Mërgimtarët “mish për topa” të partive të dështuara politike!

0
238
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 01.02.2021

Në shtetin e ri të Kosovës, për 13 vite më radhë, të gjitha partitë dhe të gjithë politikanët pa dallim, luftën e bënë për pushtet e jo për shtet. Sikur të ishte ndryshe, do të kishim zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, do të kishim shëndetësi kualitative dhe sigurime shëndetësore, do të kishim arsim cilësorë dhe barazi qytetare.

Thirren në emrin e popullit, veprimet i kanë të kundërta

Të gjitha partitë politike dhe politkanët pa dallim, thirren në emrin e popullit, por asnjëri(a) nuk punojnë për të të mirën e tyre, nuk ju përmbahen premtimeve dhe zotimeve gjatë fushatave elektorale.

Si pasojë e kësaj, nga do që sillesh dëgjon të flitet për korrupsion dhe krim të organizuar, për abuzim dhe vjedhje të buxhetit të shtetit, për uzurpim dhe plaçkitje të pronave publike dhe shtetërore (komunale), dëgjon të flitet për degradim të sistemit arsimorë dhe shëndetësorë, për degradim të sistemit të drejtësisë dhe shkelje të drejtave njerëzore.

Nga do e kthen kokën dëgjon gjuhën fyese dhe helmuese të politikanëve, të cilët fillimisht e përçajnë popullatën e verfër, për t’i joshur më pas, me mashtrime dhe premtime boshe gjatë fushatave zgjedhore.

Nga do e kthen kokën dëgjon sharje dhe fyerje, shpifje dhe linçime mes politikanëve mashtrues dhe karrieristë që shpërfillin vullnetin e qytetarëve dhe dëmtojnë interesat e shtetit.

Por, nga do sillesh e dëgjon edhe mallkimin dhe rënkimin e popullatës së varfër e të pashpresë, duke braktisur vendlindjen e tyre me shpirtë të thyer dhe zemër të plagosur.

Të heshtur pa e thënë asnjë fjalë kanë mbetur vetëm heronjët dhe dëshmorët në shënjtërinë e tyre, viktimat dhe të zhdukurit gjatë luftës në parajsen e tyre, por jo edhe familjarët e tyre, të shfrytëzuarit e të gjitha partive dhe liderëve partiakë.

Mërgimtarët, të shfrytëzuarit nga të gjitha pushtetet

Po ashtu, të shfrytëzuarit nga të gjitha pushtetet janë edhe mërgimtarët, shtresa më e shëndoshë e artieries sonë kombëtare, pa ndihmën e së cilës, vështirë se do të ndodhte shtetformimi dhe shtetndërtimi i Republikës së Kosovës, liria dhe pavarësia e saj!

Filozofia apo më mirë të thë themi mendësia politike e viteve të ’90-ta, e shtetformimit ishte mendësi e pastër dhe shëndoshë, e cila edhe sot i duhet Kosovës, më shumë së asnjëherë më parë, për shkak se, ajo ishte mendësi e dhënjes gjithçka për shtetin e Kosovës, e jo marrja gjithçka nga shteti siq ndodhi përgjatë këtyre 13 vjetëve të fundit.

Historia e shkurtër e tri dekadave të fundit e dëshmon se askush nuk e donë Kosovën më tepër sesa mërgimtarët, por askush më shumë sesa mërgimtarët nuk është shftytëzuar dhe përbuzur nga të gjitha partitë dhe politikanët e të gjitha llojeve e ngjyrave politike, pra vetëm janë përdorur “mish për topa” të partive të dështuara politike.

Në fokus të grumbullimit të votave, por jo edhe të trajtimit dinjitoz

Mërgimtarët kanë nevojë për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që i trajton ata në mënyrë të dinjitetshme, që i mbron shtëpitë e tyre, jo vetëm nga hajdutët ordinerë, por edhe që i liron nga tatimi në pronë për shtëpitë e ndërtuara pas lufte, të cilat, të shumtën e kohës janë të pashfrytëzuara.

Mërgimtarët kërkojnë njëkohësisht siguri më të madhe për investimet e tyre në vendlindje, që ato të jenë të sigurta dhe të pakërcënuara nga haraç-kërkuesit, të cilët kërkojnë shuma të mëdha parashë në këmbim të zhvillimit të lirë të veprimtarisë afariste në vendin tonë.

Krijimi i kushteve të volitshme dhe heqja e barrierave burokratike për investime nga mërgata, për një kohë të shkurtër, përveqse do ta ndalte trendin e largimit të të rinjëve, do ta kthente Kosovën në një vend të zhvilluar, të dashur dhe tërheqës për riatdhesimin e mërgimtarëve.

Mërgimtarët sikurse herave tjera, edhe kësaj radhe janë në fokus të grumbullimit votave, për t’u harruar një ditë pas zgjedhjeve nga të gjitha partitë deri në konsolidimin e pushtetit, për të vazhduar më pas gjahun e ri apo plaçkitjen e tyre, filluar nga pikat kufitare (me policat e sigurimeve), haraçin legal në emër të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumentave të udhëtimit, tatimit mbi pronë për shtëpitë e shfrytëzuara dy herë në vit nga dy javë e jo më shumë se 1 muaj të vetëm.

Duke shpresuar në fitoren e forcave progresive, mërgimtarët kanë arsye të besojnë, që në legjislaturën e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës (të tetën më radhë), së paku nga një deputet i ri do të inicohet nxjerrja e një ligj i veçantë që i liron mërgimtarët nga tatimi për shtëpitë e pashfrytëzuara, por jo edhe nga tatimi mbi pjesën tjetër të patundshmërisë dhe veprimtarive afariste.