëra se i kanë kërcënuar djalin për pazaret e tij të vjetra e të reja, por dhe ka dhe të dhëna që ai është vendosur para një presioni ndërkombëtar, për të votuar reformën në drejtësi, ndryshe do të hyj në listën e zezë të politikanëve për Perëndimin. Dhe e dija që do reagonte. Unë e besoj se ai nuk ka frikë konkretisht nga kërcënimi fizik, por nga ideja se dikush mund ta kërcënojë. Nuk mund ta pranoj dot, të jetë i kërcënueshëm. Ndaj dhe ka reaguar. U argëtova boll që e nxorra nga strofulla.
Ai thotë se është prishur me ju, pasi keni shitur gazetën tek një biznesmen i lidhur me Ramën dhe se keni dashur të fusni shtypshkronjën pa doganë? Si është e vërteta?
Po s’di ç’të them më parë në këtë rast, përveç faktit që ky njeri ka dhjetë vjet, që bën luftë dhe akoma nuk ka gjetur ndonjë arsyetim për të qenë, për t’u jsutifikuar sulmet e ndyra ndaj meje. Sa i përket shitjes së gazetës në vitin 2005, ajo ishte pronë e imja dhe mund t’ia shisja kujt të doja, por pronarët e Tajvanit kanë qenë klientë të Argitës dhe prej saj kanë fituar çdo gjë, jo prej meje, se unë nuk kisha pushtet. Nëse do Argita mund t’i botojmë dhe faturat që ka marrë paret si avokate nga pronarët e Tajvanit. I sulmoi ata, kur ata prishën kontratën me të, por kjo ka ndodhur shumë vonë para disa vitesh. Vet Shkëlzeni ishte miku i tyre, dhe u ka rregulluar shumë punë, duke i çuar disa herë dhe në zyrën e babait për të takuar biznesmenë të huaj, që ata sillnin në Shqipëri.
Kështu që nuk gjej llogjikë për t’u mërzitur Saliu, në këtë deklaratë. E para nuk kam shitur ndonjë pronë të Saliut, por timen dhe e dyta fëmijët e Saliut kanë punuar me këta biznesmenë dhe kanë bërë lekë. Bile kam frikë se disa biznese i kanë ende në emrat e tyre. Pastaj kjo punë e shtypshkronjës është pak më qesharake. E para është se nuk ka doganë fare për shtypshkronjat dhe cdo linjë prodhimi që blihet nga Bashkimi Evropian. Unë e kam blerë atë në Austri në vitin 2007. Berisha ka qenë dhe kryeministër, dhe duhet të paktën kur flet, t’u referohet ligjeve me të cilat ka qeverisur.
E dyta dhe për TVSH ka pas regjim shtyrje që mund ta paguaje pas një afati të caktuar, kur të rishisje shtypshkronjën, ose të kompensohej rikthimi i TVSH gjatë prodhimit, me TVSH e blerjes. Kështu që nuk kishe cfarë nderi t’i kërkoje qeverisë për këtë, pasi që nga koha e Fatos Nanos ua kishte bërë këtë nder bizneseve që investonin. Problemi i Berishës ishte që unë e kam blerë shtypshkronjën kur isha prishur me të dhe ai nuk gjeti rehat sa e prishi, e shkatërroi dhe e mbajti të rrethuar me policë. Akoma aty e ka! Po e ka marrë malli le të shkojë ta shikojë pirgun e urrejtes që ka shkarkuar mbi një tufë hekurishtesh. Unë nuk jam peng i hekurishteve të tij. Jam i kënaqur që e shikoj atë dhe familjen e tij si një pirg plehrash që tentojnë të helmojnë ende vendin, por që nuk i përfill askush.
Po pse i duhet t’i thotë këto Berisha?
I thotë se nuk thotë dot të vërtetën. E vërteta është se unë me Berishën i kam pas marrëdhëniet e ftohta pas vitit 2005, kur ai erdhi në pushtet. Shkak ishte mënyra se si Familja po përfshihej në pushtet, duke kontrolluar gjithcka. Vajza, djali dhe gruaja, (sidomos gruaja) u kthyen në agjensi qeveritare, që diktonin emërime, tendera, koncesione, dhe gjithçka tjetër. Unë ruajta distancë nga ata dhe për këtë shkak shita dhe gazetën të mos isha pjesë e historisë së pushtetit të tij. E kuptoni ju, që ai ka dhjetë vjet në luftë kundër meje dhe nuk gjen dot asnjë fakt minimal kompromentues, por shpik budallallëqe të tilla? Sikur unë një ditë të kisha qenë pjesë e pushtetit të tij, dhe të kisha bërë diçka sot do ishte bërë legjendë. Dhe jam krenar që s’kam qenë asnjë ditë pjesë e pushtetit të tij. E vetmja lidhje ime me pushtetin ishte Sokol Olldashi, dhe atë për shkak të lidhjes sime personale si ish kolegë gazetarë. Për të mu desh të riangazhohesha pro tij, në fushatën e vitit 2007-s përballë Edi Ramës. Por ajo ishte edhe ndarja ime finale dhe politike me ata, si parti dhe me Berishën si person. Aty pashë një parti që punonte e gjitha kundër kandidatit. Basha me të vetët sabotonin çdo gjë, deri në shitje votash.
