Kuadri i LDK-së, Fetah Rudi, nderohet me Mirënjohje
IDRIZ ZEQIRAJ
Në përvjetorin e 28-të të themelimit të Degës të LDK-së në Beneluks, Kryesia e saj, në konsultim me anëtarësinë, vendosi të nderojë me – Mirënjohje – disa dëshmorë, komandantë të luftës, veprimtarë të devotshëm të LDK-së dhe kuadro të saj.
Kryetari i Degës të LDK-së në Beneluks, Bahtir Kastrati, sekretari Xhavit Belaj, anëtari i Kryesisë, Xhevdet Tafilaj, të shoqëruar nga deputeti i Parlamentit të Kosovës, Anton Quni, koordinatori për Degët e LDK-së në Mërgatë, Sali Morina, nënkryetarët e komunave në Istog e Klinë, përkatësisht, Lulzim Blakaj e Besim Hoti, kryetari i Komisionit Shtetëror për të pagjeturit e luftës, Prenkë Gjetaj, ish-deputeti dhe luftëtari i orëve të para, Fadil Geci, veprimtari Ibrahim Ahmeti, kryetari i LDK-së në Bavarinë gjermane, Idriz Zeqiraj dhe i kudondodhuri, drejtori dhe moderatori i Radio-Fontanës, Zeqir Mehmetaj, dorëzuan – Mirënjohjet – për kuadrin e LDK-së, bashkëpunëtorin e Presidentit Ibrahim Rugova, heroin e gjallë – Fetah Rudin; për ish-komandantin e UÇK-së, kryetarin aktual të Degës të LDK-së dhe kryetarin e Asamblesë të Komunës së Klinës, Fadil Gashin; për komandantin-dëshmor Ismet Rrahmanin; për ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-deputetin Fadil Geci.
Ekipi i LDK-së nismoi me vizitën në shtëpinë e kuadrit dhe të veprimtarit të devotshëm të LDK-së, Fetah Rudi, i atentatuari politik, për rrjedhojë, i mbetur, përjetësisht, në karrikën invalidore. Takimi me heroin e gjallë Rudi, ishte shumë emocionues. Në oborrin e shtëpisë na pritën: kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Fehmi Kafexholli, ish-luftëtari Emrush Gashi, kushëriri Xhaviti, vëllai Shaipi, me djalin Admirin, shoqërues të përhershëm të veprimtarit aktiv, Fetah Rudi, djali Petriti, gazetar dhe redaktor i zëshëm i kombëtarës “Bota sot”, vajza gjimnaziste – Gentiana.
Kuadri, bashkëpunëtori besnik i Dr. Rugovës, Fetah Rudi, gjithëherë stoik, modest, i dashur, i sinqertë dhe trim. Prania e tij në jetë, dëshmi faktike e krimit politik të “komandantëve” vrastarë. “Ardhja juaj në shtëpinë tonë flet shumë. Përcjell aktivitetin, kontributin e Mërgatës shqiptare, e cila ka qenë dhe mbetet maxhja e Kosovës. Në emër të familjes time ju falenderoj ju, kryetar Kastrati, Kryesinë Tuaj, për – Mirënjohjen – e çmuar, të ndarë për mua. E vlerësoj si një letër me vlerë të veçantë”, – tha, fort i emocionuar, njeriu i mirë, Fetah Rudi.
Miku i tij i idealit, Fadil Geci tha se “LDK-ja dhe Kosova frymëzohen nga qendresa e Fatah Rudit. Zoti e ruajti për të rrëfyer për brezat”.
U larguam nga Familja atdhetare e fisnike Rudi, duke marrë një pjesë të dhimbjes, por, edhe të krenarisë së ligjshme.
Veprimtari unik, Fetah Rudi, u bashkua me ekipin e LDK-së, në aktivitetet në Klinë, Açarevë, Llaushë e deri në Istog.
Kryetari i Degës të LDK-së, Fadil Gashi, nderohet me Mirënjohje
Në vijim, agjenda jonë ishte Klina, përkatësisht, selia e Degës së LDK-së së këtueshme. Kryesia, e prirë nga Fadil Gashi, ish-komandant i luftës, për të cilin Dega e LDK-së në Beneluks kishte ndarë – Mirënjohje-, na priti me përzemërsi: nënkryetari i komunës, Besim Hoti, një djalë xhentil, energjik dhe premtues; Mirjeta Kalludra, deputetja dinjitoze dhe bukuroshe e Parlamentit të Kosovës; kryetari i Komisionit Shtetëror për të pagjeturit e luftës, Prenkë Gjetaj, njëherësh, miku im i rinisë, me të cilin u takuam, sërishmi, pas plot 50 vitesh; malësorja vuthjane, Vezire Kukaj-Elshani, kryetare e Forumit të Gruas; Adnan Bekaj, kryetar i Forumit të Rinisë; Arben Limani, drejtor i Arsimit; anëtarët e Kryesisë Naim Berisha, Agustin Selmani, Prend Zefi dhe të tjerë. Një kolektiv, një Kryesi aktive dhe simpatike, që jep shpresë për suksese.
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Anton Quni, përshëndeti Kryesinë e Degës së LDK-së në Klinë, në emër të kryetarit Isa Mustafa: “Në Klinë vij me dëshirë, sepse kolegu im Fadil Gashi është punëtor i mirë, besnik i programit të LDK-së dhe frymës rugoviane”.
Bahtir Kastrati i dorëzon Mirënjohjen Nënës Cymë të Ismet Rrahmanit
Açareva, nga viti në vit, po bëhet më shumë e njohur. “Açareva e Ismet Rrahmanit”, – po e quajnë vizitorët e shumtë, të cilët vizitojnë edhe – Kullën-muze të Ismet Rrahmanit. Duke qenë mësues i mirë, Ismeti u bë edhe drejtor i mirë i Shkollës të Açarevës, e cila, tashmë, krenarisht, e mbanë emrin e tij. Njohës i mirë i artit luftarak, Ismeti la ditarin shkollor dhe rroku pushkën për liri.
Por, jetën e tij e shuan dy plumba, nga një gjuajtje fort e dyshimtë. Të një mendjeje janë edhe njohësit e fushës ushtarake.
Vëllezërit Ramushi, Halili, Destani, nënë-Cyma, presin dhe përcjellin bashkëluftëtarët e vëllait dhe të djalit të tyre dëshmor. Ismet Rrahmani, Haki Imeri, Bahtir Kastrati, ishin trinomi i veprimtarëve të kësaj ane. Ilustrimet numerike fotografike flasin, mjaftueshëm, për veprimtarinë e begatë të Ismetit. Andaj, Mërgata e ka përzgjedhur për ta nderuar me -Mirënjohje – pas amëshimit. “Kemi ardhur për të nderuar veprën e Ismet Rrahmanit, familjen e tij fisnike. Lavdi jetës dhe veprës së tij”,- shprehet anëtarii Kryesisë të LDK-së, njëherësh, edhe Koordinator për Degët e LDK-së në Mergatë, Sali Morina.
Nënë – Cyma e Ismet Rrahmanit, edhe pse me barrën e 8 (tetë) dekadave, mbahet e fortë. “Tash po e shoh në fotografi Ismetin”,- thotë ajo. Dhe, provon të mbajë lotët.
Në Kullën e Bajraktarit në Llaushë, i jipet Mirënjohje Fadil Gecit
Destinacioni i fundit i ekipit të LDK-së ishte Shtëpia e Bajraktarit të Llaushës, Drenicë, e cila identifikohet me Familjen Geci. Në luftën e fundit të Kosovës, kjo Familje ripërtërinë traditën dhe lavdinë e dekadave dhe shekujve më parë. Shtatë (7) Vëllezërit Geci, ndër pushkët e para të Drenicës, me drejtëpeshimin e duhur, institucionalisht të orientuar, ishin dhe mbetën zë i veçantë, në mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të ideve të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Tek Shtëpia-Kështjellë e Bajraktarit të Llaushës, na pritën Vëllezërit Geci me kushëri-vëllazëri dhe të tjerë. Oda karakteristike, me hapësirë enorme, e cila veçon nga odat e zakonshme, që në pamjen e parë, shpalosë historinë e brezave të kësaj Familjeje, sa historike, aq edhe fisnike.
Ish-deputeti Fadil Geci i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje mysafirëve të respektuar, për nderimin me Mirënjohje të bërë atij dhe, natyrshëm, Familjes Geci. Mysafirët vlerësuan lart Vëllezërit Geci, angazhimin e tyre në luftë dhe pas luftës, mbrojtjen e afërt fizike të Presidentit Rugova. Mysafirët folën me radhë, sipas hierarkisë, ashtu siç e kërkon kodi zakonor i Kullës së Bajraktarit.
U shpalosën edhe kujtime nga epoka lavdiplote e Presidentit Rugova. Ishin, pikërisht, dy komandantët institucional, Fadil Gashi dhe Fadil Geci, që i bënë roje trupit të pa jetë të Presidentit të amëshuar, përgjatë natës. Dhe, këtu nuk kemi të bëjmë, thjeshtë, me një rastësi, por, me një përzgjedhje e besueshmëri të kuadrit të përkushtuar dhe përjetësisht me frymë rugoviane.
Ekipi i LDK-së nga Mërgata dhe Kosova, veprimtarinë ditore e përmbylli me shkëmbim mendimesh, në një tryezë, në Kompleksin Hotelier e Turistik “Trofta”, në Istog.
Dega e LDK-së në Beneluks dhe Familja Geci, shtruan një drekë për të pranishmit.