AUTORI: BLERIM LATIFI
GAZETAEXPRESS, 4 Qershor 2018
Viti 2108. Kosova ka njëqind vite prej se është bërë shtet i pavarur.
Pas dekadash hezitimi e kundërshtimi, më fund, edhe Serbia e kishte njohur pavarësinë e saj. Të dy shtetet janë pjesë e Bashkimit Evropian, i cili, pas një periudhe të gjatë të trazirave politike e krizave ekonomike, sërish është rimëkëmbur dhe tani gëzon një nivel të lartë të mirëqenies dhe demokracisë. Ëndrra e Kantit për paqen e përhershme mes popujve është bërë realitet. Të gjitha shtetet e Ballkanit janë pjesë e kësaj lumturie evropiane. Përfytyrimi i vjetër për Ballkanin si fuqi baroti, qëmoti është zhdukur nga diskursi evropian. Poashtu, edhe “Ballkanizimi”, si stereotip negativ. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë në nivel shumë të mirë. Të dy palët përdorin terma moralë për t’i përshkruar këtë marrëdhënie: “vëllazërore”, “miqësore”, “mirëbesim i plotë”, e të tjera.
Në kuadër të kësaj “vëllazërie ndërshtetërore”, në pajtim me qeverinë e Kosovës, qeveria e Serbisë ka marrë përsipër financimin e një numri të madh projektesh të restaurimit të objekteve kulturore në Kosovë. Këto objekte lidhen me të kaluarën e sundimit serb mbi Kosovën. Janë kryesisht kisha, të braktisura nga serbët e Kosovës, të cilët, duke vrapuar pas punëve të tyre në tregun e përbashkët evropian, nuk gjejnë kohë as të luten, e lëre më të kujdesen për këto kisha. Zbatimi i projekteve të restaurimit e konservimit është duke shkuar shumë mirë. Shumë shqiptarë janë të punësuar në këto projekte. Paguhen mirë për punën që bëjnë. Njëri prej tyre është Osman Kela, njohës i trashëgimisë religjioze. Kela është njeri i lumtur. Gëzon emër të mirë në komunitet. Punët në familje poashtu i ecinë mbarë. Sëfundi, qeveria e Serbisë i ka ndarë dy bursa për djemtë e tij, të cilët ndjekin studimet për Marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Internacional të Beogradit.
Është një ditë e ftohtë e marsit 2108.
Osman Kela ka marrë një ftesë për të dhënë intervistë në televizionin më të rëndësishëm të Kosovës. Tema : Trashëgimia religjioze dhe e kaluara historike e popujve.
Gazetari e pyet të ftuarin e nderuar : Meqë po flasim për historinë e 100 viteve më parë, a mund të na thoni se cili është mendimi juaj për figurën e Adem Jasharit?
Osman Kela përgjigjet : Mendoj se ajo që fëmijët tanë ende e mësojnë në shkolla është vetëm një mashtrim i nacionalistëve të asaj kohe, pra, të para 100 viteve. Adem Jashari ishte një njeri problematik. Jetonte si i arratisur në malet e Prekazit dhe sulmonte organet shtetërore të rendit publik. Një ditë policia e izoloi në shtëpinë e tij. I kërkuan të dorëzohej, por ai hapi zjarr kundër organeve të rendit. Ishte njeri i pashpirtë: Vrau me dorën e tij gruan dhe djalin të cilët donin të dorëzoheshin. Më pas policia reagoi dhe e vrau Adem Jasharin, bashkë me terroristët e tjerë që kishin shkuar për t’i ndihmuar. Kjo është e vërteta dhe fëmijët tanë në shkolla duhet të mësojnë faktet, e jo mashtrimet e nacionalistëve të vjetër.
Gazetari i bën një pyetje tjetër : Po për masakrën e shumë përfolur të Reçakut, çfarë mendimi keni?
Osman Kela, tepër i sigurtë në informatat e tij, përgjigjet : Nuk ka qenë masakër. Ishte inskenim i Perëndimit për të justifikuar intervenimin e NATO-s mbi Jugosllavinë. Në atë kohë shqiptarët e Kosovës kanë pasur një jetë të qetë në Jugosllavi, por fuqitë perëndimore kishin vendosur ta shkatërronin atë. UÇK-ja ishte organizatë e një pakice shqiptare, që nxitej nga këto fuqi, në funksion të qëllimit të tyre kundër Jugosllavisë. Ka pasur shumë burra të mirë në atë kohë, që sot padrejtësisht nuk i nderojmë. Rrahman Morina ka qenë njëri prej tyre!
Gazetari : z. Osman Kela, faleminderit që ishit sonte me ne!
Osman Kela : Ju faleminderit ju që më dhatë mundësinë të informoj drejt publikun për këto çështje.
P.S.
Viti 2018.
Ata që sot, me një zell të pashoq, mbrojnë sundimin osman në Kosovë, duke e paraqitur atë si kohë të artë, janë mercenarë që, si puna e Osman Kelës imagjinar, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse shpërndajnë në publik raportet e policisë osmane për ngjarjet e asaj kohe, që nga Skenderbeu, e deri tek Pavarësia e Shqipërisë me 1912. Është në natyrën e raporteve policore që të gjithë kundërshtarëve të shtetit t’u referohen si kriminelë, terroristë, kaçakë, e të tjera cilësime të këtij lloji. Sot, ne kemi nevojë për debat racional e shkencor për historinë, por jo për mercenarë publikë të raporteve policore të regjimeve të kaluara. Natyrisht, të gjitha format e mercenarizmit janë të rënda, por më e rënda prej tyre është mercenarizmi i shpirtit.