Psh., fitonte në një zonë Gert Bogdani, një ish socialist i konvertuar në demokrat si kryetar minibashkie dhe humbiste Olldashi. Ndërsa i biri i Berishës vinte në koridoret e shtabit elektoral vetëm për të sharë Ilir Rusmalin, që s’po i firmsote letrat e Gërdecit. E kam të shënuar dhe datën më 12 shkurt, në kulm të fushatës, kur ai sillej korridereve të PD, duke sharë Rusmalin, pasi më 14 duhet të kalonte VKM, që autorizonte kompaninë e Delijorgjit ta merrte me VKM koncesionin e Gërdecit. Në një farë mënyre Berisha dhe Familja e tij kishin problem me mua si dëshmitar të pisllëqeve të tyre, jo si mëkatar. Vajza e tij kapte biznesmenët dhe u thoshte ua rregulloj unë letrat por mos të marrë vesh ai se na nxjerr bojën. Pastaj në vjeshtën e vitit 2007 m’u desh t’ia them publikisht Berishës se djali i tij po merret me armë në Vorë (Atëhere nuk kishte hyrë fjala Gërdec) dhe nëse ndodh dicka ai duhet të japë dorëheqjen. Kjo ka qenë gjashtë muaj para shpërthimit të Gërdecit dhe e keni intervistën me Eni Vasilin te ish Alsat.
Kjo e tërboi dhe nisi sulmin frontal ndaj meje. Me pronarët e Tajvanit ndërkohë vazhdonte të shiste naftë për Bektelin dhe bënin pazare tokash me Zenin. Biles kur është mbyllur gazeta TemA, pas bllokimit me policë dhe pas gjobave të Agim Shehut, kur nuk doli numri në print të nesërmen, Zeni ka festuar me të tre pronarët e Tajvanit, pasi dhe ata “shpëtuan” nga njolla, që kishin lidhje dikur me Temën. Biles si shpërblim i çoi dhe tek zyra e Saliut me ca biznesmenë izrealitë, në shenjë mirënjohje. Problemi i Berishëve ishte se ju prish gjaku nga rihapja e gazetës dhe rezistenca ime, i vetëm përballë tyre. Dhe nuk lanë gjë pa bërë, që nga hedhja në erë e makinës, shkatërimi i shtypshkronjës, për të cilën vazhdoj paguaj kredinë, mbyllja e gazetës, ndërsimi i biznesmenëve që privatizuan ARMO, deri në dhunë fizike ndaj meje, të cilët ishin sponsorë të Liri Berishës dhe e kishin atë si topmodele imazhi të kompanisë. Disa vemje si Flamur Noka vazhdonin sulme ndaj të afërmve të mi, kudo që ishin duke jetuar dhe kushërinj të mi të shtatë, duke i hequr nga puna apo duke u bërë dëm. I vetmi nder që më ka bërë Berisha është se nga sulmet e Saliut njoha dhe fisin, se nuk kam qenë shumë i lidhur me ta.
A keni ndonjë përgjigje për Berishën?
Jo. Kam pas një detyrim ndaj shqiptarëve për aq sa kam besuar se ai mund të bënte dicka pozitive për Shqipërinë, që e kam ndihmuar të rikthehet në pushtet në vitin 2005. Këtë borxh e kam larë, pasi prej vitit 2005 e deri më 23 qershor 2013, jashtë çdo modestie, unë jam njeriu që i kam qëndruar përballë derisa u rrëzua nga pushteti, pa asnjë kompromis. Kjo është ajo që atë e terrorizon. Unë nuk jam mik i Berishës, i viteve në pushtet, jam një njeri që e kam mbështetur në opozitën e tij para vitit 2005. Dhe nuk i kam borxh askujt, pasi beteja që unë i kam bërë atij dhe familjes së tij mafjoze, nuk ia ka bërë dot as ish opozita. Ish opozita tani në pushtet ka bërë pazare me familjen e tij dhe vazhdon të bëjë. Zeni vazhdon të marrë lekë nga koncesionet që ka nëpër ofshore, dhe pallatet që ka nisur nëpër Tiranë, janë transferuar në emra pranë Edi Ramës. Kjo që bën ky pushtet me Berishën është e neveritshme, por kjo nuk është më beteja ime.
Unë nuk kam gjë personale me Berishën pasi nuk kam mentalitetin e tij kanunor. Unë ndjehem i realizuar që e kam parë si legen pas 23 Qershorit dhe e shikoj si kuis si qen i uritur për pushtet tani, me shpresë se do trembë dikë. Nuk dua të bëhem egoist por më kënaq ky Berishë që shikoj, kështu si e shikoj dhe si është katandisur. Kur kam shkruar që më duket se ndjehet i kërcënuar, kam qenë i bindur se ashtu më duket, pasi e njoh mirë. Kështu sillej edhe kur Haklajt i kan çuar fjalë në vitin 1998. Ka bërë aq shumë krime, sa nuk i dihet nga kush mund t’i vijë. E sigurtë është që nga ky pushtet nuk i vjen asnjë e keqe, se kanë kapur njëri-tjetrin. Dhe kam ruajtur po këtë distancë me këta, vetëm për shkak se kudo që të trokasësh, të del para Saliu dhe njerëzit e tij. Dhe nuk është çudi që për këtë shkak Edi Rama të prodhojë neveri ndaj votuesve të vet, më shumë se për çfarëdo arsye tjetër. Beteja ime me të ka mbaruar më 23 Qershor dhe nuk më intereson më as si politikan as si njeri. Kështu e pafsha